More
    KreuLetërsiShënime mbi libraUran Butka: Lumo Skëndo, bibliografi më i madh shqiptar

    Uran Butka: Lumo Skëndo, bibliografi më i madh shqiptar

    Lumo Skëndo hartonte çdo vit “Bibliografitë” dhe i botonte vijimisht në organet e shtypit, veçanërisht te “Kalendari Kombiar” dhe “Diturija”, bibliografi të mirëpritura për çdo libër të ri shqiptar apo të huaj kushtuar Shqipërisë. Ai është pa dyshim bibliografi më i madh i Shqipërisë për të gjitha kohët, pa dashur të pakësojmë punën e bibliografëve të shquar, që nga themeluesit e saj: Faik Konica, Gjergj Pekmezi, Qemal Haxhihasani, Kolë Kamsi, Palok Daka, Dodona Dhima dhe gjer te bibliografi i sotmë i mirënjohur, Maks Gjinaj.

    Bibliografitë e Lumo Skëndos, përveç një informacioni të gjerë e të saktë për botimet, japin edhe një analizë kritike profesionale të veprave më të rëndësishme, korigjojnë apo plotësojnë mungesat e keqtrajtimet tyre në historinë e kulturën e vendin tonë, duke u kthyer kështu edhe në një komentar dhe udhërrëfyes tejet i vlefshëm botimesh.

    Si bibliograf, Lumo Skëndo vlerësonte shumë veprën bibliografike të Emil Legrandit, një nga bibliografët më të mëdhenj të kohës, por edhe e plotësoi dhe e tejkaloi denjësisht atë. “Shtim në radhonj të Emile Legrandit” është një ndihmesë e shquar e Lumo Skëndos në bibliografinë shqiptare dhe botërore. Ai i shtoi bibliografisë së Legrandit të vitit 1912, e cila ngërthen 725 tituj librash të kataloguar, edhe me qindra botime të tjerë të harruar apo të mosditur, bashkë me të dhënat bibliografike dhe autoriale, pa pretenduar për një punim të tijin më vete, por vetëm thjesht: “Një shtim në radhonj të Lengandit”.

    Lumo Skëndo është në radhë të parë bibliograf i veprave të shkruara për Skënderbeun.

    “Pa dyshim, literatura jonë mbi Skënderbenë është më e begatshme në bibliotekën tonë të vogël. Të dy veprat e para mbi këtë subjekt “Histori e Skënderbeut” e Naim Frashërit dhe “Historia e Shqipnisë” prej D. D. kanë ndjekur rrëfimin pak përrallor të Barletit. Fan Noli në historinë e tij ka përdorur një mënyrë kritike, me përfitim të librit të Julius Pisko. Më vonë, Xhevat Korça (Tri pyetje nga jeta e Skënderbeut) përdor dokumente të reja për të kthjelluar çështjen, në Skënderbeu u ka paguar tributë sulltanëve, në i ka proponuar Venedikut t’ i lëshojë Krujën dhe në ka qenë tradhtuar prej parësisë shqiptare. Nuk mund dhe të mos përfitojmë nga ky rast që na jepet, për të treguar një dëshirë, një lutje: të përkthehet shqip një orë e më parë vepra e Barletit, e cila, me tërë të metat dhe lajthimet e saj, ka më tepër se një vleftë për ne, si e shkruar prej një kontemporani shqiptar të Fatosit tonë, si një burim ku kanë marrë lëndë gjithë autorët e tjerë. Duam, pra një përkthim besnik dhe integral, pa ndonjë shtim ose kritikë”[1].

       Bibliografi ynë gërmon nëpër arkivat e botës për të gjetur dhe publikuar botimet e vjetra në gjuhën shqipe. Ai pohon: ” Jo vetëm kërkimet në kartërat e pluhuruara dhe të verdhura prej kohës në bibliotekat e mëdha dhe në arkivat e qeverive, po edhe shumë herë rrëmihja, do të na vërë mbi gjurmë të të tjerave libra shqipe të panjohura: se na duket që kemi të drejtë të besojmë se gjuha jonë s’do të ketë qenë dhe kaq shum’ e hedhur më nj’anë sa e pandehim ne vetë. Frëngu i Bardhë, në parëthënie të fjalorit latinisht – shqip të tij, a nuk thotë se gjuha jonë po vdiretë e po bastardhohetë? Kjo frazë na duket si një klithje kundër shkrimit latin të shqipes dhe jo si një qortim për foljen me gojë. Është për të besuar se shqipja përdorej si gjuhë e gjallë dhe praktike në kohët kur shkruante Frëngu i Bardhë. M’anë tjatër, Bogdani, në parathënie të veprës së tij shqipe, Cuneus Prophetarum  shtypur më 1685, na dëften se ka pasur dhe akoma libra të tjerë të shkruar shqip prej tij, po që në udhëtimet dhe prapësisë së fatit, i janë treturë si kripa në ujë...Mund të themi se edhe tani gjurmët e ralla të gjuhës sonë, që janë ruajtur qysh nga Buzuku, formojnë një varg të pakëputur”

       Lumo Skëndo, trajton në bibliografitë e tij veprat e Frangut të Bardhë, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Buzukut, Kristoforidhit etj. Madje çel edhe një ekspozitë në Paris me veprat e tyre.

       Ai publikon përmbledhjen studimore dhe poetike kushtuar “Naim Frashërit, vjershëtorit dhe edukatorit kombëtar, me rasjen e 25-vjetëve pas vdekjes së tij, shkruar nga një grup studentësh të Austrisë, Graz.[2]

    ‘Është një monument i madhëngjyshmë, me devocion, si një premtim të vullnetit për të parë dritë dhe shembulI nga Mësonjësi, për të mbajtur të gjallë frymën e tij në mes të djelmërisë, si një kandil për pritmin” vlerëson bibliografi M.Frashëri dhe sjell me radhë autorët e vlerat e botimit: “Naim be Frashëri, një shembull, një udhëheqës e një ideal për Djalërinë Shqiptare. Jeta dhe veprat e tij” – prej Safet Butkës; “Për Naim Frashërin” – një letër prej Terenc Toçit, që barazon emrin e Naimit me një flamur, dhe i kujton njeriut vjershën Excelsior të Loungfellow-it; “Naim Frashëri” studim prej Krist Malokit; “Naim Frashëri si idealist shqiptar” prej Asdrenit; “Naim Frashëri, koha dhe shokët e tij” prej Lumo Skëndos, i cili e emëron shekullin e madh të Shqipërisë atë periudhë që nxori plejadën e pavdekshme të Rilindjes; “Naim Frashëri” – prej Zoi Xoxa, që sheh te Naimi këngëtorin dhe vjershëtorin e apostolorisë; “Verset e para shqip” prej Vangjel Karajanit, që kujton se nga poezitë e Naimit ka marrë të parin kuptim të mëmëdheut; “Epopeja Qerbela” prej Ethem Haxhiademit. Libra ka dhe shumë të tjerë, midis së cilëve një vepër me karakter diturie të profesorit Norbert Jokl “Naim be Frashëri” pasunimi i gjuhës shqipe”, një studim mbi neologjizmat, fjalët e reja të përdorura prej Naimit, ose të ngjallura prej tij nga harrimi” –shkruan Lumo Skëndo.[3]

    Për botimin në gjermanisht të ‘Lahuta e Malcis” të Gjergj Fishtës, Leipzig, 1925, L. Skëndo kumton: “I njohuri albanolog dhe miku ynë, profesor Weigand-i e ka botuar, përkthyer, shpjeguar dhe pastaj shoqëruar me një leksik të vogël “Lahutën e Malcis”, në botimin e madh të tij Balcanarchiv. Libra që përshkruajmë sot, është një shtyp veçan (Sonderabdruck) që vete nga faqja 173-265, të volumit të parë të arkivit. Me sa dimë ne, kjo është e para vepër shqip në vargje që po përkthehet në gjuhë të huaj dhe nuk mund veçse të gëzohemi edhe një herë më tepër kur shohim se, libri i përkthyer është një nga kryeveprat tona. Literatura jonë s’ka veçse të fitojë dhe nga pikëpamja filologjike dhe si studim thjesht letrar, duke u vënë në gjuhë të tjera”.

    Në paraqitjen e librit “Shqipëria e Jugut ose Epiri i Veriut – në marrëdhëniet ndërevropiane 1912-1923” të autorit amerikan Sticknei (Kaliforni, 1926 ), Lumo Skëndo nënvizonte se armiqësitë e rivalitetet e fuqive evropiane kanë sakrifikuar Shqipërinë dhe se përpara këtyre sentencave dhe verdikteve, që çdo ditë përgatitnin gijotinën për vendin e shqiptarëve; këta, të mbetur pa mbrojtje dhe pa avokat, s’kishin veçse fuqinë që u jepte e drejta e tyre dhe forca e protestimit.[4]

    Ngjarjet tronditëse të viteve 1912-1923, Stickney i ka ekspozuar me vërtetësi, me dokumente  mbështetëse të çdo pike, me shumicë notash, hartash, etj, ndonëse L. Skëndo krahas vlerësimit të madh, ka dhe ndonjë vërejtje joesenciale:

    E shkuara shumë here s’është aq e shkuar sa kujtohet.

    Përpjekja, nëse ka qenë gjer më sot një nevojë për ne, paskëtaj është një detyrë urdhëronjëse.

    Është më e rëndë të mbajturit dhe të ruajturit e një gjëje, sesa fitimi i saj.

    Libri i gjeneral Kondulit për Shqipërinë gjen vendin e vet në “Bibliografitë”. Autori, me origjinë shqiptare nga Lefsina, që ka luftuar kur ishte djalosh për helenizmin, pasi bie në kontakt me lëvizjen patriotike shqiptare dhe pasi u pavarësua Shqipëria, u bë një veprimtar i një afrimi të sinqertë, i një miqësie të vërtetë ndërmjet popullit shqiptar e popullit grek. Edhe në librin e tij këtë synon: të zhdukë çdo mosmarrëveshje ndërmjet dy shteteve, çdo mosbesim që ndalon mirëkuptimin, çdo incident që e ka burimin te një traditë e vjetër në Greqi, te një mentalitet e shpresë e ushqyer me pretendimet e tejkaluara të qarqeve apo të një kategorie njerëzish me influencë. Për Shqipërinë nuk mund të ketë veçse një program, na mëson ky libër: “Moscënimi i indipendencës së saj dhe respektimi i dinjitetit kombëtar”[5]

    Lumo Skëndo i jep lexuesit shqiptar një informacion të vlefshëm për botimin në Francë të revistës arkeologjike “Albania” (1925-1926), nën kujdesin e Leon Rey, drejtues i gërmimeve arkeologjike në Apoloni. Parathënien e numrit të parë të saj “Shqipëria më 1925” e ka shkruar miku i Shqipërisë dhe i Lumo Skëndos, Justin Godard, i cili pasi vlerëson Shqipërinë e shqiptarët, historinë e kulturën e tyre, vëren: “E vërteta është se puna e shqiptarëve është fort e rëndë. Shqipëria ka pasur kurdoherë një frymë të përbashkët për independencë dhe një shpirt therrorie për lirinë. Por gjer më sot akoma s’kishte një opinion publik. Të mbrojturit e vatrës e të arës në male, s’është e njëjta me mbrojtje të administratës së krahinës dhe të shtetit. I duhet disa kohë që luftëtari i djeshëm të bëhet një qytetar veprues”

    Justin Godard kishte vizituar Shqipërinë në vitin 1921 dhe kishte dhënë ndihmesën e tij në mbrojtjen e interesave të saj në Konferencën e Ambasadorëve. Me këtë rast, Lumo Skëndo botoi bibloografitë e tij për “Shqipëria në vitin 1921” dhe “Shqipëria në vitin 1925”, si edhe një korrespondencë të posaçme për gazetën “Dielli”.

    Në komentin e Lumo Skëndos, libri i konsullit çek Kadlec “Shqipëria e sotme”, ku trajtohen marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Tiranës dhe Pragës, është i dobishëm. Por Skëndo zbulon dhe thekson atë që është e rëndësishme për Shqipërinë, madje që mbetet parësore edhe sot: “Nuk mund të heshtim, duhet të jemi të bindur se rrojtja jonë varet nga zhvillimi i tregtisë që do të bëjmë, nga shuma e eksportimit që do të bëjë vendi ynë me vendet e huaja. Dhe ky eksportim dependon drejtpërsëdrejti nga kujdesi që do t’i japim bujqësisë, e cila ka mbetur prapa”.

    Në bibliografitë e L. Skëndos trajtohen gjithë librat bashkëkohorë, që botoheshin në hapësirat shqiptare dhe në ato të huaja, ku trajtohej çështja shqiptare. Le të përmendim vetëm disa: “Leka i Madh” i I. M. Qafëzezit; “Pestalioci” i A. Xhuvanit; “Balada”e H. Mosit; “Kryengritja shqiptare”e M: Gramenos; “Lidhja e Prizrenit”e M. Frashërit; “Luigj Gonzaga” i Ndre Mjedës; “Gramatika e gjuhës shqipe”e I. D. Sheperit; “Turqia evropiane”e A. Boue; “Serbët e shqiptarët” e M. Sufflay; “Çështja shqiptare”, A. Giannini; “Shqipëria antike”, L. Ugolini; “Reflekse e pamje të Luftës së Madhe në Shqipëri”, G. Korni, etj.

    Ndërkohë, ai boton dhe bibliografinë e botimeve të shqiptarëve në Rumani, duke u bërë kështu edhe bibliografi i parë i kësaj literature të rëndësishme, ku shquhen veprat e Asdrenit: “Rreze dielli”, “Ëndrra e lotë”, një abetare e Lekë Grudës (Luigj Gurakuqit), një tjetër abetare e Gasper Benus Shkodranit, “Mallkimi i gjuhës shqipe” i M. Gramenos, “Kalendari Korça”, si edhe gazetat: “Shqiptari”, “Yll i Shqipërisë”, “Atdheu”, “Zgjimi”, “Flamuri i Shqipërisë”, “Indipendenca e Shqipërisë”

       Po ashtu Lumo Skëndo bën bibliografinë e botimeve të shkrimtarëve dhe studiuesve arbëreshë të Italisë: Matranga, De Rada, Serembe, Santori, Schiro, Ribecco, Krispi, Marchiano, Petrotta etj.

    Në fillim të vitit 1919 Mid’hat Frashëri botoi në revistën “Popujt e lirë” në Lozanë, manifestin “Rivendikimet shqiptare”, ku përvijon saktësisht shtrirjen territoriale të Shqipërisë etnike, si edhe paraqet një bibliografi të pasur të autorëve të huaj, që vërtetojnë katërcipërisht këtë etno-gjeografi. Pasi trajton padrejtësitë që i janë bërë Shqipërisë, Mid’hati parashtron rivendikimet shqiptare që duhet t’i ketë parasysh Konferenca e Paqes.

    Rubrika kulturore “Duke kënduar një libër” në revistat “Hylli i Dritës” dhe “Diturija” “, është një nga bibliografitë më interesante të Lumo Skëndos, një dritare për të njohur botën nëpërmjet librit.

    “Miqt’e mi të Hyllit të Dritës do të kenë vënë re se në shkrimet që po botonj me titullin “Duke kënduar një libër”, kujdesi im është t’u jap një njoftim mbi veprat që botohen  për Shqipërinë, që t’i mbaj në korent të ideve të botës për sa i përket vendit tonë… Të njohurit e opinionit publik të botës për Shqipërinë s’është, pra, për ne një kuriozitet, një merak literat, po, edhe më tepër, një detyrë politike dhe patriotike”[6]

    Rubrika nis me bisedimin për librin “Histori e shqiptarëve të Italisë” të Pietro Scagliones, botuar në New York, 1921 dhe vijon me trajtimin historiko-kritik të veprave: “E para lëvizje kombëtare” e K. A. Dakos, (Bukuresht, 1922); “Çështja greko-shqiptare” e L. Macas; “Kufiri shqiptaro – serb e shqiptaro- grek” e z. Baerlein; “Shqipëria dhe Lidhja e Kombeve”, e V. Temperly, (1922 ); “Kufinjtë shqiptarë të administruara prej Francës”e J. Bouncort (Paris, 1922); “Manual historik i çështjeve të Lindjes” e J. Ancol, ( Paris, 1923 ); “Dy vagabondë në Shqipëri” e Cora e Jan Gordo (Londër, 1922); “Majat e Shalës” të amerikanes Rose Wilder Lane; “Vjershat e Murat Toptanit” (Tiranë 1924); “Bektashinjtë në Shqipëri” (Tiranë, 1927) etj.

    Lumo Skëndo zbulon në këndvështrimin e autorëve, vlerat dhe interesat që përfaqsojnë, por edhe dobinë apo dëmin që i sjellin çështjes shqiptare në mënyrën e trajtimit e interpretimit të lëndës. Ai shfaqet në këto rubrika sa vlerësues, aq edhe ktitik. Le të ndalemi te mendimet që jep Lumo Skëndo për librin: “Një kufi i vështirë jugosllavo- shqiptar” i Henry Baerlein, autor që përbën tok me H. Temperly, një rast të kundërt në karvanin e autorëve anglezë, që kanë shkruar objektivisht për Shqipërinë: Bajron, Hobhouse, Goshen, F. Mauric, A. Herbert, E. Durham, R. Cecil, Balfour, George, Brailsford, etj.

    H. Baerlein del zbuluar në mbrojtje të tezës serbo- greke se “Shqipëria nuk mund të bëhet e të rrojë më vete, se shqiptarët nuk janë të zotë të vënë rendin e të ruajnë rendin, qetësinë, ligjin, se ata nuk mund të ndërtojnë shtetin e të bëjnë kombin ngaqë janë barbarë”. Lumo Skëndo arsyeton se, meqenëse diplomacia e Evropës më 1913 i dha Serbisë Kosovën tërësisht shqiptare, meqënëse ajo i aneksoi asaj Dibrën e Madhe, një qytet me 23 mijë shqiptarë, ku kishte vetëm dy serbë: një dhaskal dhe një prift të paguar nga Beogradi, i fali edhe Gjakovën, një qytet shqiptar me 10 mijë banorë, ku gjendeshin vetëm 22 serbë, e kështu me radhë, tashmë Evropa përgatitet për t’i dhënë edhe pjesë të tjera nga trupi i Shqipërisë.[7]

    Polemisti ynë i përgjigjet flakë për flakë Baerlein-it: “Në çdo radhë, në çdo fjalë e curril, rrjedh vrer dhe katran. E dini përrallën e këndesit, që vajti në thesar të mbretit dhe, kur u kthye te plaka, nxirrte florinj nga goja? Pastaj macja desh ta imitojë shpendin, lajmëtarin e zgjimit, bëri një shëtitje dhe kur u kthye tek e zonja, në çdo goditje të thuprës nxirrte hardhuca, bretkosa dhe zorrë të qelbura: kishte kullotur  në baltovina e në sallhanat. Kështu edhe zoti Baerlein, ne çdo faqe të veprës i dalin gjarpërinj e thithlopë.”

    Mid’hati i fton intelektualët shqiptarë kudo janë që t’i kthejnë përgjigje këtyre insinuatave, jo vetëm për të sqaruar opinionin e jashtëm e për të vënë në vend drejtësinë, por edhe për t’i treguar botës se shqiptarët janë të zotë të mbrojnë veten e tyre e të ndërtojnë shtetin e tyre.

    “Në këtë luftë dhe zihje të pamëshirshme që kombet po i bëjnë njëri-tjatrit, është një detyrë që të dijmë se ç’mejtojnë, ç’thonë, dhe si punojnë armiqtë kundra nesh. Fjalën “armik” e përdorim duke mos dashur, se dua që Shqipëria të mos ketë veçse miq, të rrojë në paq me fqinjët, në besim dhe harmoni të plotë. Po ky është një kusht i dyanshëm, duhet që dhe ata më tej kufisë të mejtojnë dhe të ndiejnë si ne. Që të arrijmë atë ditë, duhet që të punojmë; për të punuarë me efekt duhet që të dimë mirë taktikën dhe armët e përdorura prej kundërshtarit tonë. Duhet, pra, të këndojmë literatyrën e tyre politike, t’ia bëjmë të njohurë popullit tonë, t’i përgjigjemi dhe të dimë si të ruhemi. Të mbrohemi dhe të përgjigjemi! A s’gjen në këto dy fjalë, këndonjës i dashur, një program të gjerë, një detyrë të madhe? A nuk sheh këtu se çdo shqiptar ia ka hua Shqipërisë dhe vetes së tij që të shtojë patriotizmën dhe të ngjallë një mendim, një ndjenjë miqësore në të huajt?…Gjer më sot kemi mjaftuar dhe jemi kënaqur me mbrojtjet që na kanë dhënë miqtë dhe dashamirët tanë: po kjo nuk arrin. Jo vetëm s’mjafton, por do të jetë dhe një armë në dorë t’armiqvet kundër nesh: ata do të thonë se Shqiptarët s’janë të zotët të mbrojnë veten e tyre, s’dinë të punojnë, janë foshnja që duhet t’ i mbrojë një i huaj. Kjo detyrë është akoma më e madhe për ne. Jemi të shtrënguar që të gjendemi në prekje dhe duhet që t’i caktojmë një vend të ndershmë vetes sonë, të shtojmë miqtë dhe të pakësojmë armiqtë”[8]

    Një analizë e përkryer kritike i bëhet nga Lumo Skëndo, po në këtë rubrikë, librit: ”Moti i dytë i Shoqërisë së Kombeve”, i Harold Temperly, profesor i historisë moderne ne Universitetin e Cambridge.

    “Kombet, – theksonte L. Skëndo – si edhe njeriu, nuk duhet të jenë indiferentë për opinionin që kanë të huajt për ta. Kjo nevojë është më e madhe akoma për ne shqiptarët, një komb lindur i ri në jetën politike, një popull i njohur liksht, mbi të cilin është bërë një propagandë e ligë[9].

     “Nuk dua të bënj histori, – e kundërshtonte L. Skëndo, – po në i marçim punët ashtu si janë dhjetë vjet e tëhu (1912-1922), në shikofshim ç’ka ngjarë, do të bindemi se e kundërta është e vërtetë, se shqiptari është viktimë e therrorizuar nga të tjerët”[10] dhe se të huajt i kanë nxitur e janë bërë shkak për ngatërresa, rebelime, shkatërrime në Shqipëri. Shqiptarët në asnjë rast nuk u kanë rënë në qafë popujve të tjerë. Ata e duan e paqen dhe duan të kenë marrëdhënie të mira me fqinjët.

       Bibliografitë shqiptare të Lumo Skëndos janë një dritare e hapur për të njohur historinë dhe kulturën shqiptare e botërore nëpërmjet librit.


    [1]   Revista “Diturija”, 1926

    [2]  Përmbledhja poetike dhe studimore për Naim Frashërin, Graz, Austri, 1925

    [3]  Po aty

    [4]  Stickney “Southern Albania o Northen Epirus” 1912-1023

    [5]  Diturija, 1926

    [6]  Revista “Hylli I Dritës” 1923

    [7]  Po aty

    [8]  Po aty

    [9]  Po aty

    [10]  Po aty

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË