More
    KreuLetërsiBibliotekëMal Berisha: Monument kujtese për një familje fisnike që u gjymtua nga...

    Mal Berisha: Monument kujtese për një familje fisnike që u gjymtua nga diktatura

    Letërsia e kohës tonë të “Lirisë së Shprehjes” në Shqipëri ende nuk ka prodhuar aq vepra sa të denoncojnë, sa dhe siç duhet, barbarinë e regjimit komunist, ashtu siç e bën me mjeshtëri të plotë Miranda Haxhia në librin e saj Vaji i Gurit.

    Në gjurmët e autorëve si Visar Zhiti, Pjetër Arbnori, At Zef Pllumi e të tjerë, ajo sjell një histori të vërtetë që përfshin katër breza shqiptarësh të familjes Alizoti, të cilëve regjimi mizor enverist ua shkatërroi jetën.

    Autorja ka zgjedhur një teknikë rrëfimi të veçantë:

    Heroi, Riza Alizoti, na e tregon “vetë” historinë, pasi e kanë varur në litar dhe e kanë hedhur në hon, pa të drejtën që, të kishte një varr. Ai “flet” nga përtejvdekja për të dëshmuar krimin e kryer ndaj tij dhe familjes së tij, para, por edhe shumë kohë pas vdekjes

    Në historinë e letërsisë botërore ka pak vepra ku ai që rrëfen në vetën e parë është “i vdekur”. Shembujt më të njohur janë romani “Kockat e bukura”, shkruar nga Alice Sebold, ku rrëfimtare është Susie Salmon, e vrarë, e cila nga “parajsa” e saj ndjek dramën e familjes. Te romani “Hajduti i librave” i Markus Zusak, ngjarja zhvillohet në Gjermaninë naziste dhe “tregohet” nga vetë Vdekja. Ndërsa William Faulkner, në Librin e tij  “Tek po jepja shpirt”, sjell një personazh që “flet” edhe pasi i ka mbyllur sytë përgjithmonë.

    Libri Vaji i Gurit  i autores Miranda Haxhia mund të rreshtohet denjësisht pranë këtij modeli të letërsisë botërore. Rrëfimi që vjen nga “zëri” i largët i të vdekurit i jep veprës një forcë tragjike, tronditëse dhe dëshmuese të jashtëzakonshme.

    Tragjedia e Vajit të Gurit zë fill me jetën e Riza Alizotit, një i ri i arsimuar në Angli në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Ai kishte studiuar për industrinë e naftës me bursë të Mbretërisë Shqiptare. Bir i Fejzi Alizotit, këtij patrioti shtetformues shqiptar, Rizai ishte rritur në një familje me parime të forta patriotike, morale dhe qytetare.

    I pajisur me ëndrra, idealizëm dhe dashuri të thellë për vendin e tij dhe për profesionin e inxhinierit të naftës, ai zgjedh të braktisë jetën e rehatshme në Anglinë e  Gjelbër për t’iu përkushtuar me mish e me shpirt shërbimit ndaj atdheut.

    Ai sakrifikoi dashurinë e ëmbël dhe martesën me anglezen Kathleen për hir të detyrimit ligjor, moral dhe patriotik që kishte dhe ndiente ndaj vendit të tij, Shqipërisë. Njësoj si në thënien e Shandor Përtefit: “Për dashurinë jap jetën, por për atdheun e jap dashurinë”, ai zgjodhi ta linte Kathleen – en bashkë me dy fëmijë dhe të kthehej në atdhe.

    Pas brengës së thellë të shkaktuar nga ndarja me anglezen Kathleen, erdhi edhe dhimbja për humbjen tragjike të djalit të tij, i mbytur aksidentalisht në ujërat e lumit Tamiz, si dhe ndarja me vajzën e mbetur atje pa baba; megjithatë, jeta i dhuron Rizait një mundësi të re.

    Ai njihet dhe bie në dashuri me Vera Ypin, një zonjushë e fisnikërisë shqiptare, e rritur në një jetë mondane në Milano, e cila zgjedh ta lërë pas atë botë për dashurinë dhe jetën me Rizain në Kuçovë. Ata ndërtojnë një familje të bukur dhe sjellin në jetë tre fëmijë, jeta e të cilëve do të shndërrohej më pas në një tmerr të vërtetë.

    Kështu, gjithçka ndryshoi menjëherë sapo komunistët erdhën në pushtet në Shqipëri, në vitin 1944. Babai i Rizait, Fejzi Alizoti, një figurë atdhetare dhe shtetformuese, së bashku me shtatëmbëdhjetë patriotë të tjerë, u ekzekutua në Kodrën e Priftit, në Tiranë, në natën e zezë të 13 prillit 1945.

    Saga vijon menjëherë pas këtij akti: burgoset djali i tij i madh, Hasani, i cili, ndonëse kishte shpëtuar qindra partizanë nga vdekja gjatë pushtimit nazifashist, vuajti thjesht sepse ishte i biri i Fejziut.

    Në këto rrethana, jeta e re dhe e bukur familjare që Rizai kishte ndërtuar me Verën, e mbushur me dashuri dhe punë për vendin, u shemb përpara syve të tyre. Fill pas babait të pushkatuar dhe vëllait të burgosur politik, erdhi edhe arrestimi i tij.

    Ai akuzohej se paskësh pas qenë “spiun amerikan” që në fëmijëri, kur ndiqte studimet në “Kolegjin Robert” në Stamboll, si edhe për antikomunizëm, në një kohë kur komunizmi ende nuk kishte lindur as në Moskë, përpara Revolucionit të Tetorit të vitit 1917.

    Me këto akuza kaq absurde, ai, pikërisht në ditëlindjen e tij, më 10 dhjetor 1947, u var në një degë lisi, në mes të Kuçovës. Bashkë me të u ekzekutuan edhe përfaqësuesit më të shquar të inteligjencës dhe profesionalizmit të atij brezi shqiptarësh, të diplomuar në universitetet më të mira të Evropës. Trupi i tij u zhduk përgjithmonë.

    Pas varjes në litar të Rizait (rrëfimtarit të vdekur të kësaj tragjedie, në penën e Miranda Haxhisë), vijoi kalvari i shkatërrimit dhe i zhdukjes së asaj familjeje. Shtëpia iu sekuestrua, e shoqja, Vera, u internua, ndërsa tre fëmijët gjetën strehë të përkohshme te njerëz të afërm. Internimi dhe uria goditën edhe engjëjt e vegjël: Nezin, Viminin dhe Xikun e vogël (Fejziun e Ri), i cili përfundoi në kampin famëkeq të Tepelenës.

    Madje, edhe kur fëmijët u përpoqën të ndërtonin jetën e tyre, regjimi nuk ua lejoi këtë. Dashuritë e tyre, sa herë që guxonin të lindnin, shkatërroheshin në emër të ‘luftës së klasave’. Nuk vonoi shumë dhe po ato pranga që kishin shtrënguar dikur duart e gjyshit, xhaxhait dhe babait, kërcitën edhe në duart e Fejziut të Ri, të sapomartuar. Ai u akuzua se ‘punonte për shërbimet e huaja angleze’!?

    Vera Alizoti-Ypi, gruaja që i përjetoi të gjitha këto vuajtje, në vitin 1971 u përball me kancerin, armikun e saj të fundit. E shpallur ‘armike e klasës’, diktatura komuniste e përzuri nga spitali në gjendje terminale. Ky vendim u mor nga zëvendësministrja Vera Ngjela, me pretendimin se shteti ‘nuk i kuronte armiqtë e popullit’. Më vonë, për ironinë e fatit, edhe vetë persekutorja, Vera Ngjela, do të përjetonte persekutim, por vetëm pasi kishte kryer akte të tilla antinjerëzore.

    Vera, e mjerë, ndërroi jetë vetëm një ditë pas dëbimit nga spitali dhe u varros aty ku ishte e internuar, e përcjellë vetëm nga i vëllai dhe një kosovar fisnik, banor i Bashtovës.

    Vetëm pas rënies së diktaturës, falë atij kosovari, u gjetën eshtrat e saj dhe pasardhësit i “dhuruan” një varr të denjë ku të prehej.

    Në fund të kësaj sage tragjike, që rrëfen krimin shtetëror komunist të kryer mbi elitën shqiptare, mbërrijmë te Tomorr Alizoti, i mbijetuari i familjes, diplomat dhe deputet i Parlamentit Shqiptar. Ai është një figurë publike e pajisur me dije, kulturë, dinjitet dhe urtësi, që sot mban me vete dhimbjen dhe kujtesën e brezave të persekutuar, të vrarë, të varur në litar, të zhdukur, të burgosur, të internuar e të keqtrajtuar pafundësisht dhe padrejtësisht.E vetmja pasuri që ata i lanë dhe që pushteti nuk ua mori dot ishte:

    Morali dhe dinjiteti i lartë shqiptar dhe njerëzor.

    Ky libër është një monument kujtese për një familje fisnike që u godit, u gjymtua dhe u sakrifikua nga diktatura më çnjerëzore që njohu Evropa Lindore. Në fakt, është një thirrje për kujtesë e për drejtësi. Prandaj vepra e Mirandës duhet të njihet gjerësisht, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga bota. Ajo ka sjellë në letërsinë tonë një vepër që dëshmon, edukon dhe ngre zërin kundër barbarisë, e cila synon edhe sot të vrasë kujtesën.

    Nëse ky libër do të ishte përkthyer në gjuhë të huaja dhe do të kishte pasur shanset që kanë pasur libra me histori krejt më të thjeshta, por që kanë marrë dhenë dhe i kanë “habitur perëndimorët” me mungesat elementare të shqiptarëve, e jo me këtë lloj tragjizmi pa fund, ky libër pa dyshim  do të renditej ndër veprat më të fuqishme letrare, të mbështetura në histori të vërteta të kohës së diktaturës komuniste në Shqipëri.

    Përveç përmbajtjes rrënqethëse, stilit të të shkruarit dhe emocionit që të shkakton në çdo faqe, vepra ka edhe një element të veçantë: përdorimin e një numri fjalësh shumë rrallë të përdorura në gjuhën e sotme shqipe.

    Harresa e së keqes hap rrugën për përsëritjen e saj, siç po ndodh sot, fatkeqësisht, në Shqipërinë tonë të dashur.

    Le të mos jemi të detyruar të rrëfejmë nga varri, si Riza Alizoti, sepse atëherë do të jetë shumë vonë. Koha është tani, pikërisht tani.

    NJË KOMENT

    1. Kurrë nuk kam besuar dhe vazhdoj t’ mos besoj në thënjën, mendimin së kjo, ose ajo është e drejt, e lirë mendimi.E drejta, për mua emërtim ,,nacioni për ndeshkim ndaj atij që té konkuron né ‘cfarë do menyre, aftësie që ke, prandej çeshtja për mendimin tim lidhet dhe ka vlerë, saktesie sesi ke ,,BINDJËN ‘kurse edhe bindja mund të përendoj njé dité , kur vie një situatë tjetër ose mendim qé zavendon të më parshmën. Sistemet sunduese gjithmonë kanë FUQINË E RIVALITETIT TË FRIKËS përsonale, a po të idesë së instaluar si shoqëri. Kjo ka dominuar edhe në Shqiptari në kohën e ,,PARTIZANISË fatkeqsisht e jetuar afri 45 vjet të sundimit t’ vetë. Tragjikja gjithmonë zgjatë kundër eliminimit prandej edhe sot frymon tek disa njerëz të cilét sikur kanë lidhur ,,BESË” tek një ish sundim deskriminues ndaj njerëzéve aq të arsimuar- shkolluar t’kohës në profesione të ndryshme që mbase kishte nevojë atdheu llogaritje BUKË ,gati më shumë së për drtën diellore. Po a mund të sherohet koha e shkuar kursesi së JO, por ajo mund të gjykohet si një mësim që nuk duhet të ndodhë kurrë më po të dryshohet edhe profili i tokës planetare. Pra së jeta është ,,SAKRIFICË më së sakti tregon e shkuara sidomos tek FISI SHQIPTAR nga një sitem që mban mend ish idea komuniste jo si një endërr ardhmerie , por si një fakeqsi e zhdukjës mbase bérthamore qenjës njerëzore. E gjithë kjo tragjedi e ndodhur që të hy mendja edhe deti të t’kurret, të qaj la pasoja që as gjë s’mund t i ngushlloj nga veprimi aq i egërt nga vet mendja, koka e njeriut. MERGIMTARI

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË