Rrugët e komunkimit të lexuesit me poezinë e Jusuf Gërvallës, mjaft avangarde për kohën kur u krijua, po rihapen me këtë antologji poetike, por kjo nuk mjafton për ta vendosur atë në hierarkinë e mirëfilltë të vlerave letrare. Dhe kjo mund të bëhet vetëm nëse në studimet tona letrare, përfshi edhe programet mësimore, kjo poezi merr trajtimin e merituar, duke e zbërthyer poetikën dhe filozofinë e saj në kuadër të një sistemi të pambaruar letrar të poetit Jusuf Gërvalla, por të hapur për t’u eksploruar nga të gjitha dimensionet teorike e estetike.
Që kur Aristoteli në Poetikën e tij solli kategoritë “mimesis” dhe “poeiësis”, si kritere që definonin raportin në mes të artit dhe realitetit, u bë gjithnjë e më i debatueshëm edhe kuptimi mbi atë se çka konsiderohet realitet në një shoqëri dhe kuptimi mbi atë se si arti duhet të duket në atë shoqëri, duke shkaktuar pastaj edhe një kushtëzim reciprok në mes të këtyre dy kuptimeve.
Edhe tani kur kemi në duar këtë përzgjedhje poezish nga tre vëllimet petike të Jusuf Gërvallës (Fluturojnë e bien, 1975, Kanjushë e verdhë, 1978, Shenjat e Shenjta, 1979), na imponohet vetvetiu ideja thelbësore e debatit të sipërpërmendur, për të kuptuar pastaj më mirë se cili ishte statusi letrar dhe jashtë letrar i kësaj poezie në atmosferën social-kulturore në kohën kur ajo u botua dhe sa arriti kjo poezi të vendos një komunkim të mirëfillt me recepientin e kohës. Me fjalë të tjera, tani pas më shumë se dyzetëvite kur po i rikthehemi kësaj poezie, e cila po vjen e sistemuar në një libër të veçant, me një përzgjedhje dhe parathënie të Anton N Berishës, sigurisht që do ta kemi parasysh edhe lexuesin e sotëm por dhe të djeshëm dhe, vetëm pasi të kemi analizuar mirëfilli procesin e komunkimit estetik të këtyre dy kategorive lexuesish, që atëherë do të mund të flasim edhe për vlerat që mbart kjo poezi nga koha kur u krijua e deri më sot.
Dhe teksa po flasim për vlerat poetike dhe rrezatimi i tyre në një diapazon më të gjerë kohor, pahetueshëm na kujtohet një mendim i Frankeshtainit, sipas të cilit pjesës më të madhe të artistëve të së shkuarës i është dashur të kalojë vështirësi të mëdha, por shkaku s’ka qenë se ata s’kuptoheshin.
“Ajo që s’i linte ata të fitonin famë menjëherë dhe që bënte që shumë prej tyre të vdisnin në varfëri s’ishte aq forma apo gjuha e tyre e pakuptueshme, se sa idetë e tyre të guximshme dhe të pavarura… Stilet e reja ngjallnin debate e polemika jo edhe aq nga që ishin të pakuptueshme, se sa nga që shkëputeshin nga autoriteti dhe tradita. Shpesh artistët e rinj sulmoheshin, por jo ngaqë s’kuptoheshin, por përkundrazi ngaqë idetë e tyre ishin fort të qarta, por të padëshirueshme.” 1)
Jusuf Gërvalla i takonte plejadës së poetëve të viteve shtatëdhjetë (T.Dërvishi, B.Musliu, M. Ramadani, Y. Shkreli, M. Gashi. E. Basha, S. Hamiti, N. Halimi etj.), të cilët bashkë me jokonvencionalitetin e të shkruarit, sollën edhe një qasje krejt tjetër ndaj mënyrës së rikonstruimit të realitetit përmës gjuhës simbolike. Trajtat e domethënies krijuese në këtë poezi përthyen pasqyrat e realitetit dhe kështu universi poetik i Jusuf Gërvallës të asocon në një udhëtimi të pambarim, ku navigacioni i udhëtimit i ngjason një harkoreje në mes të Trojës dhe Itakës, por për dallim nga Homeri, tek Gërvalla sfidat e udhëtimit kanë një renditje të kundërt, pasi që thurja e pëlhurës jetësore te ai nuk pati një Penelopë klasike, por një subjekt lirik i mveshur, herë në petkun e nënës e herë të gruas, e jo rrallë edhe në një trajtë të dyzuar ku nëna dhe gruaja formonin një topos të përbashkët figurativ, që këtu na del me të gjitha ngjyrat dhe dimensionet polisemantike të një shtëpie, si një Homo Albanicus (SHTËPIA NË KORNIZË, SHTËPIA RRËZË MALIT, SHTËPIA NË RRUGË, SHTËPIZË E LËNË BARINJSH)
“aty e pashë time ëmë me govatë në dorë e vetmuar
shkonte e gërmuqur shtegut drejt derës së saj
s’di a do të ketë qenë ditë apo në rreze hëne larë
tym nga oxhaku i kërrusur dhe n’kusi diçka që zien
do stiva drurësh të nxirë shiu rrinë te shkallët.”
(SHTËPIA NË KORNIZË)
“Vijnë agshole dielli
trungthi që kalbet nën dhe tash gjëmon.
Të nisemi për udhë me frymë të mirë e të mbarë.”
(SHTËPIA RRËZË MALIT)
“andej anë dritareve të saj vijnë një djalë e një çupë
nganjëherë bie muzgu andej anë shkallësh të saj
shkojnë e shkojnë njerëz dhe vijnë e vijnë përherë
nuk ka lule n’asfalt as bar rreth themelit të lagur “
(SHTËPIA NË RRUGË)
“Pastaj të ndërtuan rishtas pas shtatë
dhjetëvjetëshash
të bënë me ujë me yje me baltë e me jetë
pemë e vjelë nuk ishe s’ishe kohë e djerrë
tashti hënë e plotë n’ty ndrit me purpur”
(SHTËPIZË E LËNË BARINJSH)
Duke e parë në këtë dipotri poezinë e Gërvallës na bëhet edhe më i qartë funksioni antropologjik e jetësor i vet letërsisë, i parë në një kuptim më të gjerë, që nga Gilgameshi e Iliada e deri te Komedia Hyjnore. Në rastin konkret inventari tematik i poezive të këtij autori e kalon testin e një verifikimi që arti e ka patjetër ta ketë brenda vetes si komponentë, sepse vetëm ashtu i reziston skemave dhe klisheve që sjell koha.
Dilema e vetme që tani na imponohet e që ndërlidhet me hyrjen e këtij teksti ka të bëjë me procesin e komunkimit estetik të kësaj poezie me lexuesin e kohës, dhe me pyetjen hipotetike se çka do të ndodhte me statusin e poetit Jusuf Gërvalla, nëse sfera e perceptimit nuk do të prekte edhe strukturën jashtëtekstore të kësaj poezie. Pra, siç do të thoshte Jurij Lotman, lexuesi mundet për mrekulli të njohë gjuhën, por nuk do të mundet me sukses ta përjetojë tekstin, nëqoftëse nuk i ka përvetësuar shenjat jashtëgjuhësore mbi të cilat mbështetet kultura e receptimit të kësaj poezie, ndonëse, siç konstatonte, Jan Makarzhkovski, funksioni estetik i gjuhës poetike ndryshon rrënjësisht nga funksionet tjera të saj.
Gjuha e poezisë është një katalog i sendeve, apo më shumë se kaq. Interaksioni i të kuptuarit figurativ të gjuhës poetike të Jusuf Gërvallës bart në vete logjikën konotative të metaforës, edhe atëherë kur ajo shprehet në formë të një parashikimi profetik.
Kjo më së miri do të mund të eksplikohej nëse shkëpusim disa vargje nga poezia Fletë testament ku subjekti lirik bëhet zëdhënës i një kriptogrami jetësor të vet poetit:
“emër të mos ketë e shkronja le të flasë
në gjuhën e vjetër të kafshës së zezë
guaca e kërmij le të vijnë për dasmë
….
në rrasën time atë rrasë të zezë të ftohtë
në duart që i kam prekur le të më lëshojnë”
Sabri Hamiti teksa flet për këto shkëndija mesazhesh të koduara në formë parashikimesh profetike të Gërvallës, e kishte parasysh edhe parandjenjën e poetit se nuk do ta kishte gjatë, prandaj nuk gabon kur konstaton se “krijimtaria letrare e Jusuf Gërvallës u zhvillua vrullshëm mbrenda një dhjetëvjetshi, ndoshta edhe më pak, si ngjet me krijuesit të cilëve parashenjat u thonë se shpejt vjen fundi….e ardhmja e kësaj vepre është e ardhmja e leximit shqip.” 2)
Vepra letrare, përfshi edhe këtë që kemi në duar, jeton derisa ka interesim për të, prandaj këtu edhe lind nevoja që recepientin/lexuesin të mos e shohim vetëm konsumator të letërsisë, por edhe pjesëmarrës në krijimin e saj, ose është ajo e ardhmja e veprës për të cilën flet Sabri Hamiti, ndonëse mbi këtë temë stdiues të ndryshëm kanë mendime të ndara sa i përket lidhshmërisë së veprës me lexuesin, sepse jo pak krijuesve nuk iu interesonte fare lexuesi, as ai i sotmi, as i nesërmi. Prandaj,për ta përforcuar këtë tezë, jo pa qëllim Mishel Butor 3) e konsideron veprën letrare si një tekst të hedhur në det, që duhet të kapërcejë kohëra në kërkim të lexuesit të saj.
Mbase edhe vepra poetike e Jusuf Gërvallës do ta rigjej lexuesin e saj dhe këtu qëndron një nga vlerat e përgatitjes së kësaj antologjie poetike, e cila përpos që na e rikthen një poet në “radarët” e vëmendjes sonë, ajo na lidhë edhe me një periudhë kohore (vitet 70) kur poezia shqipe në Kosovë po konsolidohej në kuptim të shprehjes dhe sensibilitetit krjues.
Shtresa lëndore e poezisë së Jusuf Gërvallës, në fakt është realiteti që poeti e bartë në botën letrare, e cila në shikim të parë duket si reale, por në të vërtetë ekziston vetëm si realitet estetik (gjuhësor) me të cilën sugjerohen situatat jetësore.
“Eja të mbyllemi në kupën e zezë hermetike
U lodhëm më duke u puthur me gjarpinj
…
Në fjalët e vjetra që përsëriten
E kemi parë teprinë e dashurisë sonë
………
Eja të ikim nga bora e krijuar
me fjalët e vjetra”
(HUMBELLAT E NDËRDYSHJES)
Ose
“ç’fshehin ashtu puset ç’kënaqësi ka druvari
ç’kërkojnë zogjtë e dimrit që vijnë sërish këtu
fshij sytë e përgjumur n’ atë fashi t’ mëngjesit
në kullën time ka mjegull vjeshte e kokrra hambari.”
(MJEGULLA)
Poezia e Jusuf Gërvallës është fund e krye përjetim i lidhur me grafikonin shpirtëror të subjektit lirik, i cili përpos që lëviz në dimensionin real ajo e krijon habitatin e saj metaforik, në një rrugë krejt autonome të rikrijimit të realitetit, pasi që, siç do të thoshte Zherar Zhenet për poetët lirikë, vepra e të cilëve nuk përbëhet nga reflektimi i tyre permes ndonjë rrëfimi për një ndodhi të vërtetë ose të trilluar, të cilat janë jashtë unit poetik dhe jashtë të folurit poetik, por vetëm nga dëshira të cilën ai (poeti) e zhvillon në emër të tij.
“Objekti në poezinë lirike nuk është qëllim, por shkas, me çka poezia lirike nuk synon të ketë ndonjë funksion në kuadër të objektit apo të realitetit.”4)
Jusuf Gërvalla ka arritur ta kursejë poezinë e tij nga zjarmia e angazhimit shoqëror, pjesë e të cilit ai vet u bë më vonë. Ai ndoqi praktinë dhe traditën e poetëve të talentuar, prej të cilëve mësoi se poezia e ka botën e saj të brendshme dhe nëse jashtësia e saj mbështillet me lëvozhgat e aktivizmit sociale politik, atëherë bërthama e saj tretet nga ujërat e sertë të trivialitetit. Madje Mirosllav Kërlezha ishte shumë decid kur e trajtonte raportin në mes të letërsisë dhe politikës, poetit dhe realitetit, duke bërë një diferencim të qartë në mes të asaj se çka është art e çka parullë dhe më së paku t’u paracaktohet poetëve ndonjë preferencë ideologjike si parakusht i pranueshmërisë së tyre në sferën e receptivitetit publik.
“Qëndrimet ndaj fenomeneve letrare ose njerëzve të letërisë përcaktohen me zemër, më shumë se me çfarëdo afërsie artistike; prandaj, t’u caktohet prirjeve të tij letrare të majta ose të djathta çfarëdo domethënie politike, është gjë plotësisht arbitare dhe nuk do të mund të arsyetohej me kurrfarë kriteri” 5)
Në rrafshin e tematizimit poetik në opusin krijues të Jusuf Gërvallës qëndrojnë disa “kulla vrojtimi” në formë figurash semantike të cilat e depërtojnë shikimin në fushat e pandriçuara të një gjendjeje shpirtëre të cilën subjekti lirik mundohet ta ruaj nga syri vëzhgues, madje edhe me çmimin e vetflijimit.
“kam mundur të mbetem siç isha
i vdekur i palindur
- më tha zëri i kobshëm i ligësisë
nga ëndrra më zgjoi një frymë
motesh të kalbura
në shtratin e sëmundjes
erërat bartnin
pluhur të kurmit tim
të djegur”
(PAMUNDËSIA)
Dalja nga sfera gjuhësore e të folurit të zakonshëm, e ka bërë këtë poezi të jetë sintezë e mendimit dhe dramës shpirtërore, të cilat marrin formën e një udhëpërshkrimi lirik , por pa e lënduar spontanitetin e shqiptimit poetik, i cili del homogjen në pikëpamaje të kuptimësisë dhe transmetimit të mesazhit lirik, sidomos nëse marrim në shyrtim një prej poezive më unike të këtij libri – Shtatë net në Dubovik. Plasticiteti i vrojtimit të pamjeve dhe sendeve bashkëshoqërohet me aftësinë e subjektit lirik për të shpërndarë gjithë tërësinë emocionale në një hark të gjerë temash të pikturuara me ngjyrat emocionale të vendjlindjes së braktisur dhe dramës së ankthshme të kthimit të pasigurt në shtëpi.
“e prek fijen e barit e ndihet e lënduar
plaga s’i çel e më kot e ndjell përfytyrimin
i huaj bëhet hapi im i egër në livadhin e butë”
….
“Unë iki shtigjeve të fëmijërisë
ja këtu – ja atje, e pastaj borë e sqotë
kjo është rrjedhë e ngadalshme e verës
se dimër bën tash përmbi ballin tim
po erdhe edhe njëherë më thotë mani plak aty
thuaje më mirë me fjalë thuaje jetën tënde
se tash në mesin tonë vetëm si hije kaluron”
(SHTATË NET NË DUBOVIK)
Gërvalla me këtë poezi antologjike projekton një metaforë të zgjeruar mbi Kosovën e cila ishte dhe s’ishte një shtëpi e lirë për të banuar, aty ku “argatit që në shtëpi të vet vjen i huaj”, por pa më të voglën nevojë që ky shqiptim poetik të përcillet me ndonjë patos social apo ideor. Për rrjedhojë ai sikur e merr në konsideratë një mendim të Edgar Alan Poes i cili ishte shumë i rreptë ndaj atyre që poezinë e zhveshnin nga sharmi magjia e padukshme e fjalës.
“Ai që vetëm do të këndojë, me çfarëdo lloj entuziazmi të zjarrtë apo me çfarëdo lloj përshkrimi të gjallë të së vëretës, të psherëtimave, tingujve, ngjyrave, kundërmimeve e ndjenjave, qi i ka të përbashkëta me tërë njerëzimin – unë them, se ka dështuar përsëri në arritjen e mishërimit hyjnor të poezisë. Ka ende diçka në largësi s’ka mundur dot ta kapë, ashtu si të gjithë ne, mortorët, që ende provojmë një etje të pashtershme për të përpirë gjithçka që s’na jepet prej rrëkeve të kristalta të kësaj toke” 6)
Rrugët e komunkimit të lexuesit me poezinë e Jusuf Gërvallës, mjaft avangarde për kohën kur u krijua, po rihapen me këtë antologji poetike, por kjo nuk mjafton për ta vendosur atë në kierarkinë e mirëfillt të vlerave letrare. Dhe kjo mund të bëhet vetëm nëse në studimet tona letrare, përfshi edhe programet mësimore, kjo poezi merr trajtimin e merituar, duke e zbërthyer poetikën dhe filozofinë e saj në kuadër të një sistemi të pambaruar letrar të poetit Jusuf Gërvalla, por të hapur për t’u eksploruar nga të gjitha dimensionet teorike e estetike.
1) Sidnei Frankeshtain, Arti dhe shoqëria, Studime letrare, Tiranë, 1982, fq. 145
2)Sabri Hamiti, Tema shqiptare, Prishtinë, 1993, fq. 115
3) Mishel Butor, Repertoir II, Gallimard, Paris, fq. 131 (cituar nga libri Briseida Mema, Kritika letrare dhe letërsia bashkëkohore, Tiranë, 1991)
4) Zherar Zhenet, Figura, Beograd, 1985, fq. 96
5)Mirosllav Kërlezha, Ese, Rilindja, 1979, fq. 323
6) Edgar Allan Poe, “Poezi dhe esse” (eseu i cituar: “Parimet poetike”), Plejad, Tiranë, 2004, fq. 100
Shkup, janar, 2022