— In Memoriam — (Përsiatje meditative për Njeriun dhe regjisorin e pakohë Dhimitër Anagnosti, Artist i Popullit dhe Nder i Kombit)
Një muaj më parë, kopshtit të begatë të Kinematografisë Shqiptare iu rrëzua një lis i madh që mbante hijen e kujtimeve të paharrueshme dhe frymën e artit të përjetshëm.
Rënia e tij nuk ishte thjesht një humbje, por një heshtje që përshkroi çdo cep të këtij kopshti të shenjtë, që na kujton se edhe mes gjallërisë së përditshme, ndonjëherë arti na lë një boshllëk që vetëm mjeshtrit e vërtetë mund ta mbushin.
Megjithatë, në këtë boshllëk, ndriçon një dritë që nuk shuhet kurrë, fryma e atij që jetoi me pasion dhe e bëri kinemanë shqiptare të flasë me gjuhën e përjetësisë…
Në fakt, ka njerëz që, edhe kur trupin ia lëshojnë tokës, përsëri “frymojnë”. Ata “jetojnë” edhe përtej vdekjes. Padyshim, një i tillë është mjeshtri i kinemasë shqiptare, Dhimitër Anagnosti.
Me ikjen e tij në amëshim, Shqipëria humbi jo vetëm një regjisor të dimensioneve më të epërme të artit modern-bashkëkohor të kinemasë, por edhe një poet të dritës, një kronikan të shpirtit të saj, një artist që e ktheu realitetin e thjeshtë në art universal.
Më shumë se tridhjetë vite miqësi me të më lanë dhjetëra kujtime: biseda, takime, të qeshura të ndrojtura, por edhe heshtje të thella…
Anagnosti nuk ishte njeri i fjalës së rëndë; ai kishte një heshtje që fliste më shumë se çdo ligjërim.
Në atë heshtje gjendej përulësia e urtakëve të lashtë, qetësia e njerëzve të mëdhenj dhe thellësia e artistëve që nuk kanë nevojë të provojnë veten, ngase vepra e tyre flet më fort se gjithçka.
Në arkivin tim kam disa fotografi të çmuara me të. Ato nuk janë thjesht imazhe të fiksuara në celuloid, por dëshmi të gjalla të një miqësie, relike të kohëve kur arti dhe kultura ishin busull morale e një kombi.
Ndër to është edhe njëra prej tyre, që shoqëron këto radhë si In Memoriam për të. Ma dhuroi vitet e fundit mikja ime e dashur, aktorja e përkorë Roza Anagnosti, bashkëshortja e tij.
Një pasdite, gjatë bisedave telefonike të zakonshme, pasi ramë dakord të pinim së bashku një kafe, Roza më solli këtë dhuratë të çmuar: fotografinë me Dhimitrin, të shoqëruar me shënimin e tij, të shkruar me dorën e vet.
Pas imazhit të kësaj fotografie qëndron firma e qetë dhe fisnike e tij, një përshëndetje e thjeshtë, e ngrohtë, por që për mua ka peshën e një testamenti.
Janë fjalë të thjeshta, pa stoli, por me madhësinë e shpirtit të tij. Sa herë e lexoj, ndiej sikur zëri i regjisorit të madh më flet sërish: i qetë, i ngrohtë, njerëzor, mallëngjyes dhe i paharruar.
Vite më parë, miku im i hershëm dhe i afërt, shkrimtari e poeti i njohur Petraq Qafëzezi, më rrëfeu me sinqeritet një episod të paharrueshëm, njëherazi mbresëlënës dhe prekës, që lidhet ngushtësisht me natyrën bujare, karakterin fisnik dhe shpirtin e gjerë të regjisorit Dhimitër Anagnosti.
Petraqi është autor i romanit të mirënjohur “Bonjakët”, i cili, pas botimit për herë të parë në vitin 1972, u nderua me “Çmimin e Parë të Republikës”.
Ky roman u ribotua disa herë radhazi dhe pati jehonë të gjerë në qarqet letrare e krijuese të kohës, duke tërhequr vëmendjen jo vetëm të kritikës, por edhe të lexuesve.
Ky sukses nuk mund t’i shpëtonte syrit vëzhgues të regjisorit të madh, i cili, pasi qëmtoi dhe e çmoi lart subjektin e romanit, e pa si bazë të denjë për një skenar filmi artistik me metrazh të gjatë.
Ka qenë viti 1975, kur regjisori Anagnosti e fton miqësisht Petraq Qafëzezin për të pirë një kafe dhe aty i propozon projektin për ekranizimin e romanit të tij.
Dhe kështu ndodhi me filmin “Lulëkuqet mbi mure”, që sot e përgjithmonë kryeson si një ndër kryeveprat më të arrira të kinematografisë shqiptare.
Ky film dramatizon jetën e fëmijëve jetimë në një jetimore të Tiranës gjatë pushtimit italian në Luftën e Dytë Botërore, duke pasqyruar përpjekjet e tyre për të luftuar kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Duhet theksuar se romani mbart një karakter të veçantë dhe domethënës autobiografik, pasi autori Qafëzezi ishte një ndër fëmijët bonjak që asokohe jetoi në “Strehën Vorfnore”. Ndaj, shumë prej ngjarjeve të rrëfyera në librin “Bonjakët” janë përjetimet e jetës së tij reale.
Por ndryshe nga gjuha e letërsisë, rruga nga romani drejt skenarit të një filmi ka teknikat dhe kërkesat e saj të rrepta dhe specifike, të cilat vetëm një skenarist apo regjisor i sprovuar mund t’i përballojë.

Përshtatja e një romani në film nënkupton zgjedhjen e konfliktit qendror, strukturimin dramatik të ngjeshur dhe dialogë të shkurtër e të gjallë.
Përshkrimet e brendshme duhet të shndërrohen në imazhe dhe veprime konkrete, duke ruajtur thelbin dhe shpirtin e veprës letrare në gjuhën e fuqishme vizuale të kinemasë.
Në këtë proces, romani pëson një transformim: thelbi dramatik përzgjidhet dhe ndërtohet sipas strukturës triakteshe; dialogët shkurtohen dhe marrin dinamizëm; përshkrimet dhe analizat e brendshme përkthehen në situata vizuale e veprime të dukshme.
Personazhet nuk shpjegohen më shumë me fjalë, por shpalosen përmes veprimeve dhe qëndrimeve.
Ritmi i ngjarjes bëhet më i shpejtë, episodet dytësore shkurtohen dhe qëllimi i vërtetë nuk është kopjimi i romanit, por ruajtja e shpirtit të tij në një gjuhë që i flet syrit dhe mendjes së shikuesit.
“Për këto arsye, – më tregonte Petraqi, – propozimi që Anagnosti më bëri për të sjellë një skenar mbi romanin tim, më vendosi përballë një sprove të vështirë, gati të pamundur.
Me gjithë këmbënguljen e tij, u përpoqa të hartoja diçka, por nuk qullosa gjë”.
Atëherë Anagnosti, me fisnikëri dhe përulësi të rrallë, e inkurajoi duke i premtuar autorit të romanit se do ta rishkruante vetë nga e para të gjithë skenarin. Dhe ashtu ndodhi. Kur skenari ishte gati, regjisori e thirri Petraqin dhe i dorëzoi një kopje për ta lexuar.

“Pasi e lexova, – vijoi rrëfimin miku im, – kuptova se skenari i Anagnostit ishte krejt tjetër gjë. Ishte gati 90 për qind i ndryshëm nga ai që unë i kisha dorëzuar.
Por kjo nuk më hidhëroi aspak; përkundrazi, më gëzoi jashtë mase, sepse skenari i tij ishte artistikisht i përsosur, i mbushur me skena dhe situata mjaft befasuese, me intrigë dhe me një gjallëri të jashtëzakonshme.”
Pas përfundimit të skenarit, nisën menjëherë xhirimet. Dhe kur filmi u realizua, Petraqi mori një ftesë nga Kinostudio “Shqipëria e Re” për të marrë pjesë në premierën e “Lulëkuqeve mbi mure”, që tashmë kishte zëvendësuar titullin e parë, “Bonjakët”.
Shfaqja u mbajt në sallën e madhe të Kinostudios, në prani të shumë kineastëve dhe specialistëve të fushës.
“Përveç emocioneve të forta që përjetova nga skenat, të cilat sillnin atmosferën e kohës me realizëm, më preku thellësisht një detaj i veçantë: në hapje të filmit, tek titrat, lexova edhe emrin tim si bashkëskenarist, krah mjeshtrit të madh Dhimitër Anagnosti.
Ishte një nderim i madh, sepse e dija mirë që puna e vërtetë i përkiste vetëm mjeshtërisë dhe mençurisë së tij.
Por ky gjest i fisnikërisë së tij njerëzore dhe artistike e bëri këtë përvojë edhe më të paharrueshme,” – e përfundoi rrëfimin miku im Petraqi.
Gjenialiteti i tij si artist, përulësia dhe bujaria e natyrshme nuk ia zbehën kurrë vlerat njerëzore Dhimitër Anagnostit; përkundrazi, ia lartësonin madhështinë e modestisë, një virtyt që ai e mishëronte me tepëri në çdo marrëdhënie të përditshme.

Duke qenë i vetëdijshëm për fuqinë që sjell hierarkia e vlerave në një bashkëpunim artistik si ekip, ai e vlerësonte thellësisht këtë metodologji pune, e cila e mbante larg mjediseve të ngushta e të errëta, ku shpesh vegjetojnë egoizmi dhe smira e sëmurë e mediokërve të prapë e të nënshtruar.
Më kujtohet një çast i paharrueshëm, gjatë një ceremonie të vitit 2015, më 20 maj — “Dita Kombëtare e Jetimëve” — kur iu akordua titulli i lartë “Simbol i Vlerave Humane” nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.
Në atë solemnitet, ai u shpreh me një sinqeritet befasues para një auditori të gjerë, duke thënë:
“Asnjëherë nuk kam kuptuar përse meritat e realizimit të një vepre kinematografike i atribuohen gjithmonë një njeriu të vetëm (në rastin konkret regjisorit), kur në të vërtetë, pas kësaj vepre qëndron një grup i madh njerëzish që japin shpirt, mund dhe djersë me plot përkushtim e talent: aktorë, piktorë, skenografë, kompozitorë, montazhierë, kostumografë, grimierë, rekuizitierë, ndriçues, e deri te prapavija e gjerë e teknikëve, mekanikëve dhe elektricistëve, pa të cilët krijimi i këtyre filmave do të ishte krejt i pamundur…!?”
Anagnosti ishte madhështor deri në shenjtëri, si në art, ashtu edhe në jetë. Ai nuk bëri filma për t’u harruar, por për t’u bërë pjesë e kujtesës dhe trashëgimisë sonë kombëtare.
Nga “Komisari i dritës”, “Dueli i heshtur”, “Malet me blerim mbuluar”, “Kur hiqen maskat”, “Plagë të vjetra”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Cuca e maleve”, te “Në shtëpinë tonë”, “Monumenti”, “Përrallë nga e kaluara”, “Vëllezër dhe shokë”; nga “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, te “Gurët e shtëpisë sime” dhe “Gjoleka, djali i Abazit” — janë këta filma që mbeten gurët më të çmuar kilometrikë të kinemasë shqiptare.
Përmes tyre ai ndërtoi një pasqyrë të madhe, ku shoqëria shqiptare pa fytyrën e vet me plagë, me dhimbje, me fisnikëri, por edhe me dashuri e krenari.

Anagnosti nuk ishte thjesht regjisor; ai ishte poet i imazhit, mjeshtër i rrëfimit, ku çdo plan filmik ishte një varg poezie dhe çdo sekuencë një metaforë e jetës.
Filmografia e tij është një mozaik i gjallë i fatit shqiptar: nga dashuria e pamundur, te vuajtjet e luftës; nga dilemat morale të njeriut, te triumfi i shpirtit njerëzor mbi vështirësitë.
Ai e ngriti kinemanë shqiptare shumë lart, në një nivel që shkonte përtej asaj që njerëzit mund ta mendonin dhe ta imagjinonin, por gjithmonë duke qëndruar i lidhur me realitetin, jo me ëndrrat apo fantazitë surrealiste…
Në artin e tij nuk mungonte as humori i hollë, as ironia e nënkuptuar, as tragjikja e fateve njerëzore.
Ekrani i tij nuk ishte kurrë i ftohtë, por gjithmonë i mbushur me ndjenjë dhe emocion të fuqishëm, si një letër dashurie për popullin e vet.
Në filmat e tij shfaqet një enciklopedi e gjallë e jetës shqiptare. Ai e shihte njeriun jo si individ të izoluar, por si pjesë të një universi, të lidhur me zakone, me sofrën, me këngën, me dhimbjen kolektive.
Në figurat dhe personazhet kinematografike të krijuara prej tij, gjejmë bujkun, intelektualin, nënën që pret të birin nga lufta, fëmijën që kërkon dritën e lirisë…
Të gjitha këto arketipe, të mbledhura bashkë, formojnë ADN-në shpirtërore të kombit tonë. Anagnosti ishte një antropolog i fshehtë: ai ruajti në film traditat, gjuhën e trupit, ritualet, mënyrën si shqiptarët gëzonin dhe vajtonin.
Falë tij, shumë prej këtyre pasurive do të mbeten të gjalla edhe kur koha t’i ketë fshirë nga kujtesa e përditshme.
Në zemër të filmave të Anagnostit është gjithmonë drama e shpirtit njerëzor. Personazhet e tij nuk janë aspak të thjeshtë.
Ata përballen me zgjedhje të dhimbshme, me dilema morale, me ndjenja që i përplasin mes dashurisë dhe detyrimit, mes ëndrrës dhe realitetit.
Ai e kuptoi thellë se njeriu është një univers i brishtë, ku përplasen forcat e arsyes dhe të emocioneve.
Prandaj filmat e tij nuk janë vetëm histori për t’u parë, por pasqyra ku shikuesi sheh veten. Ky dimension psikologjik i dha kinemasë shqiptare një thellësi që e afron me artin e madh botëror.
Anagnosti nuk e kuptonte artin si luks për elitën, por si ushqim të nevojshëm shpirtëror për shoqërinë.
Në periudha të vështira politike e sociale, ai arriti të krijonte filma që i dhanë publikut artdashës jo vetëm argëtim, por edhe mendim të thellë e reflektim për shpresë.
Ai ishte i vetëdijshëm se kinemaja është kujtesë kolektive, një arkiv i shpirtit kombëtar.
Filmat e tij sot janë dokumente shoqërore po aq sa janë edhe kryevepra artistike.
Përmes tyre, gjeneratat e ardhshme do të kuptojnë si jetuan shqiptarët, si ëndërruan, si vuajtën dhe si rezistuan.
Në sytë e tij kishte gjithmonë një ndriçim të butë, një dritë që s’ishte vetëm e artistit, por edhe e njeriut të drejtë, të shqetësuar, të përulur, të pastër.
Nuk ishte rastësi që njerëzit e donin, e respektonin dhe e shihnin si një figurë që i tejkalonte kufijtë e artit për të hyrë në dimensionin e moralit dhe të shpirtit njerëzor.
Sot, kur e shoh fotografinë dhe lexoj shënimin e tij, e kuptoj edhe më fort boshllëkun që ka lënë mungesa e Anagnostit.
Sa të pasur kemi qenë si shoqëri kur kemi pasur pranë nesh artistë të tillë dhe sa të varfër dukemi sot, kur ata janë bërë kujtim.

Por ndoshta kjo është edhe madhështia e tyre: se edhe kur nuk janë më, ata mbeten të gjallë, të pranishëm, të dritshëm.
Njerëzit si Anagnosti nuk ikin kurrë. Ata nuk janë vetëm emra, as vetëm artistë, por janë gurë themeli mbi të cilët ngrihet kujtesa e një kombi.
Nëpërmjet filmave të tij, ne nuk shohim thjesht një pjesë të historisë së kombit, por përjetojmë sërish fragmentet e shpirtit tonë kolektiv: fshatrat e gurta, qytetet e zymta, malet që rrinë si roje shekullore, fytyrat e njerëzve të thjeshtë që bartin dramën dhe madhështinë e jetës shqiptare.
Kinemaja e tij është një liturgji e kujtesës: në të gjenden plagët dhe shpresat tona, mallkimi i së kaluarës dhe dritarja e së ardhmes.
Dhe për këtë arsye, ne nuk e kujtojmë vetëm si regjisor, por si një udhëtar të përjetësisë, që mori me vete gjithë dhimbjet e kohës së vet dhe i ktheu në vepra monumentale të artit për të mos u harruar kurrë.
Dhimitër Anagnosti iku fizikisht, por ai mbetet i pranishëm në çdo ekran ku shfaqen filmat e tij, në tërë krijimtarinë letrare e publicistike që e lëvroi me një talent të pashoq, në çdo bisedë ku përmendet kinemaja shqiptare, në çdo zemër ku arti i tij ka lënë gjurmë.
Ai është kujtesa e gjallë dhe e përjetshme e së përditshmes sonë, një dritë që nuk do të shuhet kurrë.
Të flasësh sot për të është një akt mirënjohjeje, por edhe një thirrje për të kuptuar se arti nuk është kurrë i rastësishëm: është kujtesë, identitet dhe përjetësi.
Dhimitër Anagnosti e bëri kinemanë shqiptare të flasë me gjuhën e përjetësisë. Dhe kjo është trashëgimia e tij më e madhe.
Të gjithë ne, bashkëkohësit e tij, ishim fatlumë që e jetuam dhe e shijuam magjinë e artit kaq të rafinuar dhe të mençur që krijoi ky regjisor dhe artist i jashtëzakonshëm.
Tashmë, Panteoni i Kulturës sonë Kombëtare e ka gdhendur me shkronja ari emrin e Anagnostit, ashtu si italianët emrin e Fellinit.
Ai nuk është shuar, thjesht ndryshoi vendbanim: nga skena e kësaj bote kaloi në përjetësinë e artit dhe të kujtesës sonë.
Dhe aty do të qëndrojë përgjithmonë, si një dritë që nuk do të shuhet kurrë.
Së paku, mjafton të kujtohemi dhe ta kërkojmë… dhe e gjejmë kudo e ngado ku la gjurmët e tij. Sepse artistët e dimensioneve oqeanike kanë privilegjin të jetojnë edhe përtej vdekjes, përmes veprës së tyre të pavdekshme që lënë pas.
Ky është një privilegj i patjetërsueshëm që koha e pasvdekjes u rezervon Titanëve të heshtur të çdo epoke…