Nga Bárbara Bom Angelo
The Brazilian Journal of Irish Studies
Ashtu sikurse në vitin 2021, edhe botimi i romanit të ri të Rooney-t, Intermexo, u shoqërua nga një varg ngjarjesh në mbarë botën. Një lansim që i ngjante filmave me buxhet të madh, me festa dhe kopje paraprake për të ata pak që ishin me fat. Unë isha një prej tyre. Ndaj, e rrethuar nga entuziazmi dhe paksa shqetësimi, nisa faqet e para rreth njëzet ditë para se libri të dilte në treg.
Të futesh në një rrëfim mund të jetë sfidë kur je i mbingarkuar nga pritjet. E unë kisha plot. Nuk u dashurova me romanin e mëparshëm. Ç’të prisja, pra, nga ky? Asgjë dhe gjithçka. Kaq është tensioni i një lexuesi. Gjë e vogël për një të jashtëm, por shumë e vërtetë për kë e ndien. Mjaftuan pak faqe që Intermexo të më përfshinte, sidomos nëpërmjet Piterit, vëllait më të madh. Zëri i tij përshkon gjithë rrëfyesin, duke mjegulluar vijën midis mendimit dhe fjalës së thënë. Një tufë reflektimesh që kërcen nga njëra te tjetra, pa paralajmërim, si mendja jonë: pak e rrëmujshme, por e njohur. Dhe Piteri mendon/flet teksa ecën nëpër Dublin. Vëren rrugët, njerëzit që i kryqëzojnë udhën. Të sjell ndër mend ritmin frenetik të Leopold Bloom‑it në Uliksin e James Joyce‑it. Kryeqyteti i Irlandës bëhet personazh mes anktheve të udhëtimit të tij. Kujtimi i zisë për të atin si edhe pikëllimi për një marrëdhënie që s’mund të rikthehet më. Mungesa e seksit si pikë trazimi, ndarjeje. Vendim i ndërsjellë, por i dyzuar. Silvia, gruaja e përsosur në çdo aspekt—përveç nevojës që ai s’mund ta shtypë. Dhe kjo është ajo që e bën tërheqëse për të Naomin, dhjetë vjet më të re. Një grua e re, sensuale, e gëzuar, por plot probleme, në pritje të shpëtimit. Shpëtimit financiar. Marrëdhënie e njollosur nga paratë. Ai e sheh veten mbi të, pastaj neveritet prej vetes.
Ndërkohë është edhe Ivani, vëllai i vogël, që konsiderohet i papërshtatshëm për shoqërinë. I paaftë të lidhet me gra, të sillet “si duhet”. Ndërveprimet bazë janë mister për të. Më mirë shah se jetë: shahu ka rregulla të qarta; jeta jo. Por as shahu s’e mbush më si dikur; zija ia ka prekur lojën. S’është më gjeni. Ç’i mbetet? As babanë, as shtëpinë, as shoqërinë e qenit. Ka mëri për Piterin që ia del lehtë mes njerëzve, për pritjet e pakta ndaj tij. I mbytur nga dilemat se si të ekzistojë ashtu sikurse duhet, Ivani njihet me Margaretën, 36‑vjeçare, trembëdhjetë vjet më e madhe (në universin e Rooney‑t, të jesh në të tridhjetat duket moshë e shtyrë). E sapondarë, ajo i dorëzohet shpejt ngasjes së tij të ngatërruar, duke dëshiruar të ndihet sërish mirë, qoftë edhe për pak. Pa plan, pothuajse pa vetëdije, ajo gjen te Ivani një litar shpëtimi.
Intermexo sjell këto histori të reja, por mban elementet që e bëjnë Rooney‑n të njohur: dialogët therës, përthithjen e mesazheve tekstuale në rrëfim; diskutimet mbi besimin, mbi pajtimin e bindjeve me realitetin e zhveshur; bisedat për artin, muzikën, letërsinë, politikën. Shumë referenca për krizën e banesave në Dublin—qiratë marramendëse, dëbimet e paligjshme. Rooney shkroi një artikull të zjarrtë për këtë në Irish Times më 2023; tani e shohim edhe të letrarizuar. Sipas meje, me sukses: tema shërben si motor që ndryshon dinamikën mes protagonistëve. Gjithsesi, disa komente politike duken të shpërndara si flamuj që autorja tund për të thënë “shihni sa më intereson kjo”.
Megjithatë, asgjë s’e përlyen evolucionin stilistik të Rooney‑t, të dukshëm sidomos në përpunimin e zërit rrëfimtar, që lëkundet mes personazheve duke u dhënë çfarë u duhet: te Piteri më i fragmentuar, te Ivani më i rregullt. Kur njëri çrregullohet mendërisht, i zbutur nga barnat e marra pa kujdes, ritmi dhe ndërtimi i tekstit e pasqyrojnë qartë. Po të mos trajtohej me kujdes, mund të ishte katastrofë, por Rooney e shmang kurthin dhe e ruan cilësinë deri në fund.
Ky libër pra ka shije origjinale që të shtyn faqe pas faqeje, herë me rrjedhë të shpejtë, herë me narrativë më konvencionale. Sikur hap hapësira frymëmarrjeje vetëm për ta shtyrë lexuesin—që mbaron gjithmonë romanet e Rooney‑t me zemër të shtrënguar—të shpresojë për shumë të tjera. Dhe pjesa më e bukur është kur vijnë me përparime teknike si ky—si një lëvizje e papritur, si një intermexo.
Përgatiti: ExLibris