Shekspiri… Victor Hugo… Tolstoi…
(pak histori):
Victor Hugo, në fillim të gjysmës së dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë, internohet, familjarisht, në një ishull të bregdetit francez; në një nga ditët e para në internim, zhvillohet ky dialog mes tij dhe birit:
“Ç‘mendon ti për këtë internim?”, pyet biri
“Do të jetë i gjatë”, thotë Hugo
“Si mendon ta kalosh?”, pyet biri
“Do të kundroj oqeanin”, – përgjigjet babai dhe vazhdon: “Po ti, o bir”?
“Unë”, – tha djali, – “do përkthej Shekspirin”.
( Ishulli Jersey 1852)
Po në fillim të pjesës së dytë të shek. njëzet, Profesor Abdulla Rami, pas njëzet viteve në burgun e Burrelit, i internuar në Gosë të Kavajës, fillon të përkthejë veprën voluminoze të V. Hugos, ndër më prestigjiozet në fushën e shekspirologjisë, “Shekspiri” (Rreth Shekspirit).
Në përurimin e veprës letrare të Shekspirit, të përkthyer në frëngjisht nga djali, do lindë ideja, frymëzimi i Hugo-s për t’i hyrë shkrimit të veprës mbi jetën dhe veprën e Shekspirit (1858); po në këtë libër, autori, rreth sofrës së Shekspirit do sjellë në vëmendje jetën dhe veprën e dhjeta gjenish të tjerë, që nga Homeri dhe këndej; duke bërë krahasime, paralelizma, përballje; Hugo, në këtë vepër do hetojë veçori thellësisht gjeniale për secilin; mendja dhe intuita brilante do arsyetojë vendosjen e secilit në këtë sofër gjenish, por në kryevendin e saj Hugo do veçojë, pa asnjë fije hezitimi, dy emra: Eskilin dhe Shekspirin; kapitujt, faqet kushtuar Shekspirit, janë mbresëlënëse për magjinë e stilit, mënyrën si e sjell artin gjenial të tij; sidomos përmes ekspresionit elegant, pranisë së “bashkëbiseduesit”, – në vetën e dytë: “po ç’do të kishe thënë ti, për një shkrimtar gjeni si Shekspiri”, dhe gjithë në këtë stil…; gjuha e V.Hugos në këtë kryevepër ka magjinë e përsiatësit eseistik, një ligjërim letraro-historik, distancuar me elegance nga zëri i personalizuar; diskurs që madhështinë gjeniale të artit poetik shekspirian e shpalos si prani të vetvetishme në kohë dhe hapësirë, si prani universi të përjetshëm; zëri i tij ndërsa vjen vetëm si ngasje çasti, sa për ta sjellë në vëmendje; i tillë edhe kur flet për gjenitë e tjerë rreth sofrës së Shekspirit ndër shekuj; zëri i tij endet konteksteve tokësore dhe qiellore, shpesh edhe duke qortuar Angli e Francë e Europë që u mungojnë përmendoret e këtyre përmasave madhështore, duke shtuar: “…, por gjeniu është gjeni edhe pa to; cila kube do të jetë më madhështore se “Mbreti Lir”, më e egër se “Tregtari i Venedikut”, më verbuese se “Romeo dhe Zhulieta”, më gjigandeske sesa shpirti i tronditur i Magbethit, cila armature prej cedri apo druri do të qëndronte aq gjatë sa Otello, çfarë bronzi do të jetë më bronz se Hamleti?”
Veprën “William Shakespeare” Hugo do ta përfundojë, përkatësisht do ta botojë në vitin 1864; Abdulla Rami, do vazhdojë përkthimin e kësaj kryevepre gjatë kohës në internim, dhe më tej, deri sa mbylli sytë më 1973; të ruajtura fletë dorëshkrimi në një sënduk të vjetër prej druri nga vajzat e tij; thuaja pas gjysmë shekulli, nën kujdesin dhe të rishikuarit faqe për faqe dhe resht pas reshti nga mbesa, Ermira Xhomaqi-Godo, kjo vepër monumentale do të shohë dritë më 2022, në botim të Onufrit.
Kush është Abdulla Rami:
…nxënës i liceut francez në Korçë, student i Montpëljesë’, jurist i së drejtës kombëtare; ngasja dhe vendimi për ta përkthyer studimin monografik nga më përfaqësuesit për veprën e Shekspirit, nga Viktor Hugo, e yundonte që gjatë vuajtjes së burgut në Burrel, ku i kaloi njëzet vite, tani në internim, në afërsi të Kavajës, do t’i hyjë përkthimit të kësaj kryevepre, por sa qe gjallë (vdes më 1973) nuk arriti ta botojë; do ta lërë dorëshkrimin në një sënduk druri, që do ta marrin në dorë trashëgimtarët e tij, kryesisht, mbesa – Ermira Xhomaqi-Godo), do ta sistemojnë, pajisin me detaje për tu botuar më 2022, gjysmë shekulli pas vdekjes të Abdulla Ramit tek Onufri i Bujar Hudhrit …

Ja si e hap dhe e shtron Viktor Hugo vizionin e vet mbi Shekspirin që në fillim të librit, duke iu drejtuar zërit të vet – në veten e dytë: “ Në rastin e trajtimit të figurës së Shekspirit, në mendjen e autorit gëlojnë të gjitha temat të cilat kanë lidhje me artin. Të trajtosh këto tema do të thotë të shpjegosh misionin e artit; të trajtosh këto tema do të thotë të shpjegosh detyrën e mendimit njerëzor ndaj njeriut. Një rast i tillë për të thënë të vërteta vjen vetvetiu dhe është e palejueshme, aq më shumë në një kohë si jona, që kjo të lihet mënjanë… Autori nuk ka ngujuar t’i trajtojë këto tema të ndërlikuara të artit dhe qytetërimit nga të gjitha këndvështrimet e mundshme….. Nga zgjerimi i këtij këndvështrimi ka lindur ky libër”
Në këtë kryevepër, siç thashë, në sofrën debative mes gjenive ndër shekuj, me zë por edhe në heshtje, varësisht nga konteksti, përshfaqen pretendime dhe sfida gjenish, të ndërsjella, që të sjellin ndërmend edhe përsiatjet që bën edhe Ismail Kadare lidhur me misterin e solucionit që derdhin hyjnitë në veshin e të përzgjedhurit, gjatë gjumit, (“Ëndrra mashtruese”), si dhe të preferuarit e tij që përputhen me të Hugos, – Eskili dhe Shekspiri; është stili, magjia e gjuhës së V. Hugos që e bën të veçantë librin. Nga shembujt e pakët që do të sjellim në dëshmi të kësaj, me këtë rast, vërehet eleganca diskrete e zërit, që shpërfaq admirim ndaj Shekspirit; thjesht sikur rrëfen vlerat e gjeniut, duke i sjellë ato si testament përjetësie, vetvetiu të pranishme në kohë dhe hapësirë, si frymë a gurgurimë dehëse në natyrë, në gjithësi…
“ Shekspiri është pjelloria, forca, harlisja, gjoksi i fryrë, kupa e shkumbëzuar, voza e mbushur plot, energjia e pashterur, llava shpërthyese, farërat që vlojnë, shiu universal i jetës, gjithçka me mijëra, e gjitha me miliona, asnjë ngurrim, asnjë pengesë, asnjë kursim, zemërgjerësia e marrë dhe e paqtë e krijuesit; … Shekspiri është shpërhapësi i mrekullive marramendëse. Në çdo fjalë imazhi, në çdo fjalë kontrasti, dita dhe nata…”.
“ Pa dyshim, Hamleti është vepra kryesore e Shekspirit; dyshimi,… dhe krejt gjysma tjetër e Hamletit është zemërim, vrull, fyerje e rendë, tufan, sarkazëm ndaj Ofelisë, mallkim ndaj nënës, fyerje ndaj vetvetes. Ai flet me varret dhe gati qesh me to, pastaj kap Laertin për flokësh në gropën e Ofelisë dhe shkelmon i tërbuar mbi arkivolin….”.
Viktor Hugo në veprën “Rreth Shekspirit” sjell observime majash edhe për gjenitë e tjerë të përfshirë në këtë sofër; natyrisht, për Shekspirin dhe Eskilin rezervon ulëse të “rendit të parë“. Ai sjell në vëmendje një gjeni tjetër nga epoka antike, Aristofanin, i cili,. Në duelin mes Eskilit dhe Euripidit, në Had, thotë: “Nëse ka patur ndonjëherë poetë, ai ka qenë dhe mbetet Eskili”; në këtë kontekst, sipas bindjes së Hugos, brenda një shekulli kanë lindur, mund të lindin jo më shumë se tre, rrallë katër gjeni; përmasat e Eskilit dhe Shekspirit, jo çdo shekull…
Por le të kthehem tek faqet e gazetës ExLibris, e shtunë 6 Qershor, që nxiti të nxjerr disa nga shënimet e mija për librin e V.Hugos, esenë e Orwellit mbi Pamfletin e Tolstoit për Shekspirin…
Viktor Hugo, veprën “Rreth Shekspirit” e boton në vitin 1864, ndërsa Tolstoi, pamfletin për Shekspiri, disa vite para vdekjes (1910) dhe u botua pas vdekjes së tij; shtrihet në mbi njëqind faqe tekst, ku autori i tij, në mbështetje të bindjes së tij se Shekspiri nuk është as edhe një shkrimtar mesatar, sjell dhe citon autorë europianë të kohës si referenca; Orwell thotë se ai, Tolstoi, ka hulumtuar dhe e ka njohur opinionin letrar mbi veprën e Shekspirit, që nuk përjashtohet as ai i Hugos; ai si fillim përmend vlerësimin e tillë të Getes, që, “në kor”, sipas tij, e përcjellin të gjithë; dhe në sfond mbështet në teori të epidemive kolektive, brenda të cilave përmend edhe ato të llojit drajfusian në Francë.
Orwelli ndërsa, në esenë e vet të gjatë, kërkon burimin e frymëzimit anti Shekspir, burimin e ngasjeve, rrethanat dhe faktet konkrete të Tolstoit; sipas Orwellit, mendimin negative për veprën e Shekspirit nuk e hedh si një hamendësi lexuesi, por ia ngarkon obligim, zërit të tij me ndikim të madh në opinion, edhe përtej asaj të carizmit rus; pamfleti, për ta shëruar epideminë perëndimore, e cila ngre në statusin e gjeniut një shkrimtar, që sipas Tolstoit, është nën mesatar do të mbështetet në teori që nuk qëndrojnë, (epidemi magjie epidemi ngjitëse…); të jetë ngasje, e shkrimtarit gjithashtu gjeni, për të rivalizuar gjeniun tjetër? Të jetë animoziteti i një virusi gjenetik ndër shekuj etnie ndaj Europës perëndimore? Sipas Orwellit, përjashtohet mundësia mediokre e Tolstoit për ta hetuar artin e vërtetë, artin e madhe…

Për lexuesin që edhe mund tu ketë shpëtuar pa e parë, do sjellim një pjesë të argumenteve të autorit të pamfletit dhe autorit kundër tij, – të Tolstoit dhe Orwellit.
Sipas G. Orwell-it, L. Tolstoi, gjatë jetës, Shekspiri ka ngjallur tek ai një ndjenjë të papërballueshme, “neverie dhe bezdi”; sipas tij, Tolstoi në vazhdim ka bërë përpjekje për ta njohur sa më mirë dhe sa më thellë tërë krijimtarinë letrare të Shekspirit, duke e lexuar dhe rilexuar atë në rusisht, në anglisht dhe në gjermanisht dhe, do të thotë gjeniu rus, “… përjetoja të njëjtën ndjenjë neverie, monotoni dhe çoroditje”; prandaj, vazhdon Tolstoi “Shekspiri, jo vetëm që s’është gjeni, por ai s’është as një autor mesatar”; kur do ta përqendrojë vëmendjen duke analizuar veprën “Mbreti Lir”, ndër të tjera shprehet; ‘… në çdo hap shfaqet një marrëzi, fjalë shumë, të panatyrshme, të pa kuptimta, përçartje të tërbuara, shaka pa kripë, pjesë të turpshme…” etj; gjithë në këtë frymë, përshfaqet një pasion i “tërbuar” tolstonian, për ta rrëzuar opinionin adhurues në Europë dhe perëndim për Shekspirin…; “…Shekspiri mund të ketë qenë çdo gjë që ju pëlqen, por ai nuk është artist”…
G. Orwell ndërsa, i shtron këtë pyetje autorit të pamfletit: “ po qe se Shekspiri do të jetë ai që thotë Tolstoi, si arrin të jetë, ndër shekuj, kaq i admiruar ai, vepra e tij”, dhe vjen jehona e autorit të pamfletit: “…në fjalë është një hipnozë masive, bëhet fjalë për një sugjestionim epidemik” ; dhe sado korrekt dhe elegant, duke ia sjellë në tryezën e debatit argumentet, mbështetjet më të fuqishme në përkrarhje të vet, nuk e fsheh bindjen e një dashaligësi” të autorit në këto pamfleti anti Shekspirit; që është dashaligësi, nuk ka dyshim, por përsiatja e Orwellit shkon edhe përtej: që Tolstoit do t’i ketë munguar dhuntia për ta ndjerë talenti e madh të cilitdo shkrimtar, aq më shumë të përmasave të gjeniut siç është Shekspiri; atëherë, nga konteksti i tërësishëm i përsiatjeve të Orwellit, ndihen prirjet për ta identifikuar afërsisht vatrën e burimit anti Shekspir të Tolstoit: ose ngasje rivaliteti personal, ose animozitet ndaj vlerave Europiane, saktësisht perëndimore; ngasja e parë më sjell ndërmend librin e Kadaresë, Kur sunduesit grinden; edhe nga tërësia e këtij libri, lexuesi e heton grindjen e sundimtarëve drejt dy shtigjeve: grindja e sundimtarëve ideologjikë Stalin-Enver, përballë Pasternak-Kadare, të parët për pushtet të përkohshëm, i të dytëve për kurora përjetësie…
(9 Qershor, 2025)