More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAli Aliu: Impresione leximi nga tre poetë bashkëkohorë

    Ali Aliu: Impresione leximi nga tre poetë bashkëkohorë

    I. “Prilli i hidhur”, (Onufri 2020) Bardhyl Londo  (Qetësi planetare e kalimit)

    Libri “Prilli i hidhur”, është kurora përmbyllëse e krijimtarisë poetike 60 – vjeçare e Bardhyl Londos. Një pjesë e mirë e vargjeve të këtij libri sjellin ndjesinë e parapërgatitjes së poetit drejt kalimit në përjetësi; e bën këtë me një qetësi planetare, vizion të urtakut të lindur, pa bujë, pa panik; një paqe e brendshme, gatishmëri për të kaluar matanë, përtej sfondit prillor nga ku s’ka kthim; njësoj edhe vargjet e poezisë, antologjike “Oh kjo ditë e virgjër prilli”.

    Prillin që e ka zgjedhur poeti për lamtumirën e fundit, Kadare e quan: “…muaji më mizor, – rilind natyrën por jo edhe njeriun”; prilli është muaji më ngacmues, më sfidues për imagjinatën krijuese, veçmas e poetëve. Ai identifikohet me pranverën, thjesht sinonim i saj, është sa ndjellës magjik, sa refuzues, si mezanine, mes jetës dhe vdekjes, me një krah andej, me një këndej. Poeti i shquar italian, Humbereto Saba, (1883-1957), në një poezi, “Pranvera”, (që s’më pëlqen fare), thotë: “Parandjenja jote më shpon, si thikë: hija ende e hollë e degëve të zhveshura, – mbi dheun ende të zhveshur më turbullon, – thua se edhe unë mundem të rilind; “që më shumë se çdo stinë mizorisht ngjall dhe vret”.

    Kurse poeti Arian Leka që ka provokuar të gjithë muajt e vitit në përballje me detin, mëton shpalime të pleksjeve jetike të ekzistencës, të dukshmet dhe misteret e kësaj sfide dypalëshe, bukurinë dhe mizorinë e secilit, joshjet dhe ndëshkimet, kënaqësitë reale dhe kurthet e kurdisura, rilindjet dhe vdekjet.

    Prilli që sapo del nga tuneli gjysmë terr e trishtim marsor, aq edhe ëndjet e fillimit të pranverës, sa endje gjysmë të përgjumura, si në trullosje, sa ndjellje prehëse lumturore, sa i pasigurt në të papriturat kurthore…; “marsi nuk ka race të pastër, as personalitet; “…hiqet zvarrë, me fytyrë prej engjëlli të çalë; në prill detin e zë deti, deti e deh detin, as i pastër as i këllirtë; ai pastron mëkatet e pararendësit…”.

    Poezia “Oh kjo ditë e virgjër prilli”, sjell vetëm një nga tridhjetë ditët e muajit të hidhur, ditë tmerrësisht e bukur, e paarritshme, e papërballueshme, si qelq kristali, frikë që thërrmohet vetëm nga shikimi, përsiat zëri nga perspektiva e udhës nisur përtej. Dita, ndërsa shtrirë tërë në shkëlqim vezullues, magji qielli që të përthith vetëtimthi, vello nusërie, vjen edhe njësoj si qefin përjetësie, përvidhet, në qetësi, pikëllueshëm, zëri i poetit. Në këtë valë ndjesie dhe përsosmërie estetike, përjetohen vargjet e këtij cikli poetik të Londos, si, “Dy metra vend”, “Të vdekurit e harruar”, “Atit tim”…

    Anash ciklit poetik “Përvjetorët” në krye të këtij librit, ku poeti, si gjithandej kreativ, përpara pasqyrës metaforike, të plasur dysh, ballafaqon madhështinë kombëtare epike skënderbeane, me katandisjen e botës shqiptare sot, dy kapitujt pasues “Një lumë mespërmes qytetit” dhe “Të vdekurit e mi”, shpalosin disponimin gri dhe kaotike shqiptare sot. E mbyll ciklin me poezinë “Dy metra vend“ – (“pres pa panik dy metra vend”).

    Te cikli pasues “Qyteti në depresion” zëri mëton të prekë kufij apokaliptikë. Tri poezitë e para janë zënë dhe realizuar gjatë pandemisë, vargjet e njëmbëdhjetë poezive pasuese, si të dala nga ky terr mortor, dyvjeçar, që hapet me vargjet lakonike: “ Dy zogj” (“dy zogj ndjekin njëri-tjetrin,/ në qiellin e përvëluar nga etja,/ njëri është jeta, tjetri është vdekja”…

    Ditët, netët e pandemisë, si kërcënim saçi të skuqur mbi kokë, nga i cili nuk ke si mbrohesh, dorëzuar në mëshirën e tij, Londo solli vargje poetike, ngarkuar përfytyrime, ndjesi dhe parandjenja që vijnë shtresimesh të thella të shpirtit dhe mendjes; në frymën e dy gjysmave emblematike në poetikën e Bardhyl Londos, qyteti karantinuar dhe dorëzuar kërcënimit mortor, me shesh-qytete fantomë, si një tru i stërmadh ngurosur në infarkt; qyteti që trishtueshëm heshton, gjysma makth, gjysma depresion dhe gjithë në frymën e kësaj poetikë lirike, qyteti me lagje e bulevarde gjysmë dritë e gjysmë terr, gjysmë zbrazur e gjysmë shkret, të sjell ndërmend vargjet e poezisë “Kënga e zanafillës”, një vedë hinde, nga e cila po shkëpusim disa, nga 28 vargjet e sa: “… as luftë as jo luftë s’ka patur ahere, …as hapësirë ndriçuese as qiell mbi të… ç’fshihej?… ku?… në përqafim të kujt,… as pavdekshmëri as vdekje, s’ka qenë ahere… as gjurmë dite as gjurmë nate, … përtej saj asgjë tjetër s’ishte, as tutje…”. Krejt ngjitje zbritje pafund universit njerëzor, ngjashëm me gjysmat tunduese në poezinë e Londos…

    Por në librin më të fundit të poetit të madh në letrat shqipe, më tërhoqi, për herë të dytë vëmendjen, poema “Faleminderit, det!”, e botuar për herë të parë qysh në vitin 1977, përfshirë edhe në këtë përmbledhje. Autori ka prekur, plot finesë, vetëm disa detaje ritmi a tingulli, dhe ka hequr vetëm emrin Lekë Dukagjini, tek kënga e pestë, ndërsa ka ndryshuar vargun “Deti mes brigjesh”, me vargun “Saranda mes brigjesh” në këngën e fundit.

    Ajo që më ka bërë përshtypje në këtë poemë me titullin shumë interesant “Faleminderit, det!”, është poema, artistikisht më e realizuar e poetit. Disa nga këngët, veçmas katër të parat, janë thjesht një përsosje estetike në poezinë shqipe. Zëri lirik arrin të shkëputet nga gravitacionet e jashtme, të asaj që lidhet me përditshmërinë. Nuk ekziston botë, sy dhe veshë përreth, vetëm ai dhe e dashura, gjithësia e tyre dhe për ta, hapësira pafund e kaltër e detit që shpirtëzohet dhe merr të drejtën e personazhit të tretë. Ai hyjnishëm e pret në gjirin e vet vashën, e ndjell në prehje lumturore, e përkëdhel në luhatje ëndërrore, shndërruar në gjithësi, det dhe qiell në paqe dhe dashuri; shtimung harmonik i përsosur i të dyja palëve…

    Bardhyl Londo, në thelb është natyrë e poetit refleksiv, atë e shquan prania e rreptë e gjykimit, ku sapo ngjizet frymëzimi, dhe tensionet emocionale që e nxehin ritmin e vargut, gjithcka merr formë të qartë, të një stili poetik të veçantë, brenda parimeve korrekte estetike. Duhet ta them se Bardhyl Londo është poet filozof, që sfidon absurdin dhe paradoksin e botës njerëzore, i tillë është edhe fundi i ciklit poetik “Faleminderit det”, që përmenda më lart, ku, zëri lirik sikur zgjohet nga një fluturim lumturor dhe bëhet gati të kthehet përsëri në grinë monotone, si një uniformë e realitetit shqiptar të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar…

    “Prilli i hidhur”, është i veçantë, jo vetëm si takim i fundit i gjallë i poetit me lexuesin, por për kthjelltësinë e vetëdijes së tij për këtë të vërtetë, prandaj secili nga shtatë kapitujt poetikë të tij, sjell një gjurmë shpirti të lënë, të çasteve të rëndësishme nga jeta e vet, dhe secili cikël duket sikur vjen me tisin estetik testamentar. Madje, edhe e fundit “Miq të përhershëm”, vjen me sqimën e përzgjedhësit fin, duke na sjell emra majash, të pranishëm në tavolinën dhe në laboratorin e tij poetik… dhe, natyrisht, ndjehet mirë, si në një paqe të përbotshme…

    II. “Hartë memece për të mbyturit”, Arian Leka (Poeteka 2019) – Deti tragjik i shqiptarëve

    Libri “Hartë memece për të mbyturit”, vjen si një libër i veçantë, përsa i përket frymëzimit tematik, diskursit hibrid dhe përbërësit të poetikës. Ky libër është harta shqiptare tragjike e detit, e varreve në fund të Adriatikut dhe Jonit, ngjizur nga arratisja marrosëse e shqiptarëve, gjatë dhjetëvjetëshit të fundit të shek. 20, kohë kur shqiptarët të dalë nga diktatura, vërshuan detin shpëtimtar, atë të ëndrrave, drejt parajsës; libri i poetit Arian Leka, vjen obelisk poetik në kujtim të qindra shqiptarëve të mbytur…

    Para se të vëmë në dukje të veçantat e tjera të këtij libri, po sjell në kujtim përshtypjet nga një tjetër libër i Arjanit, me titull “Libër deti”, (2010), ku, ndër shënimet margjinave të librit, gjeta edhe këtë frazë: ”Arjan Leka është njohës enciklopedik i detit, dhunti imagjinate përmasash që përthyen dhe sfidon të fshehtat dhe misteret e tij”, edhe për arsye se, si çun Durrësi, rritur e mishëruar me përditshmëri deti, por edhe për arsye ekzistence, me prind të karrierës detare, që, familja çdo ditë e përcjell me shpresën se deti edhe sot do jetë bujar, njësoj me hijen e frikës në sfond se mund të jetë edhe ndëshkues; mes këtyre dy përmasave të detit, poeti vë përballë njeriun dhe detin të cilët sfidojnë njëri-tjetrin, që nga fillimet; te “Libër deti” dy palët qëndrojnë sfidues përballë njëri-tjetrin, gjatë 12 muajve stinorë; të shpirtëzuar dhe ngritur në statusin e personazheve, dymbëdhjetë muajt, së bashku me kryepersonazhin det, marrin në dorë fatet dhe fatalitetet e njeriut; ata njësoj do ndjellin magjishëm ëndërrimtarin njeri, do ta provokojë nga të gjitha perspektivat, virtytet dhe cenet, favoret, privilegjet, pa ia kursyer dhuratat, njësoj ndëshkimet; do t’a vënë në sprovë nga shenja dhe sinjale të dukshëm dhe të fshehtë, nga deti-muaji paqësor dhe acarues, i bukuri dhe i frikshmi, i gëzuari dhe i trishtuari, magjiku dhe historiku, mitologjiku dhe bibliku, dhe, rrjedhë hapësirave pa fund, gjithë variacione me përsosmëri estetike; deti në këtë libër të Lekës, shfaqet universalisht i projektuar refleksivitet përmes vatrave të shumta semantike dhe figurave që pandërprerë zgjerojnë hapësirën e imazheve, të asociacioneve, ekspresionin estetik, poentimin, vatrat emocionale dhe refleksive të kësaj poezie, pas çdo provokimi dhe sfide të ndërsjelltë mes folësit lirik dhe detit, jehojnë si kambana në hapësirë, duke përfshirë gjithësinë, kuptimësimin e rikuptimësimin e mishërimit ekzistencial të njeriut me detin, përfytyrim maestral kozmogonik…Në këtë varg të pandërprerë sfidash, deti sjell hapësira pa fund, botë të reja, gjeneron harmoni brenda kaoseve, bashkon brigje antonimike, ofron çelësa të ekzistencës, një shtrirje dhe përthyerje valësh deti, që shpalos dhe vetëshpaloset palimpsest mitik dhe filozofik, univers planetar, vijnë fate dhe fatalitete – lumturimi dhe trishtimi. Jemi përpara shpirtëzimit dhe metamorfozimit të detit dhe jetës së njeriut që fiksohet dhe sfidohet nga perspektiva pambarim. Në këtë përballje ekzistenciale, edhe nga perspektiva e ciklit stinor (i të dymbëdhjetë muajve), libri sjell situata të reja, kreative dhe, për nga përmasat e kësaj imagjinate krijuese, poezia e Arian Lekës ka aromën transcendentale, shpalos kuptimin kompleks të njeriut me botën, me gjithësinë det. Nga cilado perspektivë që sfidon dhe sfidohet, deti qëndron shtyllë universi. Ai vjen jehonë e fillimeve, parafillimeve, gjithë me fuqinë magjike të grishjes së parezistueshme drejt ëndërrimit, aventurës që ka dhe s’ka kthim. Deti do vazhdojë jet-e-mot të jetë i tillë për njeriun.

    Kjo poemth është poezi, art poetik që sjell një ndjeshmëri ndryshe, një tjetër artikulim të shprehjes, të poetikës, sfidë fjale e leksiku për të prodhuar refleksivitet të ri, që është një veçanti në vete e librit mbi detin.

    Por, le t’i kthehemi librit të radhës, pra, “Hartë memece për të mbyturit” të Arian Lekës. Edhe ky duket se është një tjetër det, është deti shqiptar i përçudnuar që, ditë, muaj dhe vite vazhdoi të gëlltisë qindra ëndërrimtarë në thellësitë e veta. Ai sjell përçudnimin apokaliptik të detit, sjell ulërimën planetare për shpëtimin e të arratisurve me gomonet e mbërthyera brenda valëve, që do vazhdojë të jehojë edhe nga thellësitë e varreve dhe varrimeve më tragjike shqiptare. Është libër që shpalos përballjen më tragjike të shqiptarëve gjatë bashkëjetesës së tyre me detin dhe është i veçantë, siç e thashë, sa për shqetësimin e frymëzimit krijues, aq edhe për objektin ngasës, dramës tragjike të fundshekullit të shkuar shqiptar. Bëhet fjalë për një libër të kompozuar në formë katërzërash, diskurse që nuk rrjedhin njëri pas tjetrit, por njëherësh të gjithë, që duket sikur nuk ia lëshojnë radhën njëri-tjetrit. Zëri i 53 poezive, shpërndarë brenda 180 faqeve të ngjeshura, është teksti refleksiv dhe frymëzues, që zë hapësirën kryesore të faqeve, janë kronikat ditore shtrirë një dhjetëvjetëshi, ngarkuar me një sos ulëritës për shpëtim, të varura margjinave të faqeve të librit, që duken si tela gjembash të përskuqur, të cilat qëndrojnë mbi kokën e lexuesit, janë kuje ulëritëse që rrjedhin pa pushim gjatë njëzet e katër orëve, natë e ditë, për ndihmë, për shpëtim, është zëri gozhdë ngulur në tëmthat e vëmendjes së lexuesit, që provon të ndjekë zërin e poetit, zërin e dridhur të mendimtarit që rrëfen.

    Është poetikë komponimi e një libri të veçantë në letërsinë shqipe, poetikë hibride sinkronike, që në përbërjen e palëve, përfshin edhe thellësi identitare, antike arbërore, dëshmi buzukiane për nyjëtimin jetik, shpirtëror të shqiptarëve me detin; është libër që, nga shumë anë dhe perspektiva sjell ushtimën qiellore të një kuje rrëqethëse varrezash pa numër nga thellësitë e detit; vaj konstant që përplaset jehonë ulëritëse, qindra shqiptarë të mbytur bashkë me ëndrrën për të gjetur një botë më të mire. Libri në fjalë, është libër i cili, që në faqet e para të step dhe ti ndjen nevojën të ndalesh, të marrësh frymë, të përgatitesh për goditjen e radhës, të cilën e parandjen; ajo të vjen nga të katër anët tekstore: poezisë, rrëfimit, kronikave dhe rrënjëve identitare, gjithë rrokullime vullkanikë që nuk të kursejnë. Është poetikë e rrjedhave diskursesh në vete, që, shpesh ndikon për të zbutur ankthin përmes artit estetik, perfekt të tyre, dhe që është e pamundur; e papërballueshme ulëritja e kronikave nga margjinat:

    “…po mbytemi, 27 veta, në gomone, mes detit, stuhisë, shpëtonani…”, dhe dita, data në fund; kështu, me këto ngjarje tragjike është i mbushur gjithë moti i shqiptarëve, edhe pas asaj, natës së fundit, 30-31 dhjetor 1999 mbetet i hapur: pluskimet lebetitës të kronikave shpërthejnë tej hapësirave: “…një gomone mbytet në Kanalin e Otrantos duke shkaktuar vdekjen e 59 vetëve. Hipoteza e mbytjes së gomones hidhet në fillim nga familjarët e viktimave, në Shqipëri, edhe në Itali; atyre u besohet pas dy javësh, kur deti fillon të nxjerrë në breg trupa të pajetë. Deri në këtë orë nuk ka asnjë informacion. Të shohim lajmet e orës 20. – nga kronika”…

    Edhe si lexues, fillon dikur t’i numërosh të mbyturit, të pagjeturit, kronikë pas kronike, – me mijëra… Po mosha, po gjinia… Diku kronikat sjellin të dhëna të plota, diku të pjesshme, anonime…

    Gjithçka që sjell autori, e bën këtë libër, një libër që të mbërthen, kudo që të prekësh, cilëndo faqe që të hapësh, rrëfim që rrokulliset si llavë vullkani, në kujtim të varreve tragjike shqiptare në fund të detit. Një dhimbje që nuk ikën, nuk zhduket nuk mbaron!

    III. “Rrathë të brendashkruar”, (Onufri 2020) Rudolf Marku – (Pasagjeri pa adresë)

    Libri  më i ri me poezi i Rudolf Markut, “Rrathë të brendashkruar”, ndjek ngasjet frymëzuese të librit “Një ballkanas në Londër”, botuar tetë vite më parë; së bashku, fare natyrshëm, përjetohen si një libër i vetëm, ndarë në dy kapituj (kohë), ose me dy pjesë; pas leximit të një cikli poezish të poetit, botuar në gazetën ExLibris, (28 gusht 2021), mbase do të pasojë edhe kapitulli i radhës, duke e përplotësuar situatash emocionale, refleksive të ndryshme, perspektivash të reja, veshje estetike alternative, gjithë drejt një pengu: kthim te qyteti i vet, te bota e vet e shkuar… dhe, që s’mundet.

    Në fillim të shkrimit tim për librin pararendës, “Një ballkanas në Londër”, kisha veçuar vetminë e poetit lezhian, tani nga perspektiva e metropolit botëror, në një anë dhe, nga ajo e vatrës që e ushqen ndjesinë e vetmisë dhe mallit, që është qyteti i lindjes. Raporti që funksionon mes dy palëve është i veçantë, ndryshe nga konvencat e distancave hapësinore, kohore, kufitare, të kalueshëm dhe të pakalueshëm, etj. Poeti i dy librave poetikë në fjalë ndërsa, ashtu siç ka hobi udhëtimet rreth e rrotull globit, është turist i shpeshtë edhe i qytetit të vet, përkatësisht gjithë me ndjesinë e të huajit; lexuesit, me këtë rast i mbetet që në këtë zënkë, të shohë e kuptojë vetëm aq sa flasin poezitë e dy vëllimeve që, në shumicë përbëjnë boshtin qendror të shqetësimit, që është kthimi në qytetin e lindjes.

    Autorin i dy librave poetikë, udhëtar i apasionuar,  real dhe figurativ, gjithë në kërkim të një mungese, reale dhe fiksionale, në kërkim të gjësë,  tani mbetur peng, kthimin e ka fiksion dhe, me sa duket, të paktën me këtë rast, gjetje, as rehatimi i boshit, nuk janë të arritshëm; shtresimet e rrathëve të brendshëm, nga kjo vatër konstante e zgjuar, e acaruar, do vazhdojnë të artikulohen art poetik. Autori i tyre, qoftë pasagjer aeroplani, treni apo autobusi, rishtazi nga e para, do të jetë i veçantë: të gjithë bashkudhëtarët e tij e dinë adresën e mbërritjes, pos vetë poetit.

    Ç’është Qyteti i Rudolf Markut në librin “Rrathë të brendashkruar”, i braktisur nga poeti apo braktisur prej tij… janë të ndryshëm në dhembje, i dyti më i hidhur, i pari dhe me pritshmëri; e përbashkëta është: s’ka as kthim, as strehë për të lëshuar rrënjë nga e para. Qyteti ku ngjizet embrioni ngasës, është sa ndjellës, sa refuzues për poetin, mes dy palëve shikimi shtrembër, i ndërsjelltë, dhe vetmia planetare e zërit. Është rebelues zemërimi i poetit ndaj qytetit të rrënjëve, po aq rebelues edhe malli i tij dhe dashuria për të. Ky është tehu i skuqur, nga vezullojnë reflekse krijuese perfekte; frymëzim dhe ngasje e kësaj mërie shtrihen në shumicën e poezive tek të dy vëllimet e fundit të Rudolf Markut. Poezitë e tyre marrin formën e një poeme, mozaik lirik i vetëshkruar. Shikimi i vëngër mes dy palëve, funksionon nga shumë perspektiva, i pranishëm refleksi refuzues i poetit ndaj qytetit të betonuar në ftohtësi, dashakeqësi ambienti, njerëzish, që vrasin pas shpine, edhe kur je larg, të tëra këto përftojnë imazhe, me veshje të reja, gati të pakapshme edhe për rrjetin fiksional, janë si shkrepje vetëtimash mes ikjes dhe kthimit, përfundimisht të paarritshëm. Kështu i ka ndodhur edhe Kavafit me Aleksandrinë dhe vendos:

    “Do të shkoj në tjetër tokë, do shkoj në tjetër det, një tjetër, më i mbarë se ky qytet…

    Vende të reja s’do të gjesh, s’do të gjesh dete të tjerë,

    Qyteti do të të ndjellë. Të njëjtat rrugë do të kthesh…

    Gjithnjë në këtë qytet do të mbërrish. Se gjetkë, shpresë mos mbaj…”

    Ja, pra, i prerë poeti i madh grek, s’ka ikje, s’ka kthim. Ndërsa poetit Rudolf Marku i mjaftojnë vetëm disa ditë për t’i rënë rrotull globit, ngasje e lindur e njeriut për ta bërë shtëpi të përbashkët globin dhe të kthehet me iluzionin se do të jetë më pak i vetmuar, ndërsa gjithë fillikat vetëm.

    Me të drejtë edhe tharmi i poezisë së Rudolf Markut, lehtazi preket nga hija e absurdit. Po le të kthehemi tek baulja e poetit, tek udhëtimi ngasës drejt qytetit të lindjes, me të cilin, sipas të gjitha shenjave ka një llogari të ngatërruar. Ai, qyteti i fëmijërisë dhe djalërisë që në perëndim prek blunë pafund të detit, thellësi e mistere të parrokshme, tundime të papërballueshme të të riut, gjithë ngjyrimet shpirtërore, mes vargjesh, bartur përtej hapësirave transcendentale, valë që s’reshtin, janë perspektivat e ikje-ardhjeve, të statuseve migruese, të vetmive, të rebelimeve, ngarkuar vargjeve, me veshje secila më vete në dy vëllimet poetike në fjalë; të gjitha perspektivat, statuset janë në shërbim të thelbit, që është “vështrimi vëngër” mes palëve.

    Për të identifikuar shtigje drejt këtij statusi mërie mes dy palëve, e vlen të kërkojmë ndihmën e vetë poezive. Le të nisemi nga ajo me titull “Nata e fundit e Ovidit në Romë”, që është njëra nga poezitë më të hapura për të përgjuar në studion e poetit, sipas të cilës, poeti i madh i Romës antike, përshfaq dëshpërimin që, me vendimin e senatorëve të perandorisë, e syrgjynosin në terrin periferik të saj, larg qytetit të vet, larg lexuesve të veprës madhore të ti. Dhe i përshkruan ata, senatorët si të korruptuar, të shthurur dhe injorantë, që e urrejnë poezinë, që janë të rrethuar nga qejfe dhe kurva, me çfarë sjell ngjashmëri, paralelizëm të lexueshëm me pushtetarë bashkëkohorë…

    Vargjet e poezisë “Vendi ynë që nuk je as yni“, acarimin e poetit e përshfaqin shkëndijime anatemuese, poezia brenda dy njësive kuptimore, sjell këtë vizion ndjeshmërie të zërit që me vargun e parë, që është edhe titulli i poezisë dhe që jehon alarm që rrëzon të gjitha urat mes palëve: “nuk je as yni”, që do të thotë, edhe ne, poetët, që të braktisin të fundit, të kemi lënë; nëmjet vërshojnë nga të gjitha perspektivat: “ Kur të vijmë pranë shtiresh se nuk na njeh”, ndërsen dyshimin policor, njerëz të liq që na zënë pritën, etj., për të vazhduar, “Vetëm hajdutët e tu na presin me mirëseardhje…”, me që vetëm këta paskëshin mbetur në qytetin, vendin e poetit dhe, përmbyllet ulëritës:

    “…Edhe kur ikim larg ti nuk na harron, na gjuan me kallashnikovët e mallit, me raketat e mungesës, me topat e pamëshirshëm të ëndrrave, me armët kimike të emrit tënd të keq…”.

    Në ciklin e poezive botuar në Gusht 2021, që e përmendëm në fillim, Marku, bashkë me vargjet e kolegut të tij të huaj, (John Betjeman), që i vjen në ndihmë poetit me poezinë “Tirana”, përmes së cilës do ta avancojë mallkimin, me një tis të lehtë kushtrimi: ”…Ejani, bini mbi Tiranë, o bomba miqësore…”.

    Mbase mund të jetë në udhë kapitulli i radhës i kthim-moskthimit të poetit në qytetin e lindjes; duke e ruajtur distancën e njohur të ritmit në sjelljen e librit të radhës, Rudolfi, në kondicion krijues konstant, kur shfaqet, është nuanca veshjesh të ndryshme, si një pasuri e mozaikut poetik të shqipes…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË