More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNatasha Lako: Poezia e Agim Matos në mes të erërave të poseidonit

    Natasha Lako: Poezia e Agim Matos në mes të erërave të poseidonit

    “Afër mëngjesit, mjergullat, zbresin

     në Gramata

    dhe lëshojnë vezët në fund të Jonit”.

    Është poeti Agim Mato që në këto vargje befasuese na ndjell në këtë botë nga qielli në fund të detit, nëpërmjet poezisë  “Llogara’’.

    Dhe prapë se prapë në  këtë botë  poetike të Agim Matos duket sikur  përfundojnë të gjithë profecitë.

    Dhe ky është poeti që ka ndjerë edhe izolimin, poeti që në një fashikull të vëllimit të tij “Lundrimet”, të vitit 2014, flet për njeriun që lundron me shpirtin dhe që nga lashtësitë na kujton edhe botën aristoteliane.

    Lexuesi që ka ndjekur poezinë e këtij poeti jonian e ka ndjekur edhe  dallgën poetike  të ngritur  lart, që përgatiti  edhe  zhytjen në thellësi të vëllimit ‘Lundrimet” i nisur nga motivet e ashpra   të vëllimit “Fundo”, ku  me një konkretësi gërryese shfaqen plot miq e shokë dhe jeta e përditshme pothuaj e prekshme e një autori sarandiot, atje,  ku Andrea  Zarballa, për Kvafisin dhe kronikën e tij të përgjithshme të jetës  dhe historisë së trupit, do të mërrte si këmbim prej Matos një kronikë më konkrete dhe të rrallë të vuajtjeve,  urrejtjeve dhe përgjërimeve, pa të cilët nuk  mund të hapen as dyert e përjetësisë joniane.

    Dhe “Fundo’’ një prej  poezive paraprirëse të “Lundrimeve’” parapergatit, në zhargonin ‘’fundo’’ të Sarandës, hedhjen që nga lart në sipërfaqe jete të trazuar në thellësira;

    “kur në adoleshencë merrnim fundo dhe rëshqisnim mbi barin e fund detit,

    Si tufat e peshqve që nxitonin të trëmbura.’’

    si thotë poeti. Thua  që vjen dita  edhe në një krijimtari poetike, që përsëri atje, në fund të detit edhe mjergullat, edhe njeriu edhe peshqit edhe fatet të bëhen një. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm në kthjelltësitë më të mëdha joniane!

    Atëhere të duket sikur ka ndryshuar gjithë destinacioni i poezisë shqipe, që jo rastësisht bëhet në botimet e poetit vetë nën okelion e shtëpisë botuese  «Milosao».

    Kritika letrare do t’i kthehet vazhdimisht Agim Matos, këtij biri të degëve të gjelbra, të rërës dhe të yjeve të një drite mesdhetare, që zbërthejnë shpirtin të parat.

    Dhe nëpërmjet këtij udhëtimi të shpirtit, si mëton vetë poeti, gjejmë rrugët e udhëtimeve poetike ku erërat aristoteliane janë më të afërta se kudo tjetër në këtë botë aristoteliane, por që  pranë peshkatarëve të Sarandës së poetit, përziehen me hijen heminguejane, si shpall ai vetë.

    Dhe ne e mendojme vargun brenda kësaj guace të perlave sarandiote, aq pranë botës dhe lashtësive, atje, ku  gjatë një pjekurije poetike, mezi dëgjoheshin radiot e huaja  për thyerjen e çdo kufiri.

    Është kjo një adresë pothuajse mijëravjeçare, por që për Agim  Maton fillon  që në vitin 1969 me librin ‘Jug”.

    Duke lindur në një vend, ku  letërsia jeton në vartësi të çka është thënë më parë dhe nga gjurmë të shkruara nëpër tekste shkollore, poezia e  Agim Matos nuk eksploron  si  mjaft poetë të tjerë të brezit të tij, as thërret  ose polemizon për identitet, si te disa të tjerë, as vërteton veten e tij, por vetëm shfaq  atë që ka  brënda vetes.

    Do ta quaja lirizëm të thellë koral, sado që është vetëm i një njeriu.

    Dhe kështu, poezitë e Agim Matos zenë vend midis rrathëve të erërave të Poseidonit.

    Duke ndjerë se vargjet e këtij udhëtimi  krijojnë një botë poetike të përbashkët  të një rrjedhe  gati të brëndshme  prej jambesh dhe vargu të bardhë, çdo poezi e Agim Matos  i ngjan atij lëngut të verës dhe të lirisë së paformë, që derdhet  në çdo poezi si brenda një  strukture poetike të kristaltë, që gati të lëndon me universalitetin e vet.

    Dhe ky universalitet kthehet në unison me shumë zëra, për të cilët prapë se prapë poeti është i vetëdijshëm kur thotë, po në një fashikull tjetër të vëllimit “Lundrimet”: “Zgjatet  isoja dhe mbajnë frymën shënjtorët.”

    Dhe ata që e dinë se çfarë vlere merr në fjalën frymë edhe ajo “n” e vogël, që tregon se  poeti jo vetëm e njeh mirë dhe e afron te vetja, por krijon po atë  përfshirjen poetike, (inkorporimin) që Aristoteli e përshkruan në traktatin e tij “Shpirti” së bashku me dashurinë si  proporcion. Dhe kjo është mjeshtëri e egzistencës vetë. Që të arrijë deri në këto masa të përjetësisë, një poeti si Agim Mato i duhet të kthehet “Cuf Cuf” me poezinë e tij në shtëpinë edhe në qytetin e tij, ku njësoj si në Aleksandrinë e dikurshme,  ka arritur të digjet jo në lashtësi po në vitet 90 edhe bilioteka, por ku një e kaluar e tërë ftohet dhe  ngrin, deri sa të shfaqen lundrime të tjera…

    Dhe është bukuria e thellë e këtij lundrimi, që Agim Maton e bën  poetin shqiptar, që sjell këtë korale zërash që qëndrojnë  përballë këtij  universi prej rëre, yjesh dhe degësh të blerta.

    Por zemra ka rrahjet e një njeriu të vetëm.

    E di që kjo shumësi e shprehur  me kaq kontraste vetmie, të kujton çdo notë mitologjike, si valëzime   të detit Jon, më unikalit edhe në vargjet e poetit.

    Po të jetosh për kaq e kaq vjet pranë Orhejmit të tij dhe Butrintit të të gjithëve, do të ngjizesh brenda ujrave të lashtësisë dhe të përjetësisë, ku njeriu bëhet pjesëmarrës.

    Dhe kjo lashtësi dhe përjetësi, për poetin triumfin e ka të pazëshëm dhe të përgjakur,  njësoj si në atë thertoren pothuaj brenda një qyteti, atje ku edhe fëmijët  ”capiteshin nëpërmjet këtyre tragjedive, në luftën e Trojës.”

    Të kesh përballë Korfuzin dhe në zemër të jetës së një njeriu Butrintin, gjithnjë do të kesh pranë Platonin, Aristotelin, Euklidin dhe të gjithë botën e paskajshme.

    “Cili Euklid u jep mësim,

    Këtyre zogjve të posalindur”, thotë poeti. Gjithçka është e mundshme në vargun e Agim Matos. Edhe kur ai thotë te  poezia “Njeriu”:

    ‘’Këtu jam duke u çapitur,

     Në këtë zbrazëti galaktikash,

     I dënuar që nga zanafilla,

     Me një unazë  në syrin e këmbës,

    Duke hequr zvarrë

    zinxhirin,

    Me sferën e rëndë të diellit.’

    Dhe nuk ka se si zinxhiri të mos jetonte i vetëm në një varg, ku loja e fjalëve hap hapësirat shpesh herë onomatopeike.

    Edhe kur mbetet fare vetëm, siç ndodh në poezinë “Teuta”, në skajin tjetër të Majës së Hekurave, si brenda mitit, larg janë ardianët që ndiqnin “gjarpërimet e ndritshme të vetëtimave”:

    Që vizatonin në qiell përkrenaren e mbretëreshës Teutë,

    ….

    Po kukurja e saj ,

    Një ditë do t’i soste

    Gjëmimet dhe vetëtimat.”

    Sepse edhe një mbretëreshë si vetë poeti është thjesht një njeri..

    Në poezinë “Varrezat e  anijeve të mbytyra”, poeti thotë’’:

    “Guiskardi,Bohemundi, bredhin me flotat e tyre në këto gjire. Dikush i humb të gjitha anijet nga shtrëngatat.Një tjetër i fundos vetë ushtarët të mos mendojnë për kthimin”

    Po në çfarë kohe gjendemi, pyes, mes përmes kësaj turbullire poetike.

    Dhe kjo përplasje periudhash, që sjellin njëra tjetrën  duket sikur tretet lehtë brenda  natyrës  pa skaje, që pjell përmbajtjen shoqërore të saj.

    Rrallë ka në poezinë shqipe një pasuri të tillë që vjen që prej larg,  ku historia dhe përvoja njerëzore përziehen me ujërat  e detit dhe erërat, ku çelin lule, një poezi që ndjek ato ushtrime të automatizuara të frymëmarrjes që krijon jetën. Dhe që herë të afron me Seremben si me një mik të madh të poetit dhe herë me nje mik tjetër të madh si Fatos Arapi..

    Dhe poezia e Agim Matos tregon hyrjen e njeriut si shpirt i vetmuar në një galaktikë të përbashkët, me përgjegjësinë e tij  për të krijuar botën një.

    “Dhe  të gjithë lundrimet e mëdha vazhdojnë të fillojnë nga shpirti.”, thotë  përsëri poeti.

    Por në poezinë e Agim Matos asnjëherë jeta nuk  shfaqet  në gjysmë ëndërr.

    Udhëtimi është real, po aq real sa te ”Fundo” në ditën kur priteshin në qytetin e tij palmat, që të kujtojnë të gjithë llojet e kercënimeve të vazhdueshme që ka jeta..Qoftë te ‘Lundrimet”me një Katamara, herë në një   pijetore zhurmëmëdhenjsh dhe pijetarësh të mejhanes “Poseidon”, ”ku një dorë tund letrën e një Bashkie që sjell lajmin se lokali  do të shëmbet.”

    Jo rrallë shfaqet Poseidoni në poezinë e Agim Matos.Por në poezinë me emri “Poseidon” poeti thotë se të duket sikur ‘’lundron në barkun e një përbinëshi, me një gotë raki, një sparo dhe një sardele.”

    Dhe poezia thyhet më dysh. Fillon me rrjedhën e përhershme të qashtër që ka forcë të krijojë  një lumë ndjesish për krijimin e  koshiencës për ekzistencë, por që si rrallë pas vargjeve të lira kapërcen  në vargjet e matura, ku qielli dhe dielli, Afëerdita dhe drita,  fillojnë të matin njeri tjetrin, pasi hapur dhe mprehtë, në mes të rruzullit, duket se për herë të parë është futur “diftongu” “Konflikt social’.

    Thjeshtësi  dhe mundim, peshq të sapokapur përjetimesh të një njeriu ku eshtë shfaqur e ka mbetur prapa gjithë socialrealizmi.

    Dhe gjithë kjo hapësirë lidhet me qytetin që përjeton godinat e mëdha që fillojnë të zenë qiellin e asaj përjetësie vetjake.

    Por në poezinë e poetit  të gjithë  këto adresime   bëhen të ngjashme me algat e detit të botës ku jeton, sikur të jenë  vënë në fundin e një anijeje të fundosur nga kohërat që do të vijnë.

    Sepse bota përsëri fillon të shfaqet në formën e ripërtëritjes të vargut dhe  të fjalës dhe të thjeshtësisë natyrale.

    Dhe në poezinë ‘Zhytem”, Agim  Mato thotë:

    “Jam brenda pajimeve 

    Që më japin lirinë e një peshku”

    Dhe ky përjetim i drejtpërdrejtë bën reale edhe metaforën më të madhe. Sepse peshku dhe njeriu bëhen një.

    Duke lexuar këto vargje, me Poseidonin e ujrave të tij, nuk ka si të mos të të vijnë ndërmend, kush është numri Një ose e Tëra si Gjithësi, në traktatin e Aristototelit, e numuri Dy, si njohuri, që mund ta quajmë edhe zbulimi. Dhe numuri Tre, që përfaqëson inkorporimin, ose përfshirjen. Dhe Katra që përmban opinion dhe solidaritet.

    Mund të flitet shumë, për sensacionin dhe imagjinatën, madje intelektin dhe tema të tjera si këto si përmbajtje të njeriut,  të përziera me arsyen, që në fillimet e ndërgjegjësimit të kulturës njerëzore, të gjitha këto të përzjera si me zhurmat dhe lëvzjet e detit dhe të fjalës poetike në tash e mijra vjet.

    Agim Mato vjen të shprehë një jetë.

    Shfaqet në vargjet e tij  dashuria për femrën e zemrës shpesh herë e fshehur pas gardhit të trëndafilëve të bardhë, ku duhet të  vijë në ndihmë një lulekëmborë.

    Dhe vetë motivi i dashurisë  “inkorporohet“ në këtë korale të madhe të lidhjes së natyrës edhe një lidhje  te vetmuar trupore.

    Po,  bëhet dashuri në vargjet e Agim Matos, poetit, që si thotë vetë, nuk i trembet erërave të Poseidonit, si bënin anijet që fshiheshin dikur në  Akrokeraume. Por ka edhe emra të tjerë të radhitur të botës, që gjithsesi japin një emër të kësaj përvoje të madhe. Edhe fort Shqiptar.

    22 MARS 2021

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË