More
    KreuLetërsiShënime mbi libraRudolf Marku: Një ngjyrë me emrin dashuri (Ese për poezinë e Jeronim...

    Rudolf Marku: Një ngjyrë me emrin dashuri (Ese për poezinë e Jeronim de Radës)

     1.

    Jeronim de Rada, duke qenë poeti më i talentuar i poezisë lirike shqiptare, dhe poeti më origjinal i sajë, është njëkohësisht dhe poeti më i keqshpjeguar në letrat shqipe. Poema e tij “Skënderbeu i Pafan” ( i Pafat) duket si një referencë e ndjellshme e fatit të vetë Poetit  dhe e veprës së tij. Po citojë vetëm disa nga termat që studiuesit e letërsisë shqipe kanë përdorur për krijimtarinë e de Radës për të kuptuar më mirë atë pamundësi të studiuesve të letërsisë  për të arritur te kuptueshmëria e vlerave  të poezisë së de Radës:  “çlirimi i vendit“- që është dhe togfjalëshi më i përdorur; përmes komplotesh dhe kryengritjesh; aksionet revolucionare të popullit; borgjeza e madhe dhe çifligarët e saj!!!; heroizëm dhe shpirt sakrifice të rrallë patriotizmi; idetë e revolucionit; kushtrimi për çlirimin e atdheut të stërgjyshërve; vlera të spikatura shpirtërore patriotike; dritë atdheut; komploti për të përmbysur regjimin absolutist; policia e gjurmonte si një njeri të dyshimtë; baticat revolucionare; idetë e tij përparimtare; militonte në dobi të..; kundër synimeve grabitqare të fqinjëve; poemën shoqërore; nuk i kuptonte deri në fund kontradikatat klasore; mësues i popullit…’’. Një arsenal termash ushtarakë dhe togfjalësha të fosilizurar broshurash revolucionare, duken si fyerja më e madhe që mund t’i bëhet Poetit i cili gjithmonë, gjatë gjithë jetës së vet, u kujdes për të krijuar një poezi delikate, gjithë ndjenjë dhe përkujdesje metrike, me një aftësi të jashtëzakonshme  për të koncentruar kuptime shumë-shtresëzore brenda një njësie të vetme semantike. Poeti i imazheve më origjinale dhe më delikate që mund të gjesh  në poezinë shqipe ka merituar shumë më tepër se titullin e çuditshëm  Mësues i Popullit (titull kafkianesk-do të thonin studiuesit e Franc Kafkës). Një titull që zor se mund t’ia bashkëngjitësh poezisë së madhe dhe poetit të madh lirik, i cili, deri në moshën 90 vjeçare, nuk pushoi së shkruari një poezi që dallohet nga brishtësia, origjinaliteti, lirizmi dhe ngarkesa emocionale e koncentruar maksimalisht në  gjuhën poetike. De Radës do t’i shkonte më tepër parafrazimi i thënies së poetit anglez P.B. Shelley-it “Ligjëvendës i papranuar i poezisë moderne shqiptare”.

    2.

    Në një esse të hershëm mbi letërsinë, Ezra Pound shkruan se ekziston një dallim i madh mes Poezisë që mund të lexohet me zë dhe asaj që nuk mund të lexohet me zë. Në fund të fundit, e gjithë Poezia-sipas poetit amerikan që pati një ndikim të jashtëzakonshëm në poezinë  e shekullit XX- ndahet në poezinë që mund të lexohet zëlartë dhe në poezinë që nuk mund ta përfytyrosh të lexuar me zë. Nuk është fjala për të thënë se cila lloj poezie ka më tepër vlerë, se sa për të dalluar dy koncepte të ndryshme poetike. Është një pikënisje për ta vështruar Poezinë si një ndërveprim i sajë me artet e tjera. Poezia që mund të lexohet me zë perceptohet nga lexuesi si një pjesë muzikore, që vlerësohet  për cilësitë sonore të sajë. Nga ana tjetër, kemi Poezinë që mund ta perceptosh si një art vizual, që nuk mund ta lexosh zëlartë, Poezinë të cilën lexuesi e sheh dhe e vlerëson të shtypur në fletë, në letër, në atë mënyrë siç mund të shohë një pikturë a një  fotografi a një film, dhe të cilën, për nga vetë natyra e saj, kemi dëshirë që ta lexojmë në heshtje, pa zë. Është një mënyrë tepër e vjetër e vështrimit të Poezisë. Aristoteli flet për këtë këndvështrim të poezisë, dhe po ashtu, në shekullin e parë, Horaci e përcakton poezinë “Ut pictura poesis”. Ndërsa Naim Frashëri, Gjergj Fishta dhe Migjeni shkruajnë poezinë sonore, poezinë që të ndjellë natyrshëm që ta lexosh zëlartë, Jeronim de Rada, Zef Serembe, Martin Camaj shkruajnë poezinë vizuale, poezinë që tek e lexon me zë të ulët, lexuesi  e shndërron në imazhe pamësore. Mendoj se de Rada është dhe poeti më i madh i poezisë që lexohet nën zë, i asaj poezie leximi i së cilës  përherë të jep shansin e përfytyrimit vizual të ndjenjave :

    Trimi e zuri e ma puthi/Na e puthi mu në buzët/Vasha n’uj’ e vërtiti faqen/Dhe lau të puthurën/Po m’atë e skuqi ujët./Nga qyteti aty afër/Duallë gratë e lan’ leveret/Skuqeshin, nuk zbardheshin/T’linato që ato lanin/Kopshtet që vaditeshin/Gjethet i bënin të kuqe./Zogjtë që pinin atij uji/Cicërimn’ e tyre humbnin…/.

    Është një poezi dashurie që mund të matet, për nga forca e përfytyrimit, ekzagjerimi emocional, delikatesa, brishtësia, shkallëzimi figurativ, vetëm me poezitë e famshme të dashurisë të  poetit anglez Jon Donn. Një djalë ka puthur të dashurën e vet. Ajo përpiqet ta ‘’fshijë,, duke e larë në lumë,, të puthurën e djalit. Por ja që e kuqja e së puthurës (pse- E kuqe? Asossacioni i dashurisë me zjarrin, me prushin është i nënkuptuar vetvetiu) përskuq ujin e lumenjëve. Gratë vijnë të lajnë rrobat, por ja që rrobat e tyre nuk zbardhen që nuk zbardhen. Pemët që ujiten nga uji i atij lumi çelin gjethe të kuqe; madje dhe zogjtë që pinë ujë në atë lumë e humbasë zërin. Sepse zëri i tyre është shurdhuar nga zëri magjik prej flauti i së puthurës! Nuk njoh në poezinë shqipe një poezi më të bukur dashurie nga kjo! E denjë që të qëndrojë në çdo Antologji botërore të poezisë së zgjedhur. Krahas poezive të Petrarkës Vinjonit, Shakespear-it, Jon Donn-it. Le të citojmë vargjet e Këngës së Parë të Milosao-s, aq të njohura nga lexuesi 

    Bota kish ndërruar lisa,/uji i ri në det/kaltronte n`ditn` e re;/por lumbardha e Anakreontit/në Temp rronte e moçme…

    De Rada që në fillimin e poemës bën të ditur se e nis udhëtimin  e vet poetik nga Tempulli i poezisë klasike (Anakreonti)- Tempulli ku merr formimin formal dhe shpirtëror. Por, ashtu siç ndodhë me krijuesit e vërtetë, dhe, krejt ndryshe nga përfytyrimet e cekëta snobiste të sotme, pikëudhëtimi nga Tempulli klasik jo vetëm që nuk e pengon që të arrijnë  poezinë më moderne shqiptare, por në të kundërt, është poezia klasiçiste ajo që e ndihmon ta shkruajë natyrshëm atë. Vështrimi i prehtë, i etur, i sinqertë, i de Radës në Napoli dhe në fshatrat arbëreshe kap reflektimet e fundit të botës  greko-romake në sipërfaqen e ujërave të botës së Kulturës popullore shqiptare. Të botës shqiptare të para pushtimit turk. Dhe vetë poezia e de Radës është në fund të fundit poezia e një kombi ende të pa-Azi-stikuar. Skënderbeu dhe koha e tij janë për de Radën shumë më tepër se një figurë dhe një periudhë historike, ato janë njëkohësisht, dhe mbi të gjitha, parim estetik, kompleksitet figurativ i poezisë, gjuhë dhe ritëm. Poezia e de Radës nuk e ka vrazhdësinë e mëvonshme që shfaq poezia shqipe. Nuk e ka gurëzimin e sajë të njohur, rrudhat e ballit dhe shikimet e vrazhda të sajë, nuk e ka gjuhën e rëndë me labirinte bashkëtingëlloresh me intonacione veglash frymore. Në të kundërt, ajo është e brishtë, delikate si një tis mjegulle, e çliruar nga gravitacioni, e lehtë (në kuptimin që i jep kësaj fjale shkrimtari  Italo Calvino). Po ta përfytyronim poezinë e de Radës si një pikturë, mund të thonim se ngjyrat brenda tablosë balancohen në ndikimin e tyre reciprok, harmonik:

    Vreshtat ishin verdhëllore/Erdh nga mali dhelpëra/Me të lodhurat të bijat,/me të mbaruar të vjelat

    Sfondi jepet me ngjyra të çelëta, delikate përreth arabeskut të objekteve që pikturohen-dhelpra dhe të bijat e sajë, vreshtat verdhullorë-,ndërsa karakteret shfaqen në ngjyrë kafe të errët-e motra e Milosaos, Zonja Mëmë, shoqet e Rinës. Format e dritës duken se fluturojnë  brenda një hapësire ajri. Thellësia, vetvetiu e nënkuptuar në çdo fjalë të poemës, krijohet nga saktësia gjuhësore dhe figurative. De Rada shfaq kudo guximin virtuoz të kompozicionit të poemës, veçse një guxim i pashpallur qëllimisht. Studiuesit dhe kritikët e letërsisë janë ankuar shpesh herë për-‘’ Fragmentarizëm, copëzim të poezisë së de Radës.,,. Në Historinë e Letërsisë Shqipe lexuesi mëson se ‘’Copëzimi i poemës është në përputhje me parimet krijuese të De Radës, që poezia duhet të japë kulmet e jetës dhe të shfrytëzojë nëntekstin. Veçse ky parim krijues herë-herë e kalon masën,,. Në fakt, ajo që quhet –fragmentarizëm dhe copëzim-dhe-kalim mase– në poetiken e de Radës  nuk  është gjë tjetër veçse fragmentarizmi i pikëpamjeve të studiuesve dhe kritikëve  tanë për poezinë dhe letërsinë, paaftësia e tyre për ta parë veprën letrare si një tërësi, paaftësia e tyre për të dalluar  parimin e madh të retiçencës poetike, atë që shumë e shumë vite më vonë nga De Rada, do behët një nga parimet më të rëndësishme estetike të krijimtarisë së Ernest Hemingway-t e të një brezi të tërë shkrimtarësh modern të shekulli që kaloi.

    3.

    Është e vërtetë se de Rada ka qenë i vetëdijshëm për pjesëmarrjen në debatin e madh historik të Rilindjes. Por de Rada, si poet i madh, është i interesuar së pari për identitetin kulturor, të cilin ai e sheh si një dimension të ri të identitetit kombëtar, por dhe atij universal. De Rada është i vëmendshëm ndaj kohës së vet, por kjo nuk e pengon që t’ia kushtojë të gjithë kujtesën e vet së shkuarës. Dhe e shkuara ka për de Radën një dimension estetik dhe kulturor. Duke qenë një njeri tepër i ditur, në mënyrë paradoksale de Rada nuk është ndër ata poetë, vepra e të cilëve ka një bazë intelektuale e cila kërkon që të paraqitet e të zgjidhet. Kur vjen fjala për krijimtarinë  e vet letrare, estetika e tij krijuese dhe filozofia e tij janë më tepër intuitive, karakteret e poemave të de Radës dhe subjektet e tyre  janë më tepër arketipa të regjistruar në kujtesën gjenetike të arbëreshëve- Skënderbeu dhe Koha e Lavdishme. De Rada shkruan poezinë e imazhit të Heroit më të madh mitik të shqiptarëve, mit i cili krijon subkonshin kolektiv tonë. Për de Radën, lidhja e njeriut me universin është në atë shkallë sa ç’është lidhja intime mes së tashmes dhe së shkuarës. Ndryshe, madje krejt ndryshe nga ç’përfytyrohet në Historinë e Letërsisë Shqipe, për de Radën poezia është mbi gjithçka një gjendje e shpirtit. Dhe duke qenë e tillë, ajo është një sistem figurativ gjuhësor që sjell butësi, brishtësi, delikatesë, ndjenjë, sentiment, harmoni, ritëm. I tillë qe dhe vetë Poeti. Nuk është e rastit që poemat e tij kanë në pjesën më të madhe si figura qendrore femrën, gruan, vajzën : Rinen, Motrën, Nënën (Milosao) ; Imotea-në, Agata-në, Frosina-në, Vantisana-në, te «Skënderbeu i pafat»; Serafina, Evoda, Parayllja, Olimpia te «Një pasqyrë e jetës njerëzore,,. Karakteret njerëzore të poemave të tij kthehen natyrshëm në simbole emblematike të vendit të vet. Figura e Milosao-s merr gradualisht dimensionet e tipit. Natyrshëm ai kthehet në ikonë, ashtu siç kthehet në Ikonë vetë krijuesi i tij, de Rada.

    Poezia  e de Radës është poezia e refinement- poezia e përpunimit të formës, poezia e sofistikimit të shprehjes e të ndjenjës, e përpunimit delikat të formës, të gjuhës e të imazhit poetik, pa humbur për asnjë çast strukturën emocionale dhe konceptuale të poezisë që bëhet më e pasur dhe më e unifikuar duke u shfaqur përherë e më tepër përmes fantazisë së zjarrtë dhe ngjyrave sa të forta aq dhe delikate. Ka një ekuilibër mahnitës në poezinë e de Radës, që në fund të fundit është ekulibri i admirueshëm shpirtëror i vetë poetit. Dhe të mendosh se de Rada gjatë jetës së vet të gjatë përjetoi vdekjen e së shoqes, Madalena Melkji, me të cilën qe martuar në vitin 1850, dhe vdekjen e të katër djemve, njëri pas tjetrit. Poema Milosao mbyllet me vargun- Po i lë si një ëndërr ( ‘’Shkodrën, qytetin tim, motrën dhe shokët,,). Nuk ke se si të mos pajtohesh me përftyrimin jetë-ëndërr të poetit, qoftë dhe nga përvoja  e jetës së vet. Për de Raden një ëndërr e keqe, një makth,   por prapë se prapë një ëndërr. Zor se mund të gjesh në letërsinë botërore një jetë më tragjike nga jeta e tij. E megjithatë pati kohë të kishte korrespondencë të gjatë, krahas tjerësh, me Faik Konicen, Luigj Gurakuqin, nxënësin e vet të Kolegjit të Shën Adrianit, dhe me Zef Seremben, një poet tjetër tragjik arbëresh, po nxënës i de Radës dhe ai, po sidomos nxënës në përndjekjen besnike gati deri në imitim të  fatit tragjik të mësuesit të vet të madh. Në përftyrimin e atyre pak studjuesve që e kuptuan poeti  (Luigj Gurakuqi, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa dhe Ismail Kadare) de Rada është Uliksi poetik që është në kërkimin e përjetshëm të Atdheut të vet të humbur dyherësh, gjeografikisht dhe shpirtërisht. Në përfytyrimin tim gjithmonë de Rada më është dukur dhe do vazhdojë të më duket si një piktor në kërkimin e ngjyrës totale, në kërkimin e ngjyrës së ngjyrave, kolorit total, në kërkimin e atij kolori që mbart energjinë, harmoninë dhe magjinë e jetës  njerëzore. Dhe gjithmonë kam menduar dhe do vazhdoj të mendojë se për poetin de Rada ky kolor e ka emrin Dashuri.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË