More
    KreuIntervistaPercival Everett: Shpresoj të kem shkruar romanin që M. Twain nuk e...

    Percival Everett: Shpresoj të kem shkruar romanin që M. Twain nuk e shkroi

    Përktheu Mariana Ymeri

    Më datë 5 maj u shpallën çmimet Pulitzer në Amerikë.

    Çmimi PULITZER i vitit 2025 për romanin më të mirë i është dhënë Percival Everett-it, shkrimtar amerikan dhe autor i librit James, një ritregim i “Aventurave të Hakëlberri Finit”, por nga këndvështrimi i personazhit skllav, të titullit. Libri, i cili do të botohet në shqip në nëntor 2025 nga Dituria (përkthyer nga Virgjil Muçi), ka qenë një nga librat më të lexuar, më të dashur dhe më të festuarit e vitit 2024, fitues National Book Award (Çmimi Kombëtar i Librit), i cili konsiderohet çmimi më i rëndësishëm letrar kushtuar letërsisë amerikane, i përfshirë gjithashtu në pesë më të mirët e Booker Prize, i cili u fitua nga shkrimtarja britanike Samantha Harvey, me librin Orbital (edhe ky libër do të jetë së shpejti në duart e lexuesit shqiptar, përkthyer nga Anxhela Cikopano), një roman i vitit 2023, por edhe Çmimin Kirkus dhe Medaljen Carnegie për letërsi artistike.

    PSE JAMES (XHEJMS) I EVERETTIT FITOI ÇMIMIN PULITZER

    Në deklaratën e jurisë përkatëse thuhet se Çmimi Pulitzer i vitit 2025 i është dhënë romanit “James nga Percival Everett (Doubleday), një rishkrim i suksesshëm i Hakëlberri Finit që i jep Xhejmsit/Xhimit mundësinë të ilustrojë absurditetin e supremacisë racore dhe të ofrojë një perspektivë të re në lidhje me familjen dhe lirinë”.

    Ishte një kthim, risi në çmimet Pulitzer, të cilat i dhanë hapësirë ​​të bollshme paragjykimeve racore, por ato konsiderohen, duke pasur parasysh edhe fitoret në gjinitë e tjera letrare, si një mesazh për Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump: fituan disa media që kanë qenë shënjestra e tij, p.sh., New York Times fitoi katër çmime, ndërsa New Yorker fitoi tre.

    PËR ÇFARË FLET “JAMES”, FITUESI I ÇMIMIT NË VITIN 2025?

    Kur e pyetën Everett-in: “James” është një koncept kaq i shkëlqyer. A e mbani mend momentin kur ju lindi ideja?, ai u përgjigj se: “Kur vendos të shkruash një libër, nuk të duket kurrë si një ide e shkëlqyer. Është gjithmonë si të hysh me ndërgjegje të plotë në një martesë të keqe. Nëse do të kishe pak mend, nuk do ta bëje, por e di që do ta bësh. Por gruaja ime, e cila është më e zgjuar se unë, tha: “Kjo është një ide e shkëlqyer.” Ajo e mbështeti librin që në fillim, unë nuk isha i sigurt.”

    Dhe ndërkaq, romani është vlerësuar me shumë çmime!

    Libri i Everettit është epopeja e rishikuar e historisë së Hak Finit, sepse rrëfehet nga këndvështrimi i skllavit Xhim, i cili kur e nxjerrin në shitje dhe për këtë arsye rrezikon të ndahet nga gruaja dhe vajza e tij, vendos të arratiset dhe mendon një plan për të shpëtuar familjen. Pikërisht në atë moment, Hakëlberri Fini shtiret si i vdekur për t’i shpëtuar të atit të dhunshëm dhe fshihet në të njëjtin ishull, në udhëtimin e tij të famshëm me trap. Everetti fillon që aty për të treguar historinë nga këndvështrimi i Xhejmsit, i njohur nga të gjithë si Xhimi, duke e bërë atë protagonistin e vërtetë të romanit.

    “Një burrë i gatshëm të bëjë gjithçka për të mbijetuar dhe për të shpëtuar familjen e tij, një burrë që nga Xhim – nofka e përdorur në kuptim përçmues nga të bardhët, për të treguar çdo person me ngjyrë, i padenjë për të pasur qoftë edhe një emër të vetin – vendos të bëhet Xhejms dhe zgjedh lirinë, pavarësisht prej pasojave”.

    *

    PYETËSORI: LIBRAT E JETËS SIME

    Frymëzimet që qëndrojnë pas librit tim JAMES:

    “Aventurat e Hakëlberri Finit” nga Mark Tueni janë burimi i romanit tim. Shpresoj ta kem shkruar romanin që Twain nuk e shkroi dhe sigurisht nuk mund ta shkruante dot. Nuk e shoh veprën si një korrigjim, por përkundrazi e shoh veten në një dialog me të.

    Libri që më bëri të dashurohem me leximin:

    Slaughterhouse-Five (Thertorja nr. 5) nga Kurt Vonnegut.

    Libri të cilit i kthehem herë pas here:

    “The Way of All Flesh” nga Samuel Butler. E adhuroj mënyrën se si Butler-i krijon historinë e familjes në dukje pa përpjekje dhe më pëlqen humori i tij.

    Libri që nuk mund ta heq nga mendja:

    Ka shumë të tillë, për të veçuar vetëm një.

    Libri që më ndryshoi mënyrën se si mendoj për botën:

    Romani i Chester Himes-it, “Third generation” (Brezi i Tretë), më bëri të reflektoja për politikat që lidhen me ngjyrën e lëkurës. Arrita ta shihja nënën time në nënën e personazhit dhe kështu i kuptova më mirë njerëzit në përgjithësi.

    Libri që më ndryshoi mënyrën se si mendoj për romanin:

    “Tristram Shandy” i Sterne më mësoi rëndësinë e lojës si një mënyrë për të arritur domethënien, kuptimin. Gjithashtu, mësova se të vërtetat e rëndësishme nuk kanë nevojë (dhe shpesh nuk janë) të shkruhen me kursive ose të theksohen veçanërisht.

    Libri që më ka bërë më shumë përshtypje:

    Përsëri, “Tristram Shandy”, për inteligjencën dhe lojën e tij. Ai sfidon mënyrën se si një vepër fiksionale supozohet të ketë kuptim dhe të krijojë kuptim. Një roman i shekullit të 18-të që mund të konsiderohej post-modern (nëse do të kishte një gjë të tillë).

    Libri që po lexoj aktualisht:

    “Dvořák’s Prophecy” (Profecia e Dvorzhakut) e Joseph Horowitz-it. Ky është një libër i mrekullueshëm për ndërtimin e së ashtuquajturës kulturë e lartë dhe e ulët në Shtetet e Bashkuara të fillimit të shekullit të 20-ë. Libri i emërtuar për çmimin Booker që të gjithë do të duhej ta lexonin.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË