Janë me një mbiemër tre emërmëdhenj, ati Gjovalin me pseudonimin G.Maranaj, biri Egon dhe nipi Ervin, trashëgimtari që mban gjallë e promovon historinë intelektuale të paraardhësve që shënjuan arritjet më të mëdhaja në fushën e inxhinierisë së ndërtimit në vendin tonë.
Me Gjovalin Gjadrin, kam përjetuar emocionet e para, kur vite të shkuara, kam ndigjuar një emision në Radio Shkodra, nga një gazetar, kur lexonte fragmente nga libri “Letra grues seme të vdekun”, libri nuk kishte dal ende, por gazetarit i kishin rá në dorë, copëza faqesh nga libri. I prekur nga leximi radiofonik, kur e takova gazetarin në Piacë, ja kërkova, se ku mund ta gjej librin, por as ai nuk e kishte. Vitet kaluan, dhe në Panairin e Librit “Tiranë 2017”, me 15 nëntor, e bleva te stenda “Onufri”.
Ja çfarë kam shënuar në fletën e parë:
“Një libër që e kam kërkuar tash mbi 10 vjet, ku nuk kam pyet, ku nuk kam gërmu, edhe në “Libraritë e trotuarit”, e gjeta krejt pa pritë, në dritë, rastësisht më diftoj, ai që më informoi në nisje, shkrimtari Xh.Bushati, në Radio Shkodra.
…..dhe kur e mbarova së lexuari, përsëri në faqen e fundit, shënova: Për pak orë, e premte deri të shtunden. Leximi me kokën pas e mendjen përpara. 17-18 nëntor 2017.”
Libri i Gjovalinit për gruen e tij ”të vdekun”, më ka prekur aq shumë, sa , e kam përjetuar plot dhimbje, dashunia e tyre, e një djali shkodran, lindur te Arra e Madhe, jo i pasun, dhe një vajze toptanase, e bukur si, vetëm ajo, nji djalë katolik dhe nji vajze muslimane, asokohe, ishte e rrallë, por ato mposhtën çdo gjë, çdo paragjykim, çdo intrigë.
Jeta e tyre bashkëshortore qe e shkurtë, por pasuria e tyre që trashëguan, ishte fati i tyre, ishte biri i tyre, Egoni.
Simbolika “Atë e Bir”, te Gjovalini dhe te Egoni, përthehet në rrafshin kombëtar, Shqipëria jonë, pat birë të saj, dy nga inxhinierët më të talentuar në fushen e ndertimit, dy nga kokat inxhinierike, që ndoshta, binomi i tyre, nuk do të “sillet” kësaj toke, jo kurrë!.
Tash, të ndalem te libri “B2” – Dramë në pesë akte.
E lexova pa ndërprerje, me nënvizime me laps, që nga parathanjë dhe pjesa e dramës, fillim e fund.
Dy librat, kanë të njëjtin autor që i ka përkthyer nga gjermanishtja, – Ardian Ndreca, njëri nga njerzit më erudit dhe prezent që kemi sot, jo vetëm si shkrimtar, filozof dhe estet, profesor filozofie, aktivist mediatik e shumëçka tjetër.
Ndreca, në jetën e tij, ka një veçori si pakkush tjetër, shkruan e flet në gegënisht, njësoi, nuk e ndan shkrimin nga e folura e përditëshme, por, shkrimi i tij është sa në standart sa në gegënishte, me fjalë e frazeologji si “ qëmoti”, por korrekt gjuhësisht. Të dy librat në fjalë, kanë të njëjtën “teknologji”.
Romani, e pranon këtë qasje, se është shkrim i gjatë, me fjali dhe përshkrime që mund ti ”zbukurosh” si të duash, edhe nga përkthimet, poaq, edhe letërsi shqipe, por mendoj se në rastin e dramës, ku teksti është i ngushtë, lakonik, dhe me dialogje, të shkruash shqip nga përkthimi, me fjalë a shprehje frazeologjike, në kushtet kur, në rastin e dramës që vihet në skenë, spektatori e ka të vështirë ta përtyp një fjalë, që nuk e ndigjon në të përditëshmen e tij.
Bie fjala:
Fjalë dhe shprehje të “vjetra”:
baft e n’taft= ku rafsha, mos u vrafsha, ose, ça të jetë shkrue
me përçansue =
s’ka prâ = s’ka pushue
sa e skofiare=sa e mirësjellshme
nadje marshallah, mbramje jarebi=nadje ça ka fal zoti, mbramje o zot, njatë!
Nuk po m’a ka andja= nuk po më pelqen
i shkapërndamë= i shpërqendruar
ju jeni nji micë= ju jeni një mace
ngihet= ngopet
mos bani poterë= mos bani zhurmë
a s’prân kurrë kjo erë?= a nuk ndalet kurrë kjo erë?
gjerbë=një gëllënkë uji, një pikë uji që merr njeriu në gojë.
Në kushtet kur drama, mund të vihet ne skenë, dhe sot, në mungesën e buxheteve, skenografitë janë shumë të ”thata” dhe gjatë lojes në skenë, aktorët nuk janë gjithmonë me fytyrë nga spektatori, fjala dhe batuta, humbet në ajrin e një skene të thatë, dhe ajo nuk shkon të “përtypja” në veshin e spektatorit, ndoshta as te platea, jo më, në amfiteatër apo lart, në galeri.
Në Shkodër, në Teatrin “Migjeni”, edhe mund të mos jetë edhe aq, një problem, por në Teatrot e tjerë, me spektator jo shkodran, këtë tekst, me zorë e kuptojnë.
Sidoqoftë, në lojë mund të hyjë edhe regjisori, dhe tekstin mund ta përshtasë, asht e drejtë e tij, pa prekë brendinë dhe kuptimin e fjalës apo fjalisë, mund kësisoj që situatat të kapërcehen.
Kjo dramë filozofiko-shoqërore, ndonse e shkruar në vitet ’30 të shekullit të kaluar, dhe për një shoqëri që kulturën e artit, të letërsisë dhe të arteve të bukura, e kishte ndoshta ndër më të mirat në Europë dhe Amerikë, është disi e vështirë për ta thithur gjithëkush, do të donte nji elitë e jo vulg, që sot është i pranishëm jo pak në Theatrot tona.
Modestisht, kështu mendoj unë.
Tash fjalët e fundit.
Ati e Biri, jo sot, por qyshkur, e kanë fituar përjetësitë në vendin tonë, por edhe jashtë trojeve tona, i kanë veprat e tyre, qoftë librat e botuar, qoftë veprat e shumëta inxhinierike të niveleve shumë të larta, dhe ato, pavarësisht peripecive të jetës së tyre, kanë zënë vendin e merituar në Panteonin Inxhinierik të vendit tonë, nëse një ditë, shteti shqiptar, do ta ngrejë një ditë.
Por, Trinia nuk është e plotë pa Shpirtin Shejtë. Në këtë kuptim, jo fetar, por personal familjar, jo takon ju, birit të Egon Gjadrit, të bëheni njësh me Atin dhe Birin. Ndoshta jetojmë një kohë disi të “çthurur”, me shanse disi të pakta, por sidoqoftë, Trinia duhet të plotësohet, duhet të jetësohet.
Unë, jua dëshiroj!.
Po e mbyllë me disa përdorime të mia, të parathënja që kam shkruar te libri i ri i Ing. Frederik Mustafaraj, për Atin dhe Birin, që po i shkruaj edhe këtu si,
Epilog.
Në “ushtrinë” e madhe të pjesmarrësve në projektimin, ndërtimin dhe vënjen në punë të këtyre veprave, që shkëlqyen kudo, ato, përbejnë “Konstelacionin e Yjeve” në hapsirat e kohës që kaloj dhe dekadave që do vinë.
Ato, nuk i shpalli njeri, por puna dhe vepra e tyre.
* Petrit Radovicka
* Farudin Hoxha
* Emin Musliu
* Egon Gjadri
* Ismail Ahmeti
Fjalët lapidare, thënë nga një emër i madh në fushën e ndërtimeve të kahershme në vendit tonë, Prof. Gjovalin Gjadri, janë si Epitaf në Pllaken e Artë të jetës së tyre :
“ …… të vdekurit kanë nji ndikim të madh tek ne. E gjithë kultura e ka zanafillën tek ata. Toka asht djepi i të vdekunve…Të vdekunit jetojnë nëpërmjet mbasardhësve dhe veprave që kanë lanë, ne s’mund të mos e përfillim egzistencën e tyne e duhet t’u ngrehim përmendore “.
Shënim:
Fjalët e Gjadrit, janë nxjerrë nga libri i tij, unë ato i kam përdorë shpesh, në shkrime të mia, ku ato zënë vend bukur dhe shprehin një mesazh hyjnor.
Kaq di, kaq shkruajta.
Uroj, që drama të pritet mirë!
Shkodër me, 18 prill 2025, e Premtja e Pashkëve.