More
    KreuOpinionPse Murakami është i përhershmi pothuajse-laureat i Çmimit Nobel

    Pse Murakami është i përhershmi pothuajse-laureat i Çmimit Nobel

    Murakami romantizon vetminë, e shndërron të zakonshmen në mistike dhe mbetet pothuajse-fituesi më besnik i Nobelit.

    Shkruar nga Stela Dey
    Nju Delhi

    Prej dekadash, lexuesit kanë kremtuar magjinë melankolike të Haruki Murakamit, ndërkohë që Nobeli hedh sytë diku tjetër.

    Çdo tetor, shfaqet një déjà vu letrare e njohur. Emri i Haruki Murakamit kryeson listat e parashikimeve për Nobelin dhe fansat përgatiten për të festuar. Më pas, si gjithmonë, Akademia Suedeze sheh diku tjetër. Murakami, pothuajse-fituesi i përhershëm, bëhet sërish nënkampioni (me gjasë) i preferuar i botës.

    Autori japonez, tashmë në të shtatëdhjetat, ka arritur të mishërojë si romancën, ashtu edhe kotësinë e dëshirës së zjarrtë letrare, jo ndryshe nga protagonistët e tij që enden nëpër peizazhe ëndrrash në kërkim të kuptimit, maceve apo dashurive të humbura. Kështu, pyetja mbetet: pse një nga shkrimtarët më të lexuar, të përkthyer dhe të dashur në jetë nuk e ka fituar kurrë Çmimin Nobel për Letërsi?

    Ndoshta kjo ndodh sepse rebelimi i Murakamit është tepër i brendshëm, gratë e tij tepër joreale, apo trishtimi i tij tepër joshës. Forcat e tij më të mëdha si autor – aftësia për ta bërë të zakonshmen të vezullojë me një tis të çuditshëm, për ta romantizuar vetminë derisa ajo të shkëlqejë – mund të jenë gjithashtu ato që e mbajnë në periferi të Nobelit.

    Të paktë janë shkrimtarët që mund ta bëjnë zierjen e makaronave apo një shëtitje në një mëngjes me diell të ndihet si një zbulesë. Murakami e shndërron banalen në mistike, duke i dhënë vetmisë fjalorin e saj. Romanet e tij kapin brengën moderne, hidhërimin e heshtur të ekzistencës në një botë të shkëputur e të shterpë emocionalisht. E megjithatë, pikërisht kjo teksturë emocionale që magjeps lexuesit është gjithashtu ajo që tjetërson komitetet e çmimit.

    Problemi me Murakamin

    Universi i Murakamit, me gjithë bukurinë e tij, është i zhytur në vështrimin mashkullor. Gratë e tij janë shpesh enë për dëshirën e zjarrtë mashkullore: eterike, seksuale, ndonjëherë duke u zhdukur pa shpjegim. Ato më shumë ëndërrohen sesa jetohen, duke ekzistuar kryesisht për të munduar, shëruar apo për të katalizuar udhëtimin e një protagonisti. Edhe kur flasin, ato filtrohen përmes syve të burrave që i dëshirojnë ose shpesh i keqkuptojnë. Nuk është keqdashje, por zakon; një lloj vështrimi i heshtur e i paanalizuar që ndihet gjithnjë e më shumë në mospërputhje me mënyrën se si letërsia sot e trajton gjininë dhe përfaqësimin.

    Romanet e tij janë sensuale, por sensualiteti shpesh rrëshqet drejt objektivizimit, duke i kthyer trupat e grave në metafora për zbrazëtinë mashkullore. Ndërsa bota kërkon portretizime më të nuancuara, gratë e Murakamit mund të ndihen si relike të një ndjeshmërie më të vjetër – magjepsëse, por të zbrazëta.

    Pastaj është çështja e pasivitetit ose shkëputjes narrative. Rrëfimtarët e tij janë tepër të mpirë emocionalisht për t’u zemëruar, tepër pasivë për t’u rebeluar; ata enden, vëzhgojnë dhe përbrendësojnë. Mjediset e tij absurde (Sputnik Sweetheart, Birthday Girl) e zbehin kufirin mes reales dhe surreales, duke përfunduar në heshtje dhe paqartësi. Lexuesit mbeten pezull, rilexojnë dhe gjejnë ngushëllim tek e pazgjidhura. Ndonëse hipnotike, veprat e tij janë të kthyera nga brenda, subjektive dhe qëllimisht evazive. Çështjet që ai trajton janë emocionale ose metafizike, rrallëherë morale.

    Dhe pikërisht këtu qëndron tensioni me Nobelin. Ky çmim, pavarësisht mospërputhjeve, shpërblen shkrimtarët që angazhohen drejtpërdrejt me historinë, pushtetin dhe ndërgjegjen kolektive. Kawabata kapi bukurinë delikate të jetës japoneze; Kenzaburō Ōe u përball me fajin e pasluftës dhe shqetësimin moral. Murakami shkruan për tjetërsimin të pashkëputur nga kombi, ideologjia apo politika. Trishtimi i tij është universal, por vështrimi i tij moral është i shpërndarë. Revolucioni i tij është i brendshëm, jo i jashtëm, gjë që e bën të dashur për lexuesit, por më pak për komitetet që kërkojnë peshë morale.

    Edhe realizmi magjik, tipar i tij dallues, mund të punojë kundër tij. Zbukurimet surrealiste, përfundimet dykuptimshme, motivet e përsëritura të botëve paralele rrezikojnë të duken vetëkënaqëse ose përsëritëse. Ato i magjepsin lexuesit, por nuk ofrojnë atë lloj guximi intelektual apo etik që Nobeli priret të shpërblejë. Vepra e Murakamit, me gjithë elegancën e saj, është tërheqëse por e izoluar.

    Pika e verbër e Nobelit

    Në një epokë ku letërsia lexohet si dëshmi, Murakami ofron ëndrra në vend të dokumentimit. Dhe ëndrrat, sado të ndërlikuara, rrallëherë rrëmbejnë qendrën e vëmendjes. Edhe kur shkruan për ngjarje reale (tërmeti i Kobes i vitit 1995 te Pas Tërmetit, kujtesa e kohës së luftës te Kronika e Zogut Kurdisës), ato mbërrijnë të filtruara përmes surrealizmit dhe shkëputjes. Katastrofa është gjithmonë e brendshme.

    Laureati britanik i lindur në Japoni (2017), Kazuo Ishiguro, ndoshta bashkëkohësi më i afërt i Murakamit, qëndron si një kontrast i dobishëm. Të dy eksplorojnë kujtesën dhe humbjen, por përmbajtja dhe saktësia morale e Ishiguros përputhen qartë me temperamentin e Nobelit. Proza e tij zbulon dhimbjen nën petkun e qytetërimit, ndërsa ajo e Murakamit shpërbën vetë realitetin.

     Ndoshta kjo është arsyeja pse librat e Murakamit ndihen kaq intimë. Ai nuk kërkon besim; ai fton për reflektim. Librat e tij nuk kanë të bëjnë me përgjigje, por me atmosfera; të mësosh të jetosh me zbrazëtinë, të gjesh bukuri në përsëritje, të rrish pa lëvizur me mallin dhe ndonjëherë të mos kërkosh përgjigje.

    Nëse Nobeli kremton ndërgjegjen globale, Murakami shkruan për vetminë globale. Dhe vetmia, siç e di çdo lexues, rrallëherë merr duartrokitje në këmbë.

    Përkthimi © ExLibris

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË