Një pasdite, në një nga adresat e mia, më vjen një material, në faqen e parë të të cilit dallohej imazhi i një fëmije me një libër në dorë, i rrethuar nga nuanca ngjyrash, ku mbizotëronte bluja. Sipër tij ishte titulli “Sekreti i fshehur në libra”, një metaforë që lëviz mes kornizës konceptuale të fiksuar dhe asaj individuale të krijuar, duke pasur parasysh kontekstin, ku ishte projektuar.
Pak më sipër, emri i autores: Rovena Rrozhani, imazhi i së cilës më solli ndjesitë e rinisë…
Diku me tej, në mesazhin e dërguar lexova disa fjali, ku me shumë modesti autorja më ftonte ta lexoja librin dhe të diskutonim.
E kam ndjekur Rovenën ndër vite vizualisht, më shumë në rrjetet sociale, në promovimet e shumta të librave të saj, që krijojnë një fond të konsiderueshëm (diku te rreth 9 libra për fëmijë), po nuk kam arritur ta ndjek atë tekstualisht, pra t’i lexoj këto libra. Kjo, edhe për faktin se teksti që shkruan ajo, i referohet një marrësi, që i përket një grupmoshe të vogël, pra Letërsisë për Fëmijë.
Gjatë punës sime në auditor, në konferenca e në botime, në kuadrin e analizave stilistike, unë jam marrë më së shumti me autorë klasikë shqiptarë, që kanë një horizont pritës të një grupmoshe të rritur, ndaj edhe qasja ime ndaj zhvillimeve të Letërsisë për Fëmijë ka qenë periferike.
Duke shfletuar nëpër manuale, për të marrë vesh se çfarë ndodh në botë me këtë lloj letrar, shoh atë që konstatohet lehtësisht edhe nga një lexues i thjeshtë. Kjo lloj letërsie konceptohet tashmë si dije ndërnivelore, pasi dhe kontakti me lexuesin e vogël bëhet më i thjeshtë.
Po sjell këtu pohimet një nga botimet e konsultuara, ku pohohet: “Letërsia për fëmijë, përfshin tërësinë e veprave të shkruara dhe ilustrimet shoqëruese të prodhuara me qëllim argëtimin ose udhëzimin e të rinjve. Zhanri përfshin një gamë të gjerë veprash, duke përfshirë vepra klasike të njohura të letërsisë botërore, libra me figura dhe tregime të lehta për t’u lexuar të shkruara ekskluzivisht për fëmijë, si dhe përralla, ninulla, fabula, këngë popullore dhe materiale të tjera të transmetuara kryesisht gojarisht” (Enciklopedia Britanike).
Nëse analizon pohimin e mësipërm, vë re se nuk është vetëm teksti primari në këtë lloj letrar, po bashkë me të (e po aq të rëndësishëm) janë edhe ilustrimi, ngjyra , interpretimi, artikulimi i posaçëm etj.
Si gjuhëtare, di se teoritë konjitive më të fundit pohojnë se një mënyrë e tillë e dhënies së një mesazhi të caktuar ka pritshmëri shumë më të mira të shkojë te një marrës i çdo grupmoshe, pasi është prirje e qenies njerëzore që shenjat gjuhësore, e jo vetëm, t’i konceptojë si kuptim e si formë njëkohësisht.
Nga ana tjetër, vetë teksti që përfshihet në këtë lloj letërsie karakterizohet nga tipare të tilla që përfshijnë një kanal të thjeshtë e të drejtpërdrejtë.
Fabulat e krijuara paraqesin tema miqësie, histori në familje, mënyrën se si duhet kapërcyer frikë etj që shpalosin mesazhe të qarta dhe pozitive.
Narracioni shfaqet i shpejtë dhe dinamik, i shoqëruar shpesh me suspancë, për të rritur interesin.
Personazhet janë shpesh fëmijë (po jo vetëm) dhe rrëfimet eksplorojnë ngjarje, veprime dhe emocione nga këndvështrimi i një fëmije.
Këto tekste shoqërohen nga imagjinata e fantazia që ndërtohen shpesh mbi bazën e hiperbolës (e në raste të caktuara edhe litotës), të aktivizuara në jo pak raste edhe nga personifikimi.
Ilustrimet synojnë të rikrijonë imazhet e paraqitura në tekstin e shkruar, duke përdorur jo rrallë edhe karikaturën (jo të ekzagjeruar), ku intensifikohet metonimia e deri diku humori, po pa kaluar në grotesk.
Letërsia për fëmijë zakonisht ruan një ton optimist, edhe kur trajtohen tema të vështira. Gëzimi dhe pafajësie janë elementet që mbizotërojnë dhe dallohen edhe në sentencat që në fragmente të caktuara mund të marrin edhe trajtën e silogjizmave.
Natyrisht element mjaft i përdorshëm në kohezion është përsëritja e fjalëve, frazave ose modeleve, teknikë kjo që fikson më mirë konceptet e rëndësishme.
Këto tekste kanë një gjatësi të limituar zakonisht, kjo dhe në varësi të grupmoshës që i referohen. Ngjarjet zakonisht zhvillohen në rend kronologjik.
Efekti i menjëhershëm i përsëritjes, natyrisht është një vijë melodike, që nuk del thjesht me tinguj të caktuar, po në kuadrin e kornizave kohezive, që përsëriten për të aktivizuar elemente të ndryshme, brenda të njëjtit skelet konceptual.
I dhamë këto tipare të Letërsisë për Fëmijë (ka dhe të tjera), për të vënë në dukje se të shkruash një tekst të tillë kërkon një hulumtim të vërtetë shkencor, do ta quaj pa frikë, ku duhet të përshtaten shumë komponente, që libri të ketë sukses.
Po çfarë na sjell libri i Rrozhanit “Sekreti i fshehur në libra”?
Libri hapet me një rrëfenjë (siç i quan autorja tekstet me këtë nuancë kuteliane) me titull “Pse dhe çfarë”. Kjo pjesë në thelb organizohet në një makrostrukturë loje orale fëmijësh, e njohur edhe nga grumoshat e tjera (Kam një kungulleshkë dua ta ndaj në ___pjesë), që me shumë zgjuarsi inkuadron ushqime të ndryshme, të cilat fëmijët e vegjël, në jo pak raste, i refuzojnë.
Komplet pjesa receptohet si lojë, me vijë melodike të ndërtuar nga përsëritja e të njëjtit skelet kompozicional dhe që përthithet e mbahet mend menjëherë. Madje mendoj se autorja është përfshirë aq shumë edhe vetë në tekst, dhe po e shijon edhe ajo këtë lojë imazhore e kohezive perimesh e frutash, pasi ua jep vetë moralin e përrallës “Çdo ushqim ka vendin e tij”.
Te rrëfenja tjetër “Lopa do një përqafim” na shfaqet një tekst alegorik shumë i bukur që mëton nxitjen e empatisë dhe dhemshurisë njerëzore, një nevojë e domosdoshme e shoqërisë sonë, që vuan mungesën e tyre e stimulon individualizmin ekzistencial.
Personifikimi dhe perceptimi, mendoj, më shumë metonimik i tij krijojnë një emocion shumë të bukur, që mund të shijohet nga një horizont pritës me spektër më të shtrirë, se ai i parashikuari.
Rrëfenja “Kush e zbrazi qiellin” vjen si një titull shumë i bukur metaforik, domeni i burimit të së cilit, ndërtohet pikërisht me regjistrin e fëmijëve dhe ka në thelb ndërgjegjwsimin mbi ndotjen e planetit e prishjen e ekosistemit. Përcaktimi i mësipërm realizohet mjaft mirë nëpërmjet një narracioni, që gërsheton personifikimin me metaforën. Kjo e fundit (metafora) është krijuar mbi bazën e regjistrit fëminor, duke edukuar nëpërmjet alegorisë që dedukton moralin se “Ekosistemi duhet mbrojtur”.
Te “Sekreti i fshehur në libra”, rrëfenja që emërton gjithë librin, kohezioni tashmë është i identifikueshëm, pasi ka në bazë përsëritjen e veprimit (leximit të librit të ri), po ky i fundit vjen në progresion rritës, nëse sheh se sa sekrete mëson djali. Në fillim fjalë, pastaj histori, mesazhe etj.
Është e dallueshme se me vijimin e leximit të përrallave, vihet re se rritet edhe sofistikimi koheziv e shtohet ngarkesa figurative, pasi veç metaforës që ishte mekanizmi organizues i personifikimit, në lojë hyn edhe metonimia e brendshme si te rasti i rrëfenjës “Gjumi dhe i pagjumi”. Këtë ngarkesë figurative ajo e konkretizon nëpërmjet një narracioni që ka në bazë konstrukte që përcjellin intertekst përralle.
Edhe te “Kopshtari, princi dhe princesha” dallohet skeleti intertekstor i përrallës popullore të “Babait dhe djemve të tij”, po aktualizimi në një kontekst situativ, që indukton domosdoshmërinë e të ushqyerit të shëndetshëm, është shumë i gjetur.
Te rrëfenja “Sofia zbulon një mister” narracioni merr trajtën e një ndjekjeje policeske, pasi kërkimi i kekut, në pjesën më të madhe të tregimit, duket sikur bëhet për të gjetur fajtorin.
Në fakt, në fund gjejnë trikun e magjisë dhe kjo mendoj se, me terminologjinë e funksioneve të Propit, do të ishte momenti i vendosjes së ekuilibrit dhe i dhënies së tonit pozitiv, karakteristike e funksioneve kryesore të dalluara nga studiuesit e fushës.
Ka raste kur autorja përdor të njejtin skelet kompozicional ndërtimi për dy rrëfenja, po për të deduktuar mesazhe të ndryshme. I tillë është rasti i rrëfenjës “Tri pemët dhe tre vëllezërit”, i cili ka edhe formulën hyrëse si përrallat popullore (çka nuk para del në rrëfenjat e tjera). Kjo rrëfenjë mund të shihet si një invariant i rrëfenjës “Kopshtari, princi e princesha”, ku tashmë induktimi i punës, si përvojë e domosdoshme, konkretizohet për një proces tjetër specifik, siç është shtimi i gjelbërimit.
Në fund, libri mbyllet me një vjershë që organizohet mbi bazën e një kornize alla agolliane (Kur të jesh mërzitur shumë). Kjo e fundit është shfrytëzuar mjeshtërisht për të bërë një përmbledhje të të gjithë tematikave, që gjenden në shumicën e rrëfenjave paraprirëse.
Mendojmë se ky libër përbën një buqetë përrrallash të këndshme, edukuese si nga pikëpamja e mësimeve që synojnë të deduktojnë, po veçanërisht nga ana estetike e realizimit të tyre, pasi ato risjellin kornizat konceptuale e kohezive arketipale të përrallës si lloj, të përshtatur në kontekste aktuale jetësore.
Në këto tekste vërtet mund të gjesh kornizat skeletore të arketipave të njohur, qoftë edhe jo shumë të vjetër, po mënyra se si këto konture mbushen me personazhe dhe histori, që aktualizohen në kornizat konceptuale të përditshmërisë së grupmoshës referuese, i bën ato të freskëta dhe ilokutive në deduktimet, që autorja synon.
Është e dallueshme se tashmë Rovena Rrozhani duhet konsideruar si një zë i afirmuar në këtë lloj letrar. Këtë e dëshmojnë edhe eksperimentet, do t’i quaja unë, si në makrostrukturë kompozicionale, ashtu edhe në mikrostrukturë kohezive.
Në këtë kontekst, duke pasur parasysh edhe diskutimet (në kuadrin e absurdit për mua), që bëhen “Nëse ekziston Letërsia për Fëmijë te ne sot”, librat e Rrovena Rrozhanit do të përbënin një korpus dinjitoz për t’u marrë parasysh.

