More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. Dr. Skënder Asani: Predikimi shqip i Gaspër Gjinit, një ndjenjë përkatësie...

    Prof. Dr. Skënder Asani: Predikimi shqip i Gaspër Gjinit, një ndjenjë përkatësie dhe shprese

    Dom Gaspër Gjini ishte edhe një figurë që lidhej drejtpërdrejt me trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të Kishës së Mbretërisë së Dardanisë. Ai ishte pasardhës i denjë i emrave të ndritur si Andrea dhe Pjetër Bogdani, Toma Raspasari, Dom Ndue Bytyqi, At Zef Rama, Lazer Mjeda dhe shumë personalitete të tjera që vepruan në kryeqendrën shpirtërore të shqiptarëve – Shkupin. Në vazhdën e këtyre kolosëve, Dom Gaspër Gjini jo vetëm e ruajti, por e rigjallëroi këtë trashëgimi, duke e bërë Kishën Katolike një vatër të gjallë kombëtare, ku feja dhe përkatësia kombëtare ndërthureshin natyrshëm si dy shtylla të identitetit shqiptar.


    Historia e një kombi nuk është vetëm një përmbledhje faktesh dhe datash, por një rrjedhë e gjallë ngjarjesh, përpjekjesh dhe sakrificash që mbajnë gjallë identitetin dhe shpirtin e tij. Brenda kësaj historie, figura si Dom Gaspër Gjini ndriçojnë si pishtarë që udhëhoqën popullin e tyre me besim, dije dhe përkushtim. Si klerik, studiues dhe mbrojtës i identitetit katolik shqiptar, ai i kushtoi jetën shërbimit ndaj Zotit, ruajtjes së besimtarëve të tij dhe ndriçimit të historisë së Kishës Katolike ndër shqiptarë.

    Një nga detyrat më të rëndësishme të Dom Gaspër Gjinit ishte shërbimi i tij si meshtar në Shkup, ku ai jo vetëm predikoi besimin katolik, por edhe u bë një shtyllë mbështetëse për komunitetin katolik shqiptar në këtë qytet. Në një kohë kur identiteti shqiptar sfidohej nga përpjekjet për asimilim, ai e mbajti gjallë shpirtin kombëtar duke kremtuar meshën në gjuhën shqipe. Ky veprim, i cili mund të dukej i thjeshtë për shumëkënd, ishte në fakt një akt rezistence dhe mbrojtjeje e kulturës shqiptare. Nëpërmjet liturgjisë shqipe, ai i dha popullit të tij një ndjenjë përkatësie dhe shprese. Meshat në gjuhën amtare nuk ishin thjesht akte fetare, por edhe manifestime të identitetit kombëtar, që i ndihmonin shqiptarët e Shkupit të mos ndiheshin të huaj në tokën e tyre. Kjo ishte një mënyrë për të treguar se feja dhe kombi nuk ishin të ndara, por të ndërthurura thellësisht në jetën dhe kulturën shqiptare.

    Në këtë kontekst të qëndresës dhe përkushtimit, nuk mund të lihet pa u theksuar roli i Kishës Katolike në Ferizaj pas Luftës së Dytë Botërore, e cila u shndërrua në një burim të gjallë frymëzimi për shqiptarët katolikë të Shkupit. Në një kohë kur regjimi i kohës kishte vënë në shënjestër identitetin fetar dhe kombëtar të këtij komuniteti, duke synuar zbehjen e fesë dhe shkombëtarizimin e tyre, Kisha e Ferizajt mbeti një qendër e gjallë shpirtërore dhe kombëtare. Ajo furnizonte Shkupin me besim, qëndresë dhe frymë kombëtare, duke dërguar jo vetëm ndihmë shpirtërore, por edhe sinjale të qarta uniteti e qëndrueshmërie. Nga ky qytet u mbajt ndezur flaka e shpresës për shumë familje shqiptare që ndiheshin të kërcënuara në të drejtën për të qenë vetvetja. Ky bashkëpunim shpirtëror ndërmjet Ferizajt dhe Shkupit ishte një dëshmi e fortë se, pavarësisht kufizimeve politike dhe dhunës ideologjike, lidhjet fetare dhe kombëtare ndër shqiptarë mbetën të pathyeshme.

    Përveçse ishte një bari shpirtëror, Dom Gaspër Gjini ishte edhe një dijetar i përkushtuar, që e pa dijen si një mision po aq të rëndësishëm sa edhe predikimi i fesë. Studimet e tij nuk ishin thjesht një pasion personal, por një përpjekje për të zbuluar dhe dokumentuar të vërtetat historike mbi katolicizmin ndër shqiptarë. Kryevepra e tij, Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj, është një testament i përkushtimit të tij shkencor. Ky studim madhor nuk është vetëm një kronikë e institucioneve kishtare, por një analizë e thellë e sfidave, përpjekjeve dhe sakrificave të shqiptarëve katolikë ndër shekuj. Ai hulumtoi burime arkivore në Romë, Paris, Zarë dhe famullitë lokale për të rindërtuar një histori që për shumë kohë kishte mbetur në hije. Në këtë vepër, ai ndriçoi periudhat kyçe të historisë së katolicizmit shqiptar, duke treguar sesi ipeshkvijtë shqiptarë kishin marrë pjesë në koncilet e mëdha të krishterimit, sesi komuniteti katolik kishte rezistuar ndaj presionit osman dhe sesi shqiptarët kishin ruajtur besimin dhe identitetin e tyre në kohë të vështira. Përmes këtij studimi, ai jo vetëm që shkroi historinë, por e mbrojti atë nga harresa dhe manipulimi.

    Kjo vepër, në të vërtetë, qëndron krah për krah me veprat më të rëndësishme të historiografisë shqiptare. Siç është botuar edhe Historia e popullit shqiptar – Pjesa e parë, me të njëjtin synim e seriozitet për të dëshmuar rrënjët e thella kombëtare të shqiptarëve, edhe Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj është një gur themeli në dokumentimin e përkatësisë sonë kombëtare dhe fetare në këto troje. Në Maqedoninë e Veriut, kjo vepër është ribotuar si vëllimi i parë i historisë së trevave lindore shqiptare, një përpjekje e qartë për të pasqyruar vazhdimësinë iliro-arbërore-shqiptare dhe për të riafirmuar identitetin tonë historik dhe kulturor.

    Duke njohur vlerën e jashtëzakonshme të kësaj vepre, Instituti për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Drita”, e ribotoi vitin e kaluar këtë kryevepër, duke i dhënë asaj një jetë të re dhe duke e bërë të qasshme për brezat e rinj të studiuesve, klerikëve dhe dashamirësve të historisë shqiptare.

    Dom Gaspër Gjini nuk ishte thjesht një prift, as vetëm një historian. Ai ishte një figurë që i përkiste njëkohësisht Kishës, historisë dhe kombit. Përmes shërbimit të tij në Shkup, ai u bë një mburojë e besimtarëve shqiptarë, një zë i fuqishëm për mbrojtjen e gjuhës shqipe në meshë dhe një udhërrëfyes i historisë së krishterimit në trojet shqiptare.

    Në këtë rrugëtim të shenjtë, Dom Gaspër Gjini ishte edhe një figurë që lidhej drejtpërdrejt me trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të Kishës së Mbretërisë së Dardanisë. Ai ishte pasardhës i denjë i emrave të ndritur si Andrea dhe Pjetër Bogdani, Toma Raspasari, Dom Ndue Bytyqi, At Zef Rama, Lazer Mjeda dhe shumë personalitete të tjera që vepruan në kryeqendrën shpirtërore të shqiptarëve – Shkupin. Në vazhdën e këtyre kolosëve, Dom Gaspër Gjini jo vetëm e ruajti, por e rigjallëroi këtë trashëgimi, duke e bërë Kishën Katolike një vatër të gjallë kombëtare, ku feja dhe përkatësia kombëtare ndërthureshin natyrshëm si dy shtylla të identitetit shqiptar.

    Jo më pak domethënëse është lidhja e veçantë shpirtërore e Dom Gaspër Gjinit me Nënë Terezën, ikonën shqiptare të dashurisë dhe përkushtimit. Ai ishte ndër të paktët që e priti atë disa herë gjatë vizitave të saj në Shkup. Si një bari që ruante me përkushtim tufën e vet, Dom Gaspër Gjini ishte i lidhur emocionalisht me komunitetin katolik, dhe praninë e Nënë Terezës e përjetonte si një bekim të posaçëm për misionin e tij. Pas ndarjes së tij nga jeta, meshët në gjuhën shqipe nisën të zbeheshin dalëngadalë dhe komuniteti që dikur ishte gjallëruar nga fjala e tij, nisi të shpërbëhej. Kjo është një thirrje e qartë për reflektim, për t’u rikthyer tek rrënjët dhe për të rikthyer gjuhën e shenjtë të predikimit në gjirin e këtij komuniteti.

    Në 40-vjetorin e ndarjes nga jeta të Dom Gaspër Gjinit, nuk po përkujtojmë vetëm një prift, historian apo intelektual të përkushtuar, por një simbol të gjallë të rezistencës kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve në Shkup dhe më gjerë. Figura e tij përfaqëson jo vetëm qëndresën e një kleri të ndershëm përballë sfidave të shumta, por edhe vizionin e një udhëheqësi shpirtëror që kuptoi thellësisht se ruajtja e gjuhës, fesë dhe identitetit janë të pandashme në mbijetesën e një kombi.

    Sot, kur meshët në gjuhën shqipe janë zbehur dhe komuniteti që dikur mbushej nga fjala e tij po përballet me shpërbërje e harresë, kujtimi i Dom Gaspër Gjinit na bën thirrje të rikthehemi te rrënjët. Ai na mëson se besimi nuk është vetëm një akt i shpirtit, por edhe një akt i ndërgjegjes kombëtare. Kujtimi i tij nuk duhet të mbetet vetëm në altarin e së kaluarës, por të kthehet në udhërrëfyes për të ardhmen – që mos të harrojmë kush jemi, nga vijmë dhe çfarë sakrifice është bërë që të jemi ende këtu, në gjuhën tonë, në besimin tonë, në historinë tonë.

    Pushoftë në paqe, Dom Gaspër Gjini. Kujtimi yt është amaneti ynë.

    (Ky tekst është lexuar në manifestimin tradicional “Takimet e Imzot Lucjan Avgustinit”, në Ferizaj në  40-vjetorin e ndarjes nga jeta të Dom Gaspër Gjinit)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË