More
    KreuLetërsiShënime mbi libraTimo Mërkuri: Pse duhet lexuar poezia e Niko Kacalidhës

    Timo Mërkuri: Pse duhet lexuar poezia e Niko Kacalidhës

    Në një kohë kur botimet poetike janë të përditshme dhe numri i atyre që shkruajnë rritet dita-ditës, ne kemi zgjedhur të ndalemi te poezia e Niko Kacalidhës dhe jo rastësisht. Më shumë se për figuracionin e tij poetik, e kemi zgjedhur për prurjet e reja poetike, risitë poetike, që jo vetëm e shfaqin atë si një nga zërat më të veçantë të poezisë sonë, por e ngrejnë edhe vetë poetikën shqipe në nivelin e poezisë europiane.

    Cilat janë risitë që sjell Niko Kacalidha në poetikën shqipe?

    I- Duhet ta themi që në fillim se Kacalidha është një poet i shquar, nga të rrallët që kultivon sot verbin poetik me kaq thjeshtësi dhe nuk ndjek “rregullat e parashkruara”; ai, përkundrazi, harton vetë rregullat e reja të poezisë. Ai ndërton një poetikë identitare të re që lëviz mes lokalizmit, ballkanizmit dhe universales. Në kohën kur poezia shqipe shpesh “vishte” motive folklorike ose ndjente nevojën për një universalizëm të përgjithshëm, Kacalidha bëri një zgjedhje të tretë: ai ndërtoi universalen mbi themelin e lokales. Siç përmend Kadareja në parathënien e “Pagëzimit të zogjve”: “Niko Kacalidha është në radhë të parë poet, një poet me zanafillë greke, me një poezi metaforike surrealiste brilante, përqasur herë me zymtësinë e Seferis dhe me dritësinë e Elitis, dhe herë me detaje shqiptare të gurit, të malit, të dritës dhe të detit… gjë që e bën poezinë e tij ballkanike, me ngjyra mesdhetare, pranuar edhe nga lexuesit e kualifikuar europianë.”  Pra, ai lëviz lirshëm mes dy kulturave, greke dhe shqiptare, pa zgjedhur as njërën si “tokë të sigurt” për vargun e tij. Përkundrazi, ai i vuri ato në dialog, duke krijuar një identitet të shumëfishtë, të ndërlikuar, por gjithmonë njerëzor e poetik.

    1. Në poezinë e Kacalidhës kultura greke dhe shqiptare bashkëjetojnë si kode të dyfishta të shprehjes poetike, ndaj themi se një nga risitë më delikate është mënyra si poezia e tij bart pasuri të dyfishta: shqipja e tij është e pastër, e thellë, e përpunuar:  “Dhe me një dritë qiriri, si Joani/në shpellën e Apokalipsit.”  (“Në shpellën e Polifemit”, f. 37). Kjo është thirrje e qartë drejt mitologjisë dhe religjionit grek, ku figura mitike bëhet pjesë e shpirtit të poezisë shqipe, duke e pasuruar atë me një tingëllim të re, të pazakontë. Kjo është ajo që e bën poezinë e Kacalidhës ndërkulturore në thelb, por tërësisht e natyrshme në shprehje.

    3. Leshnica e tij nuk është fshat i kufizuar: në poezi ajo është universalitet i rrënjosur thellë. Kur Kacalidha shkruan për Leshnicën, ai nuk e bën si një poet lokal që i këndon vendit të tij; ai e shndron lokalen në përvojë universale. Leshnica nuk është më një fshat, ajo është një gjendje e brendshme. Fshati është ai vend ku fjala merr formën e gjakut dhe kujtesës.

    “Perëndia ime e vetme,/të kam ty unë toka ime.”  (“Sikur mijëra lotofagë”, f. 48)

    Ky varg, e përmbys ndarjen mes tokës dhe hyjnores, e bën vend-lindjen një besim, një formë ekzistence që s’mund të zëvendësohet. Kjo është një nga risitë më të mëdha të poetit: të bëjë rrënjët të flasin në një gjuhë universale, pa i shndërruar ato në klishe folklorike.

    4. Kultura ballkanike dhe mesdhetare përshkojnë të gjithë telajon e poetit, Duke lexuar poezitë e tij ndjen në fakt jehonat e Elitisit, Seferisit, Ricosit dhe në mënyrë të veçantë gjëmimet homerike, por këto nuk janë imitime. Janë zëra të një vale mesdhetare që gjen rezonancë në vetë shpirtin e poetit. Ai është ballkanik jo si etiketë, por si përvojë, është modern, por i ngulur në gur, në vajzat me bucela, në malet që kanë sy e zemër.

    “Gjithë ullinjtë e krahinës në mëngjes kishin ulur kryet.

    Gjithë ullinjtë me vigun e vjelësve e mbajtën mbi supe.” (“Të dashurit që na ikin”, f. 25)

    Ky varg është një ndërthurje e fuqishme e vajtimit tradicional, e mitologjisë natyrore dhe e ndjenjës kolektive. Është një lloj elegjie që gjendet rrallë në poezinë shqipe moderne.

    Duhet të kuptojmë dhe të pranojmë se Kacalidha krijon një poetikë të re ku përkatësia nuk është kufizim, por pasuri, dhe kjo pasuri e përhap tingullin e vet jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë universin poetik ku ndjenja është më e madhe se etniteti nacional. E thënë ndryshge, kostumi nacional i ri shumë i ngushtë poetit Kacalidha.

    II-Një prurje e veçantë e Niko Kacalidhës në poezinë shqipe është rryma moderniste e realizmit magjik. Në një letërsi ku shpesh është kërkuar thellësia e ndjesisë dhe pasuria e imazhit, ai sjell një botë ku e përditshmja dhe e mrekullueshmja ndërthuren me një natyrshmëri të rrallë.

    Rryma e realizmit magjik, e cila është njohur si  formë që thyen kufijtë midis realitetit dhe fantazisë, në dorën e poetit Kacalidha merr frymë të veçantë, duke u shndërruar në një univers poetik ku peizazhi gjallërohet dhe miti bëhet pjesë e jetës së përditshme. Në poezinë e tij, ky realizëm magjik nuk është thjesht një teknikë artistike, por më së pari  një mënyrë e të përjetuarit të botës, një mënyrë që na fton të shohim pas asaj që duket, të dëgjojmë fjalët e natyrës dhe të ndiejmë atë që shpesh është e padukshme për syrin e zakonshëm.  Kjo rrymë u zhvillua kryesisht në Amerikën Latine me autorë si Gabriel García Márquez (Njëqint  vjet vetmi etj), Isabelle Alende (kili) me “Shtëpia e shpirtërave”, Julio Kortazar Argjentinë, Karpentier në Kubë dhe Juan Rulfo në Meksikë por duhet të themi se fryma e saj kishte rrënjë të thella dhe në tradita të tjera popullore dhe mitike.

    1.Në poezinë shqipe, realizmi magjik ka hyrë si zë i veçantë dhe i rrallë, duke filluar nga përzierja e elementeve të natyrës me simbolika shpirtërore. Është e natyrëshme ardhja e tij me Lasgush Poradecin, Fatos Arapin, Frederik Reshpja, më pas me elemente të veçantë  te Natasha Lako, VIsar Zhyti,  Sadik Bejko, Luljeta Lleshanaku e Odise Kote, në Kosovë Anton Nikë Berisha me romanin “Gjin Bardhela i arberesh-Etja e gurëzuar” Por duhet të theksojmë se poeti Niko Kacalidha është ai që i dha kësaj rryme  një gjuhë dhe një botë poetike ku realja dhe mrekullia jetojnë së bashku.

    2. Në poezinë e tij, përjetimi i botës vjen me aromë Mesdheu, ku bota e përditshme dhe ajo mitike janë një. Peizazhet nuk janë sfond, por bashkëbisedues me njeriun, ndërsa gjuha e tij është multisensoriale, ku tingujt, ngjyrat dhe aromat krijojnë një përvojë të plotë poetike. Nqse do flasim për elementet e këtij realizmit në poezinë e tij, do përmendnim:

    2.1. Peizazhi poetik shfaqet si një organizëm i gjallë. Kështu në poezinë “Ma mori gjyshen maji” (f.191), stina merr jetë njerëzore:

    Ma mori gjyshen maji dhe s’arrita t’i çoja

    pakon e kafesë për llogari të majit.

    Filxhani i përmbysur i fatit me mijëra udhë të pathëna”.

    Veç vlerave të tjera, kjo poezi përçon ndjesinë e pranverës (maji) si një fuqi që merr dhe lëviz nëpër gjurmët e kohës dhe jetës, ku dhe dhimbja e humbjes shndërrohet në diçka natyrale dhe e përjetuar në intimitetin e shtëpisë.

    2.2. Realizmi magjik në poezinë e Kacalidhës vjen me aromë Mesdheu dhe histori personale. P.sh. te poezia  “Krishti u kryqëzua në Leshnicë” (f.186), ngjarja biblike gjen një vend në fshatin etij, ku mitet dhe kujtimet familjare bashkohen në një imazh të fuqishëm:

    “Kryqin ia dhanë stërgjyshit tim

    dhe e mbante mbi shpinë me një peshë të tmerrshme të fatit

    dhe u zbardh brenda një nate. Gjyshja ime ishte vetë Shën Mëria e borzilokut

     dhe e dhembjes së përgjakur,

    që vuri kujën në shpellat e mia të shpirtit

    dhe u bë ikonë e shtëpive tona.”

    Këtu poeti ndërthur shenjtërinë biblike me kujtesën personale dhe e bërë ambientin përreth vend ku ngjarjet hyjnore janë të përditshëme. Le të lexojmë te kjo poezi vargjet:

    “Gozhdët i kërkuan hua nga yjet e Kashtës së Kumtrit…

     Qirinjtë I kërkuan hua për ringalljen nga yjet e Asterisit

    ….Sipas Ungjillit të Gjyshes sime”.

    Këto vargje janë më shumë se  magji, më shumë se fantazi. Këto vargje janë poezi, madje një poezi e kulluar.

    2.3. Poeti e ndërton  imazhin në hapësira mitike e personale njëherësh. Po të shohim  poezinë: “Në shpellën e Polifemit” (f.37) ajo është një udhëtim brenda errësirës së një mitologjie të gjallë, ku labirintet e shpellës bëhen rrugët e shpirtit:

    “Zhbirova, zhbirova, zhbirova labirintet

    dhe në elektrikun e zemrës vura për pile

    zemrën. Dhe me një dritë qiriri, si Joani

    në shpellën e Apokalipsit.

    Ndiz e fik, ndiz e fik, i pllakosur nga hija

    e ndjekjes së përbindshme.

    Dendësova kafetë duke shqyer sytë nga

    lemeria, duke shqyer terrin.”

    Në këtë udhëtim mitik, poeti është  zëri që sfidon errësirën, një poet i provincës i ngarkuar me shpirtrat e perëndive.

    2.4. Gjuha në poezi ka tiparin multisensoriale, ku bukuria e detajeve të përditshme i jep ngjyra imazheve poetike. P.sh. në poezinë “Ungjillëzimi i zogjve” (f.95), natyra shfaqet me një ndjeshmëri të veçantë:

    “Cika cipën e agullimit dhe përnjëherësh

    m’u zbërthye trupi i mëngjesit.

    Cika cipën e agullimit dhe m’u zbërthye trupi i ditës,

    me një qiell koralesh hedhur përsipër.

    Cika cipën e agullimit dhe poshtë saj

    drithërohej ungjillëzimi i zogjve.”

    Këtu tingujt, ngjyrat dhe lëvizja e kohës krijojnë një peizazh plot jetë, ku realja dhe mitike bashkëjetojnë në një ekuilibër të ndjeshëm. Të kuptohemi: prura para jush pasazhe vargjesh nga disa poezi shumë të njohura jo vetëm nga auditori, por dhe nga lexuesit e shumtë, sepse po të mirrja në analizë “Profecinë e drurëve” apo “Pagëzimi i zogjve” apo dhe cikle e poezi të tjera të shumta të librit, do detyrohesha të zgjatesha së tepërmi, duke u përplasur në kornizat e kohës në dispozicion. Por kjo nuk do të thotë se nuk do merremi me ato.

    III-Një prurje e veçantë dhe e pashterur e Kacalidhës në poezinë shqipe është poezia e tij në prozë. Poezia në prozë nuk është prozë e thjeshtë, por një gjendje poetike e shkrirë në fjali të gjata a të shkurtra, ku ritmi nuk matet me rrokje, por me frymëmarrjen e mendimit dhe ndjesisë.

    Ky lloj shkrimi mori formën e tij të parë në Francë, në mesin e shekullit XIX. Është Charles Baudelaire ai që njihet si themeluesi i vërtetë i poezisë moderne në prozë, me veprën “Mërzia e Parisit” botuar pas vitit 1862.  Pas Baudelaire-it, erdhi Arthur Rimbaud me “Iluministi”, Stéphane Mallarmé etj.

    Në Greqi, poezia në prozë hyri vonë, rreth fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, kryesisht përmes ndikimit francez, me poetët simbolistë e modernist  si Embirikios apo Egnopullos eksperimentuan me prozën poetike, duke e pasuruar atë me ngjyra helene, dritën e Egjeut dhe me gjuhën e trashëguar. Në gjysmën e dytë të shekullit XX, poetë si Elytis dhe Ritsos herë pas here përdorën elemente të saj, duke e kthyer në një rrjedhë natyrore të shkrimit poetik.

    Në thelb, poezia në prozë është një gjendje poetike e veshur me kostumin e prozës, por që brenda mban frymën, muzikën dhe dritën e vargut. Ajo nuk matet me metrikë e rrokje, por me pulsin e zemrës dhe ritmin e mendimit. Në nivelin më të lartë poetik, ajo është një akt i pastër krijimi, ku kufijtë mes rrëfimit dhe këngës treten. Nuk është thjesht “proza e bukur” as “poezi pa vargje”, por një hapësirë e lirë ku fjala ka peshën dhe magjinë e vargut, ndërsa mendimi rrjedh natyrshëm si një tregim.

    Në këtë pikë kulmore, poezia në prozë është arti i të shprehurit të asaj që nuk ka formë të fiksuar: ndjesia, kujtimi, vizioni, ëndrra – të gjitha të kapura në një çast, si drita që hyn nga një dritare dhe nuk e pyet as orën, as stinën. Ajo është muzika e brendshme që nuk ka nevojë për nota të shkruara, por që megjithatë dëgjohet qartë nga ai që di të dëgjojë.

    1.Në Shqipëri, me fillimet e Martin Camajt, kjo poezi u shfaq pas viteve ’90. Niko Kacalidha hyn në këtë proces si një nga poetët që e përdori atë jo si stërvitje apo eksperriment formal, por si zgjedhje të vetëdijshme artistike. Tek ai, proza poetike është vazhdim normal i frymës homerike që ai ka thithur qysh në fëmijëri.  Ai nuk e sheh këtë formë si mohim të vargut, por si një mënyrë për t’i dhënë fjalës frymëmarrje të gjerë, për të kapur hapësira dhe përjetime që vargu i rregullt do t’i shtrëngonte. Në këtë kuptim, Kacalidha është një nga zërat që e ka vendosur poezinë në prozë në një vend të denjë brenda letrësisë shqipe bashkëkohore.

    2.Thamë që prurja e poezisë në prozë e Niko Kacalidhës është një risi poetike, një veçanti e re, por edhe elementet e saj brenda poezisë përbëjnë  risi, prurje të reja të tij në poetikën shqipe, të cilat i shfaqim në vijim të analizës sonë;.

    a. Risi në trajtimin tematik, pse Kacalidha e çon poezinë shqipe në prozë në një terren ku historia, mitologjia dhe përvoja njerëzore përzihen si në një rrjedhë të vetme. Ai nuk mjaftohet me rrëfimin e ngjarjeve, por i sheh ato me syrin e njeriut që pyet, dyshon dhe rikrijon.

    Për këtë ai bën një riaktualizim të  miteve homerike dhe i sjell ato në psikologjinë shqiptare: Kështu në poezinë “Ndjeshmëritë e Trojës” (f.423), atij nuk i mjafton të tregojë për kthimin e trupit të Hektorit; ai vendos pranë pamjes së dhimbshme një lojë të përshpëritur mes pleqve dhe bukurisë së Elenës, duke treguar se edhe në pikën më të thellë të tragjedisë, syri njerëzor mbetet i magjepsur nga jeta: “Pleqtë mrekulloheshin duke parë Elenën me bishtin e syrit, të mekur nga bukuria e kontrollonin sytë e njëri-tjetrit.”

    b. Ai shfaq me ngjyrat e Jonit përplasjen mes jetës dhe vdekjes: në “Kryqëzimi” (f.429) ai vendos pranë figurës së Krishtit atë të Sokratit, si për të thënë se format e sakrificës janë të ndryshme, por thelbi mbetet i njëjtë, njeriu i madh përballet me fundin në mënyra të pashmangshme: “Qoftë nga e majta, qoftë nga e djathta gozhda ishte ngulur, Krishti do të kryqëzohej dhe u kryqëzua patjetër.”

    c. Poeti sjell risi edhe në përdorimin e figuracionit poetik, pasi e  ndërton poezinë mbi imazhe të dendura, ku figurat nuk janë thjesht zbukurim, por themeli në arkitekturën e kuptimit. Metafora të papritura e të guximshme: në “Nata” (f.437), retë shndërrohen në kafshë të egra që luftojnë mes tyre, duke e bërë errësirën një akt dramatik, jo një gjendje neutrale: “Retë që nxirrnin kryet bokërrimave janë tigra, luanë, leopardë. Sa herë grinden, hahen midis tyre, ulërijnë, mbyllin sytë, bëhet natë”.  Poeti bën personifikimin e miteve homerike, duke i realizuar jo vetëm të kuptueshme, por të ndjeshme për botën shqiptare. Kështu në “Sytë e Homerit” (f.446), Homeri nuk pranon verbërinë si fakt, ai e përgënjeshtron, duke e kthyer veten në një figurë pothuaj hyjnore, me diellin dhe hënën në irisin e syve:“Ditën kam diellin, natën hënën, aed i kompletuar.”

    ç. Poezia në prozë kërkon një ristrukturim të tekstit poetik të cilën poeti e realizon mjeshtërisht. Ai ruan një rrjedhë të lirë fjalësh, ku periudha të shkurtra ndërthuren me fjali të gjata, duke krijuar një lëvizje të brendshme që ngjan me frymëmarrjen. Kjo e çliron tekstin nga kufijtë e vargut klasik, por pa e humbur muzikalitetin. Kështu psh te poezia në prozë“Ndjeshmëritë e Trojës” (f.423), përsëritja “dhe” e mban ritmin e përmendur, si një daulle lufte: “Akili prapë Akil dhe Odiseu–Odise. Dhe kali–kalë nga drurët e akejve. Dhe perënditë do të rikërkojnë domenet e tyre.” Në poezinë “Kryqëzimi” (f.429), renditja e pyetjeve ngjesh mendimin, dhe e shndërruar lexuesin në pjesëmarrës të arsyetimit poetik. Është I vetmi poet që me një fjali të vetme, realizon një poezi cilësore në prozë dhe këtë e shfaq në disa krijime të tij.

    d. Edhe mënyra e ndërthurjes së mendimit dhe ndjesisë  vjen në një formë të re, pasi mendimi filozofik te Kacalidha nuk jepet në formë abstrakte, por mishërohet në imazhe që e bëjnë të prekshëm. Kështu, te poezia “Kryqëzimi” (f.429), ideja e pashmangshmërisë së sakrificës zbret nga qielli në tokë: “Në tokë nuk rrinte më se ende kishte gozhda.”. Në “Sytë e Homerit” (f.446), poetit i mjafton një fjali për të përmbysur shekuj interpretimesh mbi verbërinë e Homerit:“Unë përgënjeshtroj variantin tuaj se jam i verbuar.” Duhet të themi se teksti i Kacalidhës nuk është një rrëfim i qetë, është një bisedë e gjallë me lexuesin, ku fjalët ndonjëherë thonë, ndonjëherë kundërshtojnë, por gjithmonë mbartin dritën dhe peshën e poezisë.

    3. Vlen të specifikojmë se: Tipari themelor i  poezisë në prozë të Kacalidhës është se ajo mbetet e lidhur me frymën epike-homerike dhe me peizazhin  shpirtëror shqiptar, e trajtuar në idenë e universalizmit. Në dallimin mes poezisë në prozë të Niko Kacalidhës, poezisë francize dhe asaj greke mund të themi se: Poezia në prozë franceze, e përfaqësuar nga autorë si Baudelaire, ndërtohet mbi abstraksionin, simbolin dhe një gjuhë të ngarkuar filozofike. Poezia greke në prozë mbështetet te introspeksioni mesdhetar dhe te një lirizëm intim. Ndryshe prej tyre, Kacalidha ndërton një poezi që gërsheton epikën dhe lirikën me kujtesën homerike dhe gjuhën shqipe të punuar hollë, duke krijuar një formë të vetën që nuk imiton as njërën, as tjetrën traditë, por lartëson poetikën shqipe.

    Pra, në këtë udhëtim poetik, proza poetike e Kacalidhës nuk është as imitim i modeleve franceze e greke, as një përzierje e tyre. Ajo është një urë e hedhur nga bregu i kujtesës homerike drejt lexuesit të sotëm, ku fjala mban aromën e lashtësisë, por frymon me ritmin e një shpirti modern. Në krijimtarinë  e tij, ky zhanër nuk është vetëm terren për eksperiment, por një fushë e gjallë ku epika dhe lirika, miti dhe përditshmja, historia dhe filozofia gjejnë strehë të përbashkët.

     IV -Në një pjesë të mirë të poezisë shqipe, natyra është përdorur si sfond i përjetimit njerëzor, si dekor për dashurinë, si simbol për lirinë apo dhe si frymëzim për qëndresën. Por Kacalidha bën diçka më intime: ai nuk e vendos natyrën përballë njeriut, por e bashkëvendos me atë, si bashkëfrymë, bashkëlëkurë, bashkëndjesi, në një simbiozë. Ai nuk e përshkruan natyrën, ai jeton në të dhe kjo ndjeshmëri poetike e tij shfaqet përmes një simbioze poetike me botën natyrore, duke e shndruar përshkrimin në një ritual meditimi dhe mallëngjimi.

    1.Natyra në poezinë e Kacalidhës është vetë trupi dhe ndjesia ndaj dhe ai e vendos veten si qenie trupërisht brenda natyrës. Ai nuk e vëzhgon atë nga jashtë, por është pjesë e saj, i ftohtë me borën, i lagur me vesën, i përndezur me zjarret e pranverës.

    “Unë jam paqësor si deti dhe i egër si deti./Edhe i madhërishëm sikur të isha si deti,/unë, përsëri emrin tim do të mbaja.” (“Credo”, f. 3)

    Në këtë varg, përputhja mes karakterit njerëzor dhe elementit natyror është aq e thellë, sa kufiri midis poetit dhe detit zhduket. Poeti është vetë deti, me gjithë çrregullimet e tij të brendshme.

    2.Tek Kacalidha, jo vetëm që natyra përjetohet, por ajo ka zë. Është një zë që nganjëherë të qetëson dhe nganjëherë të përvëlon. Ullinjtë, bredhat, zogjtë, bari, të gjitha e mbartin një thirrje të vjetër dhe shpirtërore që është më shumë kujtim sesa realitet.

    “Ullinj-stërgjyshër,/më njerëzori nipi juaj desha të isha.”. (“Ide stërgjyshore”, f. 36)

    Në këtë varg, poeti i drejtohet bimësisë si familje, duke krijuar një lidhje gjaku mes vetes dhe pemëve. Kjo është një risi në poetikën shqipe, sepse nuk është më metafora që përshkruan diçka njerëzore me një pamje natyrore, por është një vetidentifikim i qenësishëm.

    3. Ndjesia kalon në tinguj, dritë dhe aromë dhe poeti zgjat shqisat. Tek “Sonte” (f. 13), dritat e qytetit janë dritëhëna, duart e fëmijëve janë duar drite, zambakët janë shenjë e një shpirti që zgjohet për të kënduar. Poezia bëhet një peizazh tingujsh dhe ndjesish që ngrihet përtej realitetit fizik. Nuk është më natyra që frymëzon, por është vetë poezia që rikrijon një natyrë të re, të përjetshme, të ngjashme me një vegim.

    4. Të shkruash natyrën është të ruash kujtesën shpirtërore të vendit, ndaj poeti tek “Sikur mijëra lotofagë” (f. 48), kujtesa e fëmijërisë shfaqet e ngjizur me barin, lastarët, flladet, gjethet. Poezia është një përpjekje për të mos harruar, për të mbetur i rrënjosur:

    “Unë kam parë me syrin tim/çastin kur zmadhohet gjethi/dhe kur lëngu i tokës sime/rend në dejet e lastarit…” (f. 48)

    Kjo mënyrë e të shkruarit nuk është përshkruese; është një formë ruajtjeje e thellë emocionale dhe ontologjike, që rikthen ndjesitë e përkatësisë përmes detajit të natyrës. Kacalidha ruan përmes vargut atë që mund të fshihet nga kujtesa njerëzore.

    V-  Poezia tradicionale shqipe është shpesh e ndërtuar mbi metrikën e rregullt, rimën dhe një strukturë klasike të vargut, ku ideja është e paraqitur me qartësi dhe nganjëherë me patos të fortë. Kacalidha, e prish këtë sistem: ai ndjek një ligjërim të lirë, që i përket poetikës moderne, me vargje të copëzuara, me kthesa befasuese, me figuracion që ndërtohet përmes mendimesh. Ai ndërton një risi poetike: Un-i lirë dhe figuracioni modern.

    1. Vargu nuk është rresht, por është frymë, është ndalesë, është shqisë dhe kjo është ndoshta një nga risitë më të theksuara që ai sjell.. Vargu nuk është më një vijë e drejtë e të shprehurit; është frymëmarrje, është pezullim, është lëvizje mendimi. Shpesh, një varg përbëhet nga një thënie, një drithërimë, një tërheqje drejt heshtjes. Po të shikosh poeziztë në prozë të Kacalidhës, shpesh ato janë të krijuara me një fjali të vetme, që shtrihet nëpër shumësinë e vargjeve Në poezinë “Dimërimi i deleve” (f. 32), një varg mund të përmbajë gjithë ciklin e jetës:

    “Lerini emocionet dhe mendoni se do/të pillni qengja të bukur.” (f. 32)Ky varg i thjeshtë, por thellësisht i ngarkuar me simbolikë, kalon nga brenga tek shpresa, nga realja tek imagjinarja, dhe gjithçka përmes një forme të çliruar nga çdo skemë tradicionale.

    2. Un-i lirik është një vetëdije që dridhet midis gjendjeve, poeti nuk ndërton një unë heroik, as një unë të qëndrueshëm, por një vetëdije të hapur që rreket të kuptojë veten përmes botës dhe botën përmes vetes. Në poezinë “Pusi i humnerës” (f. 29), ai krijon një figurë lirike që është njëkohësisht ekzistenciale dhe mitike:

    “Unë jam një pus i thellë, si syri i Ciklopit…”(f. 29)

    Ky “un” është thellësi, është frikë, është kërkim dhe errësirë. Ai nuk është  dëshmitar i ndjesive, por një formë që transformohet bashkë me to. Ky është një kontribut thelbësor në përftimin e një poetike në letërsinë shqipe.

    3. Poeti e flet vetveten nëpërmjet alegorisë dhe fragmentit,  psh tek “Dymbëdhjetë distiket kontemporanë të luanit” (f. 18–19), poeti vesh figurën e një skulpture antike për të treguar tragjiken e mbijetesës, stanjacionin, dëshirën për shpërthim që mbetet vetëm në mendje. Vargjet janë si fragmente filozofike të një ndërgjegjeje që ka parë shumë e s’mund të veprojë më:

    “Të gjithë luanët e moshës sime në xhungël vdiqën.

    Mua më gdhendën në gurë, këtu, rri, bëj distikë.” (f. 18)

    Vargu ka një ironi tragjike, një lloj kufizimi estetik që përkthehet në një gjendje metafizike. Dhe kështu, Kacalidha na e paraqet artin si strehë por edhe si burg.

    4. Figura poetike është ndërtim i një vizioni, jo zbukurim i fjalës. Kështu  metaforat, krahasimet dhe alegoritë nuk janë dekorative; ato janë arkitektura të kuptimit. Në vend që të përdorë figurën për të forcuar emocionin, ai përdor figurën si mënyrë të të menduarit. Shihni, për shembull, vargun e poezisë “Në shpellën e Polifemit” (f. 37):

    “Dendësova kafetë duke shqyer sytë nga/lemeria, duke shqyer terrin.” (f. 37)Është një përplasje e realitetit të zakonshëm (kafetë) me përbindësinë mitike (terrin, Polifemin), një alegori që krijon gjendjen e ankthit dhe përndjekjes moderne me gjuhë mitologjike.

     VI -Në shumë poetë, kujtesa e fëminisë është një rikthim sentimental, një ndalesë në rrugën e gjatë të jetës, një nostalgji e ëmbël apo ndonjëherë e dhimbshme. Tek Kacalidha, fëmijëria dhe kujtesa nuk janë vetëm tematika, ato janë drita poetike. Ai nuk e sheh të kaluarën si një vend ku kthehesh për të qarë, por si bazën ku ndërtohet gjuha dhe ndjeshmëria, si thelbi i vetëdijes së poetit. Kjo e shndërron kujtesën në strukturë, jo në përmbajtje.

    1. Kujtesa nuk është rikujtim, por është rikrijim i botës shpirtërore dhe poeti nuk përmend thjesht fëmijërinë, ai e rishkruan atë në një univers të ri poetik, të mbushur me simbole të dritës, borës, dritares, gjetheve, portikut të shtëpisë etj. Ai nuk ndalet në faktet, por në frymën që mbartin ato kujtime, duke i shndërruar në vizion.

    “Ja, portiku i vjetër, me myshqe dhe harqe.

    Sikur: ‘Hyrë!’ më thotë fëminia në pragje.” (“Flugeri”, f. 50)

    Ky varg nuk është thjesht kujtim i një porte shtëpie, është metaforë e tërë poetikës së tij: fëmijëria nuk është pas tij, por para tij, si një derë që gjithmonë e pret për të hyrë brenda vetes.

    2. Fëmijëria është vendi ku formohet gjuha poetike e krijuesit dhe vetë mënyra e ndjeshmërisë dhe kjo është tepër e dukëshme te Kacalidha ku  shihet qartë që  mjetet poetike nuk burojnë nga shkolla letrare apo nga stilistikë e përpunuar, ato burojnë nga zëri i gjyshes, nga gjethet që fëshfërijnë, nga plepat, nga flugeri, nga zogjtë. Ai i ka mësuar fjalët jo për t’i shprehur, por për t’i jetuar.

    “Unë kam parë me syrin tim/çastin kur zmadhohet gjethi…” (“Sikur mijëra lotofagë”, f. 48)

    Ky varg është dëshmi e përvojës së fëmijërisë si epifani, si zbulim poetik: fëmija nuk është thjesht vëzhgues, ai është një sy i bekuar me dhuratën e të parit të thellë. Gjuha poetike, tek Kacalidha, është gjuha e atyre çasteve të “para me sytë e tij”.

    3. Fëmijëria nuk i nënshtrohet harresës lehtësisht. Në një poezi që i ngjan një betimi, poeti i thërret vetes dhe botës: harresa është çmenduri. Atdheu është kujtesë. Dhe kujtesa ruhet jo në flamur apo në histori zyrtare, por në gjethin, degën, fjalën e parë të fëmijërisë.

    Sikur mijëra lotofagë/të më jepnin bar harrese,/të më ndanin nga vendlindja,/të gjithë do të qenë të marrë.” (“Sikur mijëra lotofagë”, f. 48)

    Lotofagët, që në mitin e Odiseut përfaqësonin harresën e kthimit, janë këtu simbol i një bote që rrezikon të fshijë rrënjët. Por poeti i kundërvihet me një qëndresë të butë, por të palëkundur: kujtesa është atdheu i vërtetë.

    4. Gjyshërit, portiku, flugeri, gjethet, zogjtë, pemët janë ikona të një liturgjie të brendshme.Në vend të heronjve kombëtarë, Kacalidha sjell ikonat e jetës së përditshme: gjyshja që di vargje nga Homeri, flugeri i ndërtuar me dorë, portiku me hije… Të gjitha këto janë simbole të një bote ku shpirtëroreja dhe e zakonshmja janë një.

    “Nëpër ullinjtë kanë bërë krasitje/dhe ngjajnë ullinjtë si pikëçuditje.”  (“Shtëpitë tona në jug”, f. 51)

    Ky varg i ndritshëm, është një poezi e tërë për rrënjët: një krahinë që nuk ka nevojë të bërtasë për të qenë e shenjtë. Kujtesa nuk është vetëm ajo që kthehesh ta shohësh – është ajo ku ndihesh i plotë.

    Në poezinë e Kacalidhës, kujtesa dhe fëmijëria janë burimi i dritës. Poeti nuk e shikon fëmijërinë me nostalgji,  ai e vendos atë si shtyllë qendrore të qenies së vet, dhe kjo qasje nuk është vetëm estetike , është ekzistenciale. Kujtesa është mënyra për të mbijetuar dhe pikërisht kjo e bën Kacalidhën një ndër poetët më të veçantë të pasurisë sonë letrare.

    VII- Në shumë poezi të Kacalidhës, drita nuk është element fizik, por përbërës poetik, një gjuhë me të cilën ai flet për të paprekshmen. Ajo nuk është as ndriçim diellor, as ndriçim artificial, por një dritë e brendshme, shpesh e rrjedhur nga fëmijëria, nga dashuria, nga kujtesa, nga shpresa dhe nga shpirti i një vendi të humbur që ndriçon më fort se çdo hartë. Madje dhe  hëna, e pranishme në shumë poezi, është një prani femërore, një emblemë e butësisë dhe e zbulesës së papritur, një hije e ndritshme që të shikon edhe kur ti nuk sheh më asgjë. E ndriçuar dhe ndriçuese, ajo bëhet në poezi  si një shenjë, si një përhumbje, si një fjalë e paqortueshme që vjen nga një botë tjetër – dhe për këtë, ajo është hyjnore pa qenë e shenjtëruar.

    1. Drita është ndjesi e pastër, dhe poeti është krijues i saj. Po të lexojmë  poezinë “Sonte” (f. 13), e cila është një nga kremtimet më të bukura të dritës në gjithë vëllimin, poetit, nuk i zë gjumi jo për shkak të dashurisë, por ngaqë drita është bërë gjendje e dendur, peizazh më vete. Ai nuk përshkruan dritën, ai e banon dritën, ai troket duart me fëmijët në rrugë, ndez hënën në dhomë me nënat, këndon me vajzat nën shtylla.

    “Sonte me fëmijët në rrugë trokasim duart./Sonte me nënat tona ndezim në dhomë hënën.” (“Sonte”, f. 13)

    Është e rrallë që drita të përjetohet me kaq trupësi, me kaq intimitet. Kjo nuk është ndriçimi i zakonshëm, është një festë e dritës, një dritë që nuk vjen nga jashtë, por nga një burim i thellë që rrezaton me dashuri dhe bashkësi.

    2. Hëna është më shumë se një objekt qiellor, ajo është personazh, ëndërr, grua, nënë, dritare dhe kjo duket në shumë poezi, ku  hëna nuk është vetëm një figurë metaforike, ajo është një prani konkrete. Ajo zbulohet si një personazh që ndriçon brendësinë e vetmisë, zbukuron dashurinë, zë vend në shtratin e poetit, shfaqet pas plepave, bën dritë për fëmijën, rri me poetin në mungesë të një llambushke.

    “Kur isha i vogël, dritares, gjyshja më tregonte hënën./Duke mos patur llambushka të tilla ato vite e muaj,/hëna gjithë natën në jastek vinte dhe rrinte me mua.” (“Llambushka dhe hëna”, f. 55)

    Ka një delikatesë të papërsëritshme në këto vargje. Një dritë qiellore kthehet në ngrohtësi njerëzore, në një mikeshe të vegjëlisë, në një tjetër nënë, në një tjetër mënyrë për të mos qenë vetëm.

    3. Në poezinë “Duke qendisur qiellin me drita” (f. 61), drita bëhet mjet krijimi, poeti nuk është më thjesht dëshmitar i saj, por zot i një universi të vogël, ku ai ndez yje si të qepte vija mbi një këmishë nate. Kjo është një nga pikat kulmore të simbolikës së dritës te Kacalidha:

    “Unë them të bëhet dritë dhe bëhet dritë./Kjo është formula ime dhe nuk e di se nga ma/paskan vjedhur perënditë.” (f. 61)Ky varg me dritën e realizmit magjik, ka një qeshje të lehtë mitike, porgjithsesi poetike të fuqisë krijuese, ku njeriu i thjeshtë merr mbi vete një akt hyjnor: të qepë qiellin me dritë. Drita këtu është frymë e krijimit, dhe poeti, një Promete i qetë, që nuk sjell zjarrin, por sjell dritën.

    4. Në poezinë “Ditëlindja e detit” (f. 28), hëna është një e dashur që vjen në ëndërr, që zbukuron detin, që shndërrohet në bashkëshorte të natës:

    “Sërish më zuri gjumi dhe pata hënën/për grua në ëndërr.” (f. 28)Është një varg që nuk kërkon koment, është vetë koment për veten. Hëna si grua, si bashkëshortja e ëndrrës, është një nga figurat më të thjeshta dhe më të fuqishme të butësisë në gjithë poezinë shqiptare. Jo dielli, jo shkëlqimi i madh, por hëna, si qenie që nuk ka nevojë të flasë për të qenë e ndritshme. Ky ndriçim i përbrendshëm është risia e vërtetë. Sepse nuk ka më nevojë për ndriçues të jashtëm, të porositur, poeti është vetë qiriri i vetes, dhe hëna është shpirti i tij që sillet përreth, e heshtur, e përhumbur dhe ine e përjetojmë këtë.

     Duke përfunduar këtë fjalën time, ju  them se këto janë disa nga arsyet pse poezitë e Niko Kacalidhës i zgjodhëm sot për t’u folur: jo aq pse duhen lexuar, por më shumë për mënyrën se si duhen lexuar  për tu ndjerë thellë dhe përjetuar në çdo fjalë e varg të tyre.

    Sarandë, më 26  gusht 2025

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË