More
    KreuLetërsiBibliotekëSandrone Dazieri: Mbreti i parave

    Sandrone Dazieri: Mbreti i parave

    Përktheu nga origjinali: Edmond Çali

    MË PARË

    Colomba u përkul mbi Giltiné-në dhe e vërtetoi se kishte vdekur, ndërsa Dante iu drejtua i egërsuar Leo-s. 

    – Nuk ishte nevoja. Ta hajë dreqi, nuk ishte nevoja!

    Leo futi një karikator tjetër në pistoletë, pastaj iu afrua Colomba-s.

    – A ka vdekur?

    – Po. – O Zot, sa e vogël është, mendoi Colomba. Nuk duhej të peshonte më shumë se sa dyzet kile. – Çfarë ishte ai shpërthim, Dante?

    – Një mik i vjetër i Giltiné-së u përpoq që t’i siguronte një rrugë për të ikur.

    – Dhe për pak do t’ia kishte dalë mbanë, – tha Leo, duke marrë me forcë thikën që kishte braktisur Giltiné.

    – Leo, kujdes se po prek provat, – tha Colomba.

    – Çfarë hutaqi që jam.

    Diçka në mënyrën se si i tha këto fjalë bëri që Dante-s t’i vinte një e dridhur në trup.

    – Mos e prek! – bërtiti. Por ishte tepër vonë, sepse Leo e kishte goditur Colomba-n me thikë në bark dhe e kishte rrotulluar thikën duke ia hapur buzët plagës.

    Colomba ndjeu sikur stomaku po i bëhej prej akulli dhe ra në gjunjë, pistoleta i ra nga dora, kurse duart iu mbuluan me gjak. Pa Leo-n që goditi Dante-n me grusht duke e rrëzuar përtokë, dhe pastaj u përkul mbi Belyy-n. Plaku i nguli sytë me tmerr, duke mos qenë në gjendje që të luante nga vendi për shkak të dhimbjes së tmerrshme që i shkaktonte plaga te legeni.

    – Në qoftë se më fal jetën të bëj të pasur, – i tha.

    – Dasvidania, – tha Leo, dhe ia preu fytin me të njëjtën mospërfillje me të cilën pritet një fetë tortë.

    Dante u zvarrit drejt Colomba-s, e shtrirë në pozicionin e fetusit, tashmë në një pellg gjaku.

    – CC, – tha me lot në sy. – Mos lëviz. Tani të shtyp plagën. Të shtyp…

    Leo kapi Dante-n me forcë dhe e ngriti në këmbë.

    – Është çasti për të shkuar, – tha.

    Dante ndjeu termometrin e brendshëm që e kapërceu nivelin dhjetë, njëqind, një mijë, dhe fytyra e Leo-s u bë një njollë e errët në cepin e një ekrani të madh në Berlin, mandej kalimtari që muaj më parë i kishte shkaktuar krizën nervore dhe përfundoi në klinikën zvicerane.

    – Je ti, – pëshpëriti.

    – Të lumtë, vëllaçko, – tha Leo, pastaj e shtrëngoi për gryke derisa Dante humbi ndjenjat dhe e hodhi në kurriz.

    Gjëja e fundit që pa Colomba ishte dora e Dante-s që përpiqej ta kapte nga sipër supit të Leo-s. Donte t’i thoshte që do ta kishte shpëtuar, që kishte pasur të drejtë për gjithçka, dhe që nuk do të ndaheshin kurrë më, por arriti ta thoshte vetëm në ëndërr.

    Kur ndihmësmjekët arritën dhe ia dolën që ta shpëtonin për një qime, Leo dhe Dante tashmë ishin zhdukur dhe askush nuk i kishte parë që të largoheshin.

    U desh një javë me kërkime përpara se të zbulohej që Leo Bonaccorso nuk kishte ekzistuar kurrë.


    Pjesa e parë: ANKTHE

    KAPITULLI I

    1

    Errësirë.

    Dante-s i zihet fryma. Errësira e shtyp si çimento, e dërrmon, ia thyen e ia bën copë e çikë kockat. I hyn në gojë dhe në mushkëri. Nuk mundet as të ulërijë. Nuk ia del që të lëvizë dhe as që të vjellë. I bie të fikët sërish, dhe gjumi i tij i gjysmak është një ekran i zi në të cilin kujtimet e tij digjen. Sheh një grua të veshur me rroba me ngjyrë të gjelbër e cila i buzëqesh e mbuluar me gjak. Tingulli i një shpërthimi. Ulërimat.

    Ulërimat e zgjojnë.

    Errësirë. Errësirë. Errësirë. Errësirë. Errësirë. Errësirë. Errësirë. Errë…

    Dritë.

    Është vetëm një çast, një copëz kohe tejet e vogël që të mund ta matësh. Por Dante kapet pas saj. Sytë e tij sikur e përpijnë dritën, rifillon të mendojë. Pak. Ndjen erë druri dhe pluhuri. Mendon për shpërthimin që ka dëgjuar… i ka rënë diçka në kokë? Është në një spital?

    Përpjekja është e tepërt. Kthehet prapa tek ekrani i zi. Kthehet te kujtimet. Te gruaja e mbuluar me gjak me emrin e çuditshëm në atë vend të çuditshëm që duket si një diskotekë. Te pesë plumbat që fluturojnë drejt saj. Ia doli mbanë që t’i shihte teksa lëvizin si kërmij nëpërmjet ajrit dhe tek i godasin shpinën. Mishi i gruas bëhet xhelatinë, fytyra bëhet e lëngshme, buzëqeshja bëhet copë e çikë. Te kularthi i saj i majtë dhe mbi barkun e saj rriten dy vullkane të vogla prej lëkure. Vullkanet çirren dhe dy plumbat që e kanë bërë rrugën e plotë dalin duke spërkatur gjak dhe copëza kocke. Gruaja fillon të rrëzohet përpara. Pas saj…  

    Errësirë.

    Dante është zgjuar por nuk bën gabimin që t’i hapë menjëherë sytë. Më parë përpiqet që të ndjejë trupin e vet, që ta rindërtojë megjithë valët e dhimbjes që mbërrijnë kur lëviz. Kupton se është i shtrirë mbi kurriz dhe se diçka i bllokon kyçet e duarve dhe kyçet e këmbëve. Ka lëkurë në gojë, diçka të butë të mbështjellë në brinjë. Pjesa tjetër e trupit është lakuriq. E kanë intubuar? Është rëndë? Kujton tingullin e një motori Diesel që i dridhej në kafkë. Ishte ai i një barke. Ndoshta e kanë sjellë në spital me atë.

    Provon të lëvizë duart dhe dhimbja te kyçet e duarve shtohet. Janë të lidhura me diçka të mprehtë që fundoset në mish në çdo lëvizje.

    Rripa plastikë.

    Prangat prej plastike janë prangat më të lira që gjen në treg, por kjo gjë nuk është pajisje standarde e spitaleve. Nuk e kanë shtruar në spital. Është diku tjetër.

    I burgosur.

    Tmerri e çon përsëri në kinemanë e kujtesës së tij. Filmi rifillon dhe gruaja e veshur me rroba me ngjyrë të gjelbër vazhdon rënien e saj duke i lejuar Dante-s që të shikojë pas saj. Ka kabina prej xhami të thyera, mobilim prej plastike me ngjyra të ndezuara, pluhur, suva të rënë. Dhe trupa përtokë. Burra me smoking, gra me fustane mbrëmjeje. Të mbuluar me gjak. Në gjendjen e tij të halucinacionit, Dante e kupton që atë shpërthim e ka parë me sytë e tij. Ai ishte atje. Nuk e di se sa kohë më parë të ketë ndodhur. E di edhe që është Venecia.

    Ngre përsëri qepallat, përsëri në kohën e tanishme, dhe përqendrohet në pikën e dritës sipër tij duke e shikuar atë me bishtin e syrit, më i ndjeshëm ndaj dritës. Duke rrotulluar kokën e sheh të zhvendoset, të zhduket dhe të shfaqet përsëri. Ka diçka midis tij dhe pasqyrimit, nuk është duke parë drejtpërsëdrejti tavanin e një dhome të errët. Diçka, e kupton vetëm në atë çast, që është shumë afër. Një grilë prej druri.

    Janë vrima për ajrin.

    Është i mbyllur brenda një arke.    

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË