More
    KreuÇmimeShkrimtari Astrit Bishqemi vlerësohet në kosovë

    Shkrimtari Astrit Bishqemi vlerësohet në kosovë

    Shkrimtari Astrit Bishqemi na “dhuroi” këtë vit një libër të ri me skica, tregime, novela e gazmore, me titull Kacafytja me ujkun.
    Tërë jetën autori ia ka kushtuar letërsisë për fëmijë e të rinj, këtij arti të mrekullueshëm, tek i cili gjejnë mishërim vlerat edukative dhe estetike, që na frymëzojnë e na japin kënaqësi të paskajshme për të bukurën, për të madhërishmen, për jetën në përgjithësi, duke na orientuar drejt së mirës, së dobishmes, së drejtës, kundër veseve të ulëta e të dëmshme për shoqërinë. Dhe ja, i mirënjohuri shkrimtar jo vetëm brenda vendit, mësuesi, pedagogu, krijuesi i mirëfilltë, studiuesi pasionant i letërsisë për fëmijë e të rinj, te kjo vepër e re na vë përpara larmi temash, tek të cilat vihet re një realizëm i bukur.
    Krijimet e kësaj përmbledhjeje, nga ana përmbajtjesore dhe e zhanreve letrare, në një vështrim të thjeshtë mund t’i klasifikojmë në katër blloqe.
    Në bllokun e parë rendisim krijimet (tregimet e novelat) që bëjnë fjalë për persona të identifikuar. Autori ka hulumtuar episode, copëza jetësore nga personazhe të njohur brenda e jashtë vendit, dhe i letrarizon ato. Në këtë mënyrë, lexuesi-fëmijë njihet me Vaçe Zelën, këngëtaren e famshme myzeqare, e cila qysh në shkollë e nisi karrierën artistike në varfëri, me fustan të vjetër e sandale të ronitura a zbathur, siç e ka pohuar edhe vetë ajo në një intervistë, por që me zërin e saj më vonë arriti majat dhe la gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqiptare. Po kështu, autori na tregon edhe një ngjarje nga jeta private e shkrimtarit Bedri Dedja.
    Me shumë respekt tregohet për talentin poetik të Pandeli Koçit, i cili vjershën e parë si krijues nuk e shkroi në letër, por vrulltazi e papritur, në dërrasën e zezë të klasës ku mësonte. Nuk mund të lëmë pa përmendur historinë e kones së poetit Lasgush Poradeci, që ia “pushkatuan” sikur të ishte kriminele, me shkakun se mbajtja e qenve konsiderohej nga sistemi shoqëror i kaluar si shfaqje borgjeze.
    Po kështu, në një tregim tjetër, autori flet me respekt për mënyrën se si i ngrinte krijimet e tij këngëtari elbasanas Isuf Myzyri, Artist i Popullit, i cili nuk dinte të shkruante e të lexonte, nuk njihte as notat muzikore. Dhe ai që ia hidhte në letër ato këngë, ishte një fëmijë fqinjë, nxënës shkolle.
    Nuk mund të rrimë pa u ndalur në novelën kushtuar shkrimtarit kosovar për fëmijë, Ymer Elshani, ku del në pah egërsia e pushtuesve serbë me masakrat e viteve të fundit të shekullit të kaluar në Kosovë, ku viktimë qe edhe i ndjeri Ymer. Por autori thekson se si krijimet e tij u hodhën në zjarr jo vetëm nga serbët, por edhe nga një i dehur, i cili i kujtoi për thesare, kur i zbuloi të fshehura e të groposura rrëzë një lisi.
    Në bllokun e dytë të krijimeve mund të fusim novelën për të rinj (klasa e tetë dhe e nëntë) Basketbollistja e klasës sonë. Idetë dhe mesazhet që përcjell novela janë për të luftuar mendjemadhësinë te lexuesit e kësaj moshe. Ajo që vihet re, është fakti që autori përdor një gjuhë tamam për adoleshentë. Fabula vendoset te nxënësit e një klase të shtatë sportive të qytetit. Skaliten bukur disa personazhe-nxënës, si Driola – basketbolliste e talentuar po ca mendjemadhe, Arnisa – tifoze e saj, Danja – komandante e klasës, Andri – hokatar, që bën humor edhe duke përdorur fjalë e shprehje të gjuhës së huaj frëngjishte të cilën mësonin në shkollë, etj.
    Në bllokun e tretë radhisim skicat e ndryshme të këtij vëllimi. I tillë është, për shembull, krijimi Biblioteka ndanë lulishtes, i cili na jep përvojën e qarkullimit dhe të shfrytëzimit shumë të mirë të librit në një qytet të huaj europian. Ky është një fshikull për të gjithë, pasi librit i kemi kthyer shpinën e jo më të ngremë biblioteka të tilla të hapura në vende publike për njerëzit e thjeshtë, biblioteka që funksionojnë pa inventar e pa punonjës. Sa larg jemi, sa larg!
    Një bllok më vete formojnë Gazmoret e reja. Janë grimca jetësore të mbledhura me kujdes prej shkrimtarit nga jeta e përditshme e fëmijëve. Autori i emërton “të reja”, sepse më parë ka botuar dy vëllime me copëza të tilla: “Gazmore 300 e ca… buzëqeshje sa? – TOENA, T. 1996” dhe “Nga ditari i një shkrimtari për fëmijë – SEJKO, Elb. 2005”. Siç shprehet edhe vetë, këto “janë shënime të shkurtra, nxjerrë nga ditari” i shkrimtarit. Ai ka një jetë të tërë që herë pas here hedh në bllokun e shënimeve fjalë të këndshme a shprehje të bukura të vajzave të tij, kur ishin fëmijë, e më vonë të nipërve e të mbesave, si dhe të fëmijëve të tjerë që e rrethonin, “duke i perceptuar me sy e veshë të vëmendshëm, si prind, si edukator dhe si shkrimtar i tyre”. Madje, “…vëmendja nuk është përqendruar te stilemat, fjalët jo të shqiptuara drejt për shkak të moshës. Janë përmbledhur më tepër ato fjalë a shprehje që nxjerrin në pah arsyetimin naiv të fëmijëve, të folurit “figurativ” të tyre për shkak të fjalorit ende të varfër”. Shkrimtari është i ndërgjegjshëm se termi i përdorur “gazmore” nuk është fort i saktë. “Gazmorja, ashtu si anekdota, – sqaron ai në parathënien e sipërpërmendur, – tregohet për humor, për t’i bërë të tjerët të qeshin. Grimcat tona nuk janë thënë për humor nga fëmijët. Gjithçka këtu është e rastësishme, e çastit, e beftë, e papërsëritshme”. Në vëllimin e parë që shënuam më sipër, siç mund të kuptohet edhe nga titulli, janë botuar mbi 300 gazmore të tilla. Në vëllimin e dytë numri i tyre arriti në pesëqind e ca, kurse në këtë botim kemi edhe 39 xhevahire të tilla, të reja.
    Kësisoj, libri i ngjan një mozaiku plot ngjyresë. Në të gjitha krijimet e kësaj përmbledhjeje vihet re një gjuhë lakonike, e përzgjedhur, pa rënë në moralizime, pa ndërlikime, por thënë shtruar, thjesht, bukur e ëmbël, sa të mbeten në kujtesë. Dhe kjo përbën një vlerë tjetër.


    Në një ceremoni të organizuar në Prishtinë më 7 dhjetor, përmbledhja Kacafytja me ujkun e A. Bishqemit është vlerësuar në Kosovë si libri më i mirë për fëmijë e të rinj i botuar gjatë vitit 2018.
    Juria e karvanit të shkrimtarëve për fëmijë në Kosovë, me kryetar studiuesin Ramadan Musliu, në arsyetimin e vendimit për çmimin “Ymer Elshani” që i jepte autorit të atij libri, shtonte si përfundim: “Vendimin e fuqizon edhe më shumë fakti se ky libër është i njërit prej shkrimtarëve tanë më të frytshëm për fëmijë dhe i njërit prej studiuesve më të përkushtuar dhe me kontribute monumentale në fushën e studimit të kësaj letërsie.”
    Vlerësim e përkufizim konciz dhe më se i saktë për prof. Astrit Bishqemin, vlerësim që përmban dy tregues:
    Së pari, Bishqemi është njëri “prej shkrimtarëve tanë më të frytshëm për fëmijë”, që u ka dhuruar lexuesve të moshës së re dhjetë romane, dymbëdhjetë vëllime me novela, njëzet e një përmbledhje me tregime e përralla etj.
    Së dyti, gjithashtu, prof. Bishqemi ka dhënë “kontribute monumentale në fushën e studimit të kësaj letërsie”. Veç pesëmbëdhjetë përmbledhjeve të tilla me studime, ai e pajisi shkollën e lartë dhe letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj me botime të tilla bazë, siç janë: Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë, Histori e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj (tekst voluminoz me 950 faqe, i ribotuar katër herë, me shtesa e rishikime; më i fundit më 2014, nga ShBLSh e Re), Histori e letërsisë botërore për fëmijë, Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, 1886-2017, Bibliografi e kritikës letrare për fëmijë etj.
    Shkrimtari dhe studiuesi Astrit Bishqemi para disa viteve qe nominuar kandidat i Shqipërisë për çmimin e lartë botëror “Astrid Lindgren”, që jepet në fushën e Letërsisë për Fëmijë e të Rinj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË