More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAli Aliu: Vepër me bosht tematik unik e shkrimtarit Resul Shabani

    Ali Aliu: Vepër me bosht tematik unik e shkrimtarit Resul Shabani

    Resul Shabani është shkrimtar i rëndësishëm në letërsinë shqiptare; u shfaq dhe bëri emër në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar. Është autor i disa vëllimeve me poezi, i romaneve dhe tregimeve, i dramave; përkthyesi më i mirë i letërsisë, sidomos poezisë, në dy drejtime – shqip maqedonisht dhe e kundërta…. Ai qëndron krah emrave më të denjë në hapësirën shqiptare, por i tërhequr dhe pak i pranishëm në përditshmëri: media, përurime, çmime, panaire, festivale … Shkrimtari deri në pensionim punoi gazetar e redaktor në Shkup (Flaka…) dhe shumicën e veprave e botoi aty, me besim se cilësia e veprës nuk varet nga vendi, botuesi. Fatkeqësisht, ambienti shqiptar, letrar, kryesisht është çrregulluar, për të mos thënë kontaminuar, njësoj si në fushat e tjera të jetës; përfillen rregullat e tarafeve, lobizmeve, jurive formale përfshirë në pazarin tonë global, etj. Në këtë kontekst, është për të përshëndetur akti i ShB Onufrit që, sidomos kohën e fundit, po boton vepra të autorëve të rëndësishëm (që jetojnë dhe krijojnë jashtë kufijve të Shqipërisë së cunguar, duke mëtuar ta bëjë atë Një të Vetme), siç është edhe ky i Hamleti me plis të zi të Resul Shabanit.

    Struktura unike e librit Hamleti me plis të zi, që ka tetë libërtha, me nga gjashtë cikle secila, dhe që së bashku sjellin rreth tremijë vargje, me bosht tematik unik, mëton të prekë kufirin e poemthit lirik, nga më shumë perspektiva: pos lëndës, konceptit stilistik dhe metrik, alternativave dhe perspektivës lëvizëse të zërit, si dhe lidhjes, komunikimit mes tetë cikleve që qëndron dhe funksionon në dy rrafshe: si autonome nga jashtë dhe me lidhje intensive komunikimi nga brenda. Kufizimi me natyrën e poemthit, ku pretendimi narrativ është plotësisht nën kontrollin e refleksit lirik dhe metafizik, është forma e disiplinuar që në këtë shkallë mundëson shpërndarjen e përfytyrimeve dhe reflekseve, të imazheve, perspektivës së zërit dhe shtegtim të pakufizuar nëpër kohë dhe hapësirë. Përmes përsëritjes së dy vargjeve të para të njësisë strofike (secila poezi ka katër njësi) në fund të saj, ke përshtypjen se ndillen, rikthehen ngarkuar me lëndë plus, si roitjet bleta, të mbamendjes dhe të imagjinatës. Dyvargëshi i fillimit, i përsëritur në fund, vjen i ngarkuar, pas bredhjeve kryq e tërthor, me shtresime të reja kuptimi dhe emocioni, me reflekse të reja filozofike.

    Përmes gjashtë këngëve (secila ka nga 56 vargje, dy të parat nga gjashtëmbëdhjetë dhe dy të fundit nga dymbëdhjetë ), poeti synon të artikulojë një mikro univers të rrumbullakuar. Teatri, në një shtresim shfaqet metaforë në funksion etnik por që perceptimi natyrshëm rrëshqet drejt teatrit universal. Si metaforë përjetësie që përsëritet, poezia nxit përsiatje: tragjikja e teatrit antik ishte klithmë kozmike, çarje madhore që përplaste e rrëzonte male, që gjuante dhe plagoste perëndi … Me kohë ajo u familjarizua, u bë përditshmëri, u zbeh si pasion dhe si katarsis … Në skenën tonë teatrore, sikur s’ndodh asgjë e re, pos në prapaskenë …

    Libërthi i parë Teatri që talli perëndeshën Talia, që është matricë e veprës, artikulohet brenda tempullit antik të Talias, ku luhet loja, shfaqet sa metaforë e teatrit etnik, sa artistikisht universal; zërit, brenda kësaj strukture i mundësohet hapësirë për lëvizje të natyrshme perspektivash, – sa aktor e sa spektator, sa jehonë lashtësie, pavetore në kërkim të plotënisë së tempullit shpirtëror, praninë e të cilit e ndjen frymë e s’e gjen kund; gamë kërkimi sa ngasës dhe trazues, dëshpërues dhe zhgënjyes, sa rebelim dhe qortues, vetëqortues, sa mburrje dhe vetëmburrje, sa tërheqje përsiatëse, gulçime emocionale dramatike…

    Frymëzimi poetik i autorit në këtë rast mund të jetë nxitur edhe nga një shfaqje konkrete në një nga “skenat tona”, meqë mund të vërehen parashenja të tilla: cili është dhe si duhet të jetë teatri ynë? Jemi kukulla, apo lojtarë që e zotërojmë atë? Jemi spektatorë që e mbushim sallën për “të parë” veten tek tjetri dhe, jemi nga ata të rreshtit të parë apo të fundit? Pse mungon “mesi i artë”, që është boshti, thelbi, reflekse këto të shpeshta që e përshkojnë jo vetëm këtë kapitull të veprës, por në tërësi librin. Mbase, nxitësi për lindjen e këtij cikli, mund të ketë qenë një vizitë rasti a e qëllimshme Butrintit, njësoj si në teatrin e qytetit, meqë shiriti kohë rrjedh njësoj i njëtrajtshëm, duke “shënuar” bëmat në mbamendje të regjistruara në asgjë. Dhe përsëri poeti s’resht së sfiduar herë veten si Zot dhe “Zot” të teatrit tonë, duke vazhduar të ëndërrojë “përjetësinë” në palimsestin e kohës që rrjedh, njësoj prapa dhe përpara …

    Në tre kapituj e radhës, Fauna, Flora, Intime. gjallërohet tërë topografia e ambientit dhe e shtigjeve fëmijërore të poetit, që nga ngjizet frymëzimi. Toni i mallit dhe melankolisë filozofike, i dëshpërimit zhgënjyes, lidhet kryesisht me kategorinë kohë, që fshin dhe asgjëson tempullin shpirtëror të fisit, pa lënë gjurmë. Ngjyrimi i tillë emocional shtrihet mbi universin natyrë, shpezëri e bimësi duke nxitur ndjesinë e zgjimit, ndërgjegjësimin e përjetësisë. Kjo shije e veson, kryesisht, tërë poezinë e vëllimit, ndërsa te ciklet e zënë ngoje ajo dëshmohet nga prania e gjurmëve, shenjave antike, deri mitologjike. Nga cikli “Fauna” mbresë të fuqishme lënë vargjet e poezive “Gjeli”, “Lejleku” … E para thur në vete tinguj e reflekse që, në universin etnik, shtrihen si jehonë për zgjim, që s’ndodh;  do të vazhdojë ta zgjojë atë boshësi dhe kotje pa fund të etnisë. Njësoj si “Kumria” që ngulmon vajtueshëm rishtazi në kërkim të mosgjësë, perspektivë të cilën e shpirtëzon qyqja, simbol i vetmisë totale dhe i përhumbjeve planetare; vargjet te  Lejleku,  ku shfaqet shtërgu – imazh mbresëlënës i ciklit: oxhaku mbi shtëpinë e vjetër që ka strehuar në gji çerdhen prej kashte të tij, të posa kthyer me pranverë, ashtu hijerëndë e nammadh, i ngrysur dhe qesëndisës, Nëna duke u sjellë përreth me thërrimet e bukës për mirëseardhjen, pritur në mall e ankth; zgjohet për një çast ambientit i dikurshëm përmes një petku të ri, zgjohen veçantitë e tyre, të natyrës … Po në këtë nivel artikulimi shpirtëzohet çdo gjë, tokeqiell të ciklit “Flora”. Aty shquan krenaria e lashtë e manit që sfidon hapësira lashtësish, vërvitur mbi çati që i pari prek rrezet e diellit amë, afër qiellit, e megjithatë thellë te rrënjët strehon gjarprin e zi. Dhe të gjitha, të gjitha, regjistruar në trupin e gërryer motesh, përsëri pa dëshmi. Gjakimi për të dalë, për të çarë rrethin e parë e për ta “gjetur kohën tonë” është tendosës edhe te vargjet e poezisë “Shavari” me ngjyrim pikëllues më të theksuar. Vargohen të gjallëruara pamjet e ambientit të dikurshëm, bota që e bart me vete, që e kërkon me plot mall poeti. Në tërë shtrirjen e poezisë, ku spikatet zëri i melankolisë dhe pikëllimit, ndiejmë një si sfidë dypalëshe, një ballafaqim dramatik: në mes të kohës që rrjedh dhe fshin njëherësh, dhe asaj me perspektivë përjetësie

    Po zbardhëllon e dashur, po zbardhëllon.

    Vetëm bregliqeni ka shavar të blertë.

    Peizazhi i personifikuar merr pjesë në mënyrë të barabartë si palë aktive në universin tematik të librit. Përmes rrjedhave nëntokësore, ku lëviz vizioni, sajohen pamje, shpesh të traditës surrealiste, ku flora, fauna, familja … shpalosen si thurje e përbashkët e ngarkuar me tendosje dhe shqetësim, gjithnjë me një synim të ethshëm: gjallërimi i kohës që s’është, çfarë do të jetë edhe ajo që rrjedh, edhe ajo që do të vijë …

    Pasojnë ciklet “Ura e shenjtë”, “Në një harpë tjetër kambanarët” …, që vijnë edhe si një variant bredhjesh dhe kërkimesh shqetësuese rrënjëve dhe lashtësive, që janë e s’janë. Vijnë si zatetje asociative pas urave dhe kështjellave, simbolike nga njëra anë dhe metaforike nga ana tjetër. Është karakteristike lëvizja e akrepit të ndjeshëm dhe tendosës nga një skaj në tjetrin:  herë ndjen mbështetje në pikat e bredhjeve antike (te Hija e shpatës së Tij) dhe herë ndjenjën e mungesës së çfarëdo mbështetjeje. Te cikli i parë, ndërsa shkrepin do rreze besimi, tek i dyti, pas çdo rebelimi imagjinar nëpër kohë, nëpër “fitoret tona përherë të humbura”, kthehet përsëri ngjyra e gjeografisë frymëzuese, pamje që përbën truallin e ngasjeve krijuese:

    Shtëpia e fshatit tim tani më bëhet

    Zgjua ku nektari krua sofrës rrjedh

    Libri me poezi “Hamleti me plis të zi” i poetit Resul Shabani, siç u tha më sipër, është kompozuar si një poemth. Ndër tetë kapitujt (ciklet), i pari ka shijen e një habie dëshpëruese, filozofike, ndërsa i fundit, “Hieroglifët mbi qëndresën e gurit në stuhi” vjen si përmbyllje e natyrshme e një udhëtimi liriko-epik. Kthimi tingëllon definitiv, njëkohësisht me ndjenjën se ai do të përsëritet jo në pambarim. Në këtë shtegtim mbi “qerren jetike” vijëzohet një zë i distancuar, që herë shfaqet si palë (hero), herë si Unë i dytë, e herë identik me atë të autorit. Është zëri që sajon harkun dy kahesh: mes vogëlushit që nis bredhjet nëpër botë dhe tjetrit, njeriut që bredhjen “e nis” nga perspektiva e harkut të mbyllur; është kapitulli ndër më të realizuarit që vjen si përmbyllje e natyrshme e librit …

    Për të arritur thellësive të pamjeve të dikurshme që i ndjell poeti e që shfaqen kristalisht të qarta, e për të nxjerrë që andej reflekse filozofike, duhet çarë shtresën e mjegullt që në çaste pllakoset mbi ato pamje. Mozaiku i reflekseve thuret mbi segmente përbërëse të pamjeve: mani, shavari, babai, nëna, liqeni, barka, shtëpia e vjetër, lejleku, … Mbi këtë truall mbruhet dhe gatuhet ngarkesa e shqetësimeve poetike: mes shkëlqimit të mbamendjes dhe mallit të ankthshëm të subjektit të gjallë, mes universit të mjegullt, që nuk njihet dhe vetëdijes për këtë prani, mes përjetësisë së bardhë dhe çastit … Nga ky kontekst e ndjen edhe jehonën e largët të një qortimi, vetëqortimi për të kaluarën që është e s’është. Fjala është për poezi që të përvetëson me pasurinë dhe freskinë, ngasjeve për zgjimin e reflekseve jetësore, për zgjimin e brendshëm që arrin të plazmojë të pa definuarën, fluiden.

     Hamleti me plis të zi, është poezi e ngjizur brenda një skene, teatrore, shqiptare, ballkanase, universale, në gjirin e një tempulli e një etnie, vatre, rrënje, qenie që përpushet të shfaqet, zgjohet, zëshëm, në dije e ndërdije, të shkundë pluhurin, harresën, zhbërjen…

    Nga kjo perspektivë, Resul Shabani sjell një libër unik në poezinë shqipe; Hamleti me plis të zi është libër mega, thurur nga tetë (8) libërtha, secili me nga gjashtë cikle që përbëjnë tërësinë me rreth tre mijë vargje, përmes një strukturë tematike dhe metrike të lidhur, perfeksion kuptimor dhe estetik; ku pluskimet, përshkëndijimet refleksive, të mendjes dhe shpirtit, shtrihen horizontalisht dhe vertikalisht dhe, secili libërth mëton, shtyhet tej drejt shtratit të madh, për të sjellë prurjet, gjithë të zbutura, fisnikëruara, asimiluara dhe sistemuara sipas një kodi, të përzgjedhur, siç thotë Edgar Allan Po në esenë Filozofia e kompozicionit…

    Në këtë libër të madh, lidhur tetë libërtha përmes fijesh e venash të shumta, dhe ku të gjitha derdhen në shtratin e vetëm, që është libri më i rëndësishmi i poetit dhe ndër më të rëndësishmit në poezinë shqipe, autori prek kufijtë e një poemthi lirik, që për matricë frymëzimi ka pellgun, hapësirën e gjolit mitologjik dhe etnik të Kalishtit, fshatit strugan, ku është lindur dhe gatuar poeti; nga kjo fole marrin fluturim imazhet ngarkuar vargjeve, aty ngjizen dhe artikulohen figura, simbole dhe metafora kreative sidomos, aromë e pranishme në mbarë krijimtarinë e këtij autori; është Kalishti me babanë emblematik, obelisk ku janë stampuar testamentet moteve, mozaik shenjash në pëllëmbë dore, në rrudha heshtjesh stoike, në mallin e madh për livadhin e djegur… Nga buzëgjoli, nga valët dhe thellësia e tij, marrin fluturim, ngarkuar kërkim e ankth tërë universi i truallit të lindjes, florë dhe faunë, shtërgu majë çatie, gjeli që s’pran në thirrje për zgjim, vaji për kurrë të gjeturin e kumrisë dhe vetminë planetare të qyqes…

    Çdo pjesë, pjesëz e kësaj kalaje poetike është në harmoni me njëra-tjetrën dhe, së bashku në unison, me boshtin qendror. Janë të hapura për të përthithur dhe, për të përcjellë çdo ngacmim, çdo shenjë, qoftë kur duhet strehuar përballë stuhive, qoftë në besim buzë shfaqjes së pranverës; kështu frymon çdo gjë në hapësirën e truallit që nga fillimet e mbamendjes, gjithnjë në kërkim të gjetjes, të vetëgjetjes së plotë të qenies; zgjimit nga përgjumjet, nga besimi dhe pabesitë, me shpresa të vakëta se kësaj here, mbase koha do të jetë në krahun tone. Në këtë frymë tetë libërthat funksionojnë si rrjedha drejt ngritjes së mullirit magjik, ujor, Sampo, për të ndërtuar Fanarin orientues në breg të liqenit antik të poetit, të fisit dhe busullën globale; tërë harmoni rrjedhash tokë dhe qiell, familje dhe fis njerëzor, një polifoni poetike isosh perfekte që derdhen nga të gjitha anët; gjeturi në këtë nivel tingëllon përsëritja e dyvargëshit të parë të çdo njësie strofike në fund të saj, duke sjellë ngarkesë plus, në fund të njësisë; lëvizja e këndeve frymëzuese të zërit, në kohë dhe hapësirë, ngarkuar hamendësime hamletiane, zhgënjimesh dhe mbyllje horizontesh, perdezeza që mban mbërthyer tempullin e shenjtë të fisit, zërin lirik rebelues, shndërruar betejë planetare, mes së mirës dhe së ligës ndër mote, zë që duke u alternuar përfshin sa më shumë fasha kohore dhe hapësinore në rrjetën e vet, shpesh duke e zënë veten në zgrip, buzë humnerave; Riçard pa mbulesë dhe pa mbështetje në log; zë rrezatim i qenies, i një yllësie shtresuar motive në mëtim të shkëlqimit të vet, të dikurshëm, fije bari uitmaniane shtypur thundre që kërkon të çajë, të gjejë plasaritje shkëmbi për të parë dritë, shkëlqim që përpiqet të dalë, të shpërthejë kornizën gri të pikturës, të piktorit, të jehojë monolog i zëshëm në skenë…

    I zymtë ligjërimi Trungu, për trungun, atij të pyllit, të kopshtit, të oborrit, të oxhakut, vatrës; tërë shpirtëzim kuvendor, shpalosës, si rrathët e tij palimpsestuar viteve, stuhive, rrebesheve; aty edhe sëpata, edhe bishti i sëpatës, tehu martir i saj, dhe, gjithë rrezatim-ngarkese, derdhje në shtratin unik të librit, të nervit-bosht ngasës të zërit, gjithë ankth për fatin e tempullit shpirtëror të fisit, ngjashëm me pëshpëritjen e valëve të liqenit; Trungu në mëshirë-pamëshirën e fatit të vet të zi, sa trung mallkuari, shndërruar në gijotinë, në mbështetës i kokës së prerë të zogut, sa varr i hapur që, në vargjet e Resul Shabanit, sprovohet, përthyhet figurave sureale, të gjetura me kreativitet, duke e përballur e përshkuar rrezeve rëntgen, tërë freski dhe përsosje estetike… Aty pranë edhe rrëfimi për, dhe i trungut të manit stërgjyshor mes oborrit, të shelgut vajtues, degëvarurit mbi lumin në ecje drejt detit, lumit në etjen e tij shekullore për një ujëvarë, për një prerje të fortë katarakti, gjithë simfonia polifonike…

    Ura, e shenjtë, rrjedhje imazhesh nga largësi motesh, antike, ilirike dhe, urarëzuara, të pa ngritura sot dhe mot, ngarkuar tensione, tundime dramatike, që, me këtë rast, në momente marrin rrjedhë më të qëndrueshme, të qetë, por që s’kursejnë; janë urat, kalatë tona, themeleve ku përvidhet mallkimi, pabesia, të lindura apo të dhuruara, pse veç natës i japim krah dhe dorë mëtimit; përvidhet mes vargjeve, frymon përgjërimi për ndërtimin prej vërteti edhe urën edhe kalanë tonë, shpirtërore, të shenjtë…

    Libërthi i fundit, i teti, vjen si përmbyllje perfekte e librit Hamleti me plis të zi: “Desha të krijoj vetëm një Sampo drite, Në liqen, dhe të bie në betejë”…; po, vetëm kaq pakë dashka poeti, me përulje madhore poetësh, asgjë më shumë, pos një Sampo në gjolin e fisit, një fanar shpirti të përjetshëm, një tempull amshimi dhe që, rëndom, është, – në mos vetëm, dhunti e artit poetik, e poetëve…

    Origjinaliteti i librit, – pos strukturës, lëndës, metrit, mbështetet në vizionin e autorit që zë embrion tek lënda e pasur, shtresuar gjatë në botën e shkrimtarit dhe që një moment e nxit, e sfidon tundimin e tij, poetin me këtë rast, drejt realizimit të projektit krijues, poetik, si ka ndodhur me këtë rast…

    Në këtë libër, detajet, qoftë kur shfaqen në veshje simboli, shenje, gjurmë figure, në vete janë bërthamë e një rrëfimi, e një bëme, drame e një kohe, rrethane, pas së cilës lexuesi përfshihet në imagjinatën e poetit dhe e zbërthen me imagjinatën e vet atë, rrëfimin, dhe që është kënaqësi e njohur e leximit…

    Hamleti me plis të zi, është një krijim poetik, i cili, nisur që nga përmbajtja dhe stili, që nga lakimi i perspektivës së subjektit, qasjes kompozicionale, kopsitjes metrike, në poezinë tonë i ngjason vetëm vetvetes…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË