More
    KreuLetërsiShënime mbi libraRobert Prennushi: Romani “Saga e Sarajevës” nga Stefan Çapaliku

    Robert Prennushi: Romani “Saga e Sarajevës” nga Stefan Çapaliku

    Kur mbarova së lexuemi romanin Saga e Sarajevës të shkrimtarit Stefan Çapaliku, pyetja e parë ishte se çfarë titulli do t’i vente Koleci këtij libri. Kush asht Koleci, mund të thoni ju. Asht një shok që, kur ishim në shkollën e mesme, na thonte me serjozitet se kishte mbarue nji roman, por nuk e botonte vetëm pse nuk dinte me i vue titullin. Si duket kjo gja më asht ngulë gozhdë, pak me shaka, pak përnjimend e thashë me vete pse Çapaliku i ka vue këte titull. Saga-rrëfim, shpesh herë me karakter familjar, më thotë kujtesa e leximi i Sagës së Forsajvet.

    Ngaqë shoh se në këte verë të nxehtë shokët shkrimtarë e muzikantë shkruejnë pak për njeni tjetrin, thashë t’i them dy fjalë për këte roman, që më asht dukë nji risi edhe për nga ndertimi. Edhe pse titulli asht i saktë, sot më vjen ta filloj se romani asht vertetë saga a rrëfimi, por i Dy jetëve paralele, jo si ata të Plutarkut, por të nji familje shkodrane që ndahet, çahet dyshë me dhembje, nga shkaqe që vetëm lufta i shkakton. Janë dy linja paralele që zhvillohen në naltësi të ndryshme si në nji fugë, si në nji fugë të vertetë muzikore. Tema asht ajo; pse nji asht trungu familjar, por duke u zhvillue “ma nalt” o “ma poshtë” në kohë, -si shkallë o tonalitet do të thonim në gjuhën muzikore, zhvillohet e merr udhë. Por nga kushtet ku ndodhet secila nga temat, krijohen kontraste që sjellin zhvillim e tension letrar. Vertetë nji fugë sepse linjat marrin ngjyra të ndryshme, prej rrethanave të ndryshme. Ajo poshtë në kohë, që fillon më vitin 1918, ma shumë. Por ju ndoshta nuk e njihni veprën.

    Nësa linja sipër, e kohëve tona zgjatë vetëm15 ditë, aq sa rri shkrimtari në Sarajevë, ndërsa linja e dytë zgjatë afro 13 vite, ndaj zhvillohet ma shpejt. Si nji film me xhiro të shpejta. Por kjo nuk ndjehet, sepse linja e dytë, ajo poshtë në kohë, asht e mbushun me shumë ngjarje njerëzore e historike; me jetë konkrete, me perditëshmeninë e nji familje që rritet, gjithnji nën veshtrimin e Nanës dhe mirësisë së familjes hebreje.

    xxx

    Asht vështirë të gjendet nji qytet tjetër, si Shkodra, që bashkë me rrethinat, të ketë kalue ngjarje  kaq ‘të veçanta’ – (luftë, uri, rrethim, ndërrim uniformash e gjuhë të ndryshme) – nga viti 1911 deri në vitin 1918. Autori nuk tregon histori. Janë ngjarjet e rrethanat e familjeve të gjenduna në ata kushte që e tregojnë këte lamsh historik kaq dramatik. Edhe tregimi e sjellja e personazheve, me kursim, por tipikë, asht pa ndeshje të mëdha. Në fund të fundit: ‘Kështu ka qenë shkrue’…’Jemi në dorë të Zotit’.

    Jemi në vitin 1918 në Shkodër. Të ndodhesh pa pritë grue e ve me katër fëmijë nën 12 vjeç, në atë përjudhë që buka sigurohej me ar, vetëm me ar. Por edhe ndryshe, mund të ishte nji tragjedi e vertetë.

    Por në vepër nuk ka vaj, as trishtim, as zgjidhje të pandershme. Ka vetëm realitet e zgjidhje. Zgjidhje minimale për mbijetësë, por jo trishtim. Asht Nana, përsonifikimi i sakrificës, së bukurës, sepse kishte qellue edhe malësore e bukur, e martueme në nji familje të mirë shkodrane. Por fati e la të vejë.

    Kush do të na e tregojë se si e zgjidhë nana bukën e përditëshme, kur as ari nuk hyni ma në punë?

    Çapaliku të befason sepse ai ja beson këte rrëfim nji fëmije dhjetë vjeç që ngjan si të ketë qenë dikur i madh (Budizëm anasjelltas?).

    Thotë në nji vend shkrimtari: “uni im kishte dalë nga prej meje”. E thotë këte, sepse duket se asht vetë ai, që në vitet e Luftës Ballkanike e në teposhten që mori Perandoria Austro Hungare, që tregon me gojën e një fëmije… Sa të pastra, sa të natyrshme e të sakta mendimet e nji fëmije!

    Romani (që nuk kam ndërmend t’ju tregoj, sepse vertetë nuk tregohet) fillon me nji ngjarje krejt të zakonshme.

    Asht shkrimtari që shkon “me sherbim” në Sarajevë, në kuadër të mardhanieve kulturore. Kjo ndodhë disa vite mbas ngjarjeve të përgjakshme të Sarajevës dhe Serbrenicës. Por këtu ngatrrohen punët. Ai ka marrë. gati për rrëshqit, nji porosi nga babai. “Shiko, bir. Ti e ke pa Librin e shtëpisë (Pemën gjenealogjike me shenimet). Kështu e kështu i ka ndodhë familjes së vëllaut të gjyshit tand. Dijmë se grueja e tij me katër fëmijët ka ikë dhe ka jetue në Sarajevë. Kemi pasë dhe korespondencë, por mbas vitit 1948, mbas prishjes me Titon, kemi pasë frikë me vazhdue korespondencën. Shih se mos gjen kushrijte tonë Cukali se ku ndodhen.

    Por ardhja në Sarajevë për të shkrue diçka, o të pakten me marrë ndonjë spunto për ndonji vepër në të ardhmen, shkrimtarit nuk i shkon mbarë. Asht ajo porosia: ‘Cukali’ që e mundon. Po ku gjehet nji Cukali, kur nuk ka gjendje civile, ku interneti vihet me Pasword në Kafe o në vendin ku ndodhesh. E asht kaq i gjatë dhe i çuditshem ky Pasword, sa ngjan me nji “kod të shifruem nga sherbimet sekrete”. Ku gjehet Cukali, atje ku edhe uji i ngrohtë vonon ditë me ardhë. Ku nuk ka termosifonë. Amarcord asht nji kafe që të kujton Përendimin. E mandej, thotë shkrimtari, pse unë duhet të baja rrugën Tiranë Beograd e mandej Beograd Sarajevë. Pse në Bashçarshinë, pazari ma i vjetër i Sarajevës në festa sheh turistë nga bota arabe, ma shumë se europianë. Madje ngjanë se je në ndonji treg arab, por edhe si në Shqipëri. Në fund të fundit Sarajeva asht thuej gati në qendër të Europës! Mendime si këto, si pa qellim, janë penelata që herë komike e herë ironike sillen aty këtu mes ngjarjve e ndodhive të zakonshme.

    Po kush janë personazhet e romanit, mund të thoni. Asht autori në të dy historitë paralele, por në kohë të ndryshme, që jep përshtypjet e veta, analizat e shumë rallë tregohet si në çdo roman, ku shpesh tregohet jo në vetë të parë. Këndej edhe personazhet zbulohen dalëngadalë. Asht Esmaja boshnjake, nji linguiste që njeh edhe arabishten e qe asht e bindun se arabishtja duhet të ngjante me shqipen. Ajo asht e ngarkueme për t’i sigurue çdo gja  që i nevoitet nji shkrimtari: tavolinë shkrimi, ndejse komode e internet. Por edhe ujë të nxehtë.  Të gjitha këto kerkesa nuk gjenden në apartamentin që ka marrë me qera Esmaja për shkrimtarin. Të tjerët janë njerëz të mirë të Sarajevës, si pronarët e apartamentit, nji çift i paqtë, ‘i bashëm boshnjak’ që nuk mungojnë ta ftojnë shkrimtarin me perzemërsi në Natën e Kadrit, ku do të ishin rreth 20 vetë. (E shkrimtarit i shkon mendja se ndoshta mund ta shfrytëzonte këte rast për të pyet nëse ndokush njeh njeri me mbiemnin Cukali).

    Ndoshta ndër përsonazhet ma me randësi asht vetë Ballkani, me kontradiktat e veta. Veç fuqi baroti nuk quhet. Por ‘personazh’ asht dhe Feja, Besimi. E duket se shkrimtari- personazhi kryesor, –   vëren se si lutja e zotni Blumit – hebre, si lutja e Nanës, ashtu edhe ajo e mikut në Iftarin e Natës së Kadrit nuk ndryshojnë pothuej fare: paqë, begati, urime e shpresë. Atë që thotë edhe ai djali 10 vjeç kur sajon lutje, që ta marrë gjumi kur e kishte barkun  bosh, o në raste të tjera të vështira.

    Atëherë ku u gjetën ata djaj që i ngatërruen kaq keq popujt e Ballkanit?! Sigurisht feja jo, as popujt.  

    Por mendimi-gozhdë- i shkrimtarit mbetë se si të përmbush porosinë e babait. E këtu Çapaliku gjen nji shkak, nji gjetje strukturale vertetë interesante për ndërtimin e fabules së romanit.

    Zbret në kohë. Digresion. ‘Uni im iku nga uni i vetes sime…’ thotë si padashje në nji faqe. Pikrisht ky digresion, ku shkrimtari zë vendin e fëmijës, bahet tashma nji mënyrë për të vazhdue ngjarjen. E asht shumë e natyrshme kjo thurje. Duket se lexon dy histori të ndryshme, por që lidhen e  gërshetohet ngadalë në kohë, sepse kanë dalë nga nji burim, nga familja Cukali.

    Janë dy linja paralele që zhvillohen në naltësi të ndryshme si në nji fugë. Po, si në nji fugë të vertetë muzikore. Tema asht ajo e trungut familjar CUKALI, por duke u zhvillue “ma nalt” o “ma poshtë” në kohë, si shkallë o në tonalitet të ndryshëm, do të thonim në gjuhën muzikore. E kjo i jep udhë zhvillimit. Kështu tema: Nana me katër fëimijë që lufton për mbijetesë dhe tema tjetër, por ma në maxhor: shkrimtari, kushrini tyne, por ma i sigurtë në vetvehte, pak i habitun nga kushtet, por i aftë të bajë vrojtime, konkluzione, madje dhe shaka. Të gjitha këto krijojnë kontraste, zhvillim e pritshmenì tek lexuesi.

    xxx

    Si ikën e pse ikën Cukalët në vitin 1918 nga Shkodra? Cukalët që mungojnë në Librin gjenealogjik të shtëpisë.  Babai, pra vëllau i gjyshit të shkrimtarit, u vra nga plagët që mori nga nji kalë i tërbuem dhe assicurazion italian ‘Adriatica’, i dha 100 napolona ari  që mbajtën gjallë Nanën me katër fëmijët. Deri sa, deri sa as edhe ari nuk jepte ma bukë.

    (Nana, mbas nji radhe të gjatë shtrin dorën me dhanë napolonin, por nji telefonatë i thotë bukëdhanësit se ari nuk vlen. Duhej bakër! Situatë sureale por që ka ndodhë vertetë në Shkodër).

    Tashma në këte linjë, që do ta quejmë linja e Nanës, do të shohim shpesh nji skenë gati në gjithë romanin: Nana që shtërngon dorën e ‘tregimtarit’ 10 vjeç,  por  që veshtrimin hetues e ka gjithnji drejt vajzës 12 vjeçare, me dy binjakët që janë gjithnji kapun dorë për dore. Mes Nanës e djalit ‘tregimtar’ ka nji sekret. Asht nji nagant, nji revolver i vogël, që herë e merr Nana e herë ja dorëzon të birit. Kur e merr Nana, vogëlushi xheloz asht i bindun se Nana që asht kaq e bukur, di të mbrohet po qe nevoja.

    Rallë, shumë rallë flet shkrimtari.

    …Në Shkodër që nga findi i shekullit XIX e fillimi të shekullit XX  kishte nji komunitet te huajsh prej 50/60 personash me veshje e sjellje Përendimore që bënte bujë. ne mjedisin anadollak. Gjysa ishin italianë, të tjerë dalmat ose dhe nga Greqia… Italianët (që kishin arrijtë deri afër Shkumbinit) nuk morën pjesë atë vit në Ballon që organizohej tek Kafja e Franit.  Rroku i agjensisë ma të madhe funerale, si zakonisht shkoi me Nanën në ballon e caktueme. (Duhej nji kavaljer mendonte voglushi). Ai pau se Jozefi ‘guardian’ wachmeister, që kuptohet se e donte praninë e Nanës, i puthi dorën e te tjerët u përkulen edhe para Rrokut pa qafë. Kishte vetem tre gra ne ate ‘ballo’ (Nana, e shoqja e Franos dhe vajza e saj)…Ushtritë italiane sulmonin austriaket drejt Fierit e Beratit… Nana kercente vals e tango. Tek Frano, kercente me të huej ashiqare… Jozefi mori nanën e filluan të kërcenin në shesh. Askush nuk i ndoqi. Kur mbaroi Jozefi e përcolli nanën der tek vendi, ‘dhe unë ju hodha në prehën të saj tue e lutë pa fjalë që të mos e bante ma këte punë. edhe pse e bante vetëm për ne…’

    Fundi i Perandorisë po vinte. Nji shkrim “Viva Savoia“ që u shfaq dikund në nji mur të Shkodrës e friksoi Jozefin…Duhet të ikim sa ma parë…

    xxx

    Tregon djali i vogël.

     Do të niseshin në veri me autokolonën në tërheqjen, në kamjonçinin e austriakut Jozef, të  cilin ai nuk mund ta shihte me sy, po nana i besonte se do t’i çonte në nji qytet të qetë në Austrinë e Jugut. Mandej kishte edhe nagatin!

    ‘Dolëm nga lagja katolike në lindje e kaluem Rrëmajt nga e majta. Printe nana me valixhen e madhe ne dorë. Dimni po afronte. Ishim pesë. Nana, unë, dy binjaket e motra. Secili prej nesh nji torbë, ndërresa e pak bukë’.

    Plasje. Ura e Kirit ishte hedhe ne erë…Ecim në errësinë e ma në fund shihet nji dritë që tundej. Ishte kandili ne dorën e Jozefit që na futi nën mushamanë e nji kamjonçini.  Ishin 5 të tjerë, kuarteti i harqeve që luejti në Ballo e kontrabasi, që Tomasi nuk pushonte t’ja spjegonte randësinë. U vumë në autokolonë. E harruem se dora mund të lëvizej, trupi jo se jo. Dhjetë vetë në nji kamionçin. Si sardelat.

    Vetëm nji Nanë e di se në çfarë prove po vente jetën e fëmijëve të vet. Nji rrugë kaq e gjatë që do të bahej bashkë me autokolonën, pra ndal e nisu, që vetëm me e mendue të dhemb kryet. E me gjithë këte kjo situatë kalohet pa i ngarkue emocionalisht fëmijët. As vrasja nga nji minë e oficerit austriak nuk i randohet atyne. Madje dhe nji ethe shqetesuese e njenit prej binjakëve, kalohet lehtë, gati me gaz. Nji ushtar mendon se këtu ethja ulet tue hapë nji kuti të madhe mishi…Sa kohë kishin fëmijët pa hangër ashtu…

    Ky lehtësim realizohet edhe me atë ndërrim kohe, sepse kthehemi në linjen e autorit të ditëve tona, në Iftarin e Natës së Kadrit. Në fakt shkrimtari ka si gozhdë në kokë porosinë e babait: ‘Shih e mos gjen ç’asht ba me ata kushrijt tanë që u detyruen të ikin’.

    xxx                            

    Edhe sa ka topi/edhe  njizet dekika/Dalin burrat prej xhamijet/Me shami me pika. Nji lutje nga Hajdini, i zoti i apartamentit e mandej çorba, samuna, mish viçi, jahni, pilaf me djathë, kos me u pre me thikë dhe në fund bakllavaja e pakrahasueshme me çdo gja që kishte hanger në jetën e vet, thotë autori me emnin Lekë,  pra shqiptar dhe kristian…Hana, grueja e tij, ‘e bëshme e që duhet të ketë qenë sevdalie’, shton  me humor, si gjithnji tregimtari). – pyeti të pranishmit për familjen Cukali. Vetëm nji profesor me sa duket tha diçka që i kujtoi dramen ‘Rinoceronti’ të Joneskut . ‘Të vdekurit janë bërë më shumë se të gjallët’. Kërkoni në agjencinë funerale. Katolikë kane mbetë pak, tha dikush.

    E mandej prap batuta: “besoj se isha njeriu i vetëm në botë që nisej me kaq gëzim drejt varrezave”. Asht dita që gjen vendin se në cilën parcelë ishte vorrosë nji farë Cukali. Bare , K, 11-14-28. K do të thonte katolikë. Madje bani edhe nji foto atje dhe e nxori në fb.

    Shkrimtari asht kurjoz për historinë e Sarajevës. Por tregon vetëm ata aspekte që janë të veçanta, kurjoze. Ai tregon se  Hasref Beu që ndërtoi Kullen e sahatit, medrezen, bibliotekën, hamamin, bezistanin, ishte varrosë ne harem. Ai vëren në atë qytet njerëz të ngeshem si në Shkodër. Ndoshta pak ma të ngadaltë. Shprehja ‘Nxitoni ngadalë’, asht parulla e pashkruar e sarajevasve.

    …Esmaja lajmëron se të zotët e shtëpisë po i sjellin skrivaninë… Por në linjen poshtë udhetimi në autokolonën austriake në terheqje vazhdon.

    xxx

    Pesëshja Cukali (e dy brezave ma parë) vazhdon udhëtimin. Por ka nji të papritun. Asht shoferi që ka marrë komandën. E këtu nji reflektim i shkrimtarit, kësaj herë serjoz, që krahason austriakët në terheqje me austriakët që i kishin dhanë kaq shumë Shkodrës dhe vendit.

    Mbasi zbriti orkestra dhe fëmijët panë se dora e trupi mund të lëvizin, shoferi, ju drejtue Nanës: ‘Do t’ju ndali në vendbanimin ma të parë’. Fatmirësisht ishte Sarajeva. Kështu shpetuen dhe napolonat e arit që nana donte me i dhanë shoferit që duhet të na çonte në Austri.

    Tregon fëmia:

    ‘Kur arritëm në Sarajevë na u duk vehtja ma të rritun. Nana gjatë dy javëve kishte humbë nga feminiliteti i saj e ngjante me nji hyzmeqare fshati e jo zonjë qyteti. Nana filloi të lutej. Edhe unë sajova nji lutje. ‘

    Ishim pesë qyqarë të ulun e të shtrimë në nji trotuar, kur ndaloi makina e zotit Blum. Na pyeti në shumë gjuhë, deri sa nana ju pergjgj italisht, dhe kështu ai u muer vesht me nanën që na i përkthente të gjitha. Shkurt nana na spjegoi se zotni Blum donte t‘i takonte në shtëpinë e tij të nesërmen në mjesditë, mbasi ai kishte marrë vesht se çfarë kerkonte: punë çfarëdo, por të nderëshme.

    Por ishim të palarë. Duhet të laheshim. Duhet të kishte  të pakten nji lum. Në Shkodër kemi tre… Zoti kishte falë ujë e ajr për të gjithë…mendova (flet si i madh fëmia). Nana ndezi zjarr dhe u thamë. Të gjithë dukeshim të tjerë. Motra ma e rritun.

    Jeta në jerevinë e familjes Blum që kishte tre vajza, asht nji histori në vete. Nji histori ku nana i bani me luejtë mendësh me gjellët që gatuente e për mbajtjen e shtëpisë. Të katër fëmijët rriteshin, ashtu si fëmia tregimtar që ishte e dashurue me njenën prej dy vajzave të familjes hebreje Blum, pa e dijtë kerkush…Motra arriti në maturë e shkonte shumë mirë me mësime. Madje fitoi edhe nji bursë.

    xxx

    Në linjen tjetër, në ate investigative për familjen Cukali -se për krijimtari as që bahej fjalë- shkrimtari pson nji zhgenjim. Në messenger nji vajzë nga Holanda, me emnin Ana, i thotë se pse kishte dalë në foto tek varri i familjes së saj. Por edhe pse emnat e vëllezerve binjakë Luka e Gaspri koencidonin, koencidonin e kaq, mendonte ajo. Fliste edhe për nji kangëtare me famë, gja që nuk kishim pasë pasë në familje. Shkrimtari nxjerr konkluzionin se po të kishte qenë gjerman o anglez, Ana Cukali do të kërkonte ta zgjaste muhabetin. Zoran Cukali ishte i fundit që kishte vdekë nga familja Cukali. Vetëm kaq.

     Por herë herë bahej kurjoz. Çuditej se si aeroporti me vetëm pak të huej, kishte vetëm 13/14 fluturime në dite. Pranon ftesën e Esmasë me pa nji opera në Teatrin e Sarajevës. Dhe njihet me historinë e Bashkisë, që kishte shpetue pa u hedhë në erë nga austriakët, nga nji shqiptar i quejtun Nush, i kthyem në Nushiç, natyrisht…

    Shikon fasadat e mureve të zhbirueme nga plumbat, në atë luftë të pakuptimtë vëllavrasëse. Vetëm me ata vrima, mendonte shkrimtari, mund të shkrueje  nji tragjedi…

    E herë herë thotë:

    ‘Unë përhumbem e shoh aeroportin në sproporcion me vendet arabe edhe pse jemi afer qendrës së Europës… Nuk marr pergjgije për Cukali… Dal e eci bri lumit. aty ku studenti serb Gavrilo Princip shtiu mbi çiftin perandorak austro-hungarez. Mica rrugës…’, përfundon përshtypjet shkrimtari në disa shenime.                                                                  

    xxx

    Siç thamë, linja poshtë, në kohë, ecë vertetë paralelisht, por e përshpejtueme. Jemi në Beograd. Po, në Beograd. Kemi vendosë me e përcjellë me tren motren, të gjithë ne. Ajo   shkon në Paris me ndjekë studimet e nalta.

    Përcjellim motren me trenin Orient Ekspres. Nana asht e veshun mirë. Duhet vetem te qeshnim kur të ndaheshim me motren, – ishte porosia e Nanës.

    Jemi në nji kabinë luksoze. Motra kishte kapë per beli nanen e nuk e leshonte…

    Atë natë askush nuk fjeti. Luka e Gaspri nuk kishin humbë kohë. Atë ditë kishin gjetë punë përmes nji gazete. Madje me telefon ishin marrë vesht që të fillonin punën nesër. Por në vende të ndryshme. Po pse kjo i duhej thanë nanës pikrisht në ditën që motra do të shkonte  në Francë? Nana më shterngonte dorën, si të donte të sigurohej se unë nuk do ta braktisja.

    Në Beograd pamë pak Shqipni. E para herë që nana qau, por motra nuk ja pau lotët e saj. Ishte në udhëtim. Pamë në Beograd Rrugën e Durrësit, Rrugën  Skenderbeg, Rrugën e Prizrendit deri tek Rruga e Esat Pashës; ‘atij ja marrtë dreqi shpirtin’, lëshoi namën për herë të parë nana… Porositëm supë dhe krap Danubi. Po nuk ishte kërkund me krapin e Shkodrës.

    Nanës i pregatita mengjesin, ashtu si i pelqente asaj, – thotë tashma jo fëmia, por i riu tregimtar. Vitet kalonin.

    xxx

    Në linjen e siperme shkrimtari asht i shqetësuem. Nji leter anonime e futur nën derën e tij i thotë se Besa merr fund mbas 24 orëve. ‘Lekë Cukali keni 24 orë besë. Besa jonë merr fund. Miqtë e Amarcord’. Amarcord? Pse të shqetesohem. Keqkuptim? Zorani i vramë e Amarkordi ç’hyn në punë. Mbush valixhen, e dij se jam shkrimtar, por ndoshta dhe jo…Kush jam, Im atë… Ai më ka lanë porosi që ja kam krye. Edhe varrin e kam gjetë. ‘Besa merr fund’. Po ky asht neni i Kanuni shqiptar. Ç’hyn këtu.

    Neni i Njiqindenjizetedytë.  Besa.

    E gjithë kjo në nji ditë prilli që gdhiu e bardhë e me nji të ftohtë të papritun. Në nji ditë kur në Sarajevë shkrimtari i shqetësuem nuk mundi të gjej edhe nji shall të trashë burrash…

    xxx

    -Tashti që mbeta pa fëmijë, më duket vetja se jam edhe pa atdhe, i tha nana zotit Blum. Hera e parë që foli për atdheun. Ja tha nji hebreu që nuk e kishte parë atdheun e tij kurrë. “Për cilin atdhe e ke fjalën ? Për ate qe nuk të siguroj buken?

    Zoti Blum pati frike se e teproi. ‘Atdheu asht ai qe të siguron jetën, jo vdekjen’.

    Nana mbante në dorë mbante letrat e Lukës dhe Gasprit.

    xxx

    Kur më mbërthen frika trupi im nis e sforcohet për t’u mobilizue….per t’i dhanë përgjigje nji rreziku potencial. Duke kthye në shtëpi ju shmanga Amarcordit. U shmanga pa e kuptuar hiç se ç’më duhej mua kjo punë. Tim eti ja gjeta rrënjët. Natë pa gjumë.

    Shkrimtari e braktisë apartamentin. Nji gjysë ore asht larg stacioni i autobusave. Shkrimtari  kishte braktisë apartamentin e rezidencës së tij letrare. Kishte frikë të merrte taksi, ku mund të ishin ata. Ata që kishin shkrue atë letër kërcnuese.

    ‘Më del përpara autobusi: Podgoricë…Mbeshteti kryet tek hekuri i karrigës para. Nuk due te shoh anash. Shoh kuq të semaforëve e ma në fund të gjelbër‘.

    xxx

    Zoti Blum asht i shqetësuem. Para ka nji grumbull gazetash. Kishim festue dy herë Vitin e Ri 1941. Nji herë në shtator hebraikun dhe tashti…Bosnja Hercegovina ranë nën pushtimin Kroat kuisling nazist. U shfaqen ustashët me antisemitizmin e tyne; me ndjekjen e hebrejve, serbeve e romëve.

    Për herë të parë Nana e ndërpreu zotin Blum, madje edhe me nji za të premë: ‘Ju duhet të shkoni në Shqipni, zoti Blum!‘

    Shqipëri?, tha e habitun mbas nji heshtje të gjatë, zoja Blum.

    -Do ju shoqnojnë Mikeli (dhe shikoj nga unë). Shtëpinë e ruej unë…

    -Kush na siguron se nuk na deportojnë.

    -Besa, i tha nana. E ja spejgoi punën gjatë, deri tek kanuni…Miku nuk dorëzohet tek askush. Ai asht që urdhnon në shtëpiat tona…

    xxx

    Gjithkund Ballkani njilloj. Rrugë që ndjekin lumejt… Lugina, shkurre e në sfond male me borë. Shoh fytyra të qeta, por jo të gëzueme e jo të rrezikshme. Shoferi lajmëron të vetmen ndalesë e unë due të shkoj ne banjë me nxjerrë gjithë sikletet nji nga nji…Nji njeri del nga baja e unë hyj. Dal dhe e kerkoj. Me ngjet. Unë jam i pasigurtë, jam unë, por dyshoj. Ai asht i qetë…

    xxx

    Do të udhëtonin drejt jugut me makinen e Blumit, nji Mercesdes Benz e viti 1938, pra mjaft e re.  Tre vende para e tre mbrapa. Nana më thirri dhe me futi ndër rroba pistoleten e dikurshme. Edhe 6 fishekë. Më puthi në ballë e më bani shejin e kryqit. Vetëm për vetmbrojtje. Ma mirë mos me e përdorë. Zoja Asher filloi te lutej. Tre bidonë me benzinë në bagazhë. Tre e natës u nisëm.

    E mandej në roman do të ndodhë gjiththça që asht e paparashikueme, por shumë e pasun me ngjarje. Si duket autori e ka lanë këte fund me tregue se kush janë shqiptarët; por pa bujë e pa krenari; të tregojë madje krejt thjeshtë historinë e besimeve në Shqipni e Kanunin. Pa nene, por me shembuj konkretë. Pa asnji deklaratë, por vetëm me atë ngjarje të gjetun e të ngjeshun të atij udhëtimi, të asaj nate e në atë kullë të lashtë 400 vjeçare.

     xxx

    Por mos të harrojmë shkrimtarin që po kthehet në Shqipni. Po përsërisim fjalinë e fundit që ku e kishim lanë.

    …Nji njeri del nga baja e unë hyj. Dal dhe e kerkoj. Me ngjet. Unë jam i pasigurtë, jam unë, por dyshoj. Ai asht i qetë…

    -Po shkoj të takoj nanën, më thot. E kemi lanë në Sarajevë. E ti?

    -Unë po kthehem në Shkodër, i them. Sa mirë që u takuam këtu. Ështe mirë kur takohesh në vende të ndërmjeme. Por nuk po e kuptoj mirë, vazhdoj unë, në çfarë kohë jemi?

    -He pra, as unë nuk po e marr vesht se në ç’kohë jemi.

    Në ç’kohë?

    Këte herë dy linjat e fugës përfundojnë në unison.

    xxx           

    E kjo kuptohet duke lexue romanin ‘Saga e Srajevës‘, nji roman modern, me formë e rrëfim origjinal, që asht edhe plot informacion esencial kulturor, historik e sociologjik. Urime!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË