More
    KreuLetërsiShënime mbi libraValbona Quku: Letra te nji dashunije qe nuk pranon me u...

    Valbona Quku: Letra te nji dashunije qe nuk pranon me u fani’ (rrafshu)

    Botimi i tretë i librit “Letra grues seme të vdekun” nga Gjovalin Gjadri, i përkthyem nga Ardian Ndreca vjen me autoritet dhe vetëdije për vendin që mbart në letrat shqiptare e sidomos në lamijen ku flitet mbi figurën e grues. Në kopertinën e radhës kemi Zejnepin e thjesht, të ambël e konfidente të cilës edhe pse nuk ja shohim sytë, ja ndijmë dashuninë që i rrezaton prej tanesisë së trupit dhe shpirtit. Aq e fortë asht kjo ndjesi sa len shenj e na shoqnon në të gjitha fletët pasardhëse. Gjithashtu portreti i Gjovalinit na shfaqet intelektual, perfeksionist me nji hije të lehtë trishtimi pse e dashuna e zemrës mundet me jetu vetëm mbrenda e jo përkrah tij, siç ai do të dëshironte.

    “Letrat e Gjovalin Gjadrit- nji himn dashunie” shenjon me të drejtë përkthyesi. Nëse lexuesi arrin me pa përtej trishtimit në historinë e Zejnepit dhe Gjovalinit, të mbushet zemra prej bukurisë që reflekton relacioni i tyne në ditët e para te dashunisë dhe në vazhdim gjatë viteve të jetës së tyne të shkurt bashkëshortore. 

    “ çdo çast do të doja me rendë te ti, pse tek ti ndihem e lirë prej gjithçkahes dhe e sigurtë.” shkruen Zejnepi në letrat e para të korrespondencës së tyne.

    “Dojshe me vjeftë për ty, me qenë për ty bashkëshorti ma i mire i mundshëm” shkruen mbas vdekjes së Zejnepit, Gjovalini “ti ishe grueja jeme, tek e cila dashunia dhe kënaqësia ishin shkri në njena -tjetrën e mbi to fitonte dashunia.”

    Edhe kur Zejnepi nuk asht ma, Gjovalini i vetëm e mban të gjallë tempullin e shenjtë që ato bashkë kishin kriju me aq përkushtim, sakrifica e dashuni. Ai shkrun i dëshpëruem në kërkim të nji dialogu mes tij dhe grues së vdekun, në mes trishtimit dhe dashunise, në mes jetës dhe vdekjes ai mundohet me kuptu filozofinë dhe domethanien e ekzistencës. Inxhinier Gjadri na jep shembullin e nji burri të plotsuem sidomos nga ana sentimentale, ai asht i sinqertë me veten e tij për dashuninë e respektin që ka ndaj grues dhe vlerës së saj të pazëvendësueshme, gja që e ban dhimjen e tij tragjike, për mos me thanë fatale. Ai shkruen duke dasht me i thur himn të dashunës së tij, por në fakt asht ai personazhi kryesor i librit duke na pru nji figurë të papreçedente të burrit shqiptar, intelektual, konfident dhe të përvujtun në ndjenjat e tija të dashunisë superiore ndaj shoqes së jetës që sapo e kishte humb.

    “ Nuk kisha turp prej lotëve, pse krenija m’i kishte lanë të lira” shkruen bashkëshorti i dëshpëruem.

    A vlen me e përjetu nji dashuni nëse nji ditë ajo do të kthehet në tragjedi? Përgjigja e vetme asht, gjithnji e në  çdo rast “Po”. Apo si shkruan më poshtë autorja amerikane Hillary Staton Zunin:

    “Rrezikon me humb kur dashunon, e humbja paguhet me trishtim, por dhimbja e trishtimit asht vetëm nji hije kur krahasohet me dhimbjen e atij që asnjiherë nuk rrezikon me dasht.”

    Në vitin 1943 libri botohet për herë të parë në gjuhën gjermane. Preferenca e autorit për me mbet në nji rreth të ngushtë lexuesish shihet edhe nga numri i pakët i kopjeve të botueme. Duke e nda librin me njerëzit e tij ma të afërt, Gjovalini mundohet me rijetu dashuninë e tij me Zejnepin në nji tjetër dimension. Duke shkrue letrat e tij plot me dhimbje ai ka ndërtue nji skelet imagjinar të dashunis së tij gërshetuar me fijet e dhimbjes së pashmangshme mbi të cilin ai mbështetet me sy mbyll, skelet i cili e lejon me jetue mes jetës dhe vdekjes pa pasë arsye me u largu asnji  çast nga e dashuna e tij.

    “Më fal e dashun nëse letrat e mija s’mund t’i shkruej aq hijshëm sa e meriton kujtimi yt i shtrenjtë”

    “ Unë due si ather kur ishe gjallë me perëndue pafund mbas tejet, e mandej me vdekë pa gajle për me të pa përsëri”

    “ Ti m’a ke mbush jetën plot, unë isha shumë krenar për ty”

    Gjovalini dhe Zejnepi janë protagonistët e nji histori dashunije plot pasion që mbart me vete problematikat dhe risitë e viteve ’30, lufta, mentaliteti, tuberkulozi dhe jeta e tyne larg banalitetit dhe të zakonshmes. Dy të rinj nga shtresa të ndryshme shoqnore por me edukim të njajtë perëndimor, të dy të shkolluem në Vjenë takohen në Tiranë. Zejnepi vjen nga nji familje e pasun myslimane, e bija e Abdi bej Toptanit. Gjovalini vjen nga nji familje e thjeshtë shkodrane, katolike. Dashunija e tyne ishte e mbushun me respekt e vlerësim, siç shkruen Gjovalini: “nuk kishim asnji mik ma të mirë se njeni-tjetrin”

    Jeta e përbashkët e krijueme si nji oaz dashunije e rrethueme me plagët dhe trandafilat e rilindjes, sa e bukur aq edhe e dhimbshme vjen në një tabllo me lot e buzëqeshje pafund ashtu si vetëm dashunitë e mëdhaja munden me kenë.

    Mes të tjerash të ban për vete mënyra e paqtë e diskursit mes tyne, Zejnepi shkruen:

    “Dhe shporre ma në fund ndjenjën e inferioritetit, pse asht krejt e kotë. Nji njeri si ti do të duhej me qëndru në të vërtetë përmbi atë ndjenjë”

    “Mos më ban ma keq, të lutem, me fjalët e tua, sepse un kam me të dasht gjithmonë, nesër njilloj si sot”

    “Un s’jam aspak si një princeshë, pa dasht me lëvdue veten, ndoshta un jam ma e zonja se të tjerat”

    “Ta kam besue krejtësisht veten ty! A do të mund të jesh i mirë me mue? Ti ke me m’dasht fort edhe si gruen tande, i dashun, apo jo?

    Gjovalini vijon:

    “Engjëlli jem! Tri herë e kam lexue letrën tande. E kam puthë. Do ta lexoj shpesh këtë letër. Un të mbaj tash e mbrapa ma fort si shejtneshë  sesa si nusen teme.”

    “T’u luta me heqë dorë prej martesës sonë, pse nuk e shihja të mundun nji jetë plotësisht të vlefshme përkrah tejet”

    “Në gjëndjen e rrezikut ma të madh mendoja ma shume për ty dhe ma pak për vdekjen.”

    “Këto janë letrat që ti me shkrueje. Kur i lexoj mund të këlthisja prej dhimbjes e dashun, kaq shumë efekt kanë për mue fjalët tueja.”

    Inxhinier Gjadri, intelektuali i suksesshëm me nji formim perëndimor, me nji përkatsi tek shkencat e sakta në nji moment të jetës së tij humb shoqen e jetës, humb familjen për të cilën aq fort ishte përpjek.  Bashkë me humbjen e tyne ai humb një pjesë të mirë të identitetit të tij. Përpëlitjet me gjetë përgjigje për të keqen që i kishte ndodh, në nji botë të padrejtë dhe cinike, ku fundi i greminës u shfaqte si parajsa e vetme e unit të tij të sfilitun, dështojnë njena mbas tjetrës. Në fillim ai fajëson veten dhe Zejnepin, pastaj familjen e Zejnepit, mjekët italian, luftën e në fund edhe Zotin. Duke dialogu me Zejnepin nepërmjet letrave që shkruen ai i prek prej afër të gjitha plagët e tij, gja që e torturon dhe e ngushëllon në të njajtën kohë, si një i sëmurë randë që don me i ba keq vetes, duke e afru fundin e pashmangshëm. Inxhinier Gjadri në mes të tundimit me i dhanë fund dhimjes së tij apo me ba atë çka duhej, dorëzohet para vullnetit të Zotit dhe kujtimit të së dashunës që e shtynte me vazhdu jetën dhe me përmbush detyrën e tij ndaj djalit të mitun. Gjovalini i lodhun shprehet me delikates ndaj kujtimit të Zejnepit:

    “Shpirti jem nuk ka sundue ma fort mbi landën si n’atë cast kur kujtonte se po humb qënjen tande të dashun, hijeshinë tande dhe lumnine që solli martesa”

    “Kurgja nuk lakmon ma shumë njeriu në këtë botë sesa lumninë tokësore.”

    “I çarmatosun e i pambrojtun i je dorëzue Zotit, fliste zemra jeme.”

    “Para se të mendoj për hakmarrjen, un kam ndjekë të bukurën tande. Due me e shku jetën ndershmënisht, tue dashunue të bukurën dhe tue dashtë të mirën.”

    “Pikëllimi ka tre kërkesa, me gjetë fjalët për humbjen, me i thanë me za të naltë dhe me u ndigju prej të tjerëve” shkruen Viktoria Aleksander.

    Kjo vepër krejt mirë mundet me shërbye si “manual” i relacioneve sentimentale dhe atyne bashkëshortore, duke i dhanë lexuesit madhështinë e nji dashunije me të gjitha ngjyrat e saj. Me stilin e drejtpërdrejtë dhe trajtimin avangard të marrëdhanieve mes një çifti të dashunuem apo të nji familje të sapoformueme, kjo vepër na jep mundësinë me analizu problematika jo shpesh të diskutueme në aktualitetin shqiptar.

    Përkthimi në gegnisht nga Ardian Ndreca i ka dhanë origjinalitetin e merituem kësaj vepre autentike. Me gegnishten e përditsume që tingëllon e freskët dhe konfidente për vlerat që sjell, libri ka mujt me arrit potencialin e tij të plotë.

    Me dëshirën e mirë që libri me u kujtue për dashunin e bukur të Zejnepit dhe Gjovalinit mundena me citue Dr. Seus

    “Mos qaj për humbjen, buzëqesh pse ndodhi”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË