More
    KreuLetërsiBibliotekë"Një filxhan çaj", tregim nga Katherine Mansfield

    “Një filxhan çaj”, tregim nga Katherine Mansfield

    Të thoje se Rosemary Fell ishte vërtet e bukur, kjo nuk qëndronte. Jo, atë nuk mund ta quaje të bukur. Simpatike? Po, në qoftë se e zbërtheje në pjesë të veçanta… Por, përse ta zbërtheje në pjesë të veçanta dhe të tregoheshe kaq mizor? Ajo ishte e re, e shndritshme, shumë moderne, vishej në një mënyrë të përkryer, dhe lexonte çdo libër të ri që botohej; mbrëmjet e festave që ajo i organizonte me aq shumë shije ishin një përzierje njerëzish tepër të rëndësishëm dhe…artistësh – krijesa të çuditshme, të zbuluara prej asaj vetë, disa prej të cilëve tepër të frikshëm për t’i përshkruar me fjalë, por edhe të paraqitshëm dhe zbavitës.

    Rosemary kishte dy vite që ishte martuar. Ajo kishte një djalë të lezetshëm. Jo, jo Peter-in – Michael-in. I shoqi e adhuronte në mënyrë absolute. Ata ishin të pasur, me të vërtetë të pasur, jo të kapur ekonomikisht, e cila është një shprehje e urryer dhe mbytëse dhe që tingëllon e vjetër si gjyshërit dhe gjyshet. Por, nëse Rosemary dëshironte të blinte diçka, ajo shkonte në Paris ashtu si ti edhe unë do të shkonim në Bond Street. Kur donte të blinte lule, makina ndalej përpara dyqanit më të mirë në Regent Street, dhe aty, me të hyrë në dyqan Rosemary hidhte përqark një shikim ngulmues me mënyrën e saj të shastisur, tepër ekzotike dhe thoshte: ‘Dua ato, dhe ato, dhe ato. Më jepni katër nga ato tufat e luleve. Dhe atë vazon e trëndafilave. Po, të katër trëndafilat i dua në vazo. Jo, jargavanin jo. E urrej. Është lule pa formë.’ Shitësi përshëndeti zonjën me një përkulje të trupit dhe largoi që andej jargavanin, a thua se ajo që zonja kishte prononcuar ishte një e vërtetë e pakundërshtueshme; jargavani, pra, ishte një lule tmerrësisht pa formë. ‘Më jepni ato tulipanët e vegjël e të plotë. Ato në ngjyrë të kuqe dhe të bardhë.’ Një shitëse e re me trup të imët, së cilës iu morën këmbët nën peshën e një krahu lulesh të mbuluara me një letër të bardhë që e bënte atë të dukej si një foshnjë e mbështjellë me rroba të bollshme, e ndoqi zonjën deri te makina…

    Një pasdite dimri, Rosemary po blinte diçka në një dyqan antikash në Curzon Street. Ishte një dyqan që ajo e pëlqente. Për një arsye; zakonisht, me të hyrë aty, dyqani i përkiste i tëri asaj. Veç kësaj, me mënyrën sesi ai i shërbente asaj, shitësi bëhej qesharak. Fytyra i rrezëllinte nga kënaqësia sa herë që ajo futej brenda. Ai kapërthente gishtat dhe ndjehej aq shumë i gëzuar sa mezi fliste. Lajka, sigurisht. Gjithsesi, kishte diçka…

    ‘Shikoni zonjë,’ shpjegonte ai me një ton të ulët dhe plot respekt, ‘Gjërat e mia i dua. Do të preferoja më mirë t’i mbaja këtu sesa t’ia shisja dikujt që nuk i vlerëson, dikujt që i mungon ajo ndjenja delikate dhe aq e rrallë…’ Duke marrë frymë thellë, ai shpalosi përpara saj një kuti shumë të vogël të mbështjellë me një copë kadife blu, dhe e vendosi atë në banakun e xhamtë me majat e gishtërinjve të tij të bardhemë.

    Sot ishte një kuti e vogël. Ai kishte kohë që e ruante atë. Deri në atë çast, nuk ia kishte treguar askujt tjetër. Ishte një kuti e vogël e smaltuar, e përkryer, dhe me një shkëlqim aq të lehtë saqë dukej sikur ishte përpunuar me ajkë kremi përpara se të piqej në furrë. Në sipërfaqe, kapaku kishte një gjallesë të vockël, e cila qëndronte poshtë një peme të lulëzuar; gjithashtu, kishte aty dhe një krijesë të dytë, akoma më të vockël që përqafonte gjallesën e parë. Kapela e saj, jo më e madhe se një petël trëndafili, qëndronte varur në një nga degët e pemës; kapela ishte pajisur me dy kordele të gjelbra. Gjithashtu, kishte dhe një re në një ngjyrë të kuqe të hapur, e cila si një engjëll i vëmendshëm pluskonte mbi kokat e tyre. Rosemary i hoqi dorezat e gjata. Kur bëhej fjalë për të parë me kujdes gjëra të tilla, ajo gjithmonë i hiqte ato. Po, ajo vërtet e pëlqeu shumë atë. E pëlqeu jashtë mase; bëhej fjalë për një rosë fantastike. Domosdo që duhej ta blinte. Në momentin që ajo e rrotulloi kutinë ngjyrë krem, tek e hapi dhe mbylli atë, Rosemary nuk kishte sesi të mos e vinte re sesa magjepsëse dukeshin duart e saj kundrejt kadifes blu. Shitësi i dyqanit, gjithashtu, diku në një pjesë të mugët të mendjes së tij, mund të ketë guxuar ta mendonte të njëjtën gjë. Sepse ai mori një laps, mbështeti trupin në banak, dhe me ndrojtje lëvizi gishtat e tij të zbehtë e anemikë drejt atyre të shëndetshëm e të pastër të zonjës tek murmuriti me të butë: ‘Zonjë, nëse mund ta marr guximin, do të doja t’ju vija në dukje lulet mbi fanellën e zonjushës së vogël.’

    ‘Të mrekullueshme!’ Rosemary i admironte lulet. Por, sa kushton kutia? Për një çast, u duk se shitësi nuk e dëgjoi. Më pas, një murmurimë i erdhi në vesh. ‘Njëzetë e nëntë stërlina dhe katër qindarka, zonjë.’

    ‘Njëzetë e nëntë stërlina dhe katër qindarka.’ Rosemary nuk reagoi. Ajo e uli kutinë poshtë dhe veshi dorezat sërish. Njëzetë e nëntë stërlina dhe katër qindarka. Edhe pse je e pasur… Dukej e pavendosur. Ajo ia nguli sytë një çajniku si një pulë e mishtormë sipër kokës së shitësit, dhe me zërin e saj të përhumbur iu përgjigj: Atëherë, mund ta ruani për mua? Unë do të…

    Pa mbaruar zonja fjalën e saj, shitësi kishte përkulur trupin në shenjë respekti; a thua se ta ruante mallin për të ishte gjithçka që mund të kërkonte një qenie njerëzore. Ai ishte i gatshëm, sigurisht, që ta ruante mallin për të, për përgjithmonë. Dera e dyqanit, e cila ishte në një gjendje mjaft të mirë, u mbyll me një kërcitje. Tashmë Rosemary ndodhej jashtë dyqanit, dhe tek qëndroi mbi shkallë, ajo hodhi një vështrim përqark në atë pasdite dimri. Binte një shi që ngjasonte si hi, dhe bashkë me shiun dukej sikur po binte edhe errësira. Atmosfera kishte një shije të ftohtë e të hidhur, shtyllat elektrike të pajisura me llamba të reja kishin një pamje të trishtuar. Të trishtuara ishin edhe dritat e shtëpive përballë. Ato ndriçonin zbehtë si të penduara, ndërsa njerëzit ecnin me nxitim pranë tyre të strehuar nën disa çadra të shpifura. Rosemary ndjeu një dhimbje të çuditshme. Ajo shtrëngoi në gjoks gëzofin që ia mbante duart të ngrohta; sa do të donte që edhe kutinë e vogël ta kishte me vete për ta vendosur mbi gjoks. Sigurisht, makina nuk ishte larg. I duhej vetëm të hidhej matanë trotuarit. Megjithatë, ajo priti. Në jetë ka momente, momente të frikshme, kur del nga një strehim, hedh një shikim rreth vetes dhe konstaton se është tmerr. Gjërave të këtilla nuk duhet t’ia hapësh udhën. Mirë është që të shkosh në shtëpi dhe të pish një çaj super të veçantë. Por, pikërisht në çastin kur po mendonte këtë, një vajzë e re, e imët, zeshkane, me fytyrë të ngrysur – nga ku doli ajo? – po qëndronte thuajse ngjitur me të; një zë si psherëtimë, madje gati ngashërime bëzajti: ‘Zonjë, a mund t’ju flas një moment?’

    ‘Të flisni me mua?’ Rosemary u kthye nga vajza. Ajo pa një krijesë të vogël e të dërrmuar, me sy të mëdhenj, në moshë të re, pak a shumë moshatare me atë vetë, dhe që me duart e saj të skuqura nga të ftohtit kishte kapur jakën e palltos tek dridhej e tëra sikur të kishte dalë nga uji i ftohtë atë çast.

    ‘Z-zonjë,’ belbëzoi ajo. ‘A do të ma jepnit mundësinë ta merrja prej jush shumën e barasvlershme të çmimit të një filxhani çaj?’

    ‘Një filxhani çaj?’ Në atë zë kishte diçka të thjeshtë dhe të sinqertë; ai nuk ishte aspak zëri i një lypëse. ‘Domethënë, keni mbetur pa asnjë lek?’ pyeti Rosemary.

    ‘Fare, zonjë,’ u dëgjua përgjigja.

    ‘E jashtëzakonshme!’ Rosemary i picërroi sytë në muzgun e mbrëmjes, ndërkohë që vajza e pa në sy përsëri. Kjo është më shumë se e jashtëzakonshme! Papritur,  asaj gjithçka iu duk si një aventurë. Ky takim në muzg përngjante me diçka të dalë nga romanet e Dostoevski-t. Po sikur vajzën ta merrte me vete në shtëpi? Po sikur, këtë radhë, vërtet të bënte diçka që ngjante me ato gjëra që ajo vazhdimisht i lexonte në libra apo i shikonte në skena, çfarë do të ndodhte? Do të ishte drithëruese. Dhe vetë dëgjoi zërin e saj që më vonë i thoshte miqëve të saj të habitur: ‘Thjesht, e mora me vete në shtëpi,’ kjo ndodhi në çastin kur ajo bëri një hap përpara, dhe vajzës së vrenjtur që kishte përbri i tha: ‘Eja me mua për çaj në shtëpinë time.’

    Vajza e befasuar bëri një hap mbrapa. Madje, për një çast ajo pushoi së dridhuri. Rosemary zgjati dorën dhe e preku në krah. ‘E kam seriozisht,’ tha ajo duke buzëqeshur. Vajza e ndjeu sesa e thjeshtë dhe dashamirëse ishte buzëqeshja e saj. ‘Përse të mos vini? Ejani. Ejani në makinë që të shkojmë në shtëpinë time dhe të pimë çaj.’

    ‘Ju – ju nuk e keni seriozisht, zonjë,’ tha vajza me një zë që shprehte dhimbje.

    ‘Unë nuk po bëj shaka,’ thirri Rosemary. Dua që ti të vish. Për të ma bërë qejfin. Eja!’

    Vajza vendosi gishtat mbi buzë, ndërsa sytë e saj e përpinë zonjën. ‘Ju – nuk do të më çoni në rajonin e policisë?’ tha ajo nëpër dhëmbë.

    ‘Në rajonin e policisë! Rosemary qeshi me të madhe. ‘Përse të tregohem aq mizore? Jo, unë thjesht dua t’ju jap mundësinë të ngroheni dhe të dëgjoj prej jush – çdo gjë që keni dëshirë të ma thoni.’

    Të uriturit binden lehtë. Shërbëtori mbajti të hapur derën e makinës, dhe disa çaste më pas, makina lëvizi me shpejtësi nëpër muzg.

    ‘Andej,’ tha Rosemary. Në momentin që ajo e kaloi dorën përmes aksesuarit mbajtës prej kadife që dispononte makina, e ndjeu se kishte triumfuar. Mundet, ama, që edhe të kishte thënë, ‘Tani, je në dorën time,’ tek kundroi robinjën e vogël që kishte shtirë në rrjetë. Sigurisht që përveç mirësjelljes ajo nuk nënkuptonte asgjë tjetër. Oh, më shumë se mirësjellje. Ajo do t’ia provonte kësaj vajze se – në jetë ndodhnin gjëra të mrekullueshme, se – gjyshet zana ishin të vërteta, se – të pasurit kishin zemra, dhe se gratë ishin motra. Ajo u kthye me rrëmbim nga vajza duke thënë: ‘Mos ki frikë!’ Në fund të fundit, përse nuk dëshiron të vish me mua? Të dyja jemi gra. Nëse unë jam më fatlume, ju duhet të shpresoni…’

    Ajo nuk dinte si ta mbaronte frazën, por për fat të mirë, makina u ndal në atë moment. Zilja ra, dera u hap, dhe me një lëvizje magjepsëse, mbrojtëse, dhe pothuajse përqafuese, Rosemary e tërhoqi vajzën brenda në sallonin e shtëpisë. Ngrohtësi, dashamirësi, ndriçim, aromë e mirë, të gjitha ato me të cilat Rosemary ishte mësuar, pa i çuar kurrë ndërmend, i pa të perceptohen nga tjetra. Ajo i ngjasonte një vajze të vogël e të pasur në dhomën e saj të lodrave që është në pritje për t’i hapur dollapët dhe për t’i shpaketuar kutitë.

    ‘Eja, eja në katin e sipërm,’ tha Rosemary që mezi priste për të filluar me bujarinë e saj. ‘Eja në dhomën time.’ Veç të tjerave, ajo donte ta ruante të gjorën nga shikimet zhbiruese të shërbëtorëve; tek i ngjiteshin shkallëve, ajo vendosi që Jeanne-n mos ta thërriste dhe, kësisoj, të ndërrohej vetë. Gjëja më e rëndësishme ishte që të tregohej e natyrshme!

    ‘Aty!’ thirri përsëri Rosemary në çastin kur ato arritën te dhoma e madhe e gjumit me perde të mbyllura, me një zjarr që reflektonte në mobiliet e mrekullueshme e të lustruara me vernik, jastëkë divani ngjyrë ari, lule vere dhe sixhade blu.

    Me t’u futur brenda, vetëm një hap nga pragu i derës, vajza u ndal; ajo dukej e shastisur. Por, Rosemary, këtë nuk e kishte problem.

    ‘Eja dhe ulu këtu,’ thirri ajo tek tërhoqi karrigen e madhe përballë zjarrit, ‘në këtë karrige të rehatshme. Eja dhe ngrohu. Dukesh se ke tmerrësisht ftohtë.’

    ‘Nuk guxoj, zonjë,’ tha vajza duke bërë pak prapa.

    ‘Oh, ju lutem,’ – Rosemary bëri do hapa të nxituar përpara – nuk duhet të trembeni, jo, nuk duhet, vërtet. Uluni, dhe kur unë të kem mbaruar, do të kalojmë në dhomën tjetër, do të pimë çaj dhe do të qetësohemi. ‘Përse keni frikë?’ Dhe me kujdes, ajo pak sa shtyu shtatin e hequr të vajzës drejt karriges së rehatshme.

    Përgjigje nuk pati. Vajza vazhdoi të qëndrojë pa lëvizur, me të dyja duart të vendosura anash trupit dhe me gojën lehtazi të hapur. Për të qenë të sinqertë, ajo dukej fare mendjetrashë. Por, Rosemary nuk donte ta pranonte këtë. Ajo u përkul mbi vajzën dhe tha: ‘Nuk do ta hiqni kapelën?’ Floku yt i bukur është bërë qull. Pastaj, njeriu ndjehet më rehat pa kapelë, apo jo?’

    U dëgjua një psherëtimë që tingëlloi si ‘Shumë mirë, zonjë,’ dhe kështu, kapela e shtypur iu hoq nga koka.

    ‘Më lejoni t’ju ndihmoj që ta hiqni dhe pallton,’ tha Rosemary.

    Vajza u ngrit në këmbë, por me njërën dorë ajo u mbajt te karrigia, duke lejuar kështu Rosemary-n që ta tërhiqte. Kjo nuk ishte aspak e lehtë. Tjetra nuk ndihmoi pothuajse fare. Asaj iu morën këmbët si të ishte një fëmijë; në mendjen e Rosemary-s iknin dhe vinin mendime se, nëse njerëzit kërkonin ndihmë ata duhej të reagonin, fare pak, përndryshe gjithçka bëhej vërtet më e vështirë. Po pallton, çfarë ta bënte tani? Ajo e lëshoi atë përtokë bashkë me kapelën. Në momentin që u bë gati të merrte një cigare nga buharia e oxhakut, vajza tha befas, çuditshëm dhe me shumë lehtësi: ‘Më falni, zonjë, por mua po më bie të fikët. Në qoftë se nuk ha diçka, do të shuhem, zonjë.’

    ‘O zot, sa e shkujdesur që jam!’ Rosemary u turr drejt ziles.

    ‘Çaj! Urgjent çaj! Dhe pak konjak menjëherë!

    Shërbëtorja u largua përsëri, por vajza thuajse bërtiti: ‘Jo, nuk dua konjak. Unë nuk e pi konjakun. Zonjë, një filxhan çaj dua.’ Dhe shpërtheu në lotë.

    Ishte një moment i tmerrshëm, por edhe magjepsës. Rosemary u ul në gjunjë pranë karriges së saj.

    ‘Mos qaj, e mjera ime,’ tha ajo. ‘Mos qaj.’ Ajo i dha vajzës shaminë e saj të dorës të zbukuruar me dantella. Me të vërtetë ishte prekur jashtë mase. Rosemary vendosi njërin krah mbi shpatullat e brishta të vajzës.

    Më në fund, tjetra harroi druajtjen, dhe gjithçka tjetër, përveç faktit se ato që të dyja ishin gra; ajo foli me gulçim: ‘Unë nuk mund të vazhdoj më kështu. Nuk duroj dot. Nuk mundem më. Do ta vras veten. Nuk duroj dot më.’

    ‘Këtë nuk ke për ta bërë. Do të kujdesem unë për ty. Mos qaj më. Nuk e shikon sa gjë e bukur ishte që u takove me mua? Ne do të pimë çaj dhe ti do të m’i thuash të gjitha; kurse unë, do të përgatis diçka. Këtë ta premtoj. Të lutem, mos qaj më. Është shumë kapitëse. Të lutem!’

    Vajza pushoi në momentin kur Rosemary u ngrit në këmbë, pikërisht disa çaste para se të vinte çaji. Rosemary urdhëroi që tavolina e vogël të vendosej midis tyre. Ajo e dendi gjallesën e vogël e të mjerë me të gjitha, sanduiçë, bukë e gjalpë, dhe sa herë që filxhani i saj zbrazej, ajo e mbushte atë përsëri me çaj, ajkë qumështi dhe sheqer. Njerëzit gjithmonë kanë thënë se sheqeri ka vlera ushqyese; Vetë ajo nuk përtypi asgjë; ajo piu duhan tek shikonte me takt me qëllim që tjetra të mos bëhej me turp.

    Dhe me të vërtetë, efekti i vaktit me ushqim të lehtë ishte i mrekullueshëm. Në çastin që tavolina e vogël e çajit u hoq mënjanë, një qenie e re, një dritë, një krijesë e brishtë me flokë të ngatërruar, buzë të nxira, sy të thellë e të shndritshëm qëndronte mbështetur në karrigen e madhe, me një lloj molisje të ëmbël, duke vështruar zjarrin që brambullinte. Rosemary ndezi një cigare tjetër; kishte ardhur momenti për të filluar.

    ‘Pra, sa kohë kishit pa ngrënë?’ pyeti ajo butë.

    Në atë moment, dikush lëvizi dorezën e derës.

    ‘Rosemary, a mund të futem brenda?’ Ishte Philip-i.

    ‘Natyrisht.’

    Ai hyri brenda. ‘Oh, më falni,’ tha ai tek u ndal me vështrimin përpara.

    ‘Nuk ka asnjë problem,’ tha Rosemary duke buzëqeshur. ‘Kjo është mikesha ime, Zonjusha___’

    ‘Smith, zonjë,’ tha vajza e flashkët, e cila ishte çuditërisht e palëvizshme dhe e pafrikë.

    ‘Smith,’ tha Rosemary. ‘Së shpejti do të bëjmë një bisedë të vogël.’

    ‘Po, patjetër,’ tha Philip-i. ‘Vërtet,’ syri i tij kapi pallton dhe kapelën mbi dysheme. Ai u afrua te zjarri dhe i ktheu shpinën atij. ‘Është një pasdite e ndyrë,’ tha ai me kureshtje tek vazhdoi ta vështrojë atë figurë të plogët, si dhe duart e saj dhe çizmet, e më pas, përsëri Rosemary-n.

    ‘Po, ashtu është,’ tha Rosemary me entuziazëm. ‘mot i lig.’

    Philip-i vuri buzën në gaz. Ishte një buzëqeshje e ëmbël. ‘Në fakt,’ tha ai, ‘Doja që ju të vinit me mua në bibliotekë për një çast. A mundesh? A mund të na fali zonja Smith?’

    Dy sy të mëdhenj rrokën Philip-n, por ishte Rosemary ajo që iu përgjigj në vendin e saj: ‘Sigurisht që ajo do të na lejojë.’ Dhe të dy u larguan nga dhoma.

    ‘Dëgjo,’ tha Philip-i në momentin që ata ishin vetëm. ‘Më shpjego. Kush është ajo? Ç’kuptim ka e gjitha kjo?’

    Duke qeshur, Rosemary mbështeti trupin te dera, dhe tha: ‘E gjeta rastësisht në Curzon Street. Me të vërtetë. Realisht, ajo është një njohje e rastit. Më kërkoi shumën e lekëve për një filxhan çaj, dhe kësisoj, unë e solla në shtëpi.’

    ‘Pash Zotin, çfarë do të bësh me të?’ thirri Philip-i.

    ‘Tregohu i mirë me vajzën,’ tha Rosemary aty për aty. ‘Tregohu shumë i mirë. Kujdesu për të. Nuk e di. Ne nuk kemi folur akoma. Por, tregoji asaj – trajtoje atë – bëje të ndjehet – ‘

    ‘E dashur,’ tha Philip-i, ‘e di çfarë, ti ke luajtur fare nga mendja. Thjesht, kjo punë nuk bëhet.’

    ‘E dija se kështu do të flisje,’ iu kundërpërgjigj Rosemary. ‘Përse jo? Unë e kërkoj këtë. A nuk përbën kjo një arsye? Veç kësaj, të gjithë lexojmë për gjëra të këtilla. Unë vetë vendosa___’

    ‘Por,’ tha Philip-i ngadalshëm tek preu bishtin e cigares, ‘ajo është jashtëzakonisht simpatike.’

    ‘Simpatike?’ Rosemary u befasua aq shumë sa që fytyra e saj u skuq nga turpi. Vërtet mendon kështu? Mua – mua s’më kishte shkuar në mendje kjo.’

    ‘O Zot i madh!’ Philip-i ndezi një shkrepëse. ‘Ajo është një bukuroshe absolute. Më shiko, e dashur. Disa çaste më parë, kur u futa në dhomën tënde, unë e humba tërësisht toruan. Sidoqoftë…Unë mendoj se ti je duke bërë një gabim të tmerrshëm. Më fal, e dashur, nëse po tregohem i vrazhdë apo pak a shumë i tillë. Por, më njofto në kohë nëse sonte zonjusha Smith do të darkojë së bashku me ne që të kem mundësi ta kërkoj emrin e saj në The Milliner’s Gazzette.’

    ‘O krijesë absurde!’ tha Rosemary; ajo u largua nga biblioteka, por nuk u fut më në dhomën e saj të gjumit. Ajo shkoi në dhomën ku kishte tryezën e shkrimit dhe u ul pranë saj. Simpatike! Bukuroshe! Ajo tërhoqi drejt vetes bllokun e çeqeve. Jo, çeqet natyrisht nuk do të kishin vlerë. Ajo hapi një sirtar, nxorri që andej disa kartëmonedha prej pesë stërlinash, hoqi mënjanë dy prej tyre, dhe duke shtrënguar tre të tjerat në dorë u kthye në dhomën e gjumit.

    Një gjysmë ore më vonë, kur Rosemary hyri përsëri në bibliotekë, Philip-i ishte akoma aty.

    ‘Doja thjesht të të njoftoja,’ tha ajo pasi u mbështet sërish te dera e dhomës duke e vështruar atë me shikimin e saj të shpërqëndruar dhe ekzotik, ‘zonjusha Smith, sonte nuk do të darkojë me ne.’

    Philip-i uli gazetën. ‘Oh, çfarë ndodhi? Po premtimi yt?’

    Rosemary i shkoi pranë dhe u ul në gjurin e tij. ‘Ajo këmbënguli se donte të largohej,’ tha ajo, ‘ndaj, i dhurova së gjorës një shumë stërlinash. Unë nuk mund ta mbaja atë kundër dëshirës së saj, apo nuk është kështu?’ tha ajo me një zë të butë.

    Ndërkohë, Rosemary kishte rregulluar flokët, murrëtyer sytë, dhe gjithashtu, kishte hedhur një varëse me perla rreth qafës. Ajo vendosi duart në fytyrëen e Philip-it, dhe preku mollëzat e tij.

    ‘A më pëlqen ti mua?’ pyeti ajo me një ton të ëmbël e të ngjirur që e shqetësoi atë.

    ‘Unë të pëlqej jashtë mase,’ tha ai duke e shtrënguar më shumë nga vetja. ‘Më puth.’

    Vijoi një heshtje.

    Më pas, Rosemary si e përhumbur tha: ‘Sot pashë një kuti të vogël, ishte e mrekullueshme. Kushtonte njëzetë e nëntë stërlina dhe katë qindarka. A mund ta blej?’

    Me një lëvizje të shpejtë Philip-i e vendosi atë përsëri mbi gjurin e tij. ‘Sigurisht, moj dorëlëshuara ime e vogël,’ tha ai.

    Në të vërtetë, ajo që Rosemary tha, nuk ishte ajo çka kishte ndëmend të thoshte.

    ‘Philip,’ përshpëriti ajo, tek mbështeti kokën e tij mbi gjoksin e saj, ‘a jam simpatike unë?’

    Përktheu: Aristidh Shqevi

           Oslo, 24.12.2020 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË