More
    KreuLetërsiBibliotekëXhevair Lleshi: Ekstaza somnambulike e të lexuarit

    Xhevair Lleshi: Ekstaza somnambulike e të lexuarit

    – Sa të çuditshëm, apo jo? – belbëzon lexuesi, shumë i kënaqur. Gati-gati fluturon me personazhet e romanit në qiellin e shtatë. – Në fillim m’u dukën figura së prapthi… Shiko, ja, atë trupmadhin atje, nuk do të doja kurrë të më dilte përpara krejt e vetëm, diku në fund të një pylli.

    Mirëpo tjetri përballë i tregoi një shokun e tij, tharë si në tym, dikur një shitës librash, nuk dukej kurrë si produkt mode. Ishte një shtatvogël, i cili me siguri i kishte fituar dy a tre milionë në allishverishet e këtyre viteve të fundit. Të krijonte përshtypjen e një burri delikat, gjithnjë i rrethuar me njerëz që e respektonin dhe që kurdoherë fliste me buzën në gaz, kurse ndjekësit nuk i ndaheshin, pasi i qe ndezur dëshira e tërbuar për të shuar kureshtjen e tyre, pasi vinte re se kërshëria rreth librave, në kohërat kur librat e donin, s’u ndahej nga sytë. 

    Lexuesi, që dukej i tillë, prej një shenje të largët me librin, prej një lëvizjeje të kokës, i tregoi edhe një tjetër grumbullues librash, prej të mërguarve shqiptarë, të cilin merrnin guximin dhe e thërrisnin në telefon për të ditur shitjet ekzakte. Pikërisht këta janë nën trysninë e ekstazës somnambulike të të lexuarit, ngaqë nuk e mbrojnë dot as librin, as optimizmin e tij, entuziazmin që të ngjall. Ky ishte tipik një nga lexuesit e dikurshëm, një shtatmadh, edhe ky, me shpatullat sa të një demi. Tani që ai përpiqej ta kërkonte fatin dhe pasurinë e tij te garat e rrëfimit të leximeve, me fonde ku origjina vështirë se përcaktohej ngase qe e dyshimtë, mundohej ta nxiste atë nëpërmjet librave që i tregtonte te bishti i urave të Lanës, duke i ngarkuar leximet e tij të fshehta dhe se i trajtonte gjithmonë si një të shtëpisë, si njeri të besuar, nga i cili nuk ka pse të fshihesh. Gjithsesi, edhe në këto kushte, ky njeri kish humbur njëra pas tjetrës shuma jo të vogla parash dhe se akoma luante atë ditë kartën e tij të fundit, me sytë e përgjakur, të prishur nga apopleksia, duke e fshehur me lezet fundin e fatit të heronjve të romanit që mbante përpara… Jo, ai njeri as dinte dhe as donte t’ia dinte për fatin e librave, as edhe të personazheve të tij.

    Kundërshtari i tij, në urën tjetër të Lanës, hollaku, nuk merrte vesh fare dhe nuk kuptonte asnjë fjalë nga pëshpëritjet e dërdëngut shtatmadh e me shpatulla demi. Ai ndihej shumë i acaruar, por që gjithmonë ia hapte zemrën menjëherë tjetrit, sidomos kur gjendeshin përpara sallave të leximit, ku prej kohe nuk shkelte njeri me këmbë, ndoshta ngaqë aty mungonte zakonisht ai që duhej, libri…

    Por hollaku bënte të pamundurën të hynte i pari në sallën e leximit të lagjes. Salla, një hapësirë e ngushtë, me tavan të ulët, si e bllokuar nga një derë e madhe dhe dukej më shumë si një sallë dhuratash në një stacion ndanë rruge.

    Dërdëngu ndjeu edhe një tjetër zhgënjim; pasi aty kish parafytyruar një hapësirë të gjerë, me një aparaturë monumentale për peshimin e librave. Skaneri i përmbajtjes? Inteligjenca artificiale? Po jo! Aty peshoheshin vetëm mendjet! E pra, s’ia vlente të çaje kokën për ta parë! Tek “peshorja” e mendjes, një lexues, me pamje idiote, me librat që i arrinin deri te gjunjët e tij, priste edhe një burrë tjetër i bëshëm që bënte matjet e peshës së tij; ndërkohë, një nga ata djemtë e hallkut, tek dera, që mbanin sytë te makineria, rreth së cilës mblidheshin kureshtarë, të heshtur e të menduar, duke vërejtur sa zgjaste ekstaza somnambulike e të lexuarit. Kësaj dhe i trembeshin. Sepse ajo përcaktonte se kush lejohej të hynte nga ura e Lanës tek salla e leximit…

    Mirëpo gjithnjë qe momenti i duhur: salla e leximit sa hapej ashtu edhe mbyllej. Ishte momenti që salla hapej dhe po ashtu, salla mbyllej. do të mbyllej.

    Dikush i thoshte shokut të tij se duhet të nxitonte, ndërkohë që sytë i venin tek një zotëri i imët, të cilin donte t’ia tregonte kujtdo prej të njohurve. Zotëria hollak ishte gjithnjë duke biseduar me një zotëri lexues, nga ata të thekurit, që s’u pushon goja, pak si mënjanë.

    – Ah! Ai qenka! Ai që më hipën mua…, – tha një lexuese me të qeshur.

    Por asaj, lexueses, ç’është e vërteta, iu duk goxha i shëmtuar. Të gjithë lexuesit e librave kishin fytyrë budallai; kjo, padyshim, ngaqë nuk i lejonin të rriteshin, të zmadhoheshin, mendonte vëzhguesja e hollë. Ja, ai, një burrë tek të dyzetat, dukej si një fëmijë i rritur, i plakur, i tharë, me një fytyrë të gjatë e të hollë, të gërryer nga rrudhat, si një fytyrë e vdekur. Trupi i qe aq me nyje, aq i zvogëluar, saqë kostumi i modës me mëngë të gjera blu, e me të bardha te mëngët, dukej si i hedhur mbi një copë druri.

    Përsëri një turmë me njerëz ishte grumbulluar tek hyrja e ndaluar e sallës së leximit, në “sheshin” e secilës bari i lagur e i shkelur, kish ndërruar ngjyrën, nga i gjelbër ishte kthyer në të zi, përpara dy tabelave me të dhëna, në ca shtylla gize që nga koha e regjimit komunist, turma shtyhej, duke ngritur kokën e duke pritur mes një zallahie çdo numër ISBN libri, që një fije elektrike, e lidhur me sallën e leximit, e bënte të shfaqej. Disa zotërinj shënonin mbi ca programe: Viti Nëntëdhjetetre, Krim e ndëshkim, Madamë Bovari, Një jetë, Lufta dhe Paqja, Stefan Zweig dhe novelat e tij, e tërhequr fort por që sido, shkaktonte një lloj zhurme.

    Nga ana tjetër, e varur në boshtin e flamurit tonë kombëtar, kumbonte me ngulm që sheshi të zbrazej sa më parë.

    – Ah! more vogëlushë, – tha gruaja e lezetshme, lexuesja zë-ngjirur, duke u ngjitur në shkallë, – ç’punë koti qenka ajo salla e leximit!

    Ajo do të kishte dashur të gjente një mënyrë të pranueshme, sepse ishte gjithmonë e mirë me të tjerët dhe mërzitej shumë kur lëndonte ndonjë prej atyre që e dëgjonin; aq më tepër që ai qe burrë që ia dridhte e shoqja, mendim ky që e prekte dhe e tërhiqte një si në libra…

    Salla e leximit duket se qe zhytur në kolltuk, fytyrë përgjumur dhe me gjymtyrët që i ndjente të këputur. Ajo ia bëri “po”, me një lëvizje të kokës.

    Dhe më pas po i vështronte, serioze, me një lloj lëmshi në kokë, duke i mëshuar njërës këmbë, ashtu e ulur midis rrobave të rrudhosura paksa, si dhe duke mbajtur njërën nga këmbët e saj të zhveshura mes duarve duke i lëvizur andej-këtej.

    – Ah!… Librat janë me dashuri, vrasje, intrigë, luftë, paqe, mashtrim; me se?

    Dërdëngu s’foli. Pastaj me një pamje të bezdisur: – Ti e di që të kam lutur të mos flasim asnjëherë për këto gjëra.

    – Ou! Po përse? – thirri lexuesja, që me sa duket nuk e priti mirë këtë mënyrë dhe u mërzit pak. – Unë s’kam për të t’i ngrënë librat, sigurisht, thjesht, po të flas për to… I dashur, të gjitha gratë njëlloj janë…

    Por u përmbajt, nga frika se mos po fliste tepër, ndaj mori një pamje kryelartë, superiore, e kënaqur me mendimin e saj se ishte shumë e mirë. Ky burrë i gjorë, duhej trajtuar me respekt. Nga ana tjetër, asaj i shkrepi një ide e këndshme që e bëri të vinte buzën në gaz, duke e parë me vëmendje. Pastaj tha:

    – Eh, nuk ta kam treguar historinë që “Lufta dhe Paja” ka përhapur për “Idiotin” e Dostojevskit… Ç’nepërkë që është! Nuk dua ta shaj për këtë, meqë artikulli i tij mund ta meritojë këtë gjë; por ja që është nepërkë, gjithsesi.

    Dhe, duke qeshur edhe më fort, e la këmbën e saj dhe rrëshqiti e vajti drejt tij, duke mbështetur gjoksin tek gjuri i lexuesit numër një, hollakut të rrezikshëm. Pikërisht atij që vetëm zhapa i kish mbetur.

    – Pa mendoje pak, ai betohet se ti ishe i paprishur ende, kur ende s’kishe lexuar një libër… Hë? E kishe akoma?…Virgjërinë?… Është e vërtetë?

    Ajo e nxiste më vështrim, i çonte duart deri tek supet e tij dhe e lëvizte për ta bërë që të rrëfehej, që të shuante kureshtjen e saj.

    – Padyshim, – u përgjigj më së fundi ai, me një ton të rëndë.

    Salla më parë u mbyll se u hap. Atëherë ajo përplasi sërish këmbët e saj, nga një e qeshur e çmendur, duke belbëzuar dhe goditur lehtë me shuplakë.

    – Jo, e pamundur… e çuditshme… vetëm ty mund të ndodhë kjo, je fenomen… Mirëpo, i dashuri im i gjorë, libri, duhet të jetë dukur qesharak e krejt i marrë! Kur një burrë nuk di ta bëjë atë punë, domethënë kur nuk di asgjë, natën e parë, s’di çfarë emri t’i vësh… Ah, sa do desha t’ju shikoja! Pa hë, si shkoi, mirë? Më trego pak, oh, të lutem, më trego! Jo, jo krejt subjektin. Libri mbetet pa kripë pastaj.

    Lexuesja e mençur, duke shtrirë duart përpara si somnambul, qe gati ta bombardonte me pyetje, rreth librit që lexonte, duke e pyetur për gjithçka, rreth brendisë, personazheve e duke i kërkuar edhe hollësitë më të imëta. Dhe shkulej së qeshuri, me ca shpërthime të papritura që e bënin të përdridhej, këmisha t’i rrëshqiste prej supeve dhe t’i zbulonte lëkurën e praruar nga drita e perëndimit të diellit në fasadat, ndërkohë që hollaku, pak e nga pak, po linte mënjanë ndrojtjen dhe po i rrëfente natën e tij të parë të martesës. Ja, për këtë bënte fjalë libri. Libri me somnambulë. Shikoji si i ke varg e vistër nga ora tre e natës deri në të gdhirë.

    Hollaku nuk ndiente më asnjë lloj shqetësimi, madje kishte filluar të argëtohej disi, teksa fliste e tregonte për librat. Ç’lexonte dhe dinte ajo, duhej me patjetër ta merrte vesh gjithë bota… Vetëm se ai i zgjidhte fjalët, pasi ende s’qe çliruar plotësisht nga droja apo turpi. Kështu që e përfundoi rrëfimin e tij sipas shprehjes që iu duk më e përshtatshme.

    Lexuesja e re, e gjallëruar tashmë, zuri ta pyeste për të shoqen, e cila vërtet ishte një krijesë e mrekullueshme, por, për çka dëshironte ai, ajo ishte ftohtësia vetë, një akullnajë e vërtetë. – Oh, po ti nuk ke arsye pse të jesh xheloze, – tha ai.

    Dërdëngu kishte pushuar së qeshuri. Zuri vendin e tij të mëparshëm, dhe, te gjunjët (shkallët e sallës së leximit!) që i kishte lidhur me të dyja duart, mbështeti mjekrën.

    Pastaj serioz, tha: – E dashur, s’është aspak mirë të kesh fytyrë humbamenoje para librit, sidomos natën e parë.

    – Përse? – pyeti hollaku i habitur. 

    – Sepse…, – tha lexuesja ngadalë, me pamjen e një profesoreshe pedante.

    Ajo tundte kokën, jepte e merrte, gjersa më në fund, denjoi t’ia thoshte troç gjërat:

    – Më dëgjo, unë e di mirë si ndodh kjo… Kështu, pra! Femrat nuk duan të duken budallaçka. Ato nuk thonë gjë, sepse është punë turpi, ti e kupton… Atyre s’u pëlqejnë aspak meshkujt naivë…leshkot, të jesh i sigurt për këtë. Ato mendojnë gjatë, nuk e harrojnë kurrë. Kështu që, herët a vonë, nuk i dihet kësaj pune: kur s’marrin atë që duan, ato rregullohen vetë, gjetiu… Ja, kjo është e gjitha, ujku im…

    Ai dukej se nuk e mori vesh mirë këtë mesele, prandaj ajo u detyrua t’ia saktësonte edhe më tej. Nuk i mungonte një lloj dhembshurie mëmësore teksa i jepte me dashamirësi këtë mësim delikat e intim. Qëkurse mësoi se në libra tradhtoheshin burrat dhe gratë, kjo e fshehtë e acaronte dhe ajo kishte një dëshirë të çmendur të fliste me lexuesin e parë të mundshëm për këtë, për pozitën e tij.

    – O Zot i madh! Po të flas për gjëra që nuk më përkasin… Ajo që dua të të them për këtë është se të gjithë duhet të jenë të kënaqur me librat… Thjesht, muhabet, po bëjmë apo jo? Hajde, pra, m’u përgjigjni me sinqeritet.

    Por ajo e ndërpreu fjalën që të ndërronte pozicionin e ndenjjes së saj. Po ndiente t’i digjeshin shpatullat.

    – He? Shumë nxehtë, më duket, sikur po më piqet kurrizi… Prit pak, sa të pjek ca edhe barkun… Të bën mirë kur ke dhimbje.

    Dhe, pasi u kthye, me gjinjtë drejt zjarrit të diellit në perëndim dhe këmbët e mbledhura nën kofshë, tha: – Pa hë, ti nuk fle më me gruan tënde?

    – Jo, të betohem, – tha hollaku, duke iu trembur ndonjë skene të papëlqyer.

    – Dhe ti beson se ajo është një copë druri? 

    Ai u përgjigj në mënyrë pohuese, duke ulur mjekrën.

    – Dhe për këtë arsye ti më do mua?… M’u përgjigj, pra! Nuk do të zemërohem.

    Ai pohoi me të njëjtën mënyrë.

    – Shumë mirë! – e mbylli gruaja e zemëruar me librat dhe me veten.. – Nuk isha e sigurt për këtë. Ah! more i gjorë! E njeh emtën time? Kur të vijë, bëje të të tregojë historinë e pemëshitësit që banon përballë saj…

    Imagjinoje pak atë pemëshitës në ekstazën e somnambujve… Ta marrë djalli! Na dogji ky zjarr dashurie. Po sikur të kthehem pak që tani të pjek anën e majtë… 

    Duke i treguar këllqet zjarrit, një gallatë i erdhi në mendje duke e krahasuar veten e saj me një lloj kafshe të urtë e të mirë, e kënaqur që dukej e shëndetshme dhe e trëndafiltë, nën refleksin e zjarrit të madh të perëndimit. Stina e djegies së pyjeve!…

    – Hë? Mos po të dukem si ndonjë patë… Oh! Ashtu është, s’e luan topi.. si një patë në hell, madje… Kthehu andej e ktheu këtej. Vërtet, që po piqem nën lëngun tim.

    Dhe zuri të qeshte me gjithë shpirt, ndërkohë që u dëgjuan zëra dhe zhurma dyersh që përplaseshin. Somnambujt e mallkuar!

    Hollaku, zhapë e lëkurë, ku një shpirt i hynte dhe një i dilte, i habitur, e pyeti me një vështrim se ç’ishte ajo që po dëgjonin…

    – Hiç! Po mbyllej muaji i letërsisë dhe leximeve!

    – Thjesht nuk e dija kalendarin. Por, sidoqoftë ti mos u merr më me somnambujt!

    Tiranë, më 23 tetor 2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË