More
    KreuLetërsiBibliotekë"Prill i hidhur" poezi nga Bardhyl Londo

    “Prill i hidhur” poezi nga Bardhyl Londo

    FLUTURIMI I KORBAVE

    Sa mirë po t’njoh, sado që je përdhosë.
    Dante Alighieri, Ferri, Kanga III

    Një tufë korbash si hordhi kobzezë,
    mbi kryeqytet fluturoi papritur,
    mes flatrash kreshpëruar si rrathë ferri,
    diçka digjej e digjej përshkënditur.

    Statujat lëvizën mbi tokën e lashtë,
    shpejtuan të mbronin vetveten,
    vetëm Noli si më 1924,
    vazhdonte t’i binte gërnetës.

    Korbat endeshin të pështirë, ogurzinj,
    mbi antenat e çative u ulën një nga një,
    papritur gjithë dritaret u nxinë,
    korbat sterronin ekranet e TV.

    Pastaj fluturuan mbi çatitë e shtypshkronjave,
    u shkrinë me plumba, lastra, interlinja,
    të nesërmen gazetat krrokëritnin si korb,
    brenda një nate kryeredaktorëve u kishin dalë thinja.


    FLUTURIMI I DYTË

    Korbat vinin nga e majta, nga e djathta, nga qendra,
    korba, korba, korba…
    Perëndi, na ruaj nga këto trille të çmendura!
    Zot, na shpëto kokat!

    I pari klithi një fëmijë i sapolindur,
    nëna shtratin mbuloi me trup.
    Hordhi e korbave maternitetin qendror
    godiste me sqepat si grusht.

    Pastaj fluturonin si hordhi barbare
    mbi azilet ku pleqtë dridheshin të strukur.
    Korbat gjakosnin, kafshonin, gëlltisnin,
    trupa të përgjakur duke ndukur.

    Dhe thyheshin xhamat, thyheshin dritaret,
    gjithçka si në ditën e Noes ishte.
    Të paralizuara si nga sëmundja ishin spitalet,
    mbushur plot me korba djallëzeza ekstremiste…

    Vonë, natën vonë, korbat e lodhur,
    të nginjur me gjak fluturuan s’di se ku,
    qiellit të hirtë në vend të balonave,
    pelena të përgjakura fluturonin kuturu…


    FLUTURIMI I TRETË

    Qyteti dridhej nga ethet. Nga frika.
    Si i dehur endej as vetë s’e dinte se ku.
    Majtas e priste vdekja. Djathtas lëngimi.
    Spitalet krematoriume ishin gjithashtu.

    Dritaret perdet ulnin si kanata burgu.
    Kyçet e rënda prangosnin shtëpinë.
    Qyteti mbledhur sa një grusht nga frika,
    dridhej, lutej, ngujuar në karantinë.


    FLUTURIMI I KATËRT

    Të nesërmen korbat u rishfaqën sërish,
    si re të zeza mbi çati, mbi rrugë, mbi kodra.
    Ne s’kishim ku uleshim në asnjë stol,
    në parqe, në kafene nxinin korbat.

    Papritur një tufë fluturoi aq afër,
    rruga m’u bë si Ferri i Dantes.
    Diku e kisha parë këtë shëmti korbash,
    koka e tyre me koka të njohura ngjante…

    Zot! Si u shndërruan kështu në korba,
    shumë prej tyre i desha pa dyshuar për asgjë.
    Tani në kokën time klithte korbi i Alan Poes:
    “Kurrë më! Kurrë më! Kurrë më!”

    Ndërsa ata endeshin më të zinj se nata,
    poste kërkonin, kolltukë, hobi.
    Mbi fytyrat e njerëzve glasa lëshonin
    dhe talleshin tinëz me një tallje prej korbi…


    FLUTURIMI I KORBAVE NATËN

    Qyteti dergjej mes ethesh në karantinë,
    lutej, falej, ëndërronte në delir.
    Korbat fluturonin të tërbuar mbi çatitë e trembura,
    korbat sterronin edhe më natën e nxirë.

    Të etur për mish, të etur për gjak,
    njëri-tjetrin sulmonin pa mëshirë.
    Mbi tokën dhe çatitë, dridhur nga ethet,
    pendët binin – re e zezë, e pështirë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË