More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. Dr. Klara Kodra: Kadareja dhe romani modern shqiptar

    Prof. Dr. Klara Kodra: Kadareja dhe romani modern shqiptar

    Kadareja, ky përfaqësues i shquar i avangardës së viteve 60-të, ka meritën e madhe ta ketë rinovuar i pari romanin shqiptar, duke vënë në jetë synimin që s’u realizua dot nga Migjeni, Koliqi, Kuteli që u ndalën në lloje më të vogla.

    Lloji i romanit, tepër i vonuar në krahasim me romanin evropian (u shfaq vetëm në shekullin e nëntëmbëdhjetë, kohë kur ky lloj do të arrinte kulmin e zhvillimit).

    Ky lloj më vonë do t’i digjte furishëm etapat për ta rifituar kohën e humbur.

    Romani shqiptar nuk e njohu as realizmin e Rinashimentos, as të ashtuquajturin “realizëm iluminist”, do ta njihte vetëm sentimentalizmin si pararomantizëm dhe për një kohë të gjatë s’do të çlirohej nga shpërgënjtë e patetizmit dhe skematizmit të tij.

    Romanet e para të njohura, ato të Nikajt i përkisnin sentimentalizmit dhe dalloheshin për një “vizion të botës” bardhë e zi. Niveli i tyre qe ai i “romanit të masës”.

    Arbëreshi Santori, në fakt edhe para Nikajt, kishte arritur t’i çonte romanet e veta në romantizëm dhe realizëm, madje në to shfaqeshin embrione vlerash estetike, disa personazhe të realizuar, disa tablo të gjalla, po për fat të keq këto romane nuk i arritën dot as lexuesit arbëresh dhe aq më pak lexuesit shqiptarë.

    Në vitet 30 romani shqiptar pati disa arritje sasiore, madje në të u shfaqën elementët e para të realizmit kritik dhe, për çudi, edhe të modernizmit në romanet “Pse?” dhe “Afërdita” të Sterjo Spasses dhe te “Sikur t’isha djalë” i Haki Stërmillit. Po ato mbetën romane eksperimentale, forma e të cilëve nuk ishte në lartësinë e risive që synonin të arrinin autorët.

    Talentet më të fuqishëm të kësaj etape iu kushtuan kryesisht llojeve më të vogla, tregimit, novelës ku patën arritje të ndjeshme.

    Po të lihej në rrugën e vet të natyrshme romani shqiptar do të ecte drejt realizmit kritik, duke arritur mbase bashkëkohësit evropianë, ata që u quajtën “realistë të viteve 30-të”, mbase edhe drejt modernizimit që po fillonte të jepte frytet e para në romanin evropian.

    Po kjo rrugë iu ndërpre në mënyrë brutale në kohën e pasluftës. Romanit iu imponua nga burime jashtëletrare një djegie etapash, një model që s’ishte, as realist, as modernist, modeli i një drejtimi që pretendonte se qëndronte më lart se realizmi dhe romantizmi, duke i shkrirë ato, realizmi socialist, një model që po ndiqej në Rusi dhe në disa vende ballkanike.

    Në të vërtetë ishte fjala për një klasicizëm të një lloji të ri, më i ngurtë se klasicizmi historik, me një program krijues të formuluar jo nga shkrimtarë, po nga ideologë, me rregulla në thelb jashtëletrare. Ky drejtim letrar artificial do ta mbërthente romanin e ri shqiptar ende të paformuar plotësisht në rregulla të ngurta që rrezikonin t’ia merrnin frymën.

    Ishin vitet 50-të kur determinizmi sociologjik do ta shtërngonte këtë roman në përqafimin e vet të hekurt që kishte rrezik t’i jepte në vend të një jete të re, vdekjen.

    Do të lindnin romane racionale që pretendonin për historizëm apo karakter aktual si “Çlirimtarët” e Shuteriqit, “Përmbysja”, “Këneta” e Fatmir Gjatës, “Një vjeshtë me stuhi” e Ali Abdihoxhës etj., fëmijë “të lindur të vdekur” apo fëmijë rakitikë që mezi mbaheshin në këmbë.

    Motivimi sociologjik, i trashëguar nga realizmi kritik, një lloj që ende s’kishte arritur të afirmohej në letërsinë shqiptare, mbizotëronte në romanet e kësaj kohe, duke u mbështetur në patericat e të ashtuquajturave “rregulla të reja”, të frymës revolucionare, të heroit pozitiv, të orientimit drejt romantikës së një të ardhmeje ideale dhe faktikisht të pamundur.

    Talentet e dobëta u shtrinë me kënaqësi në këtë “shtrat Prokusti” që u jepte mundësinë të gjallonin, talentet në shpërthim e sipër po asfiksoheshin.

    Erdhën vitet 60-të. Erdhi një talent i ri, vital dhje i fuqishëm që do t’i brente nga brenda rregullat asfiksuese. Ai pranoi në dukje të fshihej nën pelerinën e drejtimit letrar të ngurtë që mbizotëronte.

    Po që në romanin e parë shkrimtari do të kryente një mrekulli, do t’i falte a më mirë do t’i rikthente llojit të romanit atë tipar që romani evropian e kishte fituar prej disa shekujve qysh me Servantesin, siç do të pohonte me mprehtësi Kundera në “Artin e romanit”, relativizmin, ambivalencën, pranimin e disa të vërtetave relative, në vend të një të vërtete absolute.

    Romani i “realizmit socialist” që pretendonte se zotëronte përgjigjet e të gjitha pyetjeve nuk mund ta pranonte një dukuri të tillë, po Kadareja me largpamësinë e një talenti të madh, e pranoi.

    Po lindte një lloj romani që do të karakterizohej nga “kodi i dyfishtë”, një lloj romani që nuk vinte në qendër “heroin pozitiv” artificial, po një antihero, një personazh me thelb negativ apo kompleks.

    Motivimi sociologjik po plotësohej apo spostohej nga motivimi psikologjik, personazhet fillonin të shiheshin në një optikë, tashmë jo aq sociale sa ekzistenciale.

    Kjo do të ndodhte qysh në romanin e parë të Kadaresë, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”.

    Do të pasonin “Kështjella”, “Kronikë në gur”, kryevepra estetike të letërsisë shqiptare dhe njëkohësisht perla të krijimtarisë së Kadaresë që vetëm formalisht i përkisnin drejtimit zyrtar të “realizmit socialist”, po në të vërtetë ndërthurnin një lloj të ri realizmi me modernizmin.

    Këto vepra shfaqin një “vizion të jetës”, dramatik në caqet e tragjizmit, ato çmitizonin të ashtuquajturën përmasë “heroike” të fituar nga jeta nën diktaturën komuniste, i bënin vend gjithnjë e më tepër nënvetëdijes, pasqyronin krizën e individit dhe të vlerave në shekullin e njëzetë, tashmë jo në kushtet e shoqërisë borgjeze si Kafka dhe Musili, po në kushtet e një diktature totalitare të majtë që nuk mbetej pas nga diktaturat e djathta.

    Këto romane, pra, jepnin një mesazh çmitizues, një mesazh mohimi të realitetit socialo-politik që jepej përmes “gjuhës së Ezopit” dhe pohonte si të vetmet vlera të mundshme disa vlera pannjerëzore si dashuria erotike dhe dhëmshuria njerëzore. Këto vepra ishin gjithashtu novatore nga ana e formës meqenëse në to mbizotëronin risi si sinteza, simbolet e fuqishme, rryma e brendshme e lirizmit e trashëguar nga poezia, relativizimi i kohës i shprehur përmes retrospektivës, monologu i brendshëm që luan rol të veçantë, dramatizmi i dialogëve që afron romanin me dramaturgjinë.

    Gjithnjë e më tepër në këto romane që e çorodisnin kritikën zyrtare dhe linin të mahnitur deri në ekstazë publikun e lexuesve, sidomos atë të të rinjve, disidenca estetike shndërrohej në disidencë ideologjike.

    Kjo disidencë do të arrinte kulmin te “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” dhe “Koncert në fund të dimrit” ku Perandoria Osmane dhe Kina simbolizojnë në fakt diktaturën shqiptare, shtypjen dhe përgjimin policor oruellian të individit dhe varfërimin gjithnjë e më të madh shpirtëror të tij.

    S’mund të pranojmë tezën e atyre studiuesve të cilët edhe sot pretendojnë t’i vendosin këto romane në kornizën e “realizmit socialist”. Rregullat formale të drejtimit, të brejtura gjithnjë e më tepër nga brenda po shndërroheshin përherë e më tepër në një guackë bosh.

    Pamë që shkrimtari do t’i mohonte ato që në fillim duke mohuar heroin pozitiv dhe frymën artificialisht heroike. “Gjuha e Ezopit” do ta ndihmonte shkrimtarin gjithnjë e më tepër për t’i komunikuar lexuesit mesazhin e tij të fshehtë.

    Edhe në romane që ngjanin si lartësim i “realitetit socialist” si “Dimri i madh” depërtonte fshikullimi i plagëve kryesore të diktaturës si “lufta midis të aftëve dhe të paaftëve” ku të paaftët dilnin fitues, atmosfera e padukshme e frikës, ndërhyrja brutale e partisë në jetën e individit, shkëputja gjithnjë më e madhe e udhëheqësit diktator nga populli.

    Romanet e Kadaresë të shkruara në kohën e diktaturës, ndonëse të mbështjella me pelerinën e “realizmit socialist” janë në fakt vepra që ndërthurin realizmin me modernizmin.

    Këto romane dallohen për një respekt tepër të veçantë për lexuesin të cilit ia lenë lirinë e interpretimit, deshifrimin e “kodit të dyfishtë”, presin prej tij që të depërtojë në labirintin e formës tepër të lartë, elitare.

    Është e vërtetë që ky elitarizëm në disa raste bëhet shkak që në labirintin e kësaj forme kritikët/lexues të humbasin rrugën, duke mos e gjetur dot “fillin e Arianës”.

    Më vonë Kadareja do të kalonte nga modernizmi në pasmodernizëm në etapën që njohu krijimtaria e tij pas viteve 90-të, etapë në të cilën do të shtohej ironia çmitizuese, pesimizmi në “vizionin e jetës” dhe “kodi i dyfishtë” do të ndërlikohej edhe më. Kjo etapë nuk do të jepte gjithnjë kryevepra, megjithatë në të mund të dallojmë vepra të realizuara, në vazhdimësi me etapën e parë si “Donfermani”, “Piramida”, “Pasardhësi” dhe dy romanet që shkrimtari i kushtoi vendlindjes së vet “Çështje të marrëzisë” dhe “Darka e gabuar”.

    Në rinovimin e romanit, Kadareja do të ndiqte një rrugë të vetën, të ndryshme nga ajo që do të ndiqte bashkëkohësi i tij Jakov Xoxa që edhe ai, nën pelerinën e konsumuar të “realizmit socialist” do të fshihte një realizëm kritik të një lloji të ri dhe do t’i drejtohej “sagës familjare”, karaktereve të personazheve që dallohen për pasuri e shumëllojshmëri duke i pasur rrënjët në psikologjinë popullore.

    Shkrimtari ndoqi atë rrugë që i diktonte individualiteti i tij krijues. Ai nuk e asimiloi modernizmin apo pasmodernizmin për modë, pati idealin e vet estetik. Rruga që ndoqi shkrimtari dha fryt se Kadareja e ngriti me krijimtarinë e tij romanin shqiptar në nivelin e romanit bashkëkohor evropian.

    Për sa i përket “realizmit socialist”, shkrimtari e pranoi, duke bërë një kompromis vetëm në dukje, për ta tradhtuar më mirë thelbin e tij. Ky kompromis i ngjante marrëveshjes së Faustit me demonin Mefistofel, marrëveshje nga e cila Kadareja do të shpëtonte si Fausti në saje të fuqisë krijuese. Lidhur me këtë mund të thuhet ajo që pati thënë Lunaçarski për Floberin, domethënë se duke qenë shkrimtar borgjez, ai ishte armiku më i madh i borgjezisë. Po kështu Kadareja, në dukje shkrimtar i “realizmit socialist”, ka qenë armiku më i madh i këtij drejtimi artificial dhe të ngurtë, një shkrimtar jo vetëm modernist, po edhe modern në kuptimin më të lartë dhe më të plotë të fjalës.

    BIBLIOGRAFI

    1.R.M.Albérès, Histoire du roman moderne, Michel, 1962.

    2.Jean Benoit, Nouveaux problémes du roman, Seuil, Paris, 1978.

    3.Tefik Çaushi, Universi i Kadaresë, “Dajti 2000”, Tiranë 2001.

    4.Tefik Çaushi, Eros – dashuria dhe seksi te Kadareja, Ombra GVG, Tiranë 2004.

    5.Milan Kundera, L’arte del romanizo, Adelphi edizioni, Milano, 1988.

    6.Littérature et geures lettéraires, Larousse, 1973.

    7.Georges Lukacs, La theorie du roman, Edition Gonthier, Berlin Spandau, 1963.

    8.Adil Olluri, Romani postmodern shqiptar, UET Press, Tiranë, 2015.

    9.Luan Topçiu, Tradita moderne në letrat shqipe, Zenit Editions, Tiranë 2010.

    10.Prof. Alfred Uçi, Grotesku kadarean, Onufri, Tiranë, 1999.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË