More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArmela Hysi: Me poetin Niko Kacalidha dhe “Heraldikët e borës”

    Armela Hysi: Me poetin Niko Kacalidha dhe “Heraldikët e borës”

    “Preva pikën e lotit vertikalisht me thikën e përgjakur të horizontit

    e pashë brenda tij njëmijë varre të shtrira,

    dhe ndjeva në të njëmijë e një rënkime.

    Preva pikën e vesës horizontalisht

    dhe më brofën kodrash brenga refugjatësh

    Dhe m’u tkurrën në shpirt mijëra humnera dhimbjesh

    Dhe kërcyen së larti njëmijë horizionte gjaku”

    (poezia “Prerje gjeometrike”)

    Është e pamundur të përmendësh poetët më të ndjeshëm postmodernistë shqiptarë e të mos gjesh në radhitjen e emrave të rreshtit të parë atë të poetit të ndjesive të epërme, Niko Kacalidha!

    Siç është e pamundur të marrësh në dorë një libër të tij e të mos kuptosh se ke të bësh me një shkollë të madhe idilike e shumëperceptuese. Të mos vësh re sesi rrjedhë dëlirshëm bukuri stoike poetike, në trajtën më të formëzuar të talentit dhe mëtimit gdhendës. Sikurse dhe po aq ndienjë amorfe prej esencës ideale të fjalës në modernizmin më romantik të saj.

    Dhe kjo bukuri i mbetet brenda vetes kujtdo që e ndesh në leximet e tij. Bulon tek lexuesi që e shtjellon, tek kujtesa dhe estetika e tij për ta rikrijuar sërish si shembëllimet gjeometrikisht të pasqyruara në dy pasqyra paralele, përballë njëra-tjetrës e tek njëra-tjetra. – Analogjikisht në zvogëlim regretik kohor, por pa u zhdukur herët ky imazh që të fal, e gjitha krijuar prej lehtësisë sublime që të jepet ta shijosh.

    Sepse lexuesi, studiuesi, kritiku a krijuesi, shëtit lirshëm dhe i mirëpritur ngrohtë, brenda poezisë së Niko Kacalidhës, aq më shumë tek vëllimi i tij i fundit “Heraldikët e borës” me shtrirje racionale në kohë-krijim, tematikë, evoluim letrar e për më tepër përvijim historik të segmentit kohor të shoqërisë e detyrimisht të autorit si pjesë e saj specifike, referuese dhe e dalluar.

    Katsalidha krijon që herët në rininë e tij bazat e një letërsie që prin kohën e tij duke u dhënë pas fjalës pa rezerva, dhe vijon pa ndërprerje e me rikonstruktim të vazhdueshëm, tepër sensibël përgjatë stacioneve të flurudhës së jetës së tij, gjë që shfaqet vazhdimisht, e duke lënë gjurmë mbi krijimtarinë e tij. Kjo ndodh si një proces i natyrshëm, duke qenë se poezia e tij është një qenie e gjallë që frymon në të njëjtin organizëm me autorin, por dhe si tek çdo autor i vërtetë, po aq autonome në bindjet e veprimtarinë e saj kryeneçe, – shumëfishuese me faktorë numerik para a pas të ndaras dhjetore, sipas ngjarjeve që ajo përjeton – pa lejuar t’i diktohet shterpësisë a komformizmit kllap-gjymtues.

    Po kështu edhe përgjatë ndryshimeve politike, të shoqërisë, e ideore të vetë autorit siç ndodh për rrjedhojë, kur: jeta ndodh, – edhe në ekografinë e poezisë do të vëmë re hapësira të reja që krijon botkuptimi, siç natyrisht, përherë krijohen stacione të reja.

    Lexuesi, me secilin reciproritet të sipërpërmendur, krijon marrëdhënie mbresëlënëse me krijimtarinë e autorit, duke iu dukur tepër e hijshme, nga çfarë do lloj roli që ta shohë, pikërisht pasi për çdonjërin nga këto kahe a drejtime që hulumtojnë një vepër, Kacalidha arrin me mjeshtëri akute në secilën poezi, të krijojë një pikë të përbashkët estetike e kuptimore, që gjendet kryesisht, në përjetimin e diçkaje gati familjare tek bota e tij e tek timbëri i vargut të tij. Njëkohësisht arrin të të qeras me tekst të zgjedhur, elegant, tërë risi ngjyrimesh gjuhe e idesh në secilin prizëm.

    Autori pra veçanërisht nxit pareshtur dritë-mendimin që ka absorbuar, për t’u përçuar dhe përvetësuar në vazhdim me aq lehtësi nga lexuesi. Siç dhe vihet re, se të mbetet njëkohësisht e pashlyeshme nga kujtesa inkadeshente, marrëdhënia që e vendos me lexuesin duke i kursyer mundin që të rëndohet nga balasta të kota ballancimi, në lundrimin me poezinë e tij, si mjet për emancipimin e gjuhës, strukturës dhe idesë në hapësirat më të larta të mendimit krijues shqiptar, dekada të tëra, deri më sot, pa humbur as çast, sensin e hollë poetik.

    “Hap perden e agullimit dhe zgjoj ditët e mia

    mbuluar me një cipë hënësire, zgjoj anëdetet

         dhe kridhem në kërthizën e fateve të mia.” (nga poezia “Këngë ballkanase”)

    Edhe pse më ka rënë rasti i mirë të shkruaj për poezinë apo përkthimet plot pasuri e origjinalitet cilësor të personalitetit të njohur të letërsisë greke e shqiptare njëkohësisht, zotit të nderuar Niko Kacalidha, përherë kam mendimin se kur mbaron një libër të tij nuk mund të mos kesh kënaqësinë të shkruash sërish, të vësh në dukje sërish sa bukur kalon si lexues nën shoqërinë e vargjeve të tij, dhe ta rekomandosh sërish miqve të afërt, a lexuesve që të ndjekin. Nuk mund të mos u thuash atyre të mos e humbasin lidhjen me poezinë e tij të bukur estetike e elitare që dhuron në çdo faqe, ose të mos humbasin rastin ta njohin këtë poet nëse e lexojnë për herë të parë! Bëhet gjithmonë fjalë për një poezi me gjetje mjeshtërore dhe një thesar ndjesish, që të realizojnë më së mirë jo vetëm dëshirën për të lexuar diçka me vlerë, që ka kushdo që merr i lirshëm në duar një libër të ri për të lexuar, por edhe pasurimin me botkuptimin e veçantë që ndesh gjatë leximit të çdo poezie. Pa harruar dritësimin që përmendëm si brumë poetik në gjetjet e sipër përmendura që personalisht do t’i quaja simbolikisht edhe të vyera, edhe të ëmbël-sjella në përqasjen e së vërtetës së botës së tij poetike, meqë stili dhe ndërthurjet e pamjeve, ideve të shumëllojta janë përherë me një stilizim fisnikërorë dhe trajtim idilik. Prore të një gdhendjeje fine. Peizazhi, elementet e natyrës, sfondi, përshkrimi, bashkëpunon përherë me vetë boshtin e idesë qendrore, duke rikrijuar në mënyrë cirkuite të brishtë e tepër ndjesore njëri-tjetrin.

    Në çdo poezi Niko Kacalidha i jep lexuesit varg pas vargu ndjenjat më të epërme që i kujtojnë diçka familjare për nga ngrohtësia, fëmijënore për nga ngjyrat, kalorsiake, për nga trajtimi bujar e i emancipuar me vlera gati të romantizmit shpirtëror që zbusin aq shumë me idealizimin që përçojnë dhe megjithatë rioshe në pikëpamje, për një hap më tutje në mendimin e tij filozofik e në edukimin e tij estetik, post moderniste dhe që diktojnë tempin e nervin e kohës.

    “Krenaret e mia që kurrizo nuk u bëtë kurrë,

    paçka se me bucelat ngarkuar në mes të fushës

    ktheheshit bosh dhe ngjanit si mijëra pikëpyetje

    të mirat e mia, gratë, në atë gravurë të vjetër.” Nga poezia “Gravurë e vjetër dropullite”

    Vëllimi “Heraldikët e borës” që më ra në dorë kohët e fundit është një takim veçanërisht i denjë që personaliteti Niko Kacalidha kryen me lexuesin. Është një përmbledhje ngopëse prej mëse pesëqind faqesh, që përmban një pjesë të madhe poezish përgjatë krijimtarisë së poetit, që nga rinia e tij, ndërkohë që janë të përfshira edhe tërë kontigjenti me poezi të pabotuara të autorit, duke na dhënë mundësinë të hedhim dritë dhe të kemi rastin ideal të njihemi thellë me poliedrikën e tërësisë së krijimtarisë, nën hijen e këndvështrimit më të pjekur të tij sot, si në paraqitje, ashtu edhe në përzgjedhjen optimale.

     “Grusht shtëpish ndanë bokërrime i thonë qiellit:

    Këtu fillo!” Nga poezia “Grusht shtëpish ndanë bokërrime”1989


    “… Me puthjet nën heshtjen e varur abazhurit.

    Me kërcitje variable të frigoriferit.

    Peshqit në akuarium mendojnë se s’ka për ta tufan.

    Harruan detin e origjinës, madhështorin, djepin

    tundës e kripën Eolin me kacekët e erërave.

    Poseidonin me fushnjën e frikshme të trazirave,

    të rrahjeve detare dhe rebelimit.

    Peshqit në akuarium mendojnë se s’ka pë ta tufan.

    Vetëm, sa herë, ndërrohet uji, me sy lëmoshë kërkojnë në xham.” Nga poezia “Peshqit në akuarium”

    Vargu i lirë i Kacalidhës ka përherë veçorinë të jetë i plotë aq poetik sa e fëshfërinë i mëndafshtë nga tjerrja mjeshtërore, por dhe aq prozator, veçanërisht, kuptohet tek ato ndalesa që kanë këtë strukturë, dhe mjaft i zhdërvjellë, tolerantë në kuptueshmëri dhe tepër i larmishëm. Gjuha shumë e pasur gjthashtu ka veçoritë të përfshijë një vazhdë të tërë ndiesish, sa konceptive aq edhe praktikisht të një produktiviteti që dikton vezullueshëm gëzimin poetik të shumëllojshmërisë së pamjeve që të vijnë ndër sy, me çdo lexim të  secilës, e po aq lëngshëm çdo herë që mund të vijosh ta lexosh.

    Ndërkaq që formati i poezive, edhe pse padyshim varjon, të mahnit me sa shumë thotë, shpesh në pak, relativisht, vargje. Është gjithashtu për t’u përmendur në këtë libër, sesi në secilën poezi gjenden togfjalësh mahnitës që nuk i pret, si surpriza të vogla idilike.

    Kështu pra ky synim i përherëshëm i përkushtohet drejtësisht një gjetjeje të veçantë që ndonjëherë të lë me dëshirën të mos shkëputesh, nga poezia e tij edhe pasi ke mbyllur rreshtin e fundit. Të duash të vazhdosh të festosh osmozën e krijimtarisë së autorit çfarëdo ngjyrimi që të ketë poezia, pasi ky vëllim është një përvijim që i përfshin të gjitha ndienjat e fisme të njeriut. Që të dashurosh, – (ku më mirë se me një poezi?); të luash me natyrën, me qeniet e saj, me kohën në tërë dimensionet e saj, të kujtosh dashurinë e të afërmve, të miqve, të figurave mitike a historike, të pasionit, të shpresës… të sa e sa komponentëve tematikë e letrar të ndërthurur së bashku.

    Të triumfosh me art mbi jetën me bukurinë e përjetshme të marrëdhënieve njerëzore.

    E së fundmi, në ngjyrimin e errët të dhimbjes të njohësh veten e të sitësh ditët e përkora, dhe çastet e lumturisë. Për t’i vlerësuar e të mos i lësh të të sorollasin tuneleve të labirinthit mendësor e obsesivitetit, që në krye të herës e perceptimit, gjer në posedimin e njerëzores thelbësore. Pa altruizëm viktimë-ndjellës ndaj vetes, por si një përzgjedhje koshiente e të kultivuarit dhe qëllimin jetik të përmbushësh dashurinë për mirësinë sipërore personale e kolektive që rrjedhë në plan të sigurtë.

    Artibuti i bukurisë së poezisë tek Kacalidha është edhe fakti se temat që trajton janë gdhendur të të duken të thjeshta në detajim por të filozofuara në përvijim. Të pëlqen “aventura” që të buzëqesh për tek mbyllja e çdo veçimi, dhe i je mirënjohës vëmendjes së këtyre premtimeve për të ndjerë në çdo faqe lirinë poetike që të jep shkathtësia e dijes dhe kontesimi i saktë i mendimit të tij, në përçim, mbrujtur me art.

    Kohë-hapësira luan një rol vendimtar në formulimin e idesë themeltare tek Kacalidha dhe nuk fshihet pas hermetizmash fiks e të stimuluar, apo role kinse të lojë-çartjes, por përkundrazi, kur autori i shton pak puhi vargut e bënë me përgjegjësi të plotë dhe të mirë-themeluar. Veçoria më e thekur dhe e thukët që do të gjeja unë tek krijimtaria e Kacalidhës, që gjen bulim të plotë edhe tek “Heraldikët e borës” është marrëdhënia e tij me vendlindjen. Autori është përherë, i tokëzuar me truallin e tij, me vendlindjen, kulturën, folklorin, mitologjinë, dashurinë e shumë trajtë të simbiozës me të gjitha thelbësitë themeltare e primare të kësaj lidhjeje në mënyrë shumë aktive dhe ripërtëritëse, qoftë për të shpënë shkarkimin e ngarkesës së tepërt patetike, qoftë si Ante të thithi nevojshëm energjinë që i duhet të përfundojë idenë me ballafaqim bindës e të mirëgdhendur figurativ.

    “Po është një kalë që hante barin e mëngjesit

    në pëllëmbën e trëndafiltë të fëminisë sime,

    që puthja në ballin e dirsur në netët e hënës.

    Po është një kal që po mban kalorës

    të fluturimit e dhimbjes dhe me kryet e mia prekja yllin e mbrëmjes/…/…/

    Një kalë që i fshija lodhjen me këmishën time

    të qepur prej nënës në dritën e vetëtimës.” (Nga poezia “Kali”)

    Të lexojmë letërsi të mirë është bekim e pse jo edhe një farë detyrimi shpirtëror për veten e ata që kemi pranë, një lloj shenjtërimi dhe një lloj dashurie për njerëzimin, fëmijët që rrisim e edukojmë, kohën reciproke që na u dha me bujari të njohim, të ndjejmë, të krijojmë. Një lloj vlerësimi më i tejmë për dhuratat e Hyut për prafullimat e të mrekullueshmes që u ka dhuruar njerëzve ndaj jetës, ndaj bukurisë që ravijëzon mekanikisht, e asaj të brendshmes si frymë, që krijon e i jep kuptim të jashtmes. Që ngrihet unike për çdo person, për çdo çast të secilit preson, për çdo çast që vetëm kështu do mund t’i japësh fuqi infiniti. “Heraldikët e borës” dinë të zgjojnë mjaft vringëllima simbolike për të kuptuar vërtetësinë, tërësinë, vetveten, për të fisnikëruar e freskuar, dhe si çdo vepër që duke qenë art i mirëfillt, di shumë, përcjell shumë, vjen nga një dritësim tjetër e mëkon përjetësi.

    Athinë 2025

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË