Ndaj të ngrysur, në sheshin përpara shtëpisë së pushimit, në qafën e malit të Llogarasë, hyri furishëm një makinë e tipit “Aro” prodhim rumun, me targa qeveritare e ndjekur nga një minibus ushtarak. Ishte një vizitë e papritur, sa mend e vdiq fare përgjegjësin që atë kohë po shijonte një shishe vere të kuqe me mish thëllëze të pjekur në furrë së bashku me shefin e arsimit në verandën e dhomës së pritjes. Kur i pa makinat qeveritare poshtë ballkonit, u nxi i tëri dhe me gjysmë zëri iu lut tjetrit ta ndihmonte për të ngritur tavolinën.
– Shpejt Arsen, shpejt, – tha ai dhe, pa një pa dy, kapi cepat e mbulesës dhe i lidhi katërsh duke garrupuar ushqime, gota, shishe, lugë e pirunë dhe me një frymë i çoi në koshin e kuzhinës.
– Petrit, çfarë ka bërë vaki? – tha tjetri ndërsa e ndiqte nga pas. – Tërmet?
– Të keqen e tërmetit. Kataklizëm thuaj, prandaj mbathja poshtë në kaldajë te Lavdoshi.
Nga përjashta, zëri hokatar i një gruaje u dallua mbi të tjerët. Edhe pse frynte erë dhe kohë pas kohe kuiste ndonjë bretk, zëri i saj kumbonte. Gruaja nuk po bisedonte me njeri, ajo bënte ca “uaaaa” të tejzgjatura dhe kohë pas kohe përfundonte në përcaktime mbi natyrën: “Sa bukur, sa qejf, sa ajër i freskët!’’ duke rrëzëllyer disa të qeshura që i përpinte korija.
Pas gruas së re shkonte një alamet burri, i veshur me uniformë, por pa kapele në kokë. Kishte kaq shumë medalje e dekorata në kraharor, sa vezullimi tyre prej xhingla-minglash, të hutonte fare. Ai i mbante duart të lidhura pas dhe i rrinte gruas së re në një distancë prej disa metrash, madje as tentonte që ta zvogëlonte. Ndërkohë njerëzit e minibusit rrethuan vendin dhe më shumë se ministrin me gruan e re, shikonin korijen që po mbushej me mjegullën e të mugëtit. Komandanti i gardës i dha urdhër përgjegjësit, se qysh nga ai çast askush nuk duhej të hynte e të dilte nga vila, si dhe t’i dorëzonte urgjentisht listën emërore të punonjësve dhe gjithçka të bëhej gati për një gjysmë ore.
– Gati jemi, – ia ktheu Petriti, duke e pasur si fjalë të parë për efekt të protokollit.
Shtëpitë e pushimit bënin gati të njëjtin furnizim me një shtëpi ku jetohej përditë; për shkak të gatishmërisë, sa hahej e sa hidhej nuk kishte shumë rëndësi, mjaftonte të dokumentohej.
– Ashtu po, mirë atëherë, – tha ai dhe doli përjashta për të njoftuar ministrin.
Ministri erdhi pas pak dhe i kërkoi përgjegjësit të zbriste poshtë në kuzhinë bashkë me kamerieret, ku me sa u kuptua atij dhe gruas së re nuk ua kishte qejfi të shiheshin nga njerëzit e personelit. Megjithatë, më vonë u mor vesh meseleja – ajo nuk ishte gruaja, por e dashura, ndaj duhej të kishin shumë kujdes. Se qysh e tek doli llafi, nuk kishte rëndësi. Aty-këtu u krijua përshtypja sikur fjalët buronin nga misteri i holleve, ku një makth pluskonte me të ngrohtin e kaloriferëve. Sikur diçka e përmbishme çuçuriste vesh më vesh dhe njerëzit vetëm miratonin në heshtje.
– Të gjorat ne, – tha kuzhinierja. – Ku i mendojmë burrat dhe ku janë ata.
Përgjegjësi pa nga gruaja, por ajo dukej e sigurt në ato që thoshte. Kishte ndodhur që para disa muajve ata të dy kishin bërë dashuri, por ajo këtë nuk e llogariste. Burri i saj nuk ishte i gjorë, as gruaja e përgjegjësit. Ose ajo nuk e mendoi gjatë dhe më mirë kështu, pasi dukej si një lloj strategjie për të mbuluar flirtin.
Me kalimin e orëve gruaja e re u shpengua në lëvizje dhe gjysmë e ekzaltuar nga seksi, ajo shkoi deri aty sa zbriti vetë në kuzhinë. Kuzhinieret zbuluan një krijesë tmerrësisht të bukur, e cila kishte humbur brenda një robëdëshambri rozë me llushka plot parfum. Flokët i mbante mbledhur me rrjetë të tejdukshme najloni, duke lënë vetëm një balluke mbi ballë, që i mbulonte me dashje syrin e djathtë.
– Kam shumë uri! – tha ajo dhe mori me majë të gishtave një kokërr nespulle.
– Çfarë të hahet? – pyeti kuzhinierja dhe i hapi frigoriferin.
Gruaja e re u përqendrua të zgjidhte, ndërsa dy kamerieret e tjera u afruan dhe shikonin me habi qerpikët e saj.
– Dua vezë të fërguara me gjalpë, diçka si në shtëpi. Mundësisht t’i marr me vete në dhomë, pasi dhe bebi është i uritur, – tha ajo.
Kuzhinieret u panë ndër sy vetëtimthi. Një lloj habie i hutoi për disa sekonda sikur përpara syve t’u vërtitej një shkreptimë. Nuk duhej të hutoheshin dhe për më tepër të mos bënin pauza dyshuese gjatë bisedës.
Mariana vendosi tiganin e madh në vatrën e sobës dhe u bëri shenjë kameriereve që të bënin diçka. Ajo ndihej në siklet kur ato e shikonin mysafiren sikur të kishte ardhur nga ndonjë planet tjetër.
– Sa vezë të thyej? – e pyeti gruan e re me dëshirën për të ndërruar atmosferë.
– Katër kokrra, – ia ktheu gruaja. – Dy për mua dhe dy për beben.
Aroma e gjalpit mbushi dhomën dhe vezët në tigan zunë të frusronin. Mariana ia doli ta kthente situatën për së mbari.
– Vezët të ndihmojnë për të rënë nga pesha, – foli gruaja e re.
Mariana i buzëqeshi dhe pohoi me kokë për ta mbështetur, paçka se po e dëgjonte për herë të parë një gjë të tillë.
– Më beso, është dorë me një!
– Të besoj.
Ajo qeshi dhe sikur të ishte në kuzhinën e saj zuri e rrëmoi kanatet një e nga një, deri sa më në fund e gjeti atë që donte.
– E gjeta, – tha gjithë gëzim.
Qe një tabaka e madhe druri me një panoramë piktoreske të një bujtine fshati, përbri së cilës kulloste një dele me disa qengja. Tabakaja kishte dy këmbëza që i paloseshin nga poshtë, me një fjalë nga ato që përdoren për të ngrënë mëngjesin në krevat. Mirëpo si Marianës, kameriereve apo përgjegjësit, fakti që ajo kërkoi me ngulm atë, u shkaktoi një hije dyshimi sikur gruaja të kishte bujtur aty edhe më parë.
Ajo vendosi në tabaka pjatën me vezët e fërguara, pastaj kërkoi djathë deleje dhe dy copa buke të thekura, pa harruar edhe një shishe me ujë gline dhe dy gota qelqi.
– Po marr edhe ca nga këto të verdhat, – tha ajo.
– Nespulla, – e plotësoi Mariana, me mendimin se ajo nuk ua dinte emrin.
Gruaja mori tabakanë dhe për shkak se i kishte duart e zëna, e shtyu derën me kupën e gjurit duke zbuluar tulin e njomë të kofshës. Sado që e kishte mbështjellë mirë robëdëshambrin, përsëri iu zbulua një pjesë e mishtë. Mariana me kamerieret provuan sikletin e gruas, kurse përgjegjësi atë marrinë e mashkullit që i lëviz nervin.
Mariana iu afrua kameriereve, por kësaj here i humbi fjala. Për çfarë t’u fliste?! T’u thoshte mbyllni sytë!
Ndërkaq, gruaja e re kishte ikur dhe gratë u afruan te tavolina e kameriereve, pranë sportelit. Përgjegjësi mori një gotë dhe e mbushi me ujë.
– Ju e patë vetë që ata do të hanë në krevat, ndaj dhomën e ngrënies duhet ta kemi gati për në mëngjes, – tha ai.
Asnjëra nga gratë nuk ia vuri veshin.
– Qerpikë të gjelbër kurrë nuk kisha parë, – tha njëra nga kamerieret.
– Janë fals, nuk janë të vërtetë, – ia ktheu Mari-ana.
– E pra, se nuk ka mundësi.
– Të vetët kushedi se si i ka?
– Mund të mos ketë fare!
– Nuk besoj.
– Duhet të ziheni tani? – ndërhyri Petriti.
– Tamam, – shtoi Mariana.
– Po si tha: “Bebi im është i uritur”, – ia bënte kamerierja tjetër duke vënë dorën te barku.
– E kishte fjalën për atë, – ia ktheu Mariana dhe tregoi me gisht tavanin.
– Uaaaaaaa, sikur nuk e kuptova unë! Po e di, moj, e di, – ia ktheu tjetra me ironi.
– Hë, filluat prapë ju? – ndërhyri për të dytën herë përgjegjësi.
– Ama dhe ti, neve na dëgjon, – i tha Mariana. – Ik e shiko shefin e arsimit se ia nxore darkën nga hundët.
– Vërtet, ku është ai?
– Në kaldajë, po ndihmon Lavdoshin!
Ia dha darkën me qëllim që t’i rregullonte vajzën në arsim. E bija ishte në vitin e fundit dhe ai donte ta përgatiste terrenin që tani. Nuk donte që kur të afrohej koha, shefi i arsimit t’i thoshte se je kujtuar vonë dhe se nuk kishte më vende të lira pune.
Petriti doli për të gjetur shefin e arsimit, por nuk shkoi shumë dhe u kthye mbrapsht me të shtyra nga një ushtar i cili u shfaq me vështrim dyshues te dera.
Në kuzhinë pluskoi qetësia dhe gratë bashkë me përgjegjësin nuk shkëmbyen asnjë fjalë. Mariana e dinte që po t’i afrohej, ai do ta shtynte me të njëjtën mënyrë që shtyu dhe përgjegjësin, prandaj nuk lëvizi vendit. Ca gjëra apo disa momente të vështira, kalohen më mirë me heshtje.
Nga sipër, hera-herës dëgjohej ndonjë gërralëvizje apo pupa këmbësh që shkelnin butësisht qetësinë e natës. Vinin të kthjellëta sikur t’i kishe përpara syve dhe mendjet e tyre hamendësonin dhe përfytyronin gjithfarësoj gjërash në lidhje me çiftin. Dhoma ministrore ndodhej në anën tjetër dhe gratë bashkë me përgjegjësin nuk e kuptonin përse gërralëvizjet apo të tjera gjëra si këto, dukej sikur ndodhnin mbi kokat e tyre?!
Dikur në derë u shfaq sërish ai ushtari me vështrimin dyshues.
– A do të hash? – e pyeti Mariana.
Tjetri nuk i ktheu përgjigje, vetëm sa e pa dhe u tërhoq pas.
Në mëngjes njerëzit e personelit ishin të lirë të lëviznin nëpër vilë. Madje i shërbyen ministrit në dhomën e ngrënies, duke ia zbukuruar tavolinën me një buqetë mimozash nga të parkut. Makinat ndezën motorët. Petriti numëroi plot dhjetë valixhe, gjysma e të cilave u vendosën në bagazhin e xhipit “Aro’’, ndërsa të tjerat poshtë sediljeve të minibusit me armatimet e gardës kombëtare. Në fund, ministri e kapi përgjegjësin nga faqet dhe i fali një buzëqeshje të akullt dhe me shumë kuptime. Petriti qe bërë statujë dhe ashtu, i hutuar, vazhdoi ta përshëndeste nga pas me tundje dore.
Kur rruga u zbraz, ai u kthye nga personeli dhe mezi priti për t’i pyetur:
– E patë gruan gjëkundi?
Ata mblodhën supet me habi.