Përktheu Besnik Mustafaj
1
Në xhungël nuk duhet shkuar i pari.
2
Për këdo me durim për të pritur mbrëmjen, Stokholmi tregon përralla çdo mbrëmje.
3
Përbrenda Stokholmit molet nuk janë kurrë përtej kundërmimit të ujit. Zjarre bredhacake dhe glasa zogjsh, dridhjet e përhime të dritës mbi gjeometrinë kubike të valëve. Në Stokholm mbërrin udha e çelur gjithmonë diku larg kushedi se si.
4
Binatë mbijnë nga mali si gogozhelë. Përvijimet e tyre të nxira janë mbushur me dritën joshëse të të paarritshmes. Kështjella e princeshave syrgjyne, përgjysmë zhytur në qiell, ngjitet dhe një kat më lart.
5
Në Stokholm uji xixëllon nën ura; askush s’e di vërtet cili është i humburi.
6
Do lexuar si të ishim të vdekur tashmë. Çdo emër i përveçëm është dallim në tekst, asgjë më shumë: kaq pak prej gjësë bën fjalë për ne. Dhe të shkosh drejt qytetit me një vështrim aq të ngadaltë sa ai të shpopullohet.
7
Kënga e kullës më të lartë. Tani i shoh të gjitha nga dritarja dhe mund t’i dëgjoj si rënkojnë në erë: Këtu jam në këmbë duke pritur të bie. (Kujdes: po, është vërtet Rimbaud.)
8
Në ca ditë takoj vetëm të vdekur në Rrugën e Rennes (Drottinggatan), miq dhe kolegë të ndjerë prej shumë kohësh, ani pse kjo hiç s’më ngazëllen: kujtesa është më shqisore se vështrimi.
9
Sidomos kalimi nga Parlamenti është më i qashtër për fantazmat dhe shpirtrat e trazuar.
10
Vjen një ditë kur çdonjëri jeton në një qytet fantazmë të vizatuar prej atij vetë.
11
Çdo qytet e sheh harabelin si zogun e vet, të pacipë e dinak, veç Stokholmit, ku harabeli është shpërfillur, i huaj në shtëpinë e vet, i përjashtuar nga zogjtë e tjerë më të mëdhenj të livadheve, pyjeve, që e kanë urinë më të madhe.
12
Jo, zogu tipik i Stokholmit është më fort laraska, gjithnjë në merak për ta zbukuruar e zmadhuar folenë e vet.
13
Një çast të shkurtër vala mëngjesore e metrosë bëhet njësh nga nxitimi i përbashkët, për një çast të shkurtër ne rrëmbehemi nga e njëjta dëshirë dhe nxitojmë në një krah. Për një çast të shkurtër ne më trembemi.
14
Në ca ditë, një jet – stream përmbi Stokholm është një jet – stream përmbi Stokholm. Në ditë të tjera, një pyetje: Ku?
15
Ka shkëmbime të fshehta mes qyteteve, pika ku ato merren vesh aq mirë ndër vete sa mbivendosen ose dyzohen.
16
Te këto kalime do pasur një kujdes i tejskajshëm.
17
Ai që humbet me tepri përqendrimin mund të zbresë nga një trotuar në Stokholm dhe të hipë në anën tjetër në Paris.
18
E kush do të donte që kjo të ndodhte?
19
Kam një hartë lagjeje ku këto vende janë shënuar, por nuk duhen ndjekur.
20
Asnjë qytet pa pemë. Asnjë qytet pa erë. Asnjë qytet pa brava dyersh që nuk mbyllen kurrë.
21
Domethënia e një qyteti shprehet në irealitetin e tij të afërt, përvijimet që ngjajnë të hapërdara në bisht të syrit. Stokholmi e ka shterruar aftësinë e vet bindëse dhe mban shpresë te mosbesimi qenësor i banorëve për të tjerrur një anti – qytet më së paku po aq realist.
22
Vetëm ne të pagjumët e dimë se, në fund të fundit, Stokholmi është qytet i pabanuar.
23
Do parë me dyshim të madh përmbushja e ëndrrave të veta.
24
Çfarë prite ti që të ishte Stokholmi? Aparat për të prodhuar kujtesa? Stokholmi është një aparat për të prodhuar e venë në punë trazirën.
25
Çdo pasqyrë është një shpallje irealiteti, çdo pasqyrë uji është dhe më shumë se kaq, vështrimi i kapur në të i përket dikujt të mbytur tashmë: ne jemi çfarë uji sheh në ëndërr për ne.
26
Me këmbët mbi tokën e dystë nuk mund të kuptohet vërtet Stokholmi.
27
Nata e verës është nja maskë që mund ta mbajë kushdo: unë jam më i lehtë se ajri dhe po aq i ndërkëmbyshëm.
28
Kurrë s’ka jetuar njeri në Stokholm.