(Poetin Prengë Maca e kam njohur nëpërmjet dy-tre cikleve me vjersha që ka botuar “ExLibris” gjatë dy viteve të fundit. Kërkova ta njoh për së afërmi dhe ai, në mënyrë origjinale, m’u shpreh që, më shumë se te fjalët e tija, mund të bazohesha në disa përmbledhje poetike, të cilat e paraqisnin para lexuesve dhe studiuesve. M’i solli të 7 vëllimet dhe kërkoi të dinte pse isha tërhequr ta njihja vjershërinë e tij. E kisha pëlqyer vargun e këtij krijuesi, para së gjithash nga gjuha lakonike e shprehjes dhe thelbit të motivit pse shkruan dhe kujt i drejtohet..…)
Bisedoi: Tefë Topalli
1. Në takimin e parë bashkë, mësova se keni kryer shkollën e mesme të Politeknikumit, Tiranë; një shkollë profesionale shumë cilësore për kohën, por që nuk premton dhe aq për një edukim letrar në krijimtari; si shpjegohet që jeni përshkuar nga pasioni për letërsi?
Kur mendoj jetën time dhe bëj një bilanc, çfarë ndodh me jetën e njeriut, mes asaj që bëjmë dhe asaj që duam, e ndermend gjithnjë thënien e Gëtes:
“Të tjera duam,
Të tjerë na duan,
Në të tjera përfundojmë! ”
Është e vërtetë se kam mbaruar një shkollë teknike më të mirën në vend, ku mbeteshe në klasë edhe nga letërsia. Në vitin e parë mësuesi i letërsisë na dha në këtë lëndë hartimin e parë. Unë e bëra në një vjershë dhe e dorëzova i pari. Ai e pa fletën, ma bëri me shenjë të prisja e pasi e lexoi, ngriti sytë e më tha, a është e jotja? Tunda kokën në shenjë pohimi. E ke shkruar përpara? Jo, në klasë, u përgjigja unë. Mirë më tha ai, bëj një tjetër me çfarë të duash ti, një temë që e zgjedh vetë !
U ula në bankë, bëra një vjershë dhe ia dhashë mësuesit. E lexoi, më pa në sy, vazhdoi leximin deri në fund, hapi regjistrin tek përfundimtarja e vitit dhe vuri një dhjetë. Të lumtë, më tha, ndiqe poezinë ! Është një ëndërr e bukur! Atë çast u bëra i lumtur !
E kundërta më kishte ndodhur në qytetin, ku kam kaluar fëmijërinë. Kam bërë prova të shkruaj që i vogël. Ishim një grup nxënësish brenda një gare me vjersha. Ngadalë, ngadalë disa prej nesh u dorëzuan, por, mbetëm tre veta në fund të garave, ku shumë prej tyre u lodhen. Ne rezistuam, qëndruam rob të letërsisë, në lakun e poezisë.
Në klasën e shtatë kisha mbushur një fletore me vjersha, por nuk guxoja t’ia tregoja njeriut. I bindur, se po bëja gjënë e duhur, marr fletoren me poezi dhe trokas në deren e kabinetit, ku ishte mësuesi i letërsisë. Kam një fletore me vjersha, i thashë. Ulu, më tha ai. Ndërsa isha me një emocion fëmije para një gjykimi të një njeriu që mendoja, se do të më vlerësonte. Ai, pasa e lexoi fletoren time me vjersha, uli syzet në tavolinë, më pa sikur donte të më peshonte me kujdes dhe ma dha fletoren. Mirë, mirë.
Unë u nisa drejt derës, kur dëgjova zërin e tij të thërriste ermin tim. U ktheva me dorën në dorezën e derës, pa e ulur atë për ta hapur. -Ku i ke kopjuar këto?- më tha ai.
Më sytë e mbushur me lot, hapa derën dhe nuk e dëgjova më, ndërsa ai më thërriste nga brenda kabinetit të tij. Ndihesha si i shurdhuar nga zemërimi, nga gjykimi që sapo kisha marrë. – A kam mbaruar shkollë për letërsi? Para demokracisë, me një rekomandim nga lidhja e shkrimtarëve, bëra lutjet për të ndjekut Fakultetin e letërsisë. Nuk isha fort i preferuar, për shumë arsye dhe….. sekretarja e parë e atëhershme i hoqi vizë emrit tim, por ishte gabuar. Unë vazhdova të jem student i letërsisë gjithë jetën, edhe tani në këtë moshë jam një student i dashuruar me letërsinë dhe i përkushtuar asaj….

2. A mund të flitet për një gjen trashëgimie nga prindërit e tu, apo të afërm të tjerë, në kallëzime, fjalë apo kuvende të urta, qoftë edhe brimtarë mortesh?
Ati im ishte vëllai më i vogël i tre vëllezerve, nga një fshat, ku mendohet të ketë qenë shkolla e parë shqipe, më 1632, një shkollë laike, nën kujdesin e kishës. Të tre vëllezërit ishin instrumentistë të shkëlqyer të çiftelisë, fyellit, lahutës dhe zumbares.. Të tre këndonin dhe në shtëpi gjithmonë gjendeshin varur në mur instrumentat muzikorë të krahinës. Xhaxhain tim të madh, në një libër të shkruar për minierën e Rubikut, autori e ka quajtur Shaljapini shqiptar. Ai këndonte me një zë koke shumë të veçantë. Në fshat thuhej, se edhe me këndue në mort, ai nuk ta prish mortin. Në shtëpi, në fshat, këndoheheshin pjesa nga “Lahuta e malcis”, e cila ruhej fshehur në arkat e veçantave karakteristike të rrobave. Gjyshja ime ishte një vajtimore e rrallë, pra një krijuese e vajeve, të cilat improvizoheshin në çast, në këto raste, por e kam me të dëgjuar, sepse unë nuk pata fatin ta njoh, pasi ajo ndërroi jetë në mesmoshën e jetës.
Gjyshin tim, e thërrisnin në raste të veçanta, në ndarjen nga jeta të njerëzve të shquar, me bërtit në raste të tilla, një zakon jo fort i hasur në zonën tonë, por që ndodhte gjithsesi, ndoshta edhe si huazim prej krajinave të tjera. Uroj të mos kem gabuar në këtë gjë që them! Kur Eftim Dheri erdhi në një ekspeditë muzikorë në qytetin tonë fundor, ai u habit nga im atë, për tingullin e veçantë të çiftelisë, kur e dëgjoi dhe i bëri një kompliment të veçantë që qarkulloi në gjithë qytetin. Ti je mjeshtër! – i tha ai. Im atë kishte një bibliotekë modeste dhe ishte i dhënë pas librave. Meqënëse program i radios së atëhershme ishte shumë i kufizuar, im atë na lexonte me detyrim, gjysëm ore në ditë, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” dhe “Komisarin Memo.” Dhe bash në këtë ambient, ndjekur nga njëri – tjetri, mbeta përgjithnjë në kurthin e bukur të letërsisë.
Në këtë kurth gjendem njësoj edhe sot, si atëheri, gjithnjë, veçse ndërroj trajtë e asgjë tjetër. Dashuritë e vërteta kushtojnë shtrenjtë! Kjo është dashuria ime për letërsinë.
3. Në botimet tuaja mbi 30-vjeçare, natyrshëm, ka shkëlqim dhe hijedrita përgjatë vargjeve; a do të dëshironit që, në librat shkollorë të ishte përzgjedhur ndonjë poezi e juaja; ç’mund të thonit që nëpër këto tekste nuk ka përfaqësime të krijuesve margjinarë (kështu po i quaj për arsye gjeografke), por vetëm një numër i kufizuar klasikësh tanë?
Natyrisht ka ardhur koha që shumë krijues duhet të jenë në tekstet e librave shkollorë, ka shumë poetë që e meritojnë këtë vend. Duke u seleksionuar, mendoj se ndonjë prej poezive të mia mund të jetë nëpër tekstet, sidomos pjesa e tyre që kanë një mënyrë të ndërtuari, duke u mbështetur paksa në folk. Mendoj, se kjo është puna e komisioneve të specializuara në vlerësimin e krijimtarisë së poetëve, për të cilët besoj se e kanë cilësinë e lartë të nivelit poetik. Ata që programojnë lëndët e gjuhës e të letërsisë në arsimin parauniversitar, ata duhet ta njohin këtë shqetësim…Fakti që shqipja është gjuhë e një populli të vogël, në hapësirën folëse ballkanike, gjykoj se është arsyeja, se pse poezia jonë mezi i kalon kufijtë e vendit.
Është e vërtetë, se emrat të veçantë e kalojnë kufirin e gjuhës së bukur shqipe, ndërsa flasin në gjuhë të tjera, por për mua Poezia dhe poetët e një vendi janë një pyll i mrekullueshëm, ku secila pemë dallon nga tjetra, duke përbërë kësisoj poezinë dhe poetët e një kombi. Kështu, i sheh gjithë bota poetët respektivë të vendeve të tyre. Mendoj, se ne duhet të mësojmë prej tyre në këtë fushë. Pyetja juaj është shumë e drejtë, ndaj duhet bërë e mundur zgjerimi i vendosjes nëpër tekste dhe uroj të ndodhë, duke ndryshuar politikat dhe qasjet e institucioneve përkatëse mbi këtë çështje jo pa rëndësi rëndësi. Kam pasur miqësinë e shumë poetëve, si Gjok Beci, Bardhyl Londo, Petrit Ruka, të cilët nuk janë më. Ata janë autorë të poezive të larmishme e plot vlera, lartësimit të kombit e vlerave të tij më të mira.. Është i gjatë rrjeshti i atyre, të cilët e meritojnë të jenë nëpër tekstet shkollore, për vlerat e tyre të padiskutueshme, këngën e tyre në gjuhën shqipe, të cilës i kushtuan kohën e jetës së tyre.
4. Si brez krijuesish në letërsi, i takoni atyre shkrimtarëve që kanë lëvruar dhe lëvrojnë vargun tradicional; si keni përqafuar një tjetër lloj vjershërimi të lirë, shpesh, edhe pa shenja pikësimi, gjithnjë me shkronja të vogla…a mos ka lidhje me strofën kushtuar poezisë: “nuk e di/se si ndodh kështu;/a të krijoj unë/apo më krijon mua ti,/nuk e di se si ! ”
Çdo njeri mendon se e gjen atë çfarë e përcakton si individualitet, herë – herë me kalimin e kohës ndryshojnë dhe format e shprehjes, ndryshon dhe logosi poetik. Është fakt, se në vëllimet e para kam më shumë poezi me vargun tradicional, por edhe më vonë nuk është se e kam tradhëtuar atë. Të shkruash në mënyrë tradicionale dhe të jesh modern, kur e bën këtë gja, kjo është çfarë vlen. Kam lexuar shumë poezi dhe vargu i lirë shpesh është çfarë e kanë shkruar poetët e mëdhenj të botës. Në një libër të përkthyer nga shkrimtari dhe përkthyesi i talentuar Agron Tufa, të një libri poetik të Paul Celane, kam lexuar dhe më ka mbet në mendje një poezi e tij :
“Ta marrim fjalën,
Ta pastrojmë, ta lajmë
Ta kthejmë me fytyrë nga qielli !”
Vargu i lirë e kursen atë çfarë në shumë poezi thuhen me aq shumë fjalë, të cilat nuk është se e bëjnë atë më të vlertë. Tek vargu i lirë gjejmë lirinë e një organizimi ndryshe, sa shpesh sjell ndërmned me këtë ndryshim stilesh, teorinë mbi asimetrinë simetrike.
Përmbajtja është stofi me anë të cilit krijuesit e ndyshojnë modelin e prerjes, duke ruajtur harmoninë njëkohësisht; e kjo gjë ndodh sipas stinëve të ndryshme, sugjeruese të stileve si pasuri. Mbaj mend një dyvargsh të Ungaretit, i cili ishte pjesëmarrës në luftën e parë botërore. Më ka mbetur në mendje, si një gjetje e jashtëzakonshme, e thënë me pak vargje. Me anë të kësaj poezi ai thotë të gjitha për vete, për kohën, për botën. Këto dy vargje brenda një poezie të tij të shkurtër nuk mund t’i harroj kurrë :
“Unë jam një qingj,
Veshur me lëkurën e ujkut.”
Mendo një ushtar, si Ungareti i madh, me pushkë në dorë, duke pritur armikun.
Janë të rralla rastet dhe emrat e tyre të dëgjuar, kur jeta e një shkrimtari të madh nuk kalon nëpër vështirësi të panumurta të vetë krijuesit, shenjat të cilat ne i marrim shumë të rafinuara artistikisht, nëpërmjet personazheve të tyre, në rastet e poezisë përmes rrjeshtave, ku ndjehet pulsi i shpeshtë, revolta e zemëruar, një zemër e ndjeshme në dashurinë, humbjen e saj, jetën dhe vdekjen, arti i madh i jetës njerëzore. Në këto raste ne e harrojmë, se çfarë stili ka përdorur autori, pasi na rrëmben arti i tyre. Po a mund të përkthehej “Mbreti i Tulës” në varg të lirë. Njëmijë herë do të ishte e pamundur. Një poet si Mjeda është shembulli i një poezie prej mjeshtri të madh dhe besnik i vargut klasik…I paarritshëm deri më sot!
5. Krijimet tuaja poetike nuk i shkojnë lexuesit të ndara në motive, siç bëhet në shumë përmbledhje me vjersha, a mund të flisni për motivet apo leitmotivin që ju shtyn në vargjet tuaja?
Libri ka një bosht ose më mire duhet të ketë një bosht. Unë i punoj shumë poezitë, sa një pjesë të madhe prej tyre i mbaj përmendsh. Natyrisht që nuk kam asgjë për ato që i ndajnë në cikle, por secili bën zgjedhjen e vet. Në jetën tonë janë të gjitha, gjërat banale të jetës, gjërat e shenjta, gjërat monotone, prej të cilave ushqehemi, dashuria, urejtja, bashkimet, ndarjet, shpresat, dëshpërimet dhe ato vetë nuk janë fort të sistemuara, kjo është arsyeja që ne nuk e dimë kur do të na ndodhë njera ose tjetra. Kjo është arsyeja se pse nuk e ndaj librin me cikle, është zgjedhja ime të jenë bashkë të gjitha, por kjo nuk do të thotë se kam bërë zgjedhjen perfekte. Tek libri i fundit e kam bërë një seleksionim, njëfarë ndarje, të cilin ai që e lexon do ta vërejë e ta dallojë lehtë.
Në krye të çdo ndarje kam një poezi të shkurtër e me korsi të dallueshme që përcakton frymë e atyre pasuese.
6. Në bisedën tonë, kujtoj se më përsëritët shpesh “ky jam unë !”; lexuesve tuaj në poezi, dëshironi t’u përcillni veten tuaj (unin) apo edhe mesazhe kohe, shqetësimi, ardhmërie…?
Mendimi im është se ne duhet të shkruajmë veten, pavarësisht, se jo gjithnjë shkruajmë për vete. Përherë kam menduar dhe mendoj, se “poetë janë qenie qiellore, të zbritura në tokë me leje të jashtëzakonshme.” Nganjëherë gjykoj, se ne jemi ajo qenia ndërmjetëse, e cila shërben për të përcjellë kumtin përmes formës së zgjedhur tek secili, kumtin e diçkaje të rëndësishme jashtë nesh, që jehon përbrenda në mënyrë të pashpjegueshme. Desha ta përmend një gjendje të tillë në një poezi :
Kur e shkruaj poezinë,
Mendoj se është e imja,
Pasi e publikoj atë,
E kuptoj , se jam i Asaj!
Poezia e vërtetë e shkruan poetin. Poezitë më të veçanta janë ato, që në mënyrë të pavetëdijshme gjejnë formën e larmishme për t’u shfaqur para lexuesi. Libri duhet të jetë ti, nëse nuk ndodh kjo, mendoj se nuk janë në nivelin e duhur dhe nuk bëhet fjalë për një krijimtari të stilit të veçantë, se në fund të fundit në jemi stili vetë.

7. Në disa përmbledhje tuaja me vjersha, keni një ndarje formale me titullin “shkurtima”, një fjalë që gjendet vetëm në Fjalorin e vitit 1984, jo në Fjalorët e viteve të fundit; kështu, e përdorur prej jush në femërore, na vjen si neologjizëm; a mendoni se mjaft “shkurtima” ngjajnë si aforizma, apo hajku japonez? Pse ky pëlqim, kur ekziston rreziku që ato t’i shkojnë lexuesit si gjysmëproza?
Është e vërtetë, se tek librat e fundit, kam këtë emërtesë, e cila më ka ardhë natyrshëm, për llojin e asaj çfarë kam quajtur ashtu. Në një bisedë në televizion me tregimtarin e veçantë Lazër Stani, bashkëbiseduesi i bëri një pyetje, se pse nuk ka një roman, por tregime të gjata, të cilët, sipas intervistuesit, tregimet tij kishin lëndën e një romani. Ai u përgjigj: nëse e thotë tregimi çfarë duhet, pse ta përcjell me një roman. Për mua Lazër Stani është një prozator nga më të talentuarit.
Shkurtimat janë një gjini e parapëlqyer e imja, për arsye, se unë kam bindjen se lexuesi i kujdesshëm dhe admiruesi i poezisë, kur lexon këto shkurtima, e mendon se si është ajo çfarë mund të ishte përtej atyre, nuk mjaftohet vetëm me leximin, por intensiteti i shprehjes ia prish monotoninë që provojmë kur lexojmë poezi të gjata, që sillen rreth thelbit. Në çast, kjo e shtyn lexuesin në imagjinatën e refleksionit të situates së krijuar.
Nuk mundohem kur shkruaj, unë mundohem kur punoj mbi vargun, pasi e shkruaj, me qëllim që të gjej një rregullim e sistemim të poezisë, të arrij zgjedhjen e fjalëve, sistemimin e tyre; kështu, në një farë mënyre, përcaktuese e poezisë, është se ajo shkruhet “pa dashje”.
8. Pyetje, si e ngjashme me një tjetër: vërej se në dy përmbledhjet “Koha mes nesh” (2008) dhe “Duke të pritur ty” (2020), ka vjersha shumë të bukura, mbështetur me rimë e metër; një lloj krijimi që në vëllimet e viteve të tjera, deri më sot, pothuaj, e keni braktisur, pse ndodh kjo?
Tek librat “Zjarr në eshkë” dhe “Ëndrrat në varka prej letre” gjenden shumë poezi me rimë, gjë që nuk e kam bërë me qëllim, por ato vetë e kanë kërkuar formën e tyre, për vetë natyrën e secilës. Ashtu kanë ardhur tek unë…Asnjëherë nuk e kam si qëllim në vetvete, ta braktis rimën, formën e rregullt të poezisë, por ajo që ndodh më vjen vetiu, është si të zgjedhësh mjetin, për të thënë diçka, për të deklaruar diçka. Vetë libri është një lloj deklarate e krijuesit, aq më tepër ai nuk e tërheq dot më atë që deklaron, që shkruan.
Nuk pretendoj të jem në majat e krijimit, por duhet të jem i qetë dhe i sigurtë se kam bërë maksimumin e asaj që zotëroj.
9. Nuk shohim se në krijimet tuaja ka përpjekje për ndonjë poemë, lloj më i gjatë letrar në vargje, mos shpjegohet kjo me animin nga proza: tregime, novela, apo edhe në narrativën e gjatë, siç është romani i vetëm juaji?
Nuk mendoj se ka ndodhur gjithnjë kështu. Kur ajo çfarë dua të them qëndron më gjatë, ma detyron vetë gjininë e poemës. Tek libri poetik “Ëndrra të vizatuara në qelq” janë katër poema, të cilat e kanë pasur vlerësimin e lexuesve, miqve të mi. Për mua, dallimi mes poezisë e prozë nuk është pengesë e pakalueshme. Proza kërkon përqëndrim, punë të madhe me gjuhën, kërkon impenjim dhe njohje të asaj çfarë trajton dhe përpiqesh ta tregosh. Kam provuar duke shkruar një roman “Një zemër e kursyer”. Skedat e këtij romani i kam pasë prej vitesh, nuk preferova t’i shkruaja thjesht si kujtime në qytetin ku kam kaluar fëmijërinë. Për çdo njeri, qyteti ku ka jetuar është magjik, natyrisht edhe për mua ndodh njësoj.
Për të mos qenë thjesht një libër kujtimesh, rasti e solli të gjej një mënyrë për ta trajtuar, si një roman të mirëfilltë. Më ndodhi që nuk e ruajta dot skemën e menduar në fillim të romanit. Personazhet “merrnin frymë” ndryshe nga sa mendoja unë, duke vepruar në situate të ndryshme, të reja, jo aq të bindura ndaj meje, nuk më mbetej gjë tjetër, veçse t’i ndiqja pas në jetën e tyre. Jam autor i një libri me tregime, libër që pat zgjuar vëmendje nga autorë të njohur të letërsisë shqipe. Kur ia dërgova librin një autori mjaft pretendues në letërsinë e sotme, ai më tha diçka shumë të veçantë, gjë që as më kishte shkuar ndërmend ndonjë herë.
“ Për arsye jashtë letrare, ju jeni i panjohur, por proza juaj më ka pëlqyer shumë!”
Nuk po e them emrin e tij, për shkaqe etike, por asokohe u ndjieva i vlerësuar, e natyrisht paksa i çuditur, se ku ndodhemi nganjëherë mes ushtrisë së madhe të autorëve jo për fajet tona, njëkohësisht jo për nivelin e letërsisë sonë…Ndoshta, ndoshta, për arsye krahinore, nëse mund të shprehemi kështu !
10. Jo pak shkrimtarë pohojnë se lexues dhe kritikë të parë të krijimeve të tyre, kanë bashkëshortet; Zonja e juaj është universitare e mësuese me përvojë në degën Gjuhë shqipe-Letërsi; a ndjeheni ju i mbrojtur në vështrimin gjuhësor për vjershërinë tuaj dhe është ajo konsulente juaja?
Bashkëshortja ime ka kryer studimet e larta për Gjuhë shqipe – Letërsi.
Më mbetet në mendje një takim me të madhin Petro Marko, me grupin letrar të shkollës në “ Harry Fullcin” e atëhershëm, sepse ne kështu e thërrisnin aso kohe, nën zë.
Petra Marko na tha : “ Poezia është një tokë magjike. Të gjithë ata që shkruajnë mundohen të shkojnë atje. Duhet shumë talent e do shumë punë, por, po hyre atje, asnjeri nuk e zë më vendin tënd. Atje ka vend për të gjithë poetët që dallohen mes të tjerëve.”
Pasi mbaroi takimin , ai më kërkoi, më thirri me emër, pasi kishte lexuar një poezi në këndin tonë letrar: “ Prengu, më tha ai. Arti i letërsisë kërkon t’i kushtosh dashurinë, kohën, jetën. Nëse do të dish ta duash, do të jetë e jotja kjo “vajzë” e bukur me emrin letërsi.”
E ndiej edhe sot dorën e tij mbi kokë, sepse janë disa gjëra që ndodhin një here dhe janë të përjetshme. Kur shkruaj, dua të jem vetëm. Mendoj, se vetmia është atdheu i krijuesit.
Kur shkruaj, më bren dyshimi i asaj që po bëj, nganjëherë ndodh një periudhë, sikur kanë mbaruar gjithë fabulat dhe poezitë, por pastaj në pak kohë ndodh të hapet një tjetër derë dhe gjithçka shkëlqen ndryshe nën diellin e një optimizmi shpresëdhënës.
Natyrisht, pasi i shkruaj, libri do të jetë në duart e gruas sime, për të parë gjuhën. Është e pamundur të mos bësh gabime, kur shkruan, sepse krijimi të rrëmben, gjë që e bën të domosdoshme korektorin letrare. Ndodh, jo në pak raste, të marr edhe sugjerime, që e ndryshojnë për mirë poezinë. Ndërsa pres korigjimin, më pushton një frikë e lehtë, a ia ka vlejtë ajo e shkruara apo jo. Pastaj vjen rasti i marrjes së korigjimeve. Korektorja ime, nuk më lavdëron, është e kursyer, por unë di ta lexoj atë që mendon ajo mbi librat e mi, sepse kemi dyzet vite së bashku. Ati i Letërsisë për mua është një fe. E besoj se ata që kanë shkruar librat e mëdhenj të letërsisë botërore e kanë pasur atë gjë të shenjtë, i kanë kushtuar kohën e jetës së tyre, pra jetën e tyre, sepse ne si qenie njerëzore jemi veçse kohë e asgjë tjetër.. Poezia është zhanri që të shkruan, ajo gjen atë shtegun, duke të zbuluar, ndërsa të jep lirinë për të treguar gjithçka ndodh Brenda teje. Arti në përgjithsi, poezia është çfarë të gëzon kur e shkruan dhe të bën të lumtur, kur e “humb tek admiruesi i poezisë dhe tek lexuesi., kur ajo “bëhet” e tjetërkujt
Dashuria është ngjarja, e cila, që të ndodhë, duhet patjetër të jenë dy vetë.
Edhe Arti i letërsisë është një Dashuri e madhe”

