Ben Blushi njihet si gazetar, politikan dhe shkrimtar. Shkallë, që i ka ngjitur njëra pas tjetrës, duke spikatur si në publicistikë, oratori dhe botime librash. Aktiviteti i tij në fushat e përmendura e ka bërë dhe një personazh të njohur mediatik, duke qenë kështu një nga figurat e njohura të botës shqiptare. Në këto rrethana radhitet ndër autorët e avantazhuar, krahasuar me të tjerë, që s`i kap kamera. Tek avantazhet disa gjejnë dhe arsyen e suksesit të tij në rritje. Dikur i duhej të bënte për vete votuesit, ndërsa tani lexuesit, të cilët i shtohen nga libri në libër dhe kjo nuk është pak në kohën kur ka një rënie drastike të leximit, ndaj flitet për autorët duke mos iu referuar shkrimeve.
Njëherësh ai është dhe pasardhës i disa breza shkrimtarësh, duke filluar me stërgjyshin Simon Shuteriqi, gjyshin Dhimitër Shuteriqi dhe të atin Kiço Blushi, i cili më ka mbetur në mbetje me atë përshëndetjen dashamirëse, që e shoqëronte me një buzëqeshje, që i shkonte shumë fytyrës së tij. Beni s`ngjan me asnjërin prej tyre, sikurse gjen tek ai ndikimin e secilit. Ai s`është produkt, por një mvetësi. I kompletuar, do thoshin autoritetet, ndërsa kritizerët do t`i gjenin kushedi se sa cene. S`është e rastit, që në rrethanat me të cilat ndeshet, kujton etërit e tij, pa e fshehur krenarinë. “Njëri prej 32 delegatëve të Kongresit të Manastirit ishte edhe stërgjyshi im nga nëna, Simon Shuteriqi… Në vitin 1908 ai ishte vetëm 25 vjeç, me një kravatë me vija të trasha, që sot do ishte vintage, me një këmishë të bardhë me jakë të rrumbullakët që është ende shumë në modë dhe me një kapele të zezë si ajo që mbanin të krishterët në Peradorinë Osmane. Mustaqet e tij të gjata, sytë e ulur poshtë dhe një ballë i vrenjtur tregojnë një njeri të fiksuar pas detajeve.”-shkruan në një ese kushtuar Kongresit të Manastirit. Një stërgjysh: patriot dhe modern, atëherë kur luftohej për alfabetin latin përkundër atij të Stambollit. Ndërsa për gjyshin shkruan këto radhë, jo pa nga ngasje: “Në godinën ku ishte kryetar i shkrimtarëve të Shqipërisë poetët dhe shkrimtarët më hapnin rrugë, ndërsa unë i shkelja me këmbë… Më vonë e tregoja hapur bezdinë time kur duhej të flisja për letërsinë e disa njerëzve që i kisha shkelur me këmbë pa u kërkuar falje.” Ky ishte Beni që ecën vetë, të cilit i ati do i kushtonte një skenar filmi, por shkelja pa kërkuar falje i regjistrohet nuk kalon pa lëndime. Kur gjyshi ndizte llullën e tij të gdhendur atëherë gjithë Rruga e Kavajës mbushej me një aromë Perëndimi. Kur dilte aromë e fortë e llullës së duhanit, disa libra do të digjeshin, apo shkrimtarë do të dënoheshin, shkruan nipi me një gjuhë metaforike. Tek aroma e Perëndimit autori i librit sheh veten, ndërsa tek tymi që paralajmëronte djegien e librave: imamin e xhamisë në Rrugën e Kavajës, i cili, sikurse sekretarët partive kur cënoheshin ndizin dhe ndezin militantët, paramilitarët partiak, një klerik e ka më të lehtë të ndezi fanatikët. Po e përforcoj imazhin që ai ka për gjyshin, duke cituar nga letra e Kasëm Trebeshinës drejtuar kryeministrit Shehu në vitin 1974 në kulmin e luftës kundër liberalëve: “Dhe pikërisht në vitin 1961 kemi manifestin e shkollës moderniste (Manifestin e dytë, se të parin e kishte bërë që në vitet tridhjetë Dh. S. Shuteriqi në librin “Kangë”), tani “Shekulli im” i I. Kadaresë.” I bie të jetë një manifest me vargje sikurse dhe “Shekulli im” i Kadaresë. Manifesti i Shuteriqit i viteve 30 s`kish të bënte me realizmin socialist, kështu që dhe ky i Kadaresë, si vazhdim i të parit, i bie të jetë allafrenga. (Betejën e allafrengës me allaturka, të smokingut me të atyre që bjenë era hallvë Turqie e gjejmë dhe në pamfletin e Fishtës “Gomari i Babatasit”.) Edhe Blushi është i një linje me të përmendurit. “Vetëm mamaja ime mund të dëshmojë se si gjyshi u përpoq të shpëtonte nga komunizmi duke shkruar shumë, se si babai im u çlirua nga idiotësitë njerëzore duke mos shkruar fare, ndërsa unë përpiqëm çdo ditë të shpjegoj se si po vendoset diktatura e islamit në Rrugën e Kavajës.”-shkruan në roman duke krijuar idenë e gabuar të një romani autobiografike. Ndryshe nga paraardhësit, që dallohem për butësi e dashuri, ai tregohet i paduruar, nervoz, cinik dhe i egër. Nuk mund të mos bëj përshtypje kontrasti: ata të butë në diktaturë dhe ky i egër në demokraci? “Nga të tre unë jam më i pashpirti. Gjyshi im ka shkruar vetëm për Atdheun që e donte shumë, babai ka shkruar vetëm për familjen që e adhuronte, kurse unë po shkruaj si po shkatërrohen të dyja.” Pra, shkaku i egërsimit të tij qënkish atdheu dhe familja e rrezikuar. Po nga kush? Nga ata që po i helmojnë qetësinë. Familja është e tija, po atdheu që është i të gjithëve, pse u dashka të sakrifikojë vetëm ai?! Dhe për këtë u dashka të bombardohet me sharje? Kur beteja s`është personale, pse duhet lënë vetëm? Kështu liheshin dhe dikur shkrimtarët dhe artistët kur i sulmonin në mbledhjet autodafe dhe tani u qajnë hallin?! “Unë shkruaja romane prej njëzet vjetësh, kisha shitur libra më shumë se çdo shkrimtar tjetër dhe fytyra ime ishte varur nëpër stacione autobuzi, vitrina librash dhe stenda librash, duke thithur aq shumë zili, saqë nganjëherë mendoja se lumturia ime ishte fundosur njëherë e përgjithmonë nën takën e padukshme të smirës njerëzore.” Nuk shoh ndonjë ndryshim nga ankesa e Kadaresë nën agresionin e smirës. “Kur t`më shihnin pranë këtij myslimani të roitur… Dashamirsëve do t`u dhimbsesha, armiqëve do t`u dukesha i vdekur. Nëse do të shpëtosh nga zilia, duhet të hiqesh sa më i rrënuar, të vishesh keq, të fshehësh lumturinë dhe të rrish me njerëz të shëmtuar si Ali baba.” Tek ky paragraf kemi kalimin nga autori tek personazhi i tij. Përgjatë romanit “Jan mysliman”, botim i “Onufrit”, ata ndërrojnë vende, pasi nuk ka vijë ndarëse dhe romani është i shkruar në vetë të parë. Islamikët e Rrugës së Kavajës donin ta poshtëronin si burrë dhe ta turpëronin si shkrimtar. “Ali Baba po më shërrbente të rregulloja biografinë prej qafiri, siç bënin të persekutuarit gjatë kohës së komunizmit, duke i lëshuar vendin veteranëve në autobuz, duke derdhur plehërat e familjeve të dëshmorëve apo duke mbajtur në xhep fotografinë e udhëheqësve të lartë të Partisë.” Asnjë fjali që shkruante nuk po e frymëzonte. Asnjë dhëmbje nuk i shkaktonte më lot. “Unë isha njeri i sjellshëm që, nga pamundësia për të qenë i dashur, dukesha i keq. Madje shumë i keq. Isha një njeri pa qëllim, që jetoja për të përçmuar qëllimet e të tjerëve.”-shprehet rrëfyesi, që padyshim shpreh dhe brengën e autorit. Tek autori është rikthyer shqetësimi i stërgjyshit: mos feja po qendron mbi atdheun?! Personazhi i tij, rrëfimtari, ngrihet në mbrojtje të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) i rrezikuar prej islamikëve, që duan ta rrëzojnë nëën nxitjen e imamit. Po ekzagjeron një rrezik të paqenë apo si të gjithë shkrimtarët që i ndjejnë rreziqet që i kanosen shoqërisë shfaqet si orakull? (Dikur ti ke bërë thirrje për të rrëzuar statujën e Lef Nosit, i thonë. Madje, duke akuzuar gjyshin e tij se ia ka përvetësuar dorëshkrime.) Në sheshin “Skënderbej” është rrëzuar dhe shtatorja e Enver Hoxhës. Në Amerikë u rrëzuan me dhjetra statuja dhe të Uashingtonit, meqë kish patur skllevër. Më parë se statuja e Skënderbeut të mbulohej në ditën e faljes në shesh, nëpër studjo bëhej çmitizimi i Heroit tonë Kombëtar.
Rrëfimtari sheh një ditë të shoqen që futet në xhami dhe dyshon se ajo po e tradhëtonte me imamin, i cili po shtrinte pushtetin e tij mbi besimtarët. Arma kryesore e pushtetit të shndritshëm të imamit ishte njohja e vargjeve përmendësh nga Kurani. Me tingëllimën e zërit, që e pastronte me ujin e bekuar të Mekës i bënte njerëzit të qanin. Pushteti i këtij njeriu ishte i frikshëm. “Edhe sikur në ato dy orë që kishin qendruar bashkë imami të mos e kishte prekur fare me dorë gruan time, por vetëm ta kishte bërë të qante, për mua do të ishte njësoj tradhëti.” I duket, sikur islami i ishte futur në shtrat. (M`u kujtua poema e Driteroit “Rebelimi i parë”, ku i lutej nënës të mos shkonte në teqe tek dervishi.)
Shprehja: pemës me kokrra i bjenë me gurë, dikur përdorej si ngushëllim për ata që sulmoheshin, përkundër shprehjes tjetrës: kush të rreh të do, e cila në diktaturë merrej si një nder, që po të bëhej. Kështu mos u qa nëse të zhdëpin nëpër mbledhje. Rrahësit dhe ata që hedhin gurë i gjen dhe në romanin e fundit të Ben Blushit, të cilët, të duken sikur kanë dalë nga libri dhe i turren “qafirit” për të marrë hak për fyerjet. Më ka qëlluar të zë radhën në stendën, ku Blushi jepte librat me autograf. Këtë herë radha ishte edhe më e gjatë. Një skenë promovuese, ku pak autorë kanë fatin ta përjetojnë, duke mos harruar se njerëzit e suksesshëm ushqejnë me mishin e tyre çorbën e përditshme të thashethemeve, sikurse shkruan ai në libër. Me zhurmë iu largua politikës, me zhurmë i përfshirë dhe në letërsi, përkundër atyre, që shkojnë drejt qëllimeve pa u ndjerë. Dikur zhurmuesit përdoreshin për të prishur sinjalet televizive, sot për t`i ndërprerë fjalën tjetrit, ndërkohë që armët janë me selinciator. (Zhurma konsiderohet dhe si ndotje ambienti.) Edhe libri i fundit i Blushit “Jam mysliman” s`i shpëtoi këtij pështjellimi, ku të parët që u bjenë borive, janë ata që s`kanë lexuar asgjë prej tij. Se po ta lexonin nuk do ta shanin për ato, që nuk i ka. (Pas shumë vitesh shkova në stadiumin e qytetit tim të shihja sport. Këtë radhë nga tribuna, por, shpejt, m`u bë e padurueshme të vazhdoja më tej për shkak të disa prototipave, që gjatë gjithë kohës vetëm shanin. Po kur filloi ta lëshonte gojën dhe një nga shefat e mi?!) Pandeha se u kisha shpëtuar sharësve duke u larguar nga stadiumi, por turma-turma do më shfaqeshin në facebook. Sharësit mbeten një problem social, jo vetëm se s`lënë askënd pa e ndyrë me gojën llahtarisht të pistë, por se dhe më esnafi ka filluar ta lëshojë gojën, duke më kujtuar historinë e mënit të egër në oborrin e gjyshit tim, i cili duke u rritur egërsoi dhe mënin e butë.
Prej vitesh Blushi ka qenë një tabelë qitjeje, duke hedhur dhe vetë hobe, por, në romanin e fundit, sharësit e tij shfaqen kanosës, ngaqë vijnë dhe nga turma e fanatikëve. “Nga paniku për të njohur armikun me të cilin isha në betejë, u zhyta dhe më thellë në studimin e sheriatit, derisa gjeta diçka që më eksitoi, por dhe më friksoi njëkohësisht.” Përjetim i çuditshëm: eksitim me friksim?! “Fjala sheriat vjen nga fjala arabe shari`ah, që do të thotë rruga drejt burimit të ujit, ose rruga e vërtetë dhe në të gjitha përkthimet e gjuhëve europiane është ruajtur e paprekur, siç është në orgjinalin arabisht, sharia. Në anglisht gjykatat e sheriatit i quajnë Sharia Courts, në frengjisht Tribunaux de la Sharia dhe në gjermanisht Scharia-Gericht. Në të kundërtën, përkthyesi shqiptar i sharias, që duhet të ketë qenë një burrë shumë finok, ka zgjedhur me qëllim variantin sheriat, duke shmangur fjalën e artë arabe shari`ah (rruga e vërtetë), që do të shqiptohej si sharja apo sharje. Pra, njerëzit do të thoshin jam i dënuar nga sharia.” (Goja po krahasohet me një organ jashtëqitje.) Përkthyesi finok e shtyn rrëfimtarin të zbulojë një të vërtetë të hidhur, sikurse është sharja pa limit.
Një shoqëri e lodhur nga tranzicioni kërkon qetësi, por, Ben Blushit s`i rrihet pa e trazuar. Ata që e njohin vetëm nga politika e trazirave, zor se krijojnë një mendim real për të si shkrimtar i mesazheve sensibilizues. Kadare, që i ka provuar më shumë se të tjerët linçimet e turmës, thoshte me të drejtë se shkrimtari është lehtësisht i sulmueshëm. Në këtë roman Ben Blushi, harroi të mbyllte një deriçkë: atë të identifikimit të vetes me personazhin, rrëfyesin e ngjarjeve i cili bëhet mysliman, pavarësisht, se subjekti nuk të lë shkas të njehësosh autorin me personazhin. Sado që të ngjajnë, sado autobiografik a mund të duket një vepër letrare, ku autori të tregojë se si e shoqja e ka tradhëtuar? (Kur Asturias shkroi romanin “Pirati u bë Papë”, askujt s`i shkoi mend, që pirati ishte vetë autori.) Kjo është arsyeja, që libri “Jam mysliman” e ka të përjashtuar vetorin “unë”, jo pa qëllim. Nëse libri do titullohej “Unë jam mysliman” shtegu i abuzimeve do ishte fatal për autorin. Ngaqë autori ështe deklaruar ateist, paragjykohet dhe më shumë “qafiri”. Konfuci paragjykimin e quante mëkat. Njehësimi i tyre të vë në pozitë qesharake, sikurse i ndodhi një malazezi, i cili kur pa të dilte në skenë aktori që luante Esat Pashë Toptanin në një dramën të shkruar nga knjaz Nikolla, nxori kopuren dhe për pak desh vrau. Më parë se Blushi ta titullonte librin e tij “Jam mysliman”, në Nju Jork unë votova për Zohran Mamdan, fitorja e të cilit u ndje qysh në nisje, i cili deklaroi: “Unë jam mysliman”. Fillimisht presidenti Trump u tregua agresiv ndaj fituesit të mundshëm, edhe më i ashpër nga ata që komentojnë romanin e Ben Blushit, por kur ai fitoi bindshëm e priti në Shtëpinë e Bardhë. Ne vendin që mburret për tolerancë fetare, është e shëmtuar që ndonjë fe të përdori mjete friksimi.
Në diktaturë ka me dhjetra shembuj se si keqinterpretohej krijimtaria e autorëve, gjuha figurative dhe autori vihej në bangën e të akuzuarit. Një rrezik i tillë a vazhdon të jetë dhe sot në një shoqëri te depolitizuar, ku po rikthehen me vrull doket zakonore dhe dogmat fetare? Me dogmat e komunizmit, parimeve të metodës, citateve të udhëheqësit luftoheshin dje autorët, sikur mund të luftohen dhe sot me dogma fetare, të cilat kanë ushqyer inkuizicionin dhe Xhihadin. Në diktaturë na qëlloi të kishim në krye një Hoxhë, sikurse dhe në romanin e Blushit një hoxhë në pozitën e imamit. (Kur Nexhmije Xhunglini arriti moshën për tek burri e ëma e pyet, nëse ia kishte vënë syrin ndonjë djali, ajo e pohon, duke shtuar: madje dhe Hoxhë, sikurse të pëlqen ty.) Nga klerikët vetëm hoxha është stigmatizuar me proverbin: “Thuaj çfarë them unë dhe mos bëj se ç`bëj unë.”
Nga gazetaria Blushi mori trajtimin e temës së ditës, aktualen, sikurse fjalitë e shkurtëra e të shpejta. Nga politika përfshirjen në debate. Librat e Blushit pëlqehen, tërhiqen, duke ngjallur debate dhe ai që përballet me publikun është autori, fatkeqësisht i lënë vetëm. Nuk më pëlqen sehirllëku i kolegëve, kur një nga shkrimtarët më të mirë që kemi lihet në mëshirën e sulmeve të llumëhanes. Romani i tij duhet lexuar së pari si letërsi, si fikshën, ku të drejtat e autorit janë hyjnore dhe ai, për fat të mirë, i ka dhënë lexuesit një roman me nivel të lartë artistik. Romani nis me një dedikim, i cili nuk mund të anashkalohet pasi është dëshmi e moralit nga i cili ai udhëhiqet: “Këtë libër ua kushtoj myslimanëve që më rritën. Xhamia e tyre ishte familja, Zoti i tyre ishte dashuria, Feja e tyre ishte nderi. Unë jam po aq mysliman sa ata.” Ku ka më shqip se kaq, ku autori shpreh vetveten i mbështetur tek familja, dashuria dhe nderi. Nëse personazhët e tij s`e kanë familjen xhami, por shkelin kurorën në një faltore, se dashurinë e zëvendësojnë me seksin dhe në vend të nderit shkelin mbi librat e shenjtë, duke abuzuar me to, nuk duhet urryer autori për imami i Rrugës së Kavajës. Shkrimtari përcëllon me ironi, sikurse paralajmëron shoqërinë për rreziqet që i kanosen, sikurse kanë bërë në të gjithë historinë e artit. Personazhët e tij kryesorë i ka lënë pa emra, thjesht: rrëfyesi, gruan e tij e dytë dhe imami, duke ia lënë lexuesit t`i thërras me emrat e mëkatarëve, që njeh. T`u harroftë emri, mallkohet ai që ka futur shpirtin në gjynah. Kush ka lexuar librin e Baba Rexhebit “Misticizmi islam dhe bektashizmi” duhet t`i ketë bërë përshtypje se ç`gjëma bëjnë fanatikët. Një debat i zjarrtë midis mistikëve ishte dhe mënyra se si i duhej drejtuar Allahut: në gjendje ekstaze, apo kur je esëll? Dhe ky debat hëngri koka. Shteti demokratik shumë vonë vuri kontrollin mbi teritorin. Rast tipik është Lazarati. Si i tillë duhet konsideruar dhe islami në “Rrugën e Kavajës”. Bëhet fjalë për një rrugë, që autori ta emërtojë me emër real, por që nuk është as bulevard, në shesh s`të lë Skënderbeu, as teritor. Ky personazh kishte një detyrë të qartë: rrëzimin e bustit të Gjergj Kastriotit. Sheshi ishte i tij dhe askush nuk mund ta bënte aty përsheshin, sikurse kishte ndodhur më parë me shtatoren e Hoxhës. “Nuk e kisha besuar kurrë se në Shqipëri kishte aq shumë njerëz që e urrenin Skënderbeun dhe mendova se, përfundimisht, nuk e njihja mirë këtë vend. Shqipëria laike kishte krijuar mbi një mashtrim. Shteti e kishte lënë Skënderbeun vetëm.”-skruan autori i shqetësuar. Edhe nëse shqetësimi i tij është i ekzagjeruar, patriotët që ne i kemi të devotshëm nëpër stadiume duhet t`i dalin krah. Linçimi i një shkrimtari, duke u dënuar me Fetva ndodh në një vend islamik, ku feja qendron mbi shtetin, duke patur teokraci dhe jo në një vend që kërkon t`i bashkohet kontinentit mëmë, Europës. Perëndimi është streha e vetme e Selman Ruzhdies. (Inkuizicioni ishte diktaturë fetare, sikurse dhe Shteti Islamik.) Me vdekje dënon edhe mafia. Kështu që dënimi në emër të sheriatit ngjan me gjyqet partizane apo me vetëgjyqësinë.
Çfarë e lidhte gruanë e tij me xhematin e Rrugës së Kavajës? Për më tepër një grua që merrej me mbrojtjen e grave të dhunuara, e cila pranon dhunimin e një vajze?! “Isha i bindur se në Rrugën e Kavajës nuk kishte burra që ishin trajtuar më keq nga gratë e tyre se unë dhe Ali Baba. Prandaj, për të ëmbëlsuar pak jetën time, shkoja në dyqanin e llokumeve.” Të jesh islamofob sot është njësoj sikur të ishe revizionist në kohën e komunizmit. Nëse një myslimani i lejohet të ketë disa gra, rrëfimtari ankohet se gruaja e tij e dytë ia ndau jetën mes gatimit dhe shkrimit, duke vënë në dukje: “Ajo ishte e përgatitur t`më torturonte me delikatesë.” U ktheva në një kuzhinier që herë pas here duhet të këndoja, se e shoqja i kishte vënë kushtin që ai duhet të gatuante dhe të mos e kundërshtonte, madje para se të botonte një libër, duhej ta lexonte ajo më parë. Kësisoj gruaja e zbuti, ndërsa islamikët e friksuan. I shfaqet frika se në krevatin e tij mund të futeshin njerëz të tjerë.
Qendrimet e shkrimtarin kundrejt Allahut, profetit Muhamed dhe besimtarëve, ndryshojnë qart ndaj një imami dhe fanatikëve të radikalizuar prej tij. Allahu, profeti Muhamet dhe besimtarët marrin të gjithë respektin e mundshëm të autorit. Gjuha e trupit është gjuha që arabët njohin më mirë, por atyre u mungon fantazia, ngaqë i marrin përgjigjet të gatshme nga Kurani. Ndërsa Muhamedi përdori fantazinë për të shkuar në Jurazalem ku ngriti xhaminë, pa e shkelur asnjëherë. (Një mbret spanjoll që zhvilloi flotën s`kishte hipur asnjëherë në anije.) Muhamedi është pastruesi perfekt i gjurmëve të veta të dukshme, ai është gjeniu i imazhit të fshirë. Ai nuk donte të ishe i bukur, por i vlefshëm. Shkenca po ndryshon gjithçka me përjashtim të Allahut. Muhamedi ishte modern. Atij i pëlqenin gjërat e reja. Personazhi i tij “në Mekë kishte marrë një energji të bardhë, që ia pastronte mendimet e zeza…Muhamedi më kishte ndihmuar.”
Autori është i shqetësuar vetëm nga fuqizimi i islamikëve. “Isha shkrimtari që myslimanët arabë e shpëtuan nga islamikët shqiptarë. Islami i shqiptarëve nuk ishte islami që kisha gjetur në Arabi. Islamikët shqiptar e kishin shëmtuar Muhamedin me qëllim. Arabët e rinj jetojnë njësoj si europianët.” Dhe më tej: “kush mendon se Sharia ka vetëm qëllim të vockla fetare e ka gabim.” Parashikon në libër, atë që do i ndodh pas botimit të tij: “Më shihnin si qafir që në çdo çast mund të bënte një gabim, një blasfemi, një tallje, një shkelje kurore.” Njësoj si dikur të stresuar nga frika e gabimit të mundshëm. Rri e mendon se çfarë do të bënte gjyshi apo babai i tij shkrimtar për t`i shpëtuar rrethimit të islamit dhe, ne na vjen në mend rrethimi borgjezo-revizionist i Shqipërisë ateiste, dramat “Rrethi i bardhë” i Naum Priftit apo “Rrethimi i vogël” i Ruzhdi Pulahës, pa folur për rrethimin e Krujës. “Disa prej tyre mbanin pankarta me fotografinë time, ku shkruhej: Qafir, na ke fyer! Kërko ndjesë, o i pabesë!” Gjithë jetën isha përplasur me provokatorë. Pse duhej të isha pikërisht unë njeriu që e mbron Europën nga islami, ndërkohë që gjithë shkrimtarët e saj të famshëm firmosin peticione për të legalizuar burkat nëpër universitete? Nuk po më mbron askush, ankohet ai duke shtuar: “Letërsia e veseve, ku hyj vetëm unë dhe letërsia e virtyteve, ku bëjnë pjesë gjithë shkrimtarët e tjerë, përfshi gjyshin dhe babanë tim.” Vazhdimisht e veçon veten nga të tjerët, sikurse do bënte gjithkush, që ndjen se ka krijuar një personalitet në artin e të shkruarit, një individualite, një stil. Për hir të këtij pretendimi mos duhet ta quajmë “qafir”?



PROVOKIM prej njé mendjemadhi se din diçka aq tutje kur né Shqipëri, mbase në Shqiptari jeton s’bashku Myslimanët, Kotolikët Oertodoksët, dhe komuniteti Sheit, pra unë nuk po kuptoj se ku ja qet tymin B. Blushi