More
    KreuIn memoriamEnver Kushi: Tri kronika për Kadarenë dhe amaneti i nënës nga Çamëria

    Enver Kushi: Tri kronika për Kadarenë dhe amaneti i nënës nga Çamëria

    KRONIKË NGA GJIROKASTRA

    Ismail Kadare, shkrimtari ynë më i madh andej dhe këtej kohërave, dha frymën e fundit në një spital të Tiranës, në të hyrë të ditës së hënë, pra me 1 korrik të këtij viti. Ata që do të shkruajnë kronikën, do të jenë të saktë. Shumë të saktë, duke përmendur edhe sesi ishte qielli i atij mëngjesi në kryeqytetin e shqipëtarëve, se kur kishte lindur dielli atë ditë dhe a kishte re apo mjegull në majën e Dajtit apo shpateve të tij. Dhe ndoshta sa ishin të vdekurit e atij mëngjesi, si dhe të lindurit në dy spitalet e lindjes së Tiranës. Me siguri kronikanët e jetës së tij, për ta bërë më të plotë kronikën për ikjen e Kadaresë do të mbështeten edhe në të dhëna të tjera, shkruar nga ndonjë koleg i tyre nga Gjirokastra.

    Kjo kronikë është shkruar dhe për këtë më foli shkrimtari Thanas Dino, i cili, duke zbatuar zakonin e vjetër të gjirokastritëve erdhi në Tiranë bashkë me Rinën, bashkëshorten e tij, për të ngushëlluar Helenën, ditën e tretë, kur Kadareja kishte marë dhé. Thanasi, teksa po hanim drekë në një lokal pranë sheshit “Avni Rustemi”, më tha se e kishte lexuar kronikën në fjalë dhe kur unë i thashë se do të shkruaja për Kadarenë, pa u menduar shtoi: “E kam mik atë dhe do t’i them që ta dërgojë dorazi me nipin e tij”.

    Ajo është shkruar në një letër të zverdhur nga koha, me penë dhe bojë të zezë e kaligrafi si të normalistëve të Elbasanit. Në letrën shoqëruese, shkruar  me të njejtën kaligrafi, ai mes të tjerash më lutet që të mos e përmend emrin e tij, as edhe moshën. Nuk e di sa vjeç jam, por ndoshta mund të jem me moshën e  pllakës së gurit që gjishi im e vuri në shkallaren poshtë, kur linda ‘u. Ato që kam shkruar, mi kthe me nipin, pasi t’i kesh hedhur në kartën tënde. Është e fundit kronikë që kam shkruar për rahmetllarët e Gjirokastrës. Kadareja është më i madhi i qitetit tim. Më i madhi i kombin tënë. Prej vitesh pres të shkoj nga kjo botë, miku im nga Epiri. U pafshim në atë botë!

    “U, banor i sokakut të marrëve në Gjirokastër dhe shkrues i kronikave për ikjen nga kjo jetë të bashkëqytetarëve të mi me emër të madh dëshmoj, se korriku në të hirë, kur e hëna po vinte dhe sapo nata po e lëshonte ditën me një mugëtirë në shkim, në ëndërr më erdhi një zë, ngrihesha e të hapja penxherenë e odasë miqve. Ashtu bëra. Hodha sitë jashtë. Asnjë kurm njeriu në kalldrëm. Hodha edhe një herë sitë djathtas, ku vjen një si kthesë... M’u bë sikur ndjeva këmbë njeriu, shkelnin si për mos zgjuar gurët e sokakut. Vura dorën në ballë e zgjata kokën jashtë penxheresë… Dëgjova prap këmbë njeriu, por nuk shihja kurmin e tij. Pastaj… Ah pastaj m’u bë se ishte zëri i Kadaresë, që vinte nga poshtë, atje ku ishin gurët e kalldrëmtë. U’ dëshmoj se e dëgjova atë zë, që vinte nga poshtë penxheresë. “Jam unë. Kurmin e kam lënë në Tiranë. Këtu shkel si hije, për t’i dhënë lamtumirën qytetit tim të lindjes. Ju nuk më shihni dhe unë eci si hije sikur kam frikë të zgjoj shpinën e kalldrëmtë të Gjirokastrës. . . Erdha prapë pas një kohe të gjatë qytetin gri të pavdekshëm. Gurë kalldrëmesh që më njohët. Në qytete të huaja, duke ecur nëpër bulevarde të gjera dhe plot drita, më ka qëlluar shpesh të më pengohen këmbët atje ku s’pengohet asnjeri. Kalimtarët kthenin kokën të heshtur, por unë e dija, ishit ju. Ju dilnit papritur nga asfalti dhe  pastaj fundoseshit prapë në thellësi të tij.

    Rruga. Sterma. Shtëpia e vjetër. Trarët, dyshemetë, parvazët e saj kërcisnin lehtë, fare lehtë me një kërcitje të vazhdueshme, monotone. Ç’ke, ç’të dhemb? Dukej sikur ajo ankohej që i dhembnin kockat dhe gjymtyrët shekullorë.

    Gjyshe Selfixhe, Xhexho, hallë Xhemo, nënëmadhe, kako Pino… Ato s’janë më. Por udhëkryqeve nëpër qoshe muresh kam parë ca hije të njohura, ca si tipare, hije mollëzash e sysh. Ato janë atje, të përjetshme, të ngrira në gur, bashkë me shenjat që kanë lënë sipër tyre tërmetet, dimrat apo rrebeshët njerëzorë… Po vi edhe unë mesh jush, i ngrirë në përjetësi, në gurët e qytetit tim të çuditshëm, ndoshta më i pjerrëti në botë, që i kishte thyer të gjitha ligjet e arkitekturës dhe urbanistikës. . . “

    Dëshmoj se kështu foli Kadareja, teksa bëra t’i flas, fjalët më mbenë në grikë. Sa ishte ora? Ajo kishte mbetur me akrepat e ngrirë, sikur të ishte një kohë pa kohë, ose si për të më thënë: ”Mbylle kronikën tënde këtu dhe prit të shkosh edhe ti në një kohë tjetër tek të shumtët në varret poshtë qytetit, që i thomi Vasilikua”.

    Dhe pastaj së largu pashë një dritë, që u ngrit nga sokaku i të marrëve, kaloi mbi çatitë e shtëpive të mbuluara me pllaka guri ngjyrë gri dhe pasi qëndroi mbi kala, bëri tutje, tutje, tutje. Ishte korriku në të hirë, java në të hirë dhe data 1 e muajit të shtatë të vitit 2024, kur hodha në letër kronikën time të fundit për burrin që i dha emër Gjirokastrës”.

    KRONIKË NGA TIRANA DHE AMANETI I NËNËS NGA ÇAMËRIA

    Në Tiranë e hëna e 1 korrikut nisi më freskët, pas përvëlimit të dy ditëve të fundit të qershorit. Të shtunën fola me Thanas Dinon, mik i vjetër dhe prozator i njohur në letrat shqipe. Na përvëloi moji qershor, tha ai, duke theksuar fjalën “moji” që e përdorin në Gjirokastër, por edhe në Çamërinë time. Si është Ismaili, e pyeta unë. E ndjen përvëlimin e Tiranës, tha Thanasi. Fola me Helenën. Të hënën do shkojnë në vilën e tyre në Qerret. Atje është më freskët, se vila është mes pishave dhe pranë detit. Kaq më tha Thanasi, ndërsa unë e porosita të kufizonte lëvizjet, se i nxehti nuk i bën mirë, pas lëngatës që ka kaluar vite më parë…

    Isha në zyrën time në Kryegjyshatë Botërore, ku kolegia ime Sotirulla Hoxha, edhe ajo gjirokastrite më dha lajmin e kobshëm për vdekjen e Kadaresë. Mos është lajm i rremë, thashë unë … Nuk ka mundësi…  Thanas Dino të shtunën më tha se Ismaili dhe Helena sot do niseshin që herët për në bregdet,

    se … Fatkeqesisht lajmi është i vërtetë, tha ajo.

    I ngritur në këmbë lëviza nëpër zyrë e më pas dola në hollin e Muzeut të Bektashizmit. Doja të merja Bujar Hudhrin, por ndërrova mëndje se ai do të ishte shumë i ngarkuar jo vetëm emocionalisht. . . Mora në telefon  Thanasin dhe  pas disa sekondave dëgjova zërin e tij të pikëlluar. “Veri ! Lajmi është i vërtetë. Na iku edhe Ismaili. . . Na iku . . . “ Dhe më pas i dërgova një sms ngushëllimi Bujar Hudhrit, ku mes të tjerash i shkrova se  pas familjes, ty dhe vetëm ty, si botues  i veprës së Kadaresë, por edhe që i ke qëndruar pranë si askush tjetër atij, të takon ngushëllimi për këtë humbje të madhe. Kur vdiq Naimi, Çajupi shkroi elegjinë e njohur. Me vdekjen e Kadaresë, kush i mbeti Shqipërisë më i madh se ai? Do t’i duhen shekuj që vendit tonë të vogël t’i vi një gjeni si Kadareja. Ngushëllime Bujar, miku i madh i Kadaresë së pavdekshëm, e mbyllja tekstin e shkurtër të sms.

              Erdhi e marta fillimisht me qiellin gri dhe  nga mesdita me shi të qetë, shumë të qetë në Tiranë. Të martën pasdite vonë i telefonoj Sefedin Çelës. I them që si ish studentë të Kadaresë, të takoheshim në orën 10 te shkallët pranë librarisë “Adrion” e më pas të shkonim grup për homazhe në Teatrin e Operas dhe Baletit. E dija, se Sefedini ka vite që nuk është mirë me shëndet dhe e prisja përgjigjen e tij për pamundësinë e ardhjes. Pastaj mora poeten Vllasova Musta, Ylli Bajraktari . . . Dhe me datë 3 korrik në vendin e caktuar u takuam me Yllin, Parime Puton, Timo Luton dhe Ahmet Shqarrin. Vllasova kishte një ftesë tjetër për orën 11.30, në ceremoninë shtetërore. Dhe teksa po bëheshim gati të shkonim për homazhe dëgjova një zë të njohur, që kisha vite pa e dëgjuar. Ktheva kokën dhe shtanga, kur pashë Zonjën nga Parga, jo atë të novelës time, por një zonjë tjetër. Zëri i saj është i veçantë, me një timbër melodioz, sikur fjalët i shoqëron me ca nota muzikore apo të mbështjella me erërat e buta dhe dallgët lozonjare të detit Jon. Kam njohur shumë zonja çame me këtë të folur, por  Zonja nga Parga me emrin  Liri e ka ndryshe, shumë më ndryshe të folurën e saj. Jo vetëm kaq. Çdo fjalë e shoqëron me ca lëvizje delikate të duarve, sikur t’i dirigjonte ato. Ajo m’u hodh në qafë e gëzuar që po më takonte pas disa vitesh. E vështrova edhe një herë portretin e saj, fytyrën që m’u duk më e plakur, sytë e zgjuar dhe vështrimin e butë të tyre. . . Nuk e prisja takimin këtu me të, kur po bëheshim gati të shkonim në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit për t’i bërë nderimet e fundit Kadaresë. . .

    E dija të vdekur  Zonjën nga Parga. Muaj më parë kisha takuar një çam nga Margëlliçi, që e njihte Zonjën nga Parga dhe kur e pyeta nëse e kishte parë, më tha se mund të kishte vdekur nga covidi e se . . . Ja. Tani ajo ishte  këtu, duke folur e folur me zërin melodioz, si të dallgëve të detit të qytetit të saj, Pargës. Kush të solli këtu, gati sa nuk e pyeta. Nga bota e përtejme ke ardhur? Apo mos ke ardhur nga Tempulli i  Nekromatisë, jo larg Pargës, në një kodrinë pranë grykëderdhjes në det të lumit Akeron, atje ku mund të flasësh me shpirtrat e të parëve të tu? Unë kam qenë atje dhe kur zbrita në tempull, më hynë të drithura nga emocionet, teksa i thirra shpirtit të gjyshërve të mi dhe nënës e babait tim. Mos të sollën këtu kuajt e Akilit? Ku i le kuajt e Akilit? A vazhdojnë të qajnë ata, si në poezinë e Kavafis, përkthyer aq bukur nga Kadareja? Silli këtu zonjë fisnike nga Parga! Silli këtu kuajt të qajnë vdekjen e Kadaresë. Dhe m’u kujtuan befas vargjet e fundit të kësaj kryevepre botërore!

               Por dy fisnikët kuaj prap lotonin.

    Mbi veprën e pandreqshme më, të vdekjes.

    Fjalët që më tha më pas për nënën e saj, amanetin që ajo kishte lënë për Kadarenë dhe se kishte ardhur në këtë ceremoni mortore për t’i dhënë një mandile (shami) Helenës, i dëgjova si në jerm. Zonja nga Parga hapi një çantë të vogël dhe prej saj nxori mandilen e nusë së saj (çamët nënës i thonë nu). E mora në duar mandilen. Kishte ngjyrë bezhë dhe ishte e qëndisur. E ka qëndisur nuja ima, tha ajo. E mbante në gji këtë mandile. Merri erë Enver. Merri erë. E hapa mandilen, duke vështruar qëndizmat e bukura të nusë së saj. Dhe i mora erë. Nuk do ta harroj kurrë atë aromë. Mbante një aromë të veçantë nënash çame. Mbante aromë Çamërie. Do ja dhuroj Helenës. E kam amanet nga nuja ime për Ismail Kadarenë. Mbaj mend se kur i lexova nusë parathënien e Kadaresë në librin “Këngë popullore nga Çamëria”, mbledhur nga Fatos Mero Rrapaj, ajo ka klarë. Se Kadareja me atë parathënie, na rikthen dinjitetin ne çamëve. Më kupton Enver? Nuja para se të vdisje  më tha:” Bila ime. Këtë mandile dhuroja ka u’djalthit tim, Ismail Kadaresë”.

    Pastaj Zonja nga Parga, pasi futi të palosur mandilen në çantën e vogël, u nis për te hyrja e Teatrit të Operas dhe Belatit për të nderuar Kadarenë dhe çuar në vend amanetin e nusë së saj.

    RRËFIMI  I  KADARESË

    Isha fëmijë, kur karvanët e refugjatëve çamë u dukën për herë të parë në xhadenë përpara Gjirokastrës. Nga shtëpia jonë dukej krejtësisht rruga automobilistike dhe ishte hera e  parë dhe e vetme në jetën time që po shikoja shpërnguljen e një populli. Gjyshja ime, me orë të tëra, ndiqte me dylbi vargun e refugjatëve, pjesa më e madhe e të cilit vazhdonte udhën drejt Veriut. Ajo përsëriste vazhdimisht “të zestë çamë, të zestë ata”. Herë pas  here m’i kalonte dylbitë. Pamja që më pëplasej si dallgë në fytyrë ishte e padurueshme. Një ecje e ngadaltë, e pafund, burra, fëmijë, pleq dhe gra, shumë gra, shumica të ngarkuara me bohçe, ose me djepe foshnjash. Kjo vazhdoi shumë ditë dhe në të gjitha shtëpitë e Gjirokastrës, nuk flitej veç për çamët e ndjekur. Flitej për masakrat, shtëpitë që nxirrnin shkrumb dhe për ullishtat e Vlorës dhe viset e tjera të Shqipërisë dhe emra të panjohur për mua, drejt të cilëve çamët po shkonin të vendoseshin. Isha fëmijë dhe nuk kisha asnjë ide të gjeografisë. Në fëmini, Shqipëria  më  qe dukur gjithmonë e madhe, por tani, që ajo po mbushej me çamët dhe dhëmbjen e tyre, në përfytyrimin tim bëhej edhe më e shtrirë, edhe më e madhe.

    (Nga intervista me shkrimtarin Ismail Kadare, dhënë Bashkim Kuçukut dhe botuar në gazetën “Çamëria- vatra amtare”, më 26 korrik 1992)

    KRONIKA E FUNDIT: U’ SITË MBILLA

    Është e njëjta ditë e 3 korrikut. Eci në mesoren e rrugës së Kavajës, nën hijen e kumbullave të kuqe, gjethet e të cilave kanë një ngjyrë mes të kuqes dhe ndryshkut. Shohë herë pas here orën . . . Tashmë kortezhi ndoshta është duke iu afruar varrezave të Tufinës, që janë në ca kodra të buta e të mbrojtura nga hija e malit të Dajtit. Dhe më erdhi ndërmend një tekst i shkëlqyer i Kadares te “Ftesë në studio”, ku shkruan për Gjirokastrën, ku pothuajse çdo shtëpi kishte orën e qarjes, ku kujtoheshin të ikurit. Doja të merja Thanas Dinon në telefon për ta pyetur nëse ndonjë shtëpi gjirokastrite kishte orën e qarjes për Kadarenë, birin e këtij qyteti. . .

    Ku po e çoni Kadarenë në këtë mesditë me diell korriku? Ai ishte nisur për në Vasilikua. Kështu e quanin varrezën e qytetit plakat gjirokastrite. Eh, siç  duket jam nisur për në Vasilikua, thoshin plakat midis dy psherëtimave, shkruan Kadare. Mos u mërzit se do vete në Vasilikua. Do të shihemi në Vasilikua. Ishin fraza aq të zakonshme në jetën e përditshme, saqë, në fëmininë e hershme unë kujtoja se një pjesë e njerëzve shkonin vetë atje, me këmbët e tyre dhe  pastaj sesi u ndodhte që mbeteshin midis luleve e s’ktheheshin më.

    Tashmë ishte Ismail Kadareja që po shkonte jo në Vasilikuan e qytetlindjes së tij, por në Vasilikuan e Tiranës. Dhe ndoshta Helena, duke e ditur zakonin e gjirokastritëve, që në arkivol u vinin edhe dylbitë, do të ketë vënë në arkivolin e Kadaresë dylbitë e gjyshes së tij. Ndoshta mendoj. Ndoshta. . .  Ai po shkonte në Vasilikua pas një jete të gjatë dhe shumë të trazuar, si shkrimtar “që i përket një race të veçantë” dhe që sytë e tij “që janë më tejshikues se thjerrëzat e Galileut e që dallojnë tmerre e mrekullira, që asnjë sy njerëzor s’i ka parë, e herë janë me të verbër se vështrimi i  rapsodëve”.

    Kadare tashmë “është shumë i lodhur për t’u shpjeguar, se për një njëmijë e pesëqind vjeçar të gjitha këto janë qesharake”. Ç’të thotë? Se barra e letërsisë ka qenë tepër e rëndë dhe plotësisht e mjaftë për ta kërrusur përgjithmonë? T’u thotë se “shi për këtë e për asgjë tjetër kishte ardhur në këtë botë: të ruante tempullin. Ai zhurmës së tyre (për fat të keq u ndje edhe në ditët e zisë për të), së shumti nuk u  përgjigjet, por kur qëllon që ata “kapërcejnë çdo kufi, si murgjit e dikurshëm që përballë sulmit të Satanait nxirrnin kryqin, ai u nxjerr kalendarin e tij të dytë”. Në kalendarin e dytë, shkruan Kadare, ka tjetër qiell dhe të tjerë stinë. Edhe brenga dhe lodhja, atje janë të tjetër përmase. Ndërrohet ujët në det e ti duhet të jesh po ai. Ndryshken thonjtë e tigrave, verbohen shqiponjat, dhe ti prapë je po ai. Një mërzi prej Agasfari të kap dhe ndoshta vjen një ditë, që edhe ti si ai t’i lutesh Zotit të të japë pushimin. Nëse mëkati i të shkruarit gjykohet më i madh se ai i  Agasfarit, prapëseprapë edhe për të do të ketë një afat, sepse edhe ti si gjithë bota, ke nevojë një ditë të pushosh. . .

    Kadare ka shkuar për të pushuar përgjithmonë, por ka lënë pas veprën e tij të madhe, që sa herë të lexohet nga brezat, ai do të vi, duke lënë pushimet e për të kuvenduar nëpërmjet veprës së tij.

    Bëj tutje rrugës së Kavajës dhe mëndja më shkon te Zonja nga Parga dhe amanetin e nusë (nënës) të saj për Kadarenë. Dhe më vinë ndërmend ca vargje brilante nga çami Niko Stylo, studiues i mirënjohur, gjetur në një gurë varri në Paramithi jo shumë larg nga Parga e zonjës. Ato janë gdhendur në latinisht dhe  i përkasin shek.V pas Krishtit.

           U’sitë mbilla.

           Pres

           Teksa hi në rrotullimin e diellit

           Gjithnjë pa rënkuar

     Tiranë, korrik 2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË