Përktheu nga origjinali Besiana Kadare
Në një buduar burrash, domethënë një kthinë shtëpie bixhozi elegante ku pihet duhan, katër zotërinj tymosnin cigare dhe pinin. Nuk mund t’i quaje as të rinj as të vjetër, as të pashëm as të shëmtuar; por, pavarësisht nga mosha, në fytyra u dallohej shenja e pagabueshme e veteranëve të gëzimit, ajo nuk-e-di-se-çfarë e papërshkrueshme, ai trishtim i ftohtë dhe tallës që le të kuptohet qartë se: “ne kemi pasur një jetë të pasur dhe tani kërkojmë diçka që të mund ta duam e ta çmojmë”.
Njëri prej tyre e solli fjalën te gratë. Do të kishte qenë më filozofike që të mos flitej fare për këtë temë, por edhe njerëzit me mend, pasi kanë pirë mirë, nuk i përbuzin bisedat e rëndomta. Në çaste të tilla, njerëzit e dëgjojnë atë që flet siç dëgjohet një muzikë vallëzimi.
“Të gjithë burrat, po thoshte ai, kanë pasur moshën e Kerubinit32: kjo është periudha kur, në pamundësi për të gjetur nimfa pyjesh, nuk të vjen neveri të puthësh edhe trungje dushqesh. Kjo është shkalla e parë e dashurisë. Në fazën e dytë fillon të zgjedhësh, dhe këtu fillon dekadenca. Është periudha kur burri kërkon me të vërtetë bukurinë. Për sa më përket mua, zotërinj, jam krenar për faktin që prej kohësh tashmë, kam arritur në periudhën klimaterike të fazës së tretë, kur edhe bukuria vetë nuk mjafton më në qoftë se nuk është e shoqëruar nga parfumet, stolirat e të tjera gjëra. Madje, do të thosha që disa herë, dëshiroj me gjithë shpirt, ashtu siç dëshirohet një lumturi e panjohur, ekzistencën e një faze të katërt, që do të ishte ajo e qetësisë absolute. Por gjatë gjithë jetës sime, me përjashtim të periudhës kur kisha moshën e Kerubinit, kam qenë më i ndjeshëm se askush ndaj marrëzisë nervozuese dhe mediokritetit acarues të grave. Ajo çka më pëlqen më shumë te kafshët është dëlirësia e tyre. Përfytyroni pra, sa shumë më ka bërë të vuaj mikesha ime e fundit.
“Ishte fëmija jashtë martese e një princi. Kuptohet vetiu që ishte e bukur; po të mos kish qenë e tillë, përse do ta kisha zgjedhur? Por ajo e prishte këtë cilësi kaq të rëndësishme me një ambicie të pahijshme e shëmtuese. Ishte një grua që kishte gjithnjë maninë të hiqej si burrë. “Ju s’jeni burrë! Ah sikur të isha burrë! Nga ne të dy, burri jam unë!” Të tilla ishin refrenet e padurueshme që dilnin nga ajo gojë, nga e cila nuk do të kisha dashur të dëgjoja gjë tjetër përveç këngëve. Kur shprehja admirimin tim për ndonjë libër, poemë apo opera, aty për aty ajo ma kthente: “Ju ndoshta mendoni që kjo është vërtet e fuqishme? Po a e dini ju se ç’është madhështia?” dhe fillonte debatin mbi këtë çështje.
“Një ditë të bukur filloi të merrej me kimi dhe qysh atëherë unë fillova të ndiej një maskë qelqi midis buzëve tona. Përveç të gjitha këtyre, hiqej dhe si e turpshme. Kur unë guxoja të bëja ndonjë gjest pak si tepër të dashuruar, ajo tkurrej si të ishte një lule mosmëprek…
– E si përfundoi e gjitha kjo? – tha njëri nga tre të tjerët. Nuk ju dija kaq të duruar.
– Zoti, – vazhdoi ai, – ia gjeti shërimin së keqes. Një ditë e gjeta Minervën time, aq të etur për madhështi e ideal, kokë më kokë me shërbëtorin tim, në një gjendje të atillë që u detyrova të tërhiqesha pa u ndier për të mos i bërë të skuqeshin. Po atë mbrëmje i përzura të dy duke i paguar secilit atë që i takonte.
– Në rastin tim, – mori fjalën sërish ai që e kishte ndërprerë pak më parë, – unë s’mund t’i vë faj njeriu tjetër veç vetes sime. Lumturia erdhi të strehohej tek unë dhe unë s’arrita ta njoh. Këto kohët e fundit, fati më kishte dhuruar një grua, e cila ishte, pa dyshim, më e ëmbla, më e nënshtruara dhe më e devotshmja qenie e kësaj bote. Gjithmonë e gatshme! dhe pa asnjë entuziazëm! ‘Me gjithë qejf, në qoftë se kjo ju jep kënaqësi’ – kjo ishte përgjigjja e saj e zakonshme. Po t’i jepnit murit apo kanapesë një dru të mirë, ata do të nxirrnin, me siguri, më shumë rënkime sesa ç’nxirrnin vrundujt e dashurisë më të zjarrtë nga gjoksi i së dashurës sime. Pas një viti jete të përbashkët, më pohoi që s’e kishte njohur kurrë kënaqësinë. Ky dyluftim i pabarabartë m’u zvetënua atëherë, dhe ajo vajzë e pakrahasueshme u martua. Kohë më pas, më shkoi mendja ta rishikoja dhe ajo më tha, duke më treguar gjashtë fëmijë të bukur: ‘Miku im i dashur, gruaja e martuar është po aq e virgjër sa ç’ishte e dashura juaj’. Asgjë s’kishte ndryshuar tek ajo femër. Herë pas here më vjen keq që e humba; duhej të isha martuar me të”.
Të tjerët filluan të qeshnin dhe fjalën e mori një i tretë:
“Zotërinj, unë kam njohur kënaqësira që ndoshta ju i keni shpërfillur. Dua të flas për anën komike të dashurisë, por të një komiku që nuk e përjashton adhurimin. Unë e kam adhuruar të dashurën time të fundit më shumë, mendoj, sesa ju keni dashur apo urryer tuajat. Dhe të gjithë e adhuronin po aq sa unë. Kur hynim në një restorant, pas disa minutash çdokush harronte të hante për ta soditur. Kamerierët vetë, apo gruaja që rrinte te banaku, e ndienin këtë përndezje ngjitëse që i bënte të harronin shërbimin. Për t’i rënë shkurt, kam jetuar për disa kohë vetëm për vetëm me një fenomen të gjallë. Ajo hante, përtypej, bluante, gllabëronte, gëlltiste, por me pamjen më të qetë dhe të shkujdesur që mund të ekzistojë. Më ka mbajtur kështu në ethe për një kohë të gjatë. Kishte një mënyrë të ëmbël, ëndërrimtare, angleze dhe romaneske të të thënit ‘Kam uri!’. Dhe i përsëriste këto fjalë ditë e natë duke treguar dhëmbët më të bukur në botë, që ju mallëngjenin dhe ju zbavitnin në të njëjtën kohë. Mund të kisha bërë tërë atë pasuri duke e treguar nëpër panaire si një përbindësh që ha çdo gjë. Unë e ushqeja mirë; e megjithatë, ajo më braktisi… – Për ndonjë furnizues ushqimor me siguri? – Ose diçka e përafërt, ndonjë nëpunës në intendencë, i cili ia arrinte me mënyrën e vet t’i ofronte, ndoshta, fëmijës së shkretë një racion të denjë për disa ushtarë bashkë. Kështu ma merr mendja të paktën.
– Unë, tha i katërti, kam hequr vuajtje të tmerrshme nga e kundërta e asaj për të cilën kritikohet zakonisht femra egoiste. Ju të vdekshëm fort të lumtur, jeni me fat që keni pse të qaheni për të metat e mikeshave tuaja!”.
Këto fjalë të thëna me një ton shumë serioz, dolën nga goja e një burri me pamje të butë dhe të shtruar, me një fizionomi gati klerikale, ndriçuar për fat të keq nga ca sy gri të çelët vështrimi i të cilëve thoshte: “Unë dua!” ose: “Kështu duhet!” apo: “Unë s’fal kurrë!”.
“Në qoftë se ju G…, aq nervoz sa jeni, ose ju të dy K… dhe J…, aq frikacakë dhe të cekët sa ç’ju njoh unë, do kishit pasur marrëdhënie me njëfarë gruaje që njoh unë, ose do t’ia kishit mbathur me të katra, ose do të kishit dhënë shpirt. Unë kam mbijetuar, siç e shihni dhe vetë. Përfytyroni dikë që është i paaftë të bëjë edhe gabimin më të vogël në ndjenja ose në qëllime; përfytyroni një qetësi karakteri dëshpëruese; një devotshmëri pa komedira dhe pa teprime; një butësi pa dobësi; një energji pa egërsi. Historia e dashurisë sime i përngjet një udhëtimi të pafund mbi një sipërfaqe të pastër dhe të lëmuar si pasqyrë, marramendthi monoton, që më pasqyronte të gjitha ndjenjat dhe gjestet me përpikërinë ironike të ndërgjegjes sime, në mënyrë të atillë që unë s’mund t’i lejoja vetes një gjest apo një ndjenjë të paarsyeshme pa parë menjëherë qortimin e heshtur të spektrit tim që s’më ndahej. Dashuria po më dukej si një mbikëqyrje e mërzitshme. Sa shumë marrëzira ajo më ka ndaluar t’i bëj dhe që tani më vjen keq që s’i kam kryer! Sa borxhe të paguara kundër dëshirës sime! Ajo m’i ndalonte të gjitha përfitimet që do të kisha mundur të nxirrja nga çmenduria ime. Me ca rregulla të ftohta dhe të pakapërcyeshme, ajo u vinte fre të gjitha kapriçove të mia. Dhe ajo që e bënte më të urryer, ishte se ajo nuk kërkonte ndonjë mirënjohje pasi rreziku kishte kaluar. Sa e sa herë mezi e kam mbajtur veten për të mos iu hedhur në grykë duke i klithur: “Mos ji, pra, kaq e përsosur, femër e poshtër! që të mund të të dua pa shqetësim dhe pa mllef!”. Për vite të tëra e kam adhuruar, me zemrën plot helm. Por në fund, s’isha unë ai që gjeti vdekjen!
– Ah! bënë të tjerët, ajo paska vdekur?
– Po! nuk mund të vazhdonte më ashtu. Dashuria ishte kthyer për mua në një makth të padurueshëm. Të fitosh ose të vdesësh, siç thotë Politika, e tillë ishte alternativa që më impononte fati! Një mbrëmje, në një pyll… në buzë të një liqeni…, pas një shëtitjeje melankolike, gjatë së cilës sytë e saj pasqyronin ëmbëlsinë e qiellit, ndërsa zemra ime ishte e tkurrur si ferri…
– Çfarë!
– Si!
– Ç’doni të thoni?
– Ishte e pashmangshme. Unë e kam ndjenjën e drejtësisë tepër të fortë për të rrahur, fyer ose zbuar një shërbëtor shembullor. Por më duhej ta përshtatja këtë ndjenjë me urrejtjen që më zgjonte ajo qenie; ta hiqja qafe atë njeri duke pasur respekt. Ç’tjetër mund të bëja me të, meqenëse ajo ishte e përsosur?”.
Tre të tjerët e vështruan me ca sy të humbur dhe paksa të trullosur, duke bërë sikur nuk merrnin vesh dhe duke dhënë të kuptohej tërthorazi që ata vetë nuk do të kishin qenë të aftë për një akt aq të ashpër, ndonëse arsyeja ishte e mjaftueshme.
Pastaj u sollën shishe të reja, për të vrarë Kohën që e ka jetën aq të gjatë, dhe për të shpejtuar Jetën që rrjedh aq ngadalë.