More
    KreuOpinionRudolf Marku: Si mund të zgjidhej më normalisht poeti laureat

    Rudolf Marku: Si mund të zgjidhej më normalisht poeti laureat

    1. Me gjithë respektin që kam dhe do të kem për të gjithë anëtarët pjesëmarrës të jurisë së këtij viti, kolegë të mi të nderuar, si dhe për QKLL-në dhe drejtoreshën e saj, zonjën Alda Bardhyli, mendoj se vizioni dhe kriteret për të përzgjedhur laureatin e poezisë shqipe kanë disa mungesa dhe disa keqkuptime jo pak serioze, me të cilat është e vështirë të pajtohesh.

    Emërimi i poetit laureat përcaktohet nga një rregullore që hartuesit e saj e kanë quajtur Rregullorja e Procedurës së Çmimit “Poet Laureat”. Është e kuptueshme arsyeja përse duhet ta fillojmë me leximin e rregullores së përmirësuar, variantin më të fundit zyrtar, formuluar nga QKLL-ja. Kjo rregullore, për mendimin tim, është edhe burimi nga rrjedhin të gjitha keqkuptimet për të zgjedhur poetin laureat të Shqipërisë. Kjo është arsyeja që, menjëherë pas leximit të saj, para më shumë se një jave, i shkrova zonjës Bardhyli si më poshtë:

    E nderuara znj. Bardhyli,

    Në të vërtetë, mendoj se ky variant i përmirësuar i Rregullores është më i keq se ai tjetri, të cilin ky ka synuar ta përmirësojë. Rregullorja është shkruar shumë keq, ka nonsense dhe koncepte të keqkuptuara për poezinë dhe poetin laureat. Që në fjalinë e parë të nenit 2, pika a – “Rregullorja përcakton kushtet për vlerësimin e çmimit ‘Poeti laureat’, masën e shpërblimit të fituesit dhe mënyrën e funksionimit të jurisë për projektin e çmimit ‘Poeti laureat’’’, kështu fillon kjo rregullore – pa menduar dy herë, nuk duhet të thuhet kushtet, por kriteret; po ashtu, nuk mund të konsiderohet si pikë e rëndësishme që në fjalinë e parë të Rregullores “masa e shpërblimit”, sikur të jetë fjala për një rregullore të natyrës fitimprurëse tregtare; kjo pikë duhej të zhvendosej në fund, qoftë edhe për arsye etike të respektimit të natyrës së poezisë.

    Në pikën b thuhet: Projekti i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, “Poeti laureat” është vlerësimi më i lartë… Me këtë formulim të fjalisë del se “projekti qenka vlerësimi më i lartë”? Mund të vazhdoja gjatë dhe të shkruaja për plot gjëra të tjera, por nuk kam ndër mend të flas (a të shkruaj) aty ku ndiej se nuk ekziston dëshira për t’u dëgjuar.

    Nuk besoj se unë i ngre këto probleme se jam kundër Qendrës. Ngritjen e QKLL-së, si institucion, të ideuar nga ca miq të ditur, me angazhime dhe njohuri serioze të poezisë shqipe dhe asaj botërore, e kam pritur me entuziazëm.  kundërt, gjithçka e asaj që nuk shkon është pasojë e këtij keqkuptimi të rolit të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, si dhe të rolit të drejtorit/drejtoreshës së QKLL-së. Prandaj le ta fillojmë edhe një herë me Rregulloren e QKLL-së për zgjedhjen e poetit laureat. Le t’i referohemi ekuivalentit të këtij roli në praktikën e SHBA-së, ku  ekuivalenti amerikan i drejtoreshës QKLL-së së Tiranës do të ishte bibliotekari qëndron në krye të Bibliotekës së Kongresit, i cili emërohet nga presidenti i SHBA-së me këshillimin dhe aprovimin e Kongresit. Ky/kjo bibliotekar/e (citoj): “…ka një përgjegjësi të gjerë rreth së drejtës autorit dhe pasi emërohet vetë, ai/ajo emëron dhe poetin laureat të SHBA-së.’’ Sipas kësaj, drejtori i QKLL-së do të ishte automatikisht personi përgjegjës që do ta emëronte poetin laureat të radhës, dhe askush tjetër. Ngaqë ne shqiptarët kemi një dashuri obsesive për sistemin e jurive, edhe nëse në dhënien e çmimit (po përdor temin zyrtar të QKLL-së) do të kishim një juri (ashtu siç realisht e kemi), juria në këtë rast do të kishte veç një “rol konsultonjës”, për ta ndihmuar me këshilla drejtorin a drejtoreshën e QKLL-së, në këtë rast zonjën Bardhyli.

    Pra, drejtori/drejtoresha – jo thjesht Alda Bardhyli – duhej të ishte kryetarja e jurisë dhe ajo, pavarësisht se çfarë do të mendonin anëtarët e jurisë, do të vendoste përfundimisht emërimin e poetit laureat. Sepse supozohet se ai/ajo që është emëruar drejtor/drejtoreshë e QKLL-së dhe po aq edhe punonjësit e saj, janë edhe njohësit më të mirë e më hollësishëm letërsisë dhe sidomos të poezisë, dinë përmendsh poezi të tëra nga krijimtaria poetike e vendit të vet dhe kanë botuar studime serioze dhe “book review” rreth poezisë në korrent. Në korrikun e vitit 1994 kam pasur fatin të kem qenë i ftuar në Library of Congress, Washington DC, në godinën e Senatit Amerikan dhe punonjësit e Bibliotekës, gjithashtu, kishin ftuar edhe dy poetet  laureate: Rita Dove-in, që e kishte dorëzuar mandatin dhe Maya Angelou-in, ishte zgjedhur laureate. Dy punonjëset e Bibliotekës Kongresit filluan të thoshin poezitë e dy poeteshave lehtësisht përpara meje që isha i ftuar. Për të mos përmendur faktin tjetër se i ftuari që kishte qenë para meje, me të cilin u ndesha në hyrje/daljen e derës, ishte nobelisti Joseph Brocki. SHBA, çështë e vërteta, poeti laureat emërohet me procedura thjeshta, edhe pse shumë përgjegjshme, jo aq ceremoniale sa zgjedhja e papës, siç shkruan me të qeshur drejtori aktual i Library of Congress. Është ky institucion prestigjioz – biblioteka më e madhe në botë – fillon t’u kushtojë vëmendje sugjerimeve të ndryshme për poetin e ardhshëm laureat; në bazë të këtyre sugjerimeve, “QKLL-ja amerikane” përpilon një listë (short-list) nga punonjësit e Bibliotekës Kongresit, konkretisht nga Departamenti i Poezisë dhe Letërsisë, duke marrë këshilla prej laureatëve të mëparshëm, nga poetët e shquar dhe nga kritikët më të njohur. Emërimi final dhe zgjedhja finale bëhet prej bibliotekarit, prej drejtorit të përgjithshëm, Library of Congress – pra, nga Alda Bardhyli.

    Siç del më sipër, të vetmit “anëtarë të jurisë” për të emëruar poetin laureat të SHBA-së qenkan njerëzit që zgjidhen nga tri kategori: ish-laureatët e mëparshëm, poetë të njohur e me prestigj krijimtarie dhe studiues njohur e autoritarë cilët janë, si të thuash, ligjvënësit e hierarkisë poezisë në vendin e tyre. Edhe QKLL-ja duhej të kishte kuptuar deri më sot se tri përgjegjësitë e veta më mëdha që ka Library of Congress, apo QKLL-ja ekuivalencën shqiptare, janë: a) promovimi i letërsisë shqipe, b) zgjedhja e poetit laureat dhe c) mbrojtja e “copy right” autorëve shqiptarë.

    Te ne vihet re vetëshmangia e drejtoreshës Qendrës nga procesi i emërimit laureatit, thjesht për të qenë zonën e rehatisë, larg fjalëve dhe zhurmës së pasemërimit. Thjesht për të shmangur përgjegjësinë e zgjedhjes, apo për t’i nxjerrë nga zjarri gështenjat me duart e të tjerëve! Ky është keqkuptimi më i madh. E dyta është vendosja në periferi e ish-poetit laureat, sidomos kur është puna për të dhënë a për të marrë këshilla. Ish-poetit laureatit i thuhet se ai është thjesht një votë. Dhe e treta është shmangia e mendimit të poetëve të talentuar që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në emancipimin e mëtejshëm poezisë shqipe (rasti i Ismail Kadaresë) dhe po ashtu shmangia e mendimit të studiuesve më seriozë letërsisë, të cilët botojnë në revista prestigjioze mendimet dhe studimet e veta për poezinë.

    Gjithsesi, si ish-poeti laureat i periudhës kaloi, gjej rastin të falënderoj Qendrën, sidomos znj. Bardhyli, për bashkëpunimin tonë të afërt dyvjeçar. Por dëshira ime është që çështja e poetit laureat të zgjidhej sipas një procedure profesionale, me dinjitetin që i shkon poezisë shqipe dhe kulturës shqiptare, dhe jo me diletantizma, me ngutje dhe mungesa përgjegjësie. Kjo Rregullore mendoj se duhet parë nga fillimi deri në fund. Për të mirën e saj. Unë nuk do të shkruaj hollësisht për të, me shkrim, sepse nuk ndiej të ekzistojë një instinkt vetëkritik tek të tjerët. Nëse do dëgjohesha, do të kisha edhe një propozim që më duket jo i parëndësishëm. Mendoj se, ndryshe nga pika 7 e nenit 3 Rregullores, “Ruajtjes së konfidencialitetit”, do të ishte më mirë që mbledhja finale për zgjedhjen e laureatit të transmetohej direkt me video live nga QKLL-ja, para se të lajmërohej avancë dita dhe ora.

    Me respekt, R. M.

    Në fillim mendova se do të ishte më mirë ta diskutoja më parë me znj. Bardhyli privatisht, por nuk pata rast ta diskutoj, pasi menjëherë m’u bë e qartë se pala tjetër nuk donte të dëgjonte. Në përgjigje të disa vërejtjeve të mia të lartpërmendura, paraqitur shkurtimisht me shkrim, znj. Bardhyli më dha vetëm përgjigjen telegrafike: “Vërejtjet do të shqyrtohen.” Pas pak, një punonjëse që ka shkruar veç emrin e saj, por jo pozitën dhe as çfarë përfaqëson zyrtarisht, me anë të një teksti që veç zyrtar nuk mund të quhet, më shkruan në WhatsApp: “Rregullorja e përzgjedhjeve të poetit laureat ka natyrë juridike, si e tillë nuk çmon as poetin laureat e as poezinë shqipe!”

    Në fakt, autorja e letrës ka shënuar që në krye një emër. I kërkoj autores enigmatike të këtij teksti që të di se çfarë pozite zyrtare ka zonjusha që më shkruan, që të di se me kë po komunikoj. Përgjigjja është se quhet A. Pashaj. I shkruaj përsëri duke ia kujtuar se emri nuk është titull zyrtar dhe se emrin e lexova që në krye. I kërkoj përsëri të di se çfarë përfaqëson zyrtarisht. Më së fundi, më thotë se unë duhej ta ditkam se ajo është sekretarja teknike e “Poetit laureat”, njëkohësisht specialiste pranë QKLL-së. E pyes përsëri: Specialiste? A nuk duket titulli specialiste një profesion shumë i përgjithshëm? Specialiste për çfarë, ju lutem? Ajo ma kujton se unë duhet të ruaj etikën…

    Një dialog i denjë për Ezen Jonesko-n!

    2. Ndonëse QKLL-ja ngul këmbë se ka ndjekur traditën e praktikave të vendeve të tjera për procedurën e emërimit të laureatit të poezisë, praktikisht kjo qendër është në një rrafsh diametralisht të kundërt me këto tradita. Zonjusha specialiste e QKLL-së shkruan me shumë ndershmëri: “Rregullorja e përzgjedhjeve të poetit laureat … nuk çmon as poetin laureat dhe as poezinë shqipe.” Nuk besoj se kjo është thjesht çfarë personalisht mendon kjo sekretare speciale (teknike) dhe njëkohësisht specialiste. Duket se është udhëzuar të përgjigjet kësisoj. Vetë QKLL-ja e përcakton që në Rregulloren e saj emërimin e poetit laureat si çmim (Neni 6. 1. Në kuadër të projektit “Poeti laureat” krijohet juria si organ vendimmarrës në dhënien e çmimit poetit laureat. Rregullorja, kreu 4, neni 6).

    Poeti laureat është një emërim me një përgjegjësi shumë të madhe. Në momentin kur QKLL-ja e sheh poetin laureat si çmim që jepet pas fitimit të një gare, lind keqkuptimi se poeti laureat është diçka për të cilën mund të konkurrojnë të gjithë ata që dinë të shkruajnë vargjet, që nga poetët e konfirmuar deri tek ata që kanë botuar librat e parë a të katërt, pa asnjë impakt në botën letrare. Ashtu siç po ndodh edhe këtë vit, në përzgjedhjen e 10 kandidatëve të parë, mes të cilëve lexon emra të autorëve që nuk të thonë asgjë, autorë që mund të jenë po aq të zakonshëm sa dhe të paktën 500 autorë të tjerë të pazgjedhur, dhe nga ana tjetër mungesa e disa emrave të tjerë (p.sh. mungesa e poeteshës Mimoza Ahmeti) që e turpërojnë këtë listë. Ç’është e vërteta, lista e dhjetëshes së parë ka disa emra që do ta nderonin emërimin e poetit laureat, por nuk kuptohet se si këtyre emrave të nderuar u janë bashkëngjitur ca emra të tjerë që qëndrojnë në paradhomën e poezisë, për nga diletantizimi dhe insinjifikatimi i krijimtarisë së tyre.

    3. Për arsye të këtij keqkuptimi, që në fillimin e vet, emërimi i poetit laureat është bërë një fushë sharjesh dhe përgojimesh banale, siç po ndodh me britmat vulgare për gjykimin e emërimit të laureatit në faqet e një gazete populiste, duke besuar se çdo luftëtar i radhëve mund të marrë pjesë në diskutimin për laureatin, pikërisht ngase vetë përcaktimi i poetit laureat është bërë në mënyrën më të mundshme diletante. Le ta themi, troç, është bërë pak a shumë sipas vizonit të dikurshëm të vatrave të kulturës, duke fetishizuar gangrenën kanceroze të masivitetit të letërsisë e të poezisë, të pjesëmarrjes së masave të gjëra në synimin për të qenë poet laureat, shkrimtar, poet, kritik dhe mendimtar i historiografisë letrare… Studiuesi i letërsisë Josif Papagjoni botonte, para  ca kohësh, një shkrim serioz dhe të drejtë rreth këtij fenomeni të mbrapshtë.

    Është e vërtetë se poezi dhe letërsi mund të shkruajë gjithkush që dëshiron dhe po ashtu, në kushtet e lirisë së tregut, mund të botojë gjithkush. Një fenomen i tillë ka ndodhur shumë kohë më parë në vendet e zhvilluara. Por, pavarësisht nga ky vërshim botimesh, sidomos në kushtet e sotme të lehtësisë së printimeve, letërsia serioze dallohet nga letërsia dilentatiste dhe komercialiste, dhe ato që e bëjnë këtë dallim janë pikërisht qendra të tilla si QKLL-ja. Dhe ky dallim mes diletantizmit dhe letërsisë elitare duhej të ishte edhe njëri ndër synimet e përzgjedhjes së laureatit, si një shembull mes letërsisë së kultivuar estetikisht dhe asaj amatoreske.

    Te ne nuk po ndodh kështu: vizioni stimulues i letërsisë masoviste po bëhet vizioni kryesor i QKLL-së. Emërimi i poetit laureat synohet të bëhet nga një juri e përbërë nga 5 veta dhe secilit anëtar të jurisë i thuhet të sjellë nga 5 autorë të preferuar, gjë që do të thotë se laureati duhet të zgjidhet nga një listë prej 25 kandidatëve. Prej 25 vetave përzgjidhen 10 kandidatura, thuhet në Rregulloren e përmirësuar të zgjedhjes së poetit laureat nga QKLL-ja. Dhe cilët janë anëtarët e tjerë të kësaj jurie? Në mënyrën më të pagabueshme, njerëz të respektuar, që kanë një emër në një fushë të vetën, por jo në atë të poezisë. Asnjëri prej tyre nuk ka shkruar a botuar një shkrim të vetëm mbi poezinë, një shqetësim për poezinë, një afirmim për poezinë, pale pastaj të kenë shkruar vetë poezi, në mos kanë shkruar vargëzime diletantësh. Do të isha i lumtur që nga Kosova të kishim Sabri Hamitin, Eqrem Bashën, Flora Brovinën, qoftë edhe Ali Aliun, a plot e plot të tjerë, në vendin e zonjës së nderuar aktuale e cila, përmes informacioneve në Internet, merret vesh se është një profesoreshë e barazisë gjinore, profesoreshë e filozofisë dhe një aktiviste në mbrojtjen e të drejtave të gruas, si dhe autore e katër vëllimeve poetike (poezia e saj e publikuar në Internet të jep përshtypjen e një krijimtarie nën mesataren e poezisë), por që duket qartë se i mungojnë kredencialet e duhura profesionale, njohëse dhe krijuese për të vendosur mendim për emërimin e poetit laureat. Për të vendosur për “çmimin e gruas më aktive në mbrojtjen e të drejtave të gruas shqiptare” natyrisht që po, por jo në emërimin e poetit laureat. Ose një miku im romancier, i cili duhej vetë të kishte refuzuar për të qenë në një juri që zgjedh poetin laureat, po ashtu siç duhej të kishte refuzuar të merrte pjesë në këshillin (jurinë) e përzgjedhjes së balerinës më të mirë një hedhës me emër i çekiçit… E kështu me radhë. 

    Do të ishte, sipas mendimit tim, më e drejtë dhe më në nderin e poezisë shqipe, po qe se do të kishim të ftuar, në vendosjen e emërimit të poetit paureat, personalitete të poezisë dhe të njohjes së thellë të saj, si Aurel Plasarin, Ardian Ndrecën, Sabri Hamitin, Gëzim Bashën, Ardian Vehbiun,  Sadik Bejkon, Natasha Lakon, Primo Shllakun, Josif Papagjonin, Ymer Çirakun, Kristaq Jorgon, Behar Gjokën, Ali Aliun, Gazmend Krasniqin, Emrije Krosin, Agim Baçin e ca të  tjerë, sesa një gazetare televizive dhe recensionuese të prozës e cila njihet se e njeh botën e botimeve në korrent, por njihet gjithashtu se nuk ka botuar asnjë shkrim të vetëm për poezinë.

    4. Mendoj se juria e nominimit të poetit laureat duhej të mos përbëhej kurrë më tepër se nga 3 anëtarë, madje mund të jetë vetëm një personalitet akademik i studimit të poezisë apo një kritik a studiues i besueshëm për njohjen e thellë të poezisë shqipe dhe jo vetëm të saj, i besueshëm përmes veprave studimore dhe kritike mbi poezinë. Nuk ka nevojë për një juri me më tepër se maksimumi tri veta, sepse presupozohet se të mundshmit për t’u nominuar si poetë laureatë njihen nga shkrimtarët, studiuesit, kritikët dhe lexuesit e vëmendshëm që më përpara. Në nominimin e poetit laureat nuk duhet të ketë të papritura, përveç atyre zhurmëmëdhenjve që duan të habiten vetvetiu, për të krijuar situata ligësish, nga zhgënjimi se nuk qenka zgjedhur ata vetë. Nominimi i poetit laureat duhet të jetë përzgjedhja e një poeti shumë të njohur mes ca poetëve të tjerë shumë të njohur dhe jo zgjedhja e një poeti të njohur mes poetëve të panjohur, a zgjedhja e një poeti të panjohur mes poetëve të panjohur, a, mos më keq, zgjedhja e një poeti të panjohur nga mesi i poetëve të njohur.

    Kur kam dashur t’i ngre këto çështje në mbledhjen e parë dhe të dytë dhe të tretë të nominimit (çmimit) të poetit laureat, jam ndeshur me mosdashjen e dëgjimit, me arsyetimin se jam veç një votë. Gjëja e fundit që i shkon nominimit të poetit laureat është që emërimi i tij të shihet si një çështje vote. Në letërsi dhe arte nuk ka votime, ka argumentime të thella profesionale nga njohësit e poezisë. Duhet të fitonte njohja dhe argumenti, jo vota.

    Por le të ndalemi shkurt te njohja e poezisë, te njohja. Anëtarët e jurisë që nominojnë poetin laureat duhet të ishin njerëz të respektuar për gjykimet profesionale të njohjes së mirë të krijimtarisë shqipe dhe të poezisë shqipe në zhvillim, që të kishin njohje të mirë të poezisë bashkëkohore europiane dhe botërore, që gjykimet e tyre të bëheshin jo nga arroganca numerike e votës, por nga gjykimet dhe vlerësimet e argumentuara estetikisht, në përputhje me kriteret e kanoneve estetike të poezisë, të kishin marrë pjesë aktive në diskutimet në shtyp a në mass media, për poezinë dhe letërsinë, dhe çdo propozim të vetin për nominimin e poetit laureat ta bënin duke paraqitur me shkrim argumentimet profesionale kritike përse preferohet ky autor dhe jo një tjetër. Duke u nisur nga vlerësimet estetike të poezisë së kandidatit për t’u emëruar dhe jo nga fakti se një aksh poet pa asnjë impakt të poezisë te lexuesi, a një poet tjetër që shkruan në mënyrën më fillestare i pëlqyeka një anëtari/anëtareje së jurisë dhe ky pëlqim është argument që poeti të jetë kandidat për t’u emëruar laureat.

    Anëtarët e jurisë së këtij viti i kam kolegë dhe i çmoj së tepërmi për krijimtarinë e tyre dhe veprimtarinë në fushat e tyre, që nuk përkon të jetë fusha e poezisë, por besoj se biem dakord se: Redde caesari quae sunt caesaris!

    5. Shpresoj se në një ditë të afërme edhe në vendin tonë – një vend ku poezia ka qenë dhe është e popullarizuar dhe tepër e çmuar – procedura e emërimit të poetit laureat të bëhet po ashtu siç bëhet në SHBA apo në Britaninë e Madhe dhe në vende të tjera të botës, me tradita në këtë fushë. Sepse edhe poezia shqipe, si njëra ndër më të vjetrat e kontinentit europian, meriton po aq sa dhe simotrat e veta të vendeve më të qytetëruara të botës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË