“E shëmtuara, në kundërshtim me të bukurën, shfaqet si shkatërrim i formës. Vetëm përmes saj arti fiton lirinë për me tregu të vërtetën e plotë të shpirtit.”
(Hegel)
Do të jetë edhe ma e plotë qasja nëse këtij mendimi të Hegel-it i shtojmë edhe nji tjetër mendim: “E kundërta e të bukurës nuk është e shëmtuara, por kopja.”
(Izetbegoviç)
Veprat e artit kanë provu në jo pak raste se ajo që është etiketu si e bukur mundet me marrë nji përmasë shëmtie, sikurse dhe e shëmtuara në raste të tjera ka zbulu nji anë të saj të bukur. Kjo sepse nga përpjekja njerëzore nuk mundet me dalë diçka fundekrye e përsosur, por as fundekrye e shëmtuar.
Artisti ngjan shumë me alkimistin. Përditshmëria është e mbushur me situata, fenomene, sende e mbetje nga ma të ndryshmet, të cilat kemi prirjen me i anashkalu lehtësisht si “rutinë”, si gjana “të vogla”, por ato janë nji botë më vete, ajo anë e jona që herë nuk i japim randësi e herë të tjera duam ta fshehim, duke ba sikur nuk ekziston.
Myrtezai ndalon shpesh në këso gjendjesh “të rëndomta”, që herë janë bruto, herë aestetike, herë paradoksale, herë kallpe, herë anemike, herë të pista, pjesë e nji thurime urbane që ka fatin e rrallë të jetë e vërtetë; pjesë e të vërtetës sonë.
Ashtu si alkimisti, ai i jep nji vëmendje ledhatuese kësaj bote duke e shndërru në “ar(t)”, pa synu ndonji konvencion artist-ik, as galerinë, as…, por vetëm nji akt që len nji shenjë, jo shenjën e mësuar, as atë që është bashkëkohore, por atë lloj shenje që ka me e gjyku vetëm Koha.
Myshku nuk gjendet në pjacë, aty ku shkreptijnë projektorët e sistemit, por në “periferi”. Pastaj ai e sjell këtë myshk bash në oborrin e sistemit dhe ikën. Nuk zgjedh atë që duhet me ba nji artist: me qëndru matanë oborrit të pushtetit, por rrezikon çdo gja dhe futet në atë oborr, ndoshta ma shumë si sfidë me veten: e pse duhet të kem frikë?! Siç ka nji “duhet” në parim, universale, ka edhe nji “duhet” vetjake, që shpesh kemi prirjen me ia keqkuptu njëri-tjetrit.
Ndoshta vetë titulli, “No art zone”, po na thotë diçka tjetër, përtej lidhjes së tij me veprat e ekspozuara: nuk ka art (të lirë) në pallatin e mbretit, pra nuk mund të ketë nji zonë arti aty.
Ky cikël aktesh e ndërhyrjesh (po aq edhe ndërprerjesh) është përvoja poetike e të pakuruarës. Fjala vjen, mbetje të caktuara që nji marangoz apo saldator i ka për me i hedhë, për artistin janë diçka tjetër; i thonë diçka, e joshin si fëmijë, dhe kështu ai i ripërdor për me përmbushë me to atë që mjetet dhe materialet konvencionale “për art” nuk ia mundësojnë.
Prandaj Myrtezai është nji vëzhgues i duruar i materialeve ekstra-artistike, sepse ato i japin mundësinë me qenë i vërtetë me veten dhe jo i suksesshëm në marrëdhënien e radhës me publikun.
Arratisja e tij nga “system zone” nuk është fizike. Në fakt, nuk ofron asnji zgjidhje nji arrati e tillë. Çfarë do të ndodhte nëse të gjithë artistët do të tërhiqeshin nga fushëbeteja? Për shembull, nji përgjigje është se dje na ndodhi realizmi socialist. Ndoshta sot po na ndodh “butë” nji realizëm globalist, nji uniformitet i pashembullt ku individualja tretet pa rezistencë.
Ja pse asnji prej veprave të kësaj ekspozite nuk është e angazhuar. Vetë ato, ashtu siç janë, përbajnë nji angazhim, sepse janë ajka poshtë së cilës gurgullojnë mohime e pohime të vetes drejt njohjes, drejt atij përqafimi që e mban mallin të ndezur.
Çfarëdo që të përdorim, fjalën, imazhin, tingullin…, ky mall na kujton përherë se thelbi mbetet i papërkthyeshëm.

