Midis kujtesës dhe fiksionit: strategjitë narrative te vepra “Të lirë” të Lea Ypit
Në zemër të veprës Të lirë, Lea Ypi artikulon një përvojë narrative që shkon përtej kontureve tradicionale të autobiografisë, duke ndërtuar një vetvete narrative, e cila nuk është thjesht dëshmitare e kohës, por produkt i përplasjes ndërmjet kujtesës dhe historisë, një proces i ndërtimit të një “unë-i” që lëviz mes përjetimit dhe interpretimit. Ky rrëfim nuk ka për qëllim të dokumentojë një jetë, por të negociojë kuptimin e saj në përballje me ideologjinë që e ka formësuar, duke e shndërruar autobiografinë në një akt filozofik të lirisë, jo si gjendje ontologjike, por si një horizont interpretimi. Parë nga ky këndvështrim, libri i Ypit mishëron atë që Ardian Vehbiu e përkufizon si funksionin kritik të kujtimeve: “Për ne, brenda hapësirës së kulturës shqipe, “kujtimet” kanë mbetur diçka që njeriu i shkruan në fund të jetës, për të korrigjuar disa gjëra dhe për të vënë disa pika mbi i, dhe sidomos për t’i përcjellë lexuesit një perspektivë unike ndaj ngjarjeve historike dhe eksperiencave politike.[1] Pikërisht këtu, rrëfimi na çon natyrshëm drejt kontekstit historik që na orienton në leximin e autobiografisë.
Konteksti historik dhe identiteti autobiografik
Konteksti historik i Shqipërisë komuniste dhe post-komuniste nuk shfaqet si sfond i heshtur mbi të cilin ndërtohet rrëfimi, por si një element i pandashëm i strukturës narrative. Ndikimi i tij e përshkon tekstin si në përmbajtje, ashtu edhe në ritëm, simbolikë dhe në ngarkesën emocionale që lind nga përplasja midis asaj që thuhej dikur dhe asaj që kuptohet sot. Kjo ambivalencë manifestohet që në kapitullin e parë “Stalini” dhe kulmon në pjesën e dytë të librit, ku përshkruhen me hollësi skemat piramidale dhe pasojat e tranzicionit që ndërtojnë një terren ku formohet zhgënjimi kolektiv.
Ndikimi i kontekstit nuk mbetet vetëm në nivel makrohistorik: ai konkretizohet fuqishëm në skena të zakonshme të jetës së përditshme, ku radhët e gjata përpara dyqaneve kthehen nga indikatorë ekonomikë në simbole strukturore që zbërthejnë ritmet e një jetese të pezullt dhe mekanizmat e brendshëm të një shoqërie të kushtëzuar nga mungesat dhe pritja e vazhdueshme. “Përpara dyqaneve kishte gjithnjë radhë, një radhë që ngjizej në pritje të kamionit të furnizimit… Atëherë më shpjeguan se radhët vazhdonin për ditë të tëra, ndonjëherë edhe natën. Ishte e domosdoshme që rrjetat e pazarit, bidonët e vajgurit ose gurët e madhësive të ndryshme, të ngarkoheshin me funksionet e tyre përfaqësuese që përndryshe do të mundoni njerëzit vetë.”[2]
Kjo metaforë e radhës, që në pamje të parë duket e parëndësishme, kthehet në një përkufizim të mprehtë të njeriut që jeton nën totalitarizëm: një njeriu që pret, pa e ditur ç’pret, por që vazhdon ta bëjë pritjen pjesë të identitetit të tij duke qenë se i jep një ndjenjë përkatësie.
Një tjetër element thelbësor është figura e prindërve, të cilët për Ypin përfaqësojnë dy pole të kundërta të një sistemi që e formoi dhe e gënjeu në të njëjtën kohë. Pyetja e saj – “Përse nuk po dilnin prindërit e mi për të shijuar lirinë që kishin dëshiruar aq gjatë? Përse nuk po shkonin të votonin? Ai gjumë teatral, ajo pavendosmëri e rreme, ai zgjim me lëvizje të ngadalësuara, të krijonin përshtypjen se gjatë gjithë atyre viteve ata nuk kishin ëndërruar plotësimin e dëshirave konkrete, por vetëm që mundësitë abstrakte të mbeteshin të hapura.”[3] – zbulon tensionin midis pritjes së gjatë për ndryshim dhe frikës për t’u përballur me të panjohurën. Liria e papritur i ekspozon ata jo vetëm ndaj mundësive, por edhe ndaj pasigurisë: ideologjia e mëparshme u kishte imponuar shtypjen e dëshirave dhe kultivimin e shpresës vetëm në formën e saj më abstrakte.
Kjo përplasje midis përvojës dhe kuptimit të mëvonshëm kulmon në çastin grotesk të zbulimit se statuja e Stalinit ka humbur kokën, një moment simbolik që përfaqëson rënien e mitit politik si strukturë orientuese e jetës. Ajo e përshkruan përballjen kështu: Po çfarë të shihja? Buzëqeshja ishte zhdukur. Nuk kishin mbetur më as sy, as gojë, madje as mustaqe. Huliganët ia kishin rrëmbyer Stalinit kokën.[4] Ky imazh i fortë semiotik shënon çastin e çmitizimit: atë moment kur figura ideologjike reduktohet në materie të zbrazët, dhe rrëfimtarja përballet me të vërtetën se siguria, morali dhe kuptimi kishin qenë të projektuar mbi një iluzion monumental.
Në këtë pikë hyn në lojë ajo që studiuesi Paul Ricoeur e quan “brishtësia e kujtesës”[5], gjendja në të cilën themelet simbolike të identitetit lëkunden dhe bota e mëparshme shpërbëhet. Pikërisht në këtë çast, thotë Ricoeur, kujtesa ekspozohet ndaj manipulimit, harresës dhe imagjinatës, dhe subjekti detyrohet të rimodelojë kujtesën për të rindërtuar vetveten përmes aktit të rrëfimit. Rrëfimi i Ypit provokon kështu një krizë të marrëdhënies midis lexuesit dhe kujtesës, një përplasje mes së vërtetës dhe fiksionit si mekanizëm mbrojtës, që Ardian Vehbiu e përkufizon si procesin ku teksti, “…në atë masë që i ka shërbyer autorit për të ndërtuar një imazh të rremë të vetes, po i shërben tani lexuesit për të ndërtuar një imazh të rremë të vetes, si super-ego, ose autoritet verifikues dhe gjykues.”[6] Prej këtej lind nevoja për të shqyrtuar zërin rrëfimtar.
Kujtesa dhe retrospektiva: ndërtimi i zërit rrëfimtar
Teksti autobiografik Të lirë ngjizet mbi përplasjen midis përvojës së fëmijërisë dhe vetëdijes së mëvonshme politike dhe filozofike, ku retrospektiva nuk është thjesht kthim pas, por akt krijimi i vetvetes nën perspektivën e një kohe tjetër. Zëri rrëfimtar te Ypi lëviz midis dy regjistrave: një fëmijë që kupton botën përmes gjuhës së propagandës dhe një të rritur që çmitizon këtë gjuhë përmes një reflektimi kritik.
Ky dualitet është i pranishëm që në faqet e para të veprës, ku rrëfyesja përshkruan momentin kur përqafon statujën e Stalinit me një ndjenjë krenarie dhe besimi: “Kupimi i lirisë nuk kishte qenë kurrë në mendimet e mia deri në ditën që përqafova Stalinin. Ashtu nga afër, Stalini mu duk shumë më i gjatë se ç’e prisja.”[7] Fëmija e vogël nuk ka mjetet për të analizuar realitetin ideologjik që e rrethon, ajo vepron në përputhje me narrativën zyrtare. Por ky fragment, i ndërtuar me një gjuhë të zhveshur nga ironia e drejtëpërdrejtë, ngërthen një distancë të heshtur midis subjektit që përjeton dhe subjektit që rrëfen.
Në këtë mënyrë, retrospektiva bëhet mjeti për të riorganizuar të shkuarën sipas kuptimit që ajo merr sot. Kjo tregon se kujtesa autobiografike nuk është pasqyrim i realitetit, por ndërtimi i tij. Në një pasazh domethënës, rrëfimtarja pranon: “Ndoshta dhe unë vetë nuk e kuptoja mirë atë rrëmujë ndjenjash që përjetoja atëherë, atë përshtypje të turbullt se jeta ime, brenda dhe jashtë mureve të shtëpisë, në fakt nuk ishte një por dy jetë.”[8] Kjo frazë është çelës për të kuptuar procesin e kujtesës si një akt narrativ, ku përvoja ndahet nga kuptimi dhe përpunohet përmes një vështrimi të vonuar.
Dyzimi rrëfimtar është i pranishëm edhe në mënyrën sesi rrëfyesja përshkruan figurat prindërore. Babai përshkruhet si dikush që përdor ironinë për të jetuar, një formë mbijetese brenda një sistemi që e ka kufizuar. Nëna, nga ana tjetër, ruan një autoritet të heshtur:“Përshkruante vetëm atë që ndodhte, dukuritë që mund të mateshin, kurrë ndjenjat e saj. Ankohej rrallë. Nuk mbaj mend ta kem parë ndonjëherë me lot në sy. Shfaqte autoritet absolut; autoritetin e atyre qenieve të jashtëzakonshme…”[9] Siç vëren teoricieni Philippe Lejeune[10], pakti autobiografik mbështetet në idenë se autori rishkruan veten përmes një vetëdije të tashme. Në Të lirë, kjo vetëdije artikulohet si lëvizje e vazhdueshme midis tonit të fëmijës dhe zhgënjimit të të rriturës. Mungesa e shprehjes emocionale nga prindërit nuk është indiferencë, por një formë e heshtur qëndrueshmërie, të cilën vetë rrëfimtarja e kupton vetëm në retrospektivë. Përpunimi i së shkuarës përkthehet më pas në strukturën narrative të tekstit.
Poetika narrative: fiksioni, fragmentariteti dhe stili
Lea Ypi shpesh i shkrin kufijtë mes kujtesës autobiografike dhe elementeve fiktive, duke e shndërruar rrëfimin në një akt krijimi letrar e pothuaj mitik. Kjo ndërthurje fakt/ fiksion është e dukshme kur rrëfimtarja rikujton vdekjen e Enver Hoxhës, ajo nuk rrëfen vetëm ngjarjen, por ndërton një “unë” që është njëkohësisht produkt i propagandës dhe subjekt që përpiqet të kuptojë botën. Për shembull ajo rikujton sesi kishte idealizuar figurën e Enver Hoxhës deri në absurditet fëmijëror, duke menduar se një foto e tij do ta bënte më të denjë si pjesë e shoqërisë: “U kisha kërkuar sa e sa herë të vinin në kornizë një fotografi dhe ata gjithmonë harronin.”[11] Kujtesa kalon në një rrëfim ku ndjenja personale përzihet me shtresëzimet propagandistike, duke krijuar një akt performativ që nxjerr në pah një identitet të formuar ideologjikissht.
Rrëfimi përzien shpesh ngjarje historike të njohura dhe episode personale në mënyrë që “e vërteta” të kuptohet si fryt i subjektivitetit. I tillë është pasazhi i përshkrimit të funeralit të Enver Hoxhës, rrëfyer me tone epike dhe simbolikë të mbivendosur, ku përmendet se “Edhe natyra vajton humbjen e një prej revolucionarëve më të mëdhenj të kohës sonë”.[12] Mund të themi se faktet historike shndërrohen në narrativë mitike, një teknikë ku kufijtë mes faktit dhe fiksionit shkrihen.
Një tjetër element i rëndësishëm është trajtimi i konceptit të “biografisë”, të cilin regjimi e kishte shndërruar në një mekanizëm përjashtimi. “Biografia ishte një lloj përgjigjeje universale ndaj çdo pyetjeje, një si themel fundor i dijes pa të cilin çdo njohuri e saktë kthehej sa e hap e mbyll sytë në një opinon të luhatur… Ashtu ishte koncepti biografi. Kur përmendej si fjalë nuk kishte rrugë tjetër. Pranohej siç vinte, pa një pa dy.”[13] Për Ypin fëmijë, kjo fjalë merr ngjyrime surrealiste, ndërsa në planin narrativ ajo bëhet metaforë e fatit të paracaktuar ideologjik. Mënyra se si tregohet historia e babait, që u detyrua të linte pas ëndrrën për matematikë për shkak të biografisë së tij, dhe ajo e nënës që përjetonte frikën e përjashtimit për shkak të sfondit familjar, ndërtohen si tregime të gjalla, me humor të hidhur dhe elemente groteske. Për shembull, ironia kur përmendet se të gjitha pyetjet për jetën e njerëzve marrin si përgjigje fjalën “biografi”, një fjalë që për narratorin fëmijë bëhet një koncept misterioz dhe tërësisht absurd: “Po ti pyesje prindërit e mi se si ishin takuar dhe pse ishin martuar bashkë, përgjigjja e atypëratyshme ishte: “Biografia”.”[14] Ky përdorim i përsëritur dhe gati surreal i fjalës, e kthen faktin në një mjet poetik, ku fiksioni dhe realiteti bashkohen për të përçuar absurditetin e sistemit.
Edhe skenat e jetës së përditshme, p.sh., mënyra se si fëmijët imagjinojnë ushqimet dhe lodrat e turistëve apo bollëkun e supermarketeve perëndimore, janë rikrijime narrative që mbështeten në fakte reale të izolimit të Shqipërisë, por ndërkohë marrin ngjyra fiksioni përmes fantazisë dhe supozimeve fëminore.
Rrëfimi që ndërton Ypi ku fiksioni dhe faktet janë të ndërthurura me një vetëdije kritike karakterizohet nga një strukturë fragmentare dhe jo lineare. Kalimet nga një kujtim te një tjetër, nga një histori te një reflektim, krijojnë një narrativë të ndarë në fragmente të vogla që paraqesin copëza të përvojës. Ajo kapërcen nga përshkrime intime të jetës familjare (p.sh., lufta e babait me antenën televizive për të kapur sinjal nga Dajti) te reflektime të gjera filozofike mbi lirinë dhe sistemin komunist. Kjo strukturë fragmentare është një strategji narrative që përcjellë ndjesinë e kujtesës reale: të çrregullt, të ndërprerë dhe të mbushur me kthime dhe shmangie.
Në thelb, vepra Të lirë qëndron si një model i rrëfimit bashkëkohor, ku individi rikthehet te vetja për të kuptuar jo vetëm një jetë të jetuar, por kushtet që e kanë bërë atë jetë të mundur, duke dëshmuar se autobiografia është po aq proces interpetimi sa edhe kujtese.
[1] Ardian Vehbiu, Fiction në memoir, Peizazhe të fjalës, Tiranë, 2022.
[2] Lea Ypi, Të Lirë, Botimet Dudaj, Tiranë, 2021. Fq. 61/62
[3] Po aty, fq. 153
[4] Po aty, fq. 14
[5] Paul Ricoeur, Memory, History, Forgetting, përkth. Kathleen Blamey dhe David Pellauer (Chicago: University of Chicago Press, 2004), f.81
[6] Ardian Vehbiu, Fiction në memoir, Peizazhe të fjalës, Tiranë, 2022.
[7] Lea Ypi, Të Lirë, Botimet Dudaj, Tiranë, 2021, fq.11
[8] Po aty, fq. 34
[9] Lea Ypi, Të lirë, Botimet Dudaj, Tiranë, 2021, fq. 45
[10] Philippe Lejeune “On Autobiography”, , vol. 52, Theory and History of literature, University of Minnesota Press
[11] Po aty, fq. 59
[12] Po aty, fq. 56
[13] Lea Ypi, Të Lirë, Botimet Dudaj, Tiranë, 2021, fq. 40
[14] Po aty, fq. 39


