Si të rrëfesh një histori për luftën, emigrimin dhe identitetin, kur krijesa e vetme që të dëgjon është një mace që flet e nuk ndalet së thëni të vërtetën? Në romanin “My Cat Yugoslavia”, realiteti shpërbëhet si flamuri i një shteti që nuk ekziston më, e në vend të tij ngrihen kujtimet, kafshët që flasin dhe të kaluarat që nuk duan të qëndrojnë të varrosura. Një roman i plumbtë, i ngurtë dhe i zymtë për vetminë, dëshpërimin dhe fantazmat e një atdheu që nuk e ka pranuar kurrë njeriun e vet. Nuk është veç historia e një djali dhe e nënës së tij, por një reflektim i ftohtë për boshllëkun që lind kur njeriu mbetet i përjashtuar nga çdo hapësirë ku pretendohet të ndihet i pranuar, qoftë në shtëpinë e fëmijërisë, në trupin e vet, në gjuhën e nënës, apo në marrëdhëniet që kërkon për të mbajtur shpirtin gjallë. Macja që shfaqet në këtë roman është një shenjë e mjegullt, një simbol i një marrëdhënieje të krisur, ku gërshetohen fantazia, historia dhe realiteti, duke e lënë lexuesin të përhumbur mes konfuzionit dhe frikës së pafundme.
Nga Kosova në Helsinki, por kurrë në shtëpi
Romani i Statovcit është një thikë me dy tehe: në njërën anë qëndron Emineja, një vajzë kosovare, e dhunuar, e shtypur, e martuar pa dashuri; ndërsa në anën tjetër, Bekimi, djali i saj i rritur, i cili jeton në Finlandë, mes refuzimit të gjithçkaje që ka trashëguar dhe zbrazëtisë që nuk mbushet as me seks, as me mace, as me kujtime.
Dy rrëfime që rrjedhin paralelisht dhe nuk takohen asnjëherë, sepse ngjarjet e Eminesë nuk trajtohen veç si mirazhe të historisë së nënës së Bekimit, por shtjellohen si një udhë e verbër e një epoke që Bekimi nuk mund ta kapërdijë dot, por as ta fshijë. Thellë-thellë, Bekimi është një krijesë që nuk e duron veten, sepse s’ka ditur kurrë ta ndërtojë një identitet që i pëlqen e që e përmbush; i përjashtuar si shqiptar, i përjashtuar si homoseksual, i përjashtuar edhe nga vetë macja me të cilën fle. Nga ana tjetër, Emineja, dikur vajzë e vogël e plot ëndrra, kalon një kalvar, të rrahur shpesh në kulturën shqiptare, ku është gjithçka, përveçse bashkëshorte me një fije lumturie.
Kur njerëzit më pyesin për emrin, zakonisht u them të vërtetin, por ndodh shpesh të them që quhem Majkëll, Xhon, Albert ose Henri, se kështu shmang pyetjen tjetër: nga je?

Macja që flet
Po ç’është kjo mace që flet? Një gjitar i mbrapshtë? Një alegori? Një dashnor? Një diktator? Është gjithçka dhe asgjë në të njëjtën kohë. Është një zë që flet në mënyrë mizore, që tall dhe urdhëron, që bën seks dhe ngjall neveri, që përçmon gjithçka të Bekimit, qoftë tipar, fjalë apo veprim. Është një dhuratë e helmuar: një mace e stilit kafkian, që del nga askundi dhe përbën gjithçka të errët që gjen te vetja.
Në fakt, është si një pasqyrë e atij që urren origjinën, trupin, të kaluarën; një formë magjike e vetëhomofobisë, vetëurrejtjes, vetëshkatërrimit, e zhveshur nga çdo ngushëllim fantastik; një projektim i brendshëm, i shpërfytyruar, i kafshëruar nga dëshira dhe urrejtja e gjithçkaje që shoqëria e ka mësuar Bekimin ta refuzojë, por që ai nuk mund ta shmangë. Është vite larg maces së famshme Hello Kitty, por një robot me kthetra e me qime, që flet me gojën e tij pa u menduar dy herë.
Macja, simbol i fuqishëm e kompleks, shumëkuptimor, ngërthen një sërë temash që ndërlidhen me identitetin, dëshirën, pushtetin dhe dhunën. Ja disa nga shtresimet kryesore të simbolikës së saj:
– Dëshira dhe seksualiteti i shtypur
Macja që shfaqet në jetën e Bekimit si një krijesë joshëse, arrogante dhe manipuluese, është një figurë që mishëron dëshirën seksuale të tij, por njëkohësisht edhe turpin, frikën dhe përbuzjen që ai ndien për veten. Ajo është si një partnere që e tërheq, por edhe e poshtëron, një pasqyrim i marrëdhënieve të tij toksike dhe të papërpunuara me veten dhe me seksualitetin në një shoqëri homofobe.
– Dhuna dhe kontrolli
Macja flet, jep urdhra, kontrollon, e poshtëron Bekimin, një entitet që e zhvesh nga vullneti. Në këtë aspekt, simbolizon zërin e brendshëm të dhunës që Bekimi ka përvetësuar nga fëmijëria e tij patriarkale dhe e mbushur me frikë. Macja është një trashëgimi e dhimbshme e traumës së tij, një projektim i asaj që i është bërë dhe që ai, në mënyrë të pavetëdijshme, e përsërit.
– Tjetri, i huaji, i panjohuri
Si një qenie që nuk është as njeri, e as kafshë, macja përfaqëson edhe diçka tjetër: një të huaj që flet me gjuhë të njohur, por sjell trishtim dhe ankth. Ajo është vetë Bekimi, por e çngjyrosur, e përçudnuar, e zbuluar në brendinë më të errët, si një alter ego.
– Satirë ndaj patriarkalizmit toksik
Sjellja e maces është një karikaturë e maskilizmit dominues: ajo është agresive, seksiste, e etur për kontroll dhe e pafuqishme emocionalisht. Përmes kësaj figure, Statovci ndërton një kritikë të nënkuptuar ndaj modeleve të burrnisë që rriten në shoqëritë e mbyllura dhe që më shumë shkatërrojnë sesa ndreqin.
– Element surreal që ndërton realitetin e fragmentuar të personazhit
Prania e një maceje që flet dhe vepron si njeri, e zhyt romanin në një atmosferë surrealiste, duke shprehur përmes absurdit atë që është e paarritshme përmes realitetit linear. Është mënyra se si trauma, dhuna dhe mërgimi përçohen jo vetëm si përvoja, por edhe si përjetime të përçudnuara, ku realja nuk është më e besueshme.
Pavarësisht se në shqip përdorim fjalën “mace” për kafshën femër dhe “maçok” për mashkullin, në libër përmendet vetëm fjala “cat” dhe pa përemra specifikues si “he” apo “she” për të identifikuar gjininë.
Sipas The Guardian dhe analizave të tjera, ata e referojnë macen si “it” apo “they”, duke nënkuptuar një trajtim neutral dhe jo personifikues. Macja është më tepër një entitet antropomorf, ndaj mungesa e përshkrimit gjuhësor e bën gjininë të paqartë dhe jo pa qëllim, por zgjedhje letrare që i lejon të mbetet një figurë universale, misterioze dhe simbolike.
Molla e sherrit, figurë që lë gjurmë në dy kohë
Ngjitësi që lidh të dyja rrëfimet, jetën e Eminesë në Kosovën e viteve ’80 dhe atë të Bekimit në Finlandën e sotme, është figura e babait: një prani toksike që, edhe kur mungon, vazhdon të helmojë hapësirën përreth. Si një mollë e ndaluar e dhunës dhe turpit, ai u mohon të dyve lirinë për të zgjedhur, për të dashur dhe për të qenë vetvetja. Emineja rritet nën peshën e një patriarkati brutal, ndërsa Bekimi, edhe pse i larguar gjeografikisht, mbart plagët e një babai që nuk e pranoi, nuk e deshi dhe e la të humbiste rrugën në një vend të huaj. Statovci e portretizon këtë figurë jo si personazh të plotë, por si një fuqi përçmuese që shemb ura dhe krijon qorrsokakë, si në jetën e nënës, ashtu edhe në atë të të birit; një traumë që nuk njeh kufij dhe që shndërrohet në makth të trashëguar.
Identiteti si shpërbërje
Romani nuk të ofron ngushëllim. Nuk ka personazhe që përmirësohen, nuk ka përballje heroike, por ka vetëm mjegull, dhe me bollëk madje. Edhe në çastet kur rrjedha e jetës së personazheve ndryshon, Statovci i rrotullon ata në të njëjtën vorbull, ku nuk janë asgjë më shumë sesa pasoja të rrëskut të vet. Petku i mjegullës që i bashkon është vetë realiteti i emigrimit, i përkatësisë së braktisur, i një shoqërie që të buzëqesh me ftohtësinë e një sistemi nordik.
Bekimi është gjithnjë në teh të thikës: i buzëqeshur në supermarket, i ftohtë në krevat, i thyer në mendime. Finlanda nuk është vendi i shpresës, por i heshtjes. Ai nuk e thyen dot atë heshtje, por e pranon, e gëlltit, e transmodelon në seks të shpejtë dhe rrëfime të zbehta pa lajlelule. Bekimi madje është një djalë që nuk qesh as kur flet e fle me macen.
Jugosllavia si mit e si turp, por sidomos si mallkim
Titulli është një enigmë poetike, po nga ato që s’ka nevojë për zgjidhje. “My Cat Yugoslavia”, një kombinim absurd e i paprituri i një kafshe shtëpiake dhe një entiteti historik dhe gjeopolitik të rrënuar. Dhe ky absurditet është pikërisht thelbi i romanit: si të pajtohesh me një të kaluar që nuk e do, por nga e cila nuk mund të shpëtosh?
Jugosllavia nuk është më një vend, por për Eminënë dhe Bekimin mbetet ende një hije që i ndjek kudo që shkojnë. Është figura e të atit që kontrollon, e bashkëshortit që rreh, e komunitetit që përçmon. Për fat të keq, është gjithmonë aty, edhe kur nuk përmendet e nuk ekziston më, si një nëntekst që nuk vdes, por thjesht ndryshon formë, si një mace rruge që vjen natën e të futet në shtrat.
Pjesa e parë e titullit, “My Cat”, i referohet një lidhjeje personale, pothuajse emocionale, por në kontekstin e romanit ajo është gjithçka përveçse e ngrohtë apo e zakonshme. Macja është një figurë që përfaqëson të panjohurën, të frikshmen, të dëshiruarën dhe të neveritshmen njëkohësisht. Duke e konsideruar si të vetën, Bekimi i jep pronësi diçkaje, që në fakt, e sundon dhe e kontrollon, një marrëdhënie e ndërlikuar midis posedimit dhe nënshtrimit.
Nga ana tjetër, Jugosllavia është simboli i një atdheu që nuk ekziston më, një vend që është zhdukur nga harta, por që vazhdon të jetojë në kujtesën e njerëzve dhe në identitetin e personazheve. Për Eminënë, është vendi ku u rrit, u martua dhe ku u shtyp, ndërsa për Bekimin, është origjina që e ndjek si një hije në mërgim, që e përkufizon edhe kur ai përpiqet ta mohojë. Jugosllavia mbetet sërish aty, edhe pas shumë vjetësh, si një kujtesë e dhimbshme kolektive e të qenit pjesë e diçkaje që është shkatërruar.
Duke ngecur mes një krijese si macja dhe një shteti të zhdukur, titulli përfton një ironi therëse, si një mënyrë për të shpalosur se trauma historike dhe ajo e identitetit është aq intime, aq personale, sa bëhet pjesë e pandashme e përditshmërisë, e dhomës, e mendimeve dhe e trupit. Ashtu si një mace që të shikon nga cepi i dhomës, edhe historia dhe rrënjët familjare nuk të lënë të jetosh i qetë, por gjenden gjithmonë aty, si një prani e heshtur, por jashtëzakonisht e fuqishme.
Nga ana tjetër, në romanin me titullin “Bolla” të të njëjtit autor, kafsha nuk është vetëm një prani enigmatike, por një forcë mitike që mishëron instinktet, fuqinë dhe të pamposhturit e natyrës së egër. Bolla shfaqet si një figurë arketipale, e ngarkuar me simbolika që lidhen me urën mes njeriut dhe tokës, me ciklet e jetës dhe vdekjes, si dhe me fuqinë e trashëgimisë kulturore. Në atë libër, kafshët janë shpesh një kanal për ritin dhe mitin, duke sjellë në pah një botë të fshehtë ku ligjet e natyrës dhe shpirtit bashkohen në një ekuilibër të brishtë. Përmes figurës së tij, libri trajton përplasjen mes instinkteve primitive dhe normave shoqërore, si dhe reflektimin mbi forcën që mund të ketë legjenda dhe trashëgimia në formësimin e identitetit personal dhe kolektiv. Kafsha këtu është më shumë se një simbol, por një entitet që sfidon përfytyrimet tradicionale të qenies njerëzore dhe sjell në pah dimensionet e padukshme të ekzistencës, përmes një lëvizjeje mes mitit dhe realitetit.
Tekefundit, tek të dy librat përdoren kafshët si figura kyçe për të tjerrë gjerë e gjatë tema ekzistenciale dhe kulturore, por në mënyra të ndryshme: macja shërben si një pasqyrë e identitetit të copëtuar dhe e historisë së trazuar, ku përzihen kujtimet personale me ato kolektive, ndërsa bolla përfaqëson fuqinë e egër dhe mitike të natyrës, si dhe lidhjen rituale me trashëgiminë shpirtërore.
Shqipja si kujtim dhe si peng
Në veprat e Statovcit, lënia me kast në shqip e disa shprehjeve dhe fjalëve tipike të vendit tonë, ruan në mënyrë të ndërgjegjshme frymën e jetës rurale dhe urbane. Nënë, hallë, kanagjegj, bukë, byrek, e dhjetëra të tjera, nuk shërbejnë vetëm si shenja autentike të origjinës së personazheve, por si dritare drejt një bote që nuk është më, një bote që jeton vetëm në kujtesë dhe në gjuhë. Në këtë mënyrë, Statovci ndërton një tekst ku gjuha bëhet një mënyrë për të ruajtur identitetin, por edhe për ta ndier si barrë mbi supe. Traditat shqiptare, si dasmat, ritet e burrërisë, zakonet e nderit dhe të turpit nuk shpjegohen, por ekspozohen, si për të na treguar se ato janë aty, të paprekshme dhe të pashpjegueshme për të huajin, por tepër të njohura për vendasit.
Proza e akullt, e mprehtë dhe e heshtur e Statovcit
Statovci shkruan si kirurg: nuk ka ngarkesë emocionale dhe nuk i dridhet qerpiku. Ka fjali të thjeshta, që të godasin me shkëlqimin dhe mprehtësinë e akullit. Proza e tij nuk bërtet, por të vret me heshtje. Nuk përpiqet t’i sjellë personazhet simpatikë (një nga aktet më të guximshme që mund të bëjë një shkrimtar), të mos kërkojë falje për trishtimin që të jep.
Lexuesit që kërkojnë ngrohtësi, rritje personale apo klimaks emocional, do të zhgënjehen, ama ata që dinë të vëzhgojnë si ndodhin thyerjet e mëdha ashtu nën qetësi, do të gjejnë në këtë roman një dritare të veçantë për dhimbjen e brendshme që nuk shpërthen, por të gërryen nga dita në ditë. Ky është një roman për ata që nuk ndihen në asnjë vend si guri i rëndë; për ata që e kanë harruar gjuhën e nënës dhe nuk duan ta mësojnë të të atit; për ata që flenë me mall dhe zgjohen me neveri; për ata që ndihen të ndryshëm, edhe mes të përjashtuarve.