More
    KreuOpinionXhafer Korro: Muzeu që më zgjoi kujtimet e viteve studentore

    Xhafer Korro: Muzeu që më zgjoi kujtimet e viteve studentore

    Muzeu, kushtuar shkrimtarit të nderuar e të pavdekshëm, Sterjo Spasse, më zgjoi ndjenjat e mia studentore, kur isha i ri.

    Kur mora lajmin se zona e Pustecit dhe e gjithë Prespës nderoi shkrimtarin Sterjo Spasse, me ngritjen e muzeut në shtëpinë e tij të vjetër, në fshatin Gollomboc, ku ai lindi në vitin 1914, u gëzova pa masë dhe më këtë rast përshëndes Bashkinë e Pustecit që nderoi birin e saj, të Prespës, por dhe të gjithë Shqipërisë.

    E gjithë zona e Prespës mburret me të drejtë, që nga gjiri i saj ka lindur një i tillë burrë, shkrimtar, mendimtar i madh, por mbi të gjitha njeri tepër i dashur dhe shumë i thjeshtë.

    Unë e kam takuar për herë të parë rreth vitit 1955 në shtëpinë e shkrimtarit tjetër të madh, në shtëpinë e Petro Markos. Ata të dy ishin shokë të ngushtë dhe vazhdimisht i shihje bashkë.

    Kur shkova në shtëpinë e Petro Markos, Petro i thotë Sterjos:

    – Këtë djalosh e kemi nga Përmeti dhe është një student i mirë dhe që e dashuron me pasion letërsinë.

    Sterjo më përgëzoi, dhe vazhdoi:

    – Djalosh, je nga Bilbilenjtë e Frashërit dhe të Kombit Shqiptar… Nëse e dashuron letërsinë do të bëhesh një shkrimtar i mirë.

    Unë iu përgjigja:

    – Unë jam nga Maleshova…

    – Oh, je nga vendi i origjinës të Sejfulla Maleshovës.

    – Po, – i thashë unë, – gjyshja ime ka lidhje fisnore me Zenepen, nënën e Sejfullait. Kur kam shkuar për vizitë me gjyshen në shtëpinë e tij, e kam takuar dy herë atë. (Në atë kohë, Sejfulla Maleshova ka qenë i goditur nga partia në pushtet, e megjithatë ishte drejtor i Botimeve në Shtëpinë Botuese në Tiranë.)

    Sterjo më tha: – Sejfullai është njeri i ditur dhe me kulturë të gjerë. E kam takuar disa herë edhe këtu por edhe jashtë Shqipërisë.

    Mbas disa çasteve unë iu lash shëndenë dhe u largova.

    Më vonë, pyeta Petron për të më treguar diçka mbi jetën dhe veprimtarinë letrare të Sterjos.

    Petro më tha se e kishte shok prej shumë e shumë vitesh. Të dy kishin pasur kohë të vështira në Tiranë kur nuk gjenin dot punë. Në vitet ’30 shkruanin një grup shkrimtarësh të rinj. Shkruanim dhe unë edhe Sterjo. Sterjo Spasse, në vitin 1933 kishte shkruar romanin “Pse”, të cilin e botoi në Korçë në 1935.

    – Një ditë, – vazhdoi të më tregonte Petro, – Sterjo më dha për të lexuar romanin e tij dhe më pyeti nëse mund ta botonte ose jo këtë roman.

    – Mos e boto tani, – e kishte këshilluar Petro. – Vendin tonë e kanë lënë në errësirë kulturore regjimet që ka pasur dhe nuk do ta kuptojnë idenë e romanit tënd.

    Po Sterjo e botoi romanin “Pse”. Romani përgjithësisht u prit mirë, por pati dhe shumë kritika dhe për këtë Sterjo i thotë Petros: – Petro, ti kishe të drejtë, do të kisha bërë mirë të kisha dëgjuar këshillën tënde dashamirëse.

    Por nëse e lexon “Pse”, çdokush, kritik letrar apo dashamirës i letërsisë e kupton se romani ishte me ide përparimtare për kohën. Por fatkeqësisht mjedisi letrar i asaj kohe nuk e kuptoi idenë themelore të autorit. Dashakeqësit përhapën shprehjen “Pse-në nuk e gjeti dot as Sterjo Spasse” të cilën e përdornin kur nuk dinin përgjigjen e një pyetje.

    Petro më tregoi se për një kohë të gjatë kishin punuar së bashku. Por për të gjetur punë ishte tepër e vështirë për shkak të moskujdesit të qeverisë së asaj kohe për arsimin.

    – Mbas shumë përpjekjesh, – vazhdon Petro, – më në fund na emëruan si mësues të parë në Dervican të krahinës së Dropullit. Ishte e vështire për të shkuar atje, sepse nuk kishte transport. Në fillim fjetëm jashtë, nëpër varreza. Mëngjeseve, banorët e fshatit kur na shihnin nëpër varreza, bënin kryq, tepër të çuditur. Edhe bukën mezi e siguronim dhe shpesh na e jepnin banorët. Më vonë na erdhën ndihma nga shokët e Sarandës. Hapëm shkolla nëpër shtëpi të banorëve. Dhe ne kur filluam të mësonim nxënësit e parë, banorët besuan se ne ishim me të vërtetë mësues dhe filluan dhe vazhduan të na nderonin dhe respektonin anembanë Dropullit. Shpesh na ftonin për vizita në familjet e tyre, – përfundoi Petro Marko.

    Unë i shikoja gjithmonë bashkë, Petro Markon dhe Sterjo Spassen në Tiranë dhe përshëndetesha me ta si me dy miq të mirë.

    * * *

    Më vonë lexova, dhe i kam, pjesën më të madhe të veprave të Sterjo Spasse në bibliotekën time. Romane dhe tregime të shkruara bukur, me gjuhë të rrjedhshme, dhe me personazhe të skalitur me mjeshtëri që të mbeten në kujtesë gjithmonë. Romanet e tij flasin më së shumti për krahinën e vendlindjes së tij të cilën ai e donte dhe ndihej krenar për të.

    “Afërdita”, “Të fala nga fshati”. “Afërdita përsëri në fshat”, “Ata nuk ishin vetëm”, “Zjarre”, “Zgjimi”, “Pishtarë”, “Ja vdekje, ja liri”, dhe natyrisht dhe romanin, që mbahet si kryevepra e tij, romanin “Ose” që më bëjnë që Sterjo Spassen ta kem një nga shkrimtarët e mi më të dashur.

    Miami, prill 2022

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË