More
    KreuLetërsiBibliotekëAmshim dhe poezi (Përzgjodhi dhe përktheu: Xhoina Salaj)

    Amshim dhe poezi (Përzgjodhi dhe përktheu: Xhoina Salaj)

    “Vdekja s’është asgjë” – Henry Scott-Holland

    Vdekja s’është asgjë.
    Nuk ka peshë.
    Veç jam larguar pak,
    në një dhomë tjetër.

    Asgjë s’ka ndodhur.
    Gjithçka mbetet siç ka qenë.
    Unë jam unë dhe ti je ende ti,
    dhe jeta jonë e dashur e përbashkët mbetet e paprekur, e pacenuar.
    Çfarëdo që ishim për njëri-tjetrin, vazhdojmë të jemi.
    Thirrmë me emrin e vjetër, ashtu si dikur.
    Folu për mua siç flisje përherë,
    pa tone të ndryshuara,
    pa trishtim në zë dhe harroje zinë në fjalët e tua.

    Qesh, siç qeshnim bashkë me shakatë e vogla.
    Luaj, buzëqesh, mendo për mua, lutu për mua.
    Emri im le të jetë fjalë e zakonshme në shtëpi,
    siç ka qenë përherë, pa peshë, pa hije.

    Jeta është ende ajo që ka qenë.
    Asgjë nuk ka ndryshuar.
    Ka vetëm një vazhdimësi të plotë, të qetë.
    Vdekja? Një aksident i vogël, i pavlerë.
    Pse të më harrosh, vetëm se s’më sheh?
    Unë jam këtu, po të pres,
    veç për pak çaste,
    diku afër,
    pas qoshes.
    Çdo gjë është mirë.
    Asgjë s’është lënduar e asgjë s’është humbur.
    Një çast i vetëm dhe gjithçka do të jetë sërish si më parë.
    Dhe sa shumë do të qeshim me dhimbjen e ndarjes, kur të takohemi prapë!


    “Pamja nga rruga pa kthim” – Alison Tafel

    Flladi i lehtë s’pëshpërit më,
    uji ulërin madhështi të trishtë.
    Këmbët i dridhen e i përkunden
    mbushet me frymë se mbërrin çasti i grizhdë.
    Gishtat shkëputen nga ura,
    shpejt do ta përpijë lumi mallkim.
    Sytë i mbyll, po prapë i hap një grimë,
    të shohë ç’është pamja nga rruga pa kthim.
    Një erë e ngrohtë, një diell veror,
    një lumë si brerore mbretërore.
    Një valë e ëmbël të pushton, të mashtron,
    e sjell një qetësi fisnikërore.
    Po fluturon tani.
    Ndryshe nga toka, tani sheh kudo gëzim.
    Gjithçka vaj do to të ishte,
    po të mos merrje rrugën pa kthim.
    Përpëlitem t’i shpëtoj tokës që më thërret.
    Ç’mund ta ndalë tani këtë rënie?
    Do të jepja gjithçka që gishtërinjtë të preknin
    zenitin atje lart, gjithë ëndje.
    Po s’mund të ndodhë, gjëma është bërë,
    heshtja përmbyt të fundit tingëllim.
    Para se të hidhja hapin duhej ta kisha parë,
    pamjen nga rruga pa kthim.
    Vërtet duhej të kisha menduar për
    pamjen nga rruga pa kthim.
    Do të doja ta kisha ditur,
    si dukej pamja nga rruga pa kthim.


    “E mbaj zemrën tënde me vete”
    – E. E. Cummings

    E mbaj zemrën tënde me vete (e mbaj
    në zemrën time) askund s’rri pa të (kudo që
    shkoj vjen edhe ti me mua, e dashura ime;
    dhe çfarëdo që të bëj, është vepra jote, zemër)

    S’kam frikë
    nga asnjë fat (sepse ti je fati im, o xhan) nuk dua
    asnjë botë (sepse shumë e bukur je ti bota ime, besnikja ime)
    ti je çfarëdo domethënieje të ketë pasur hëna
    dhe çfarëdo që të ketë kënduar dielli

    Ja fshehtësia më e thellë të cilën s’e njeh askush
    (ja rrënjët e rrënjëve dhe pipthat e pipthave
    dhe qiejt e qiejve të drurit të quajtur jetë që luhatet
    më shumë se sa që mundet zemra të shpresojë
    ose sa mundet mendja të fshehë)

    e mbaj zemrën tënde me vete (e mbaj në zemrën time)


    “Mos rri në varrin tim e mos qaj” – Mary Elizabeth Frye

    Mos rri në varrin tim e mos qaj,
    Nuk jam aty. Nuk fle.
    Unë jam një mijë erërat që fryjnë.
    Unë jam shkëlqimet e diamantit që borën mësyjnë.
    Unë jam drita e diellit mbi grurin e pjekur.
    Unë jam shiu i vjeshtës i mekur.
    Kur zgjohesh në heshtjen e mëngjesit,
    Unë jam nxitimi i shpejtë lartësues
    i zogjve të qetë në fluturim rrethues.
    Unë jam yjet e butë që ndriçojnë në natën e hekurt.
    Mos rri në varrin tim e mos qaj,
    Nuk jam aty. Unë nuk kam vdekur.


    “Larg syve të mi” – Henry Can Dyke

    Po qëndroj buzë detit. Një anije bri meje
    hap velat e bardhë në flladin e erës dhe niset me shpejtësi
    drejt oqeanit të kaltër. Është një pamje bukurie dhe force.
    Qëndroj dhe e shikoj derisa, më në fund, varet si një pikël
    reje e bardhë, pikërisht aty ku deti dhe qielli takohen e bëhen një.

    Pastaj, dikush pranë meje thotë: “Ja, iku.”
    Ku iku?

    Iku larg syve të mi. Vetëm kaq. Ajo është po aq e madhe në direk
    dhe në trup, sa ç’ishte kur u largua nga unë.
    Dhe është po aq e aftë të mbajë barrën e saj me shpirtrat e gjallë drejt portit të saj të caktuar.
    Masa e saj e zvogëluar është tek unë, jo tek ajo.

    Dhe, pikërisht në çastin kur dikush thotë: “Ja, iku”,
    sy të tjerë po e shikojnë të afrohet, zëra të tjerë
    gati të bërtasin: “Ja ku po vjen!”

    Dhe kjo është vdekja…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË