More
    KreuLetërsiBibliotekë"Alkimia e natës", cikël poetik nga Marsela Neni

    “Alkimia e natës”, cikël poetik nga Marsela Neni

    Ti di si t’ia zhbësh konturet një gruaje

    Ti di si t’ia zhbësh konturet
    një gruaje:

    Fillimisht ravijëzon një siluetë
    heq prej saj lëndinën e mishtë
    nën lëkurë fut gurët e një
    dashurie të hershme
    me mure të arnuara
    e gozhdë të pashkulura lëngimi
    var në to portrete ekzotike
    e mbush me shkulme
    e zogj të plagosur mërie…

    Gjithçka i ngjan procesit të fotoshopit
    ku ti krijon një tjetër grua
    që NUK jam unë.


    N’dallgët e prushta të kripës tande

    N’mrizin mes velit të shikimit tand
    e zgripit të një puthjeje
    dehun n’dëshirë
    m’u përvijue një rigë loti.
    E përshkova at’lot
    siç kalohet përmes nji prroi
    pa dashë me u lagë.
    Nuk di në asht pagzue kush pa ujë
    veç kujtoj se s’jam ma si ma parë
    jam shërue nga vetja
    duke ec zbathun n’dallgët e prushta
    të kripës tande
    kurrë pa ditun
    se t’jepesh pa u kursye-
    kjo asht dashnia.


    Porta e të dyzetave

    Thonë se të dyzetat janë porta
    e një fillimi të ri.

    Ajo portë është hapur
    dhe unë qëndroj në prag
    duke kundruar shtegun e parrahur.

    Nuk shqetësohem më se si dukem
    në sytë e të tjerëve
    jetoj çdo ditë duke zhveshur
    komplekset e mia.

    Di se sa vlej e nuk rend më
    pas lumturisë, pas zhgënjimeve,
    si pas aromës së një luleje
    që më ka djegur xhanin.

    Destini e di se ku banoj
    dhe unë armiqtë në shtrat
    nuk kam për t’i pritur.

    Lutem çdo mëngjes,
    sa hap sytë,
    për kurajo, forcë e një dozë humori.

    Kam pranë njerëzit që dua
    e ca dhoma i kam boshatisur
    për bekime të reja.

    Thonë se të dyzetat janë porta
    e një fillimi të ri:

    Të jetosh për shpirtin, unë e quaj liri.


    Dashuria është e gjitha dashuri

    Ajo po gdhend zemrën time
    ndërron një dërrasë të kalbur
    heq një gozhdë të ndryshkur
    mbulon një vrimë në murin e aortës
    zgjeron një kanal për anijet e bardha
    ujit një lule të zverdhur nën një palmë
    i lyen me qiej hidhërimet e mia
    ndez zjarre të strukura në hi.

    Dashuria është e gjitha dashuri. Dashuria nuk lëndon.

    Janë njerëzit që lëndojnë njëri-tjetrin.


    Language e asaj që s’thuhet

    Tani s’flasim më aq shumë
    sa më parë,
    komunikojmë në gjuhën e Zotit*.
    Ti më pyet në dëshiroj një kafe
    në tryezën e kuzhinës ulur pranë,
    por aq larg sa ta lejojmë detin
    të valojë mes brigjeve tona,
    erërat e qiejve të fryjnë
    e pulëbardhat të fluturojnë.

    U ngjajmë dy kolonave antike
    të së njëjtit tempull
    që mbajnë çatinë e botës.

    Ti më ujëmbush një kupë
    e unë mbush kupën tënde
    por s’pimë nga kupat e njëri-tjetrit.

    Jemi dy lumenj përbashkuar në një,
    pas uraganit të përshkimit
    rrjedhim të qetë
    drejt deltës së të njëjtit oqean,
    secili duke ruajtur ngjyrat e veta
    si telat e lahutës që qëndrojnë
    më vete, por luajn’ të njëjtën melodi.

    Tani s’flasim më aq shumë
    sa më parë.
    Lexojmë në pasqyrën e syve
    çka s’themi.
    Kur emocioni gjen mendimin
    e mendimi fjalët,
    rindizet zjarri poetik i jetës
    e ne ngrohim damarët e përdredhur
    netëve të martesës.


    Alkimia e natës

    U rrokullisën qiejt
    e na gjetën shpinë më shpinë
    njëri në gërrhimën e dreqit
    tjetri paqes ia kishte shkuar thikën
    përmesi.

    U rrokullisën qiejt
    si gurët kur bijnë nga mali
    me rropamë të tërbuar
    ramë e fjetëm me ujkun në bark.
    ………………………………
    Si fshesare cigane errësirë e natës
    e paskësh fshirë zemërimin
    Në mëngjes puthëm petalet e syve
    larë nga vesa… pa thënë asgjë

    …se falja s’ka zë…


    Zog mëngjesi

    Gjithë jetën jam zgjuar herët.
    Ëndrrat e mia ishin më të mëdha se dita ime.
    Tani që kam fituar një farë moshe,
    më shijon të fle fill pas agut.
    Ndoshta sepse netëve vallëzoj me orët lugjeve të krijimit
    që ferri të mbetet i paprekur në madhështinë e tij.
    Nuk mund të ankohem.
    Më thonë se është çështje zgjedhjeje.
    Pa dyshim është çështje pranimi.
    Me bisht të syrit e ndjej gjumin
    tek arratiset nga shtrati i territ
    veshur me një pëlhurë sateni të bardhë.
    Unë ia di udhën, e ndjek pa bërë zë.
    Do të ishte vërtet marrëzi të rebelohesh:
    Gjumi është një qenie krejt e pafajshme,
    fajtori jam unë që zgjedh të ëndërroj.


    Mund ta thyhesh një grua

    Mund ta thyhesh një grua,
    përkohësisht…
    zemra e saj si qelqi
    në një milion gastare
    do të zhbëhej.

    Mund ta thyhesh një grua,
    por kujdes, mos shkel
    mbi gastaret e zemrës së saj,
    do të vritesh…

    Mund ta thyhesh një grua,
    përkohësisht,
    por ki mendjen, mos e nënvlerëso
    forcën e saj,
    do të çmendesh…


    Është e lehtë të shkosh

    Është e lehtë të shkosh,
    më e vështirë të rrish
    Në orën e gjuhës
    gjithçka na e paskan mësuar gabim:
    s’ka folje që tregojnë gjendje dhe lëvizje
    të gjendesh është e gjitha një proces
    Më kujton një rosë të egër
    që nuk zgjedh të migrojë,
    por thyen akullin duke rrahur krahët
    për të ndërtuar një fole.

    ‘Të kalosh’ përmes ‘të rrish’
    edhe brenda një ndjenje të vdekur- të ëndërrosh
    -dashuri të vërtetë.

    NJË KOMENT

    1. Uh, sa e mashehët dhe largët është e vërteta, ajo jeton pa e ditur se ku je-gjendesh, por ja qe kështu NATYRA ndërton- ngrit LIGJET e veta dhe mbaron jeta larg, larg në panjohje ndërmjet atyre qe kanë fuqinë e njejtë dhe mund të janë së bashku, në ndërtimin e jetës.. Mergmitari…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË