More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMinella Aleksi: Historia si metaforë e jetës te “Këpuca e Aktorit”

    Minella Aleksi: Historia si metaforë e jetës te “Këpuca e Aktorit”

    Në jetën e shkrimtarit një libër i ri është një event. Duket që shkrimtari Visar Zhiti ka qënë prodhimtar dekada e fundit. Libri “Këpuca e aktorit” për të cilin shprehim opinionet tona sot është një roman ku kronika historike dhe imagjinata trilluese e autorit ngërthejnë një shekull histori që u korespondojnë brezit paraardhës të autorit, atij vetë dhe brezit pasardhës. Mendoj se kemi të bëjmë me kompozim të një trilogjie ku përfshihen tre harqe historish brenda një harku të përgjithshëm tregimi, gjë që i ka mundësuar autorit që të tregoj ndodhira të shumta duke përdorur të njëjtat personazhe në të njëjtën atmosferë shoqërore.

    Megjithëse libri ka një përmasë autobiografike të konsiderueshme, autori me ndihmën e imagjinatës i kthen përvojat jetësore në vlera artistike, sepse e pasuron dhe e lëviz tekstin në nivel emocional. Lexuesi që e njeh prozën e shkrimtarit Visar Zhiti konstaton se edhe në këtë vepër ai operon me simbolin. Dhe natyrshëm pyetja më e parë do të ishte: çfarë përfaqëson imazhi i këpucës në libër? Këpuca në shumë mënyra mund të konsiderohet një simbol qytetërues për njerëzimin – kafshët nuk veshin këpucë. Këpuca ka qënë gjithmonë një simbol që përcjell statusin shoqëror, shijen, stilin dhe madhësinë e portofolit të atij që e mbath. Në libër përcillet si detaj artistik që shoqëron aktorin. Metafora e këpucës së vjedhur apo të humbur është historia e Shqipërisë e cila sa herë ka nisur udhëtimet e saj krahas vëndeve të tjera është gjëndur me një këmbë zbathur. Prandaj udhëtimet e saj kanë qënë gjithmonë raskapitëse, të përgjakura dhe shumë herë të pa finalizuara në destinacionet e synuara. Kjo linjë përjetohet emocionalisht në libër si motivi që ka sjellë në skenë teatrin dhe aktorët të cilët janë aty “për të prishur qetësinë tronditëse”, kanë qënë dhe do të jenë si metronom i shoqërisë, mekanizmi që kontrollon, përmirëson dhe influencon performancën në shoqëri. E me një këpucë mbathur aktori si mesazher na ndihmon të kuptojmë  më shumë për rolin e skenës teatrore si qëndër kulturore e angazhimit qytetar. Autori jo pak herë i referohet teatrit antik grek me arsyen se në Greqinë antike, sado i madh apo i vogël, çdo qytet kishte teatrin e vet, ku nëpërmjet aktorve tashmë pa maska në skenë, luheshin drama që në thelb kishin çështjet më të rëndësishme të ditës, moralin qytetar, krenarinë e tejskajshme të udhehqesve në pushtet, vetbesimin e tyre të tepruar, verbërinë e tyre që, si Edipi mbret edhe pse me shikim normal mund të zgjedhin të jenë të verbër ndaj së vërtetës dhe realitetit. Loja në teatrot greke e romake ishte një mënyrë për të eksploruar natyrën njerëzore dhe hetuar botën në të cilën jetonin.

    Ndodhitë zhvillohen në kohë të ndryshme por në të njëjtën skenë teatrore. Vërtetë ngjarjet përfshijnë tre breza njerëzorë por përfshijnë gjithashtu edhe sjelljen e tyre në raport me kohën ose brezin të cilit i përkasin. Shikojmë dhe kuptojmë qëndrimin e tyre moral përpara kërkesave të kohës kur jetojnë. Sepse në fund të fundit historia është metaforë për jetën dhe jeta jetohet në kohë. Ekzistojnë dy elementë kryesorë si forca lëvizëse  e kësaj trilogjie: karakteret dhe komploti  i frakturuar, ku mendoj se më shumë mbizotërojnë karakteret. Duke mos qënë mirëfilli trillim me një komplot në përparim presonazhi kryesor në secilën histori tematizohet dhe karakterizohet nga qëndrueshmëria  e vlerave të personalitetit dhe integritetit përballë sfidave ku e vendos jeta. Ndrësa tregimet e fragmentuara mund të përjetohen si tregime lineare të treguara në mënyrë jolineare. E kristalizuar në një histori koherente  me tre pjesë brenda një skene të madhe shoqërore, shkrimtari i jep shtysa tensionit nëpërmjet mbushjes me episode dhe mundësi digresioni.

    Në libër personazhet hyjnë dhe luajë në teatrin e jetës me bagazhin e përvojave të tyre të përditëshme, të zgjedhjeve të suksesshme por dhe të dështimeve, të fajeve dhe të pendimeve, të fatkeqësive dhe gëzimeve, të lodhjeve, të konflikteve dhe tragjedive, sa brenda familjes aq edhe në shoqëri. Toni i konflikit  të personazhit me veten  dhe i konfliktit të tij në raportet me shoqërinë  ndjehet i fortë dhe në shumë mënyra është tutkalli që e mban unike si histori, e bën atë intriguese. Historia ka dëshmuar se me teatrin antik grek njerëzimi nisi dhe Perëndimi vazhdoi rrugën drejt qytetërimit si një proçes pa fund i çlirimit të njeriut nga njerëzit.

    Herë herë gjatë këtij rrugëtimi të çlirimit të njeriut nga njerëzit zemrat e tyre hapen dhe angshtia e shpirtit lirohet. Autori është përpjekur që të injektojë ambiguitet në diskutimet, në dialogjet dhe reflektimet e tyre për mbrapshtitë  dhe konfliktet brenda shoqërisë, për fatkeqësitë që u vijnë në jetë dhe të njerëzve që i ushqejnë ato. Kjo bën që imagjinata e lexuesit të nxitet në drejtim të pyetjeve që iniciohen nga këto ambiguitete dhe të thellohet në impresione kuptimore. Dinamika me emocione në rritje bën që gjërat të fillojnë të ndodhin në mendjen e lexuesit. Thuhet dhe shpesh pohoet nga shkrimtarët se pothuajse të gjithë autorët  triller kanë si motiv, diku të shprehur e diku të maskuar periudhën e rritjes, të formimit të personalitetit, kalimin nga fëmijëria në pjekuri. Në libër ndesh sensacionet, ekzaltimet dhe vibrimet e pritshmërive gjatë kalimit nga fëmijëra në pjekuri, shoqëruar këto me zhvillime psikologjikisht traumatizuese e përjetime zhgënjimesh. Pa ngurim mund të thuash se gjen iluzionet e humbura dhe zhgënjimet që të papriturat e jetës i kanë rezervuar personazheve që luajnë në teatrin e gjeneratës së tyre. Kështu ndodh me personazhin e Moisiut dhe Hektorit më pas, përmes rrugës së gjatë e të vështirë për njohjen e vetes dhe zgjedhjes që bëjnë në raport me ngjarjet kapitale të gjeneratës së tyre. Historitë e tyre vijnë si tekste të pasura të mendimit të thellë dhe të shprehjes me figura artistike. Për lexuesin është intriguese mënyra se si përshkruhet në tre breza shoqëria shqiptare nga këndvështrimi i ndryshëm ose bindës i dikujt tjetër, shkrimtarit në këtë rast. Libri në fjalë të prezanton me karaktere, përvoja e të cilëve krahasuar me atë të lexuesit ka qenë e ndryshme nga e tija. Është në stilin e këtij autori përdorimi i shpeshtë i pyetjeve retorike, të cilat shprehin ose nënkuptojnë shumë qartë një mesazh ose përcjellin një kuptim të drejtpërdrejtë. Vlerë thelbësore e këtij stili janë qartësia, shkurtësia në të shprehur dhe sinqeriteti. Kjo mënyrë të shprehuri në libër qëndron dhe ndihmohet nga  tekste të shkurtëra, të fragmentarizuara, si kalime nga një atmosferë emocionale e një grupi shoqëror që ndikon ose sinkronizohet me atmosferën emocionale të një individi. Herë herë mbingarkesa me pyetjet retorike e komprometon shijen e mirë artistike.

    Në libër shohim që të gërshetohen përshkrime historish dhe figurave historike reale me histori dhe personazhe të trilluara. Në këto “nyje kalimtare gërshetuese”  ose ndërlidhëse do i quaja, çfaqet te lexuesi ndjesia e një disbalance të raportit konflikt-tension. Sepse figurat reale historike të përshkruara në detaje kohë më parë nga historiografia lexuesit nuk i japin ose më saktë i humbasin interesin. Pse? Sepse s’përmbajnë mister, njihen me detaje, janë zhbiruar prej kohësh, nuk ndihmojnë në investimin emocional të lexuesit, janë tërësisht mbi sipërfaqe. Për pasojë ndodh e kundërta me definicionin që citohet të ketë thënë një shkrimtar nobelist se:“dinjiteti i lëvizjes së një ajsbergu është për shkak se vetëm një e teta e tij është mbi ujë”.Të lënë përshtypjen sikur autori në këto momente i mundëson lexuesit një pauz çtensionuese. Mbasi tensioni është në rritje, i ushqyer mirë prej konfliktit të ngjarjes. Me fjalë të tjera instiktivisht leximi ndalet për t’a filluar pas 1-2 ditësh. Prandaj tensioni që e përshkon një histori në roman krahasohet me një rrymë elektrike. Sa më e dobët të jetë rryma elektrike, aq më pak tension tek lexuesit transmeton një histori. Duke lexuar librin “Këpuca e aktorit” instiktivisht mëndja më solli në imagjinatë atë çfarë ndodhi në fillim të luftës në Bosnjë. Goditjet e para të artilerisë sërbe shkatërruan Bibliotekën e Sarajevës me një arsye që ndjekin zakonisht pushtuesit, si një përpjekje për të zhdukur dy gjëra identitare; kujtesën historike dhe atë kulturore të boshnjakëve. E solla këtë episod sepse në këtë roman si edhe në krijimtarinë e mëpërparshme të Visar Zhitit dallohet një konstante: theksi te kujtesa kulturore dhe lidhja me identitetin individual dhe shoqëror në historinë e vendit. Kështu, kujtesa historike çfaqet si një mjet për të mbrojtur të kaluarën kundër veprimit gërryes të kohës. Ndjehet zëri i brendshëm i autorit që kërkon të japë mesazhin se, nëse dikush kontrollon të tashmen, e kaluara gjithashtu vihet nën kontroll, dhe nëse dikush kontrollon të kaluarën, e ardhmja gjithashtu vihet nën kontroll.

    Në hyrje të këtyre mendimeve thashë që autori i referohet shpesh vlerave morale të teatrit antik grek. Këto vlera janë sot po ato të përpara 2 mijë vjetësh, rrahin të dëshmojnë raportin me të vërtetën, guximin, vetkontrollin, krenarinë e tepruar boshe, madhështinë, nderin, helmin e konformizmit, gënjeshtrën, vetbesimin e tepruar, hipokrizinë.

    E sjell në dukje këtë aspekt sepse gjatë leximit të librit “Këpuca e aktorit” më përshkonte ndjesia se shkrimtari është ballafaquar në libër me këto vlera në çdo hap të kësaj metafore të madhe të jetës dhe ka bërë më të mirën e tij.

    Çdo lexues zgjedh të lexoj shkrimtarin që i duket se rezonon me shijet e tija letrare dhe me librin përpara është në pritje të udhëtimit për në botën imagjinative të trilluar nga shkrimtari. Shkrimtari komunikon me lexuesin në një frekuencë të caktuar e cila përputhet ose jo me frekuencën e mendimeve të lexuesit.  Ndoshta lexuesi dhe shkrimtari nuk bëjnë jehonë te njëri tjetri. Në një vështrim të ngushtë ky nuk është as dështimi i lexuesit dhe as i shkrimtarit. Sepse çdonjëri lexues akordohet në frekuenca të ndryshme të kuptimit dhe të komunikimit me një vepër letrare. Krijimtaria në art, siç të gjithë mendohet se e dinë, është një biznes domosdoshmërisht krejt subjektiv. Letërsia është një det i gjerë dhe i pafund krijimi, popullariteti dhe emocionesh shumë të fuqishme, diku shumë të thella e diku më të cekta. çdo njeri pavarësisht nga “rreziqet”, zgjedh të lundrojë në hapsirën që i plotëson kënaqsitë koresponduese në përputhje me pasionet, shijet vetjake. Çdonjëri në të drejtën e vet. Prandaj thuhet që është lexuesi ai që i jep shkrimtarit mundësinë për të jetuar ëndrrën e vet dhe për pasojë çdo shkrimtar ka audiencën e vet.

    Të krijosh një vepër letrare je gjithmonë midis një shtytjeje dhe tërheqjeje të asaj që artisti ka në kokën e tij dhe asaj që në fakt krijon. Kjo bëhet shkak që të thuhet se një artist nuk mund të krijojë kurrë diçka më të madhe nga ajo që mund të imagjinojë. Të gjithë duan të arrijnë pikën e 100% të shkëlqyer, jo 90%,  aq më pak 50%. Çdo artist synon të krijojë veprën e përsosur artistike. Prandaj “Perfekt” do të thotë pa asnjë lloj të mete, asgjë më shumë për të shtuar apo hequr dhe ku gjithçka është vetëm 100% e shkëlqyer. Mendoj se nuk ka një shifër fikse të vlerësimit të një vepre letrare, por ka një diapazon vlerash brenda të cilave mbetet vlerësimi i përafërt. Dikush mund të më thotë, dakord, më thuaj se brenda kujt raporti qndron vlerësimi yt? Hë… mundem, bazuar në mesazhet e teatrit antik grek për raportin e njeriut me të vërtetën, pa e spërkatur gjykimin me “helmin” e konformizmit, në mbrojtje të shijes letrare nga efekti korroziv i kompromentimit korruptiv. Gjykimi im është: vlerë  75% – 85% shkallë përsosmërie. Por ka një element tjetër për të cilin mund të flas me siguri 100%.. Them se duhet të ketë qënë shkrimtar i mirë dhe me profesion mjek ai që ka thënë se: “Kënaqësia e shkrimit është e krahasueshme vetëm me kënaqësinë e shërimit”. Tani besoj se shkrimtari Zhiti ndjehet i shëruar dhe librit i uroj mbarësi në rrugën për te lexuesi me besim se lexues të tjerë mund të japin shifra më të larta përsosmërie ose më të ulta. Shpresoj që shkrimtari pas një farë kohe “të sëmuret” në mënyrë që nëpërmjet shkrimit, pa ndihmën e mjekut të përjetojë shërimin e radhës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË