More
    KreuIntervistaOltsen Gripshi sjell një frymë të re në historiografinë e artit pamor...

    Oltsen Gripshi sjell një frymë të re në historiografinë e artit pamor shqiptar

    Studimi Historia e Novelës Grafike dhe e Karikaturës shqiptare i Ph.D. Oltsen Gripshit përfaqëson një ndërhyrje të domosdoshme në historinë e mendimit mbi artin pamor shqiptar. Për një kohë të gjatë, novela grafike dhe karikatura kanë ekzistuar si praktika të njohura kulturore, por nuk janë trajtuar në mënyrë sistematike nga historiografia e artit, duke mbetur jashtë një reflektimi të konsoliduar teorik. Trajtimet e deritanishme kanë qenë sporadike, të fragmentuara dhe kryesisht deskriptive, pa u strukturuar në një aparat metodologjik që t’i lexojë këto forma si zhanre autonome të prodhimit vizual. 

    Qasja e Gripshit ndërton një kornizë analitike që e zhvendos vështrimin nga funksioni ilustrativ ose satirik drejt analizës së novelës grafike dhe karikaturës si forma të diskursit, në të cilat imazhi dhe teksti veprojnë në një marrëdhënie të ndërlikuar kuptimore. Në këtë lexim, këto zhanre nuk janë thjesht mjete shprehjeje, por hapësira ku artikulohen qëndrime kulturore, politike dhe ideologjike. Studimi hedh dritë edhe mbi raportin ndërmjet imazhit dhe pushtetit, duke e vendosur prodhimin grafik në një kontekst historik ku kontrolli, censura dhe instrumentalizimi ideologjik kanë ndikuar drejtpërdrejt në formën dhe funksionin e tij.

    Përmes përzgjedhjes, katalogimit dhe analizës ikonografike, autori ndërton një kronologji që synon të ndjekë procesin e vetëdijesimit estetik të këtyre zhanreve në kohë. Vëmendja përqendrohet te ndërtimi formal i figurës, te mimika, tipologjitë grafike dhe kompozimi, si edhe te mënyra se si këto elemente konfigurohen në raport me kontekstin shoqëror dhe ideologjik. Në këtë kuptim, novela grafike dhe karikatura shfaqen si forma që nuk lindin nga një akt i vetëm, por konsolidohen gradualisht përmes praktikës dhe nevojës për të përthithur dhe artikuluar vizualisht realitetin historik.

    Në këtë perspektivë, Historia e Novelës Grafike dhe e Karikaturës shqiptare funksionon si një tekst referencial për studimet e historisë së artit dhe kulturës pamore në vendin tonë, jo thjesht për shkak të materialit që mbledh, por për mënyrën se si e konceptualizon objektin e tij.

    Intervista që vijon çel një hapësirë reflektimi mbi studimin e Oltsen Gripshit, me të cilin, në një këndvështrim krejt personal, i ka dhënë historiografisë së artit pamor shqiptar një frymë të re.

    J.T: Oltsen, studimi juaj mbi historinë e novelës grafike dhe të karikaturës në Shqipëri vjen si një akt kujtese kulturore, që përpiqet të mbledhë fijet e një historie pamore të shpërndarë dhe shpesh të heshtur. Si lindi kjo nevojë për t’u kthyer pas në kohë dhe për të gjurmuar këto dy zhanre artistike?

    O. Gripshi: Radhët e para të këtij studimi shkencor vëllimmadh i kam hedhur në letër shumë vite më parë, fillimisht në formën e shënimeve, gjatë periudhës kur ndiqja studimet master në estetikë (filozofi) dhe kritikë arti në Universitetin Shtetëror të Padovës, në Itali. Ndër fushat dhe zhanret që trajtoheshin në këtë program studimi përfshiheshin edhe novela grafike (fumetto) dhe karikatura. Kjo mjaftoi si një shkëndijë e parë për të kthyer vëmendjen drejt artit pamor shqiptar nëse ishin lëvruar dhe si këto dy zhanre artistike.

    Që nga viti 2009, kur hodha shënimet fillestare, e deri në vitin 2019, iu riktheva me përkushtim kërkimit, duke shfletuar mijëra faqe revistash si “Yllkat”, “Fatosi”, “Pionieri”, “Ylli” dhe “Hosteni”, si edhe dokumente të ndryshme nga koleksionet e Bibliotekës Publike të Durrësit, ku studimi mori trajtë më të qartë dhe u ngjiz në mënyrë të mirëfilltë. Më pas, kërkimi u thellua më tej përmes hulumtimit të koleksioneve të pasura të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Arkivit Qendror të Shtetit.

    Ky ka qenë një rrugëtim i gjatë, i mbushur me sfida, lodhje, kërshëri dhe emocione. Çdo numër i ri reviste apo çdo dokument i zbuluar më hapte një dritare të re: zbuloja magjinë e një artisti, një gjuhë të re interpretuese, si dhe krijimtari të vyer nga shkrimtarë të talentuar për fëmijë dhe të rritur. Shkrimet, përrallëzat, poemthat, vjershat dhe tregimet e tyre pasuroheshin me ilustrime në zhanrin e novelës grafike, realizuar nga artistët më në zë shqiptarë të kohës.

    J.T: Gjatë këtij kërkimi, jeni përballur me një terren jo gjithmonë të dokumentuar, ku arkivat, botimet, kërkimet shkencore dhe gjurmët pamore shpesh janë fragmentare. Sa ka ndikuar kjo mungesë burimesh në mënyrën se si e keni ndërtuar narrativën historike dhe a është bërë vetë boshllëku pjesë e rrëfimit tuaj?

    O. Gripshi: Po, është e vërtetë mungesa pothuajse e plotë e hulumtimeve pararendëse nga autorë shqiptarë përbënte një realitet me të cilin u përballa që në hapat e parë të këtij kërkimi, veçanërisht në përpjekjen për t’u thelluar në studimin e dy zhanreve në fjalë, e sidomos të novelës grafike. Ky boshllëk studimor, ndonëse sfidues, përbënte njëkohësisht edhe një nxitje të fortë për të ndërmarrë një qasje të mirëfilltë teoriko-shkencore.

    Nuk e fsheh kënaqësinë profesionale që vjen nga fakti se jam i pari që kam trajtuar në mënyrë sistematike dhe shkencore zhanret artistike të novelës grafike dhe të karikaturës në Shqipëri. Për karikaturën, ndonëse ekzistojnë disa shkrime sporadike të botuara në shtypin e përditshëm para viteve ’90, ato mbeten të fragmentuara dhe larg një trajtimi të plotë teorik e ikonografik, me analiza të thelluara dhe parametra krahasues. Në këtë këndvështrim, me botimin e studimit tim shkencor “Historia e novelës grafike dhe e karikaturës shqiptare”, jo vetëm kam përmbushur një aspiratë të kahershme profesionale, të lindur që në vitet e studimeve të mia në Universitetin e Padovës, si historian dhe kritik arti, por mbi të gjitha kam synuar t’u ofroj studiuesve të tjerë të historisë së artit shqiptar bashkëkohor një vademecum të plotë, të strukturuar dhe të mbështetur në parametra shkencorë, mbi të cilin mund të orientohen për të njohur dhe studiuar këtë pasuri të jashtëzakonshme të novelës grafike dhe karikaturës shqiptare.

    J.T: Karikatura shqiptare e shekullit XX ka qenë e lidhur ngushtë me diskursin ideologjik dhe propagandistik të kohës. Sa mendoni se kjo e kaluar vazhdon të ndikojë sot mënyrën se si e shohim dhe e kuptojmë karikaturën, qoftë si publik, por dhe si krijues, ndonëse në një realitet politik të ndryshuar?

    O. Gripshi: Zhanri i karikaturës, që nga zanafilla e tij në vitin e largët 1943, periudhë nga e cila nis edhe ky studim e deri në kapërcyellin e ndërrimit të sistemeve politike në vitin 1990, ka luajtur një rol qendror në përçimin dhe konsolidimin e propagandës së regjimit totalitar komunist në Shqipërinë hoxhiste. Karikatura u shndërrua në një instrument të drejtpërdrejtë ideologjik, i përdorur për të ndërtuar narrativa politike, për të formësuar opinionin publik dhe për të demonizuar “armikun”.

    Kjo qasje propagandistike dëshmohet qartë nga korpusi i gjerë i karikaturave të prodhuara gjatë periudhave të ndryshme të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë: fillimisht me Jugosllavinë, më pas me Bashkimin Sovjetik dhe, së fundi, me Kinën maoiste. Në fazat e para këto shtete paraqiteshin si aleate të natyrshme dhe “vende mike”, ndërsa pas prishjes së marrëdhënieve dypalëshe përfytyroheshin si “armiq të përjetshëm”. Sipas retorikës zyrtare të kohës, ato akuzoheshin për “tradhti” ndaj parimeve të Revolucionit marksist-leninist, çka justifikonte një fushatë të vazhdueshme diskreditimi përmes satirës pamore. Në këtë kontekst, figura të tilla si Tito, Brezhnevi dhe Mao Ce Duni u bënë objekt i sulmeve të drejtpërdrejta përmes një sërë karikaturash denigruese.

    Në të njëjtën linjë ideologjike, propaganda grafike u drejtua edhe kundër Perëndimit në tërësi, e veçanërisht kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke ironizuar dhe stigmatizuar presidentë të ndryshëm amerikanë, si Roosevelt, Truman, Eisenhower, Kennedy, Johnson, Nixon etj. Në këtë mënyrë, karikatura funksionoi si një armë e fuqishme simbolike në shërbim të diskursit politik të regjimit.

    Në kontrast të plotë me këtë periudhë, karikatura shqiptare e pas viteve ’90 paraqet një realitet krejt tjetër. Krijimtaria e autorëve si Bujar Kapexhiu, Arben Meksi dhe shumë karikaturistë të tjerë nuk lidhet më me funksionin propagandistik të së kaluarës, por me lirinë e shprehjes artistike dhe me trajtimin kritik të fenomeneve shoqërore e politike të së tashmes. Në këtë këndvështrim, zhanri i karikaturës shqiptare vijon të zhvillohet dhe të pasurohet, duke përvetësuar qasje të reja estetike, tematike dhe teknologjike.

    J.T: Në studimin tuaj, novela grafike shfaqet më tepër si një prani e “herëpashershme” sesa si një traditë e qëndrueshme në artin tonë figurativ dhe tekstual. A është kjo ndërprerje pasojë e kushteve historike, apo e një kulture që për një kohë të gjatë e ka parë imazhin vetëm si shoqërues të tekstit?

    O. Gripshi: Jo, unë mendoj të kundërtën. Në ndryshim nga karikatura, zhanri i novelës grafike, duke filluar nga vitet 1960 e në vijim, njohu një zhvillim të vrullshëm dhe një shtrirje të gjerë krijuese. Ai u lëvrua me përkushtim nga një brez piktorësh dhe ilustratorësh të shquar, ndër të cilët vlejnë të përmenden Safo Marko dhe Agim Faja pionierë të novelës grafike në Shqipëri, por edhe Anastas Kostandini, Bardhyl Fico, Enrico Veizi, Naxhi Bakalli, Llazar Taçi, Dolli Gjinali etj., të cilët i dhanë këtij zhanri një identitet të qartë estetik dhe profesional.

    Novela grafike funksionoi kryesisht si një formë arti në shërbim të ilustrimit të letërsisë për fëmijë dhe të rinj, duke shoqëruar vjersha, poemtha të shkurtra, përralla dhe tregime të autorëve të ndryshëm, të botuara në faqet e revistave “Yllkat”, “Fatosi” dhe “Pionieri”. Në këtë kontekst, imazhi nuk ishte thjesht plotësues i tekstit, por një element thelbësor narrativ, që pasuronte përvojën e leximit dhe ndërtonte një gjuhë të veçantë pamore komunikimi me lexuesin.

    Ajo që sot mund të konsiderohet një pasuri e mirëfilltë kombëtare është galeria e gjerë e personazheve dhe botëve imagjinare të krijuara nga këta artistë gjatë rrugëtimit të novelës grafike në Shqipëri, si në periudhën e realizmit socialist, ashtu edhe në bashkëkohësinë tonë. Kjo traditë vijon të zhvillohet falë një brezi të ri autorësh, si Artiol Izri, Florian Bregu, David Kryemadhi dhe shumë të tjerë, të cilët po e pasurojnë më tej këtë zhanër të veçantë artistik, duke e integruar atë në mënyrë dinjitoze në kuadrin e artit pamor shqiptar në tërësi.

    J.T: Një nga boshtet kryesore të studimit tuaj është ideja e imazhit si narrativë më vete, me gjuhë, ritëm dhe me kuptimin e vet autonom. Sa e pranuar është kjo qasje në kontekstin shqiptar dhe sa rezistencë has ende ideja e imazhit si një formë e pavarur rrëfimi?

    O. Gripshi: Pas një hulumtimi të hollësishëm, dhe në vijim të argumenteve të parashtruara më sipër, mendoj se novela grafike dhe karikatura shqiptare, pavarësisht faktit se në një pjesë të konsiderueshme të tyre kanë shoqëruar tekste me përmbajtje të ndryshme, qoftë nga letërsia për fëmijë, qoftë nga propaganda politike e realizmit socialist, sërish nuk mund të reduktohen thjesht në funksionin e ilustrimit. Ilustratorët shqiptarë, përtej detyrës për të ilustruar një tekst të dhënë, kanë arritur të materializojnë mbi letër, para së gjithash, ndjeshmërinë dhe botëkuptimin e tyre artistik. Kjo mjafton për ta veçuar imazhin si një narrativë më vete, me autonomi shprehëse dhe estetike.

    Nëse shqyrtohet në tërësi tradita e novelës grafike dhe e karikaturës shqiptare në rrjedhë kohore, kuptohet se përtej ilustrimeve të diktuara nga rrethanat ideologjike apo editoriale, një pjesë e konsiderueshme e kësaj krijimtarie përbën fryt të pastër të imagjinatës së autorëve. Këta artistë kanë krijuar karaktere, stereotipa dhe personazhe të paharrueshme, si Loli dhe Coli, Hosteni, Krekosi, Zbuluesi i vogël, Ballisti etj., të cilët kanë pasuruar ndjeshëm ikonografinë e kulturës pamore shqiptare, si për fëmijë ashtu edhe për të rritur. Këto figura dëshmojnë se të dy zhanret kanë prodhuar jo vetëm ilustrime funksionale, por edhe një univers të qëndrueshëm simbolik e narrativ.

    Në bashkëkohësinë tonë, liria krijuese e piktorëve dhe ilustratorëve që lëvrojnë këto dy zhanre është thelbësisht më e plotë dhe cilësisht e ndryshme nga ajo e periudhës para viteve ’90. Si rrjedhojë, imazhi ka fituar epërsi në raport me tekstin, duke u shndërruar në një mjet të pavarur komunikimi artistik. Kjo për arsyen e thjeshtë se liria e mendimit çon natyrshëm në lirinë e krijimit, duke na ofruar një qasje të përditësuar mbi mënyrën se si konceptohen sot novela grafike dhe karikatura, në përputhje dhe në dialog me zhvillimet bashkëkohore të këtyre zhanreve në kontekstin perëndimor.   

    J.T: Në disiplinat e artit ekziston tendenca për të qenë dhe studiues, dhe krijues. Sa ka ndikuar Oltseni si artist në ndërtimin e të gjithë boshtit studimor ku mbështet ky botim?

    O. Gripshi:  Kjo pyetje është thelbësore dhe, për këtë arsye, dëshiroj të theksoj se është problematike prirja e një pjese të artistëve apo individëve që veprojnë në fushën e artit pamor në Shqipëri për të marrë njëkohësisht rolin e krijuesit, kuratorit, historianit dhe kritikut të artit, pa zotëruar formimin e nevojshëm akademik dhe metodologjik për secilën prej këtyre fushave. Një qasje e tillë, në mungesë të studimeve përkatëse universitare dhe pasuniversitare, rrezikon të çorientojë procesin e natyrshëm dhe funksional të sistemit artistik në artin pamor në Shqipëri.

    Në thelb, këto role përbëjnë etapa dhe kompetenca të dallueshme: krijuesi është ai që realizon veprën artistike; kuratori është ai që evidenton thelbin e krijimtarisë së krijuesit, duke e vënë atë në dialog me publikun në hapësirën ekspozuese; ndërsa historiani dhe kritiku i artit kanë për detyrë ta analizojnë, dokumentojnë dhe kontekstualizojnë veprën në mënyrë teoriko-shkencore. Këta tre hapa plotësojnë njëri-tjetrin dhe janë thelbësorë për një vlerësim serioz, për dokumentimin cilësor dhe për vendosjen e krijimtarisë së artistit në një vazhdimësi historike, përtej pranisë së tij fizike. Përzierja e këtyre roleve, e motivuar shpesh nga një qasje egocentrike, dëmton profesionalizmin dhe besueshmërinë e diskursit mbi artin pamor në Shqipëri.

    Sa i përket përvojës sime vetjake, ndikimi si artist ka qenë vendimtar në formësimin e këndvështrimit tim studimor. Rrugëtimin tim e kam nisur fillimisht si piktor, për t’u thelluar më pas, përmes studimeve pasuniversitare, në filozofinë dhe historinë e artit. Ky kombinim më ka mundësuar një njohje të drejtpërdrejtë të procesit të ndërtimit të imazhit dhe të kritereve të cilësisë artistike, çka më ka ndihmuar të vlerësoj me kompetencë punën e ilustratorëve dhe karikaturistëve të përfshirë në këtë studim shkencor.

    Në brendësi të këtij kërkimi kam përzgjedhur dhe analizuar novelat grafike dhe karikaturat më cilësore, si nga pikëpamja artistike, ashtu edhe për nga përfaqësueshmëria e përmbajtjes së tyre. Studimi shkencor “Historia e novelës grafike dhe e karikaturës shqiptare” synon të shërbejë si një vademecum i plotë dhe shterues për këto dy zhanre, përmes të cilit kam analizuar dhe qëmtuar përmasa të ndryshme të shoqërisë shqiptare për nga aspekti politik, kulturor, historik, ideologjik dhe antropologjik të reflektuara në gjuhën pamore të kohës.

    J.T: Si paraqitet sot në Shqipëri zhanri i novelës grafike? Ju vetë, a e shihni Shqipërinë si një vend me terren të përshtatshëm për krijimtari, dhe kësisoj, studim të novelave grafike bashkëkohore shqiptare?

    O. Gripshi: Që prej vitit 2014, me nismën e ministres së atëhershme të Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, u themelua konkursi i parë zyrtar pas viteve ’90, i kushtuar tërësisht zhanrit të novelës grafike në Shqipëri. Ky konkurs vijoi me sukses gjatë mandateve pasuese, fillimisht me ministren znj. Margariti dhe më tej me ministrin aktual z. Gonxhja, duke u konsoliduar si një platformë e qëndrueshme promovimi për këtë fushë të artit pamor në Shqipëri.

    Nga edicioni në edicion, konkursi ka njohur një rritje të vazhdueshme si në numrin, ashtu edhe në cilësinë e pjesëmarrësve, duke përfshirë jo vetëm artistë shqiptarë, por edhe autorë të huaj. Në këtë mënyrë, ai është shndërruar gradualisht nga një aktivitet me karakter kombëtar në një ngjarje me profil ndërkombëtar, duke zgjeruar hapësirën e dialogut artistik dhe të shkëmbimeve kulturore.

    U ndala veçanërisht te ky konkurs, sepse ai mbetet i vetmi aktivitet i këtij formati në Shqipëri dhe, për rrjedhojë, ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin dhe afirmimin e novelës grafike bashkëkohore shqiptare. Ai përbën një pikë referimi institucionale, që nxit krijimtarinë, evidenton talente të reja dhe kontribuon në ndërtimin e një tradite të qëndrueshme në këtë zhanër.

    Në këtë kontekst, mendoj se studimi im shkencor, përveçse përbën trajtimin e parë të mirëfilltë teoriko-shkencor të novelës grafike dhe karikaturës në Shqipëri, synon të shërbejë edhe si një burim themelor për studiuesit e ardhshëm, duke ofruar një bazë metodologjike dhe dokumentare mbi të cilën mund të mbështeten për kërkime dhe thellime të mëtejshme në këto dy zhanre artistike.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË