More
    KreuLetërsiBibliotekë"Burri i vogël", tregim nga Immanuel Mifsud

    “Burri i vogël”, tregim nga Immanuel Mifsud

    Përktheu Elisa Ivanaj

    Unë jam dy gjëra: një princ dhe një burrë i vogël. Askush nuk më beson kur them se jam një princ. E kam vënë re këtë ngaqë zgërdhihen, ose më thonë pa hezituar fare se nuk jam një princ. Një djalë më pyeti se ku gjendet pallati im.

    – Nuk do të ta tregoj.

    Dhe ai tha:

    – Po atëherë ku jeton ti?

    Por unë nuk u përgjigja. Nuk e bëra, sepse mami më ka thënë të mos tregoj. Ja çfarë më ka thënë ajo:

    – Tani më dëgjo me kujdes. Mos guxo t’i tregosh kujt se ku jetojmë.

    Kjo është ekzaktësisht ajo që më ka thënë ajo:

    – … mos guxo…

    Kështu që kur ai djali më pyeti: – Po atëherë ku jeton ti?

    Unë nuk nxora asnjë fjalë nga goja. Thjesht i thashë kaq:

    – Nuk të duhet gjë ty.

    Dhe ai tha:

    – Pra, nuk është e vërtetë që je princ.

    Unë iu përgjigja:

    – Është e vërtetë.

    – Jo, nuk është e vërtetë.

    – Është e vërtetë.

    – Jo.

    – Po.

    – Jo.

    – Po.

    – Jo, jo.

    – Të thashë që po!

    As që më intereson fare se çfarë tha ai djali, gjithsesi. Emri i tij është Kianu.

    Unë jam një princ. Dhe një burrë i vogël. Sepse kështu më thotë mami. Çdo ditë ajo më thotë: “Ti je princi im.”

    Çdo ditë para se të fle. Por ajo po ma thotë më shpesh këto kohët e fundit, mendoj që nga ajo ditë.

    Çdo ditë ajo më thotë: “Ti je princi im.”

    Çdo ditë para se të fle.

    Pothuajse çdo ditë në oborrin e shkollës plas ndonjë sherr. Për shembull, u bë një sherr midis Kianusë dhe një djali tjetër nga një klasë tjetër. Tani, unë nuk kam frikë nga Kianu. Kur ai xhaxhai vinte për vizitë tek ne, ai më thoshte që nëse dikush më ngacmonte, unë thjesht duhet ta godas në fytyrë. Kështu më thoshte gjithmonë ai. Por pastaj një herë i thashë mamasë se çfarë më kishte thënë xhaxhai dhe ajo tha: “Mos guxo ta bësh!”

    Kështu që herë bëj atë që më ka thënë xhaxhai, dhe herë bëj atë që më ka thënë mamaja, në varësi se kush do të jetë djali që më ka bërë padrejtësinë. Ndonjëherë mendoj se xhaxhai nuk është në të vërtetë xhaxhai im. Së pari, unë kurrë nuk e kam parë tezen, dhe së dyti sepse mami vazhdon të më thotë të mos i them askujt se një xhaxha vjen të na vizitojë. Nuk e di, por kjo unë mendoj kështu. Ka kaluar goxha kohë që nga hera e fundit që ka qenë tek ne, dhe mami më tha të mos pyes për të.

    – Mjaft më!

    Kjo është ajo që më tha ajo:

    – Mjaft më me atë xhaxha.

    Ai më pëlqente sepse gjithnjë më sillte diçka. Por ajo që nuk më pëlqente ishte se mamaja më dërgonte në shtrat dhe pastaj kur zgjohesha ai tashmë ishte zhdukur. Ka kaluar shumë kohë që kur ka qenë tek ne për herë të fundit. Që nga dita e atij sherrit të madh gjithçka ka ndryshuar. Por prapëseprapë, mami më thotë çdo ditë:

    – Ti je princi im i vogël.

    Ditën që plasi sherri unë po qaja, dhe ajo po i bërtiste atij burrit dhe i thoshte:

    – Shiko! Shiko, ti krijesë e ndyrë! Ti po e frikëson fëmijën tim!

    Njeri mizor. Tani nuk po flas për atë xhaxhin. Një burrë tjetër. Mizor. Ky tjetri pi duhan. Dhe duhanpirësit janë tashmë mizorë sepse pirja e duhanit dëmton njerëzit. Mizor, mizor. Ai po bërtiste, dhe mami bërtiste edhe më fort se ai. Ajo i tha:

    – Shiko! Fëmija im po qan për shkakun tënd, ti krijesë e ligë!

    Dhe ai po thoshte fjalë të këqija që mami më thotë se nuk duhet t’i them. Ai tha fjalët e hëngrët dhe dreqi dhe vazhdoi të këlthiste:

    – Prandaj ik! Merr gjithçka që ke dhe dil jashtë. Kjo është shtëpia ime. Do rrish sipas kushteve të mia ose fare.

    Dhe përsëri ai tha fjalët e hëngrët dhe dreqi.

    Mami im ka sy kafe. Si të mitë.

    Ditën e sherrit e pashë duke qarë. Ajo vazhdimisht më thoshte se unë isha burri i saj i vogël.

    “Ti je burri im i vogël.”

    Ne morëm ca thasë plastikë në supermarket dhe i futëm rrobat tona në to. Edhe uniformën e shkollës. Pastaj vendosëm gjithçka në bagazhin e makinës dhe në sediljen e pasme. Bënte vapë.

    – Ku do të shkojmë tani, mami?

    – Do ta shohim.

    – Po kur do të shkojmë në shtëpi?

    – Ne nuk do të kthehemi në shtëpi. Na e morën shtëpinë.

    – Ai burri na e mori, mami?

    – Po, ai burri.

    – Ai që po thoshte e hëngrët dhe…?

    – Nuk dua që ti t’i thuash ato fjalë. E kupton? Vetëm burrat e këqij flasin ashtu.

    – Po tani, ku do të jetë shtëpia jonë, mami? Do të blejmë një të re?

    – Do ta shohim.

    – E po, sa kohë do të qëndrojmë këtu?

    – Do ta shohim.

    – Po pse na e mori shtëpinë ai burri, mami?

    – Sepse ai është njeri i lig.

    – Kjo është e sigurt. Ai është njeri i lig, po thoshte e hëngrët dhe…

    – Të thashë të mos i thuash ato fjalë!

    – Jam i uritur.

    – Më vonë.

    – A mund të shkojmë tek “McDonald’s”, mami?

    – Do ta shohim.

    – A nuk ke uri, mami? Nuk kemi ngrënë drekë akoma, e di?

    – Ju lutem! Më lër të mendohem.

    – Mirë, mami, por jo për shumë gjatë sepse kam vërtet shumë uri.

    Dhe pastaj, krejt papritur, mami filloi të godiste timonin e makinës dhe filloi të qante dhe ta gjuante gjithnjë e më fort, edhe unë fillova të qaja gjithashtu. Paskëtaj mami më tha të mos qaja. Ajo tha se unë jam një burrë i vogël dhe ndaloi së qari. Vazhdova edhe për pak kohë, pastaj u ndala. Atë ditën kur ndodhi sherri me atë burrin mizor, blemë pica nga dyqani në qoshe dhe e hëngrëm në makinë. Nuk më pëlqeu dhe e lashë mënjanë. Mami tha se do të haja po të njëjtën copë që kisha lënë të nesërmen. Kështu që iu futa dhe hëngra edhe pjesën tjetër. Filloi të binte shi dhe nuk mund të bëja asgjë më në dritare.

    Pastaj u errësua.

    – Ku do të flemë?

    Kush e di se çfarë thashë ndonjë gjë të gabuar, por ajo filloi të qante përsëri.

    Ajo tha:

    – Do ta ul sediljen tënde që të mund të flesh. Hiq këpucët.

    Nuk e kisha idenë se sediljet e makinave mund të shndërroheshin edhe në shtretër. Ajo më tha të mbyll sytë dhe më puthi.

    – Ti je princi im i vogël. Tani fli deri në mëngjes.

    – Por nesër a do të na e kthejë shtëpinë tonë ai burri?

    Më pëlqen Kianu, por nganjëherë m’i acaron nervat sepse vazhdon të thotë që unë nuk jam me të vërtetë një princ, dhe se nëse do të isha një princ do të jetoja në një pallat dhe nuk ka asnjë pallat në qytetin tonë. Unë e di se ku jeton Kianu sepse një herë e kam parë duke luajtur pranë shtëpisë së tij. Ai jeton në një shtëpi me të vërtetë të madhe me një shilarës në oborrin përpara shtëpisë. Para pak kohësh, ai më ftoi të shkoja të luaja me të. Ndoshta në atë shilarësin. Madje ai më tha se mund të shkoja të flija andej nga shtëpia e tij. Unë do të shkoja të premten pas shkollës dhe mami mund të më merrte të dielën. Do të luanim gjatë gjithë kohës. Kjo do të ishte shumë argëtuese! Për arsye se Kianu ka shumë lojëra që i luan në televizor. Unë kisha një lojë të tillë dhe ia kisha marrë shumë dorën mirë, por pas atij sherrit, nuk kisha më mundësi të luaja. Mami më thotë se jam një burrë i vogël tani, nuk jam më një fëmijë. Kjo nuk është e drejtë. Nuk është mirë të jesh burrë i vogël. Kianu është mosha ime dhe ai ende vazhdon të luajë. Ai luan gjithmonë. Madje në verë ai noton në shtëpi.

    – Ti bën not në shtëpi?

    – Sigurisht që po.

    – Çfarë! Si! Ti ke një det në shtëpinë tënde?

    – Det? Çfarë deti! Ne kemi një pishinë në oborrin e pasmë të shtëpisë. E si ka mundësi që ti nuk ke një të tillë nëse je vërtetë një princ?

    Ndihem keq sepse mami më paralajmëron që të mos flas për të gjitha këto gjëra. Ajo më thotë që ta mbaj gojën të mbyllur dhe askush nuk ka punë të dijë se ku jetojmë. Kur i thashë që të flija nga Kianu, ajo më tha jo.

    – Pse?

    – Sepse unë të thashë jo.

    – Nuk është e drejtë!

    – Shiko, nëse ti shkon te shoku yt, ne do të duhet t’ia kthejmë ftesën dhe ta ftojmë këtu. E kuptove?

    Zonjusha Katja. Unë e dua shumë zonjushën Katja. Mësova se ku jeton edhe ajo, sepse pas atij sherrit ishim në makinë dhe e pashë duke dalë nga shtëpia e saj. Zonjusha Katja ka një shtëpi të bukur në fund të rrugës pranë shkollës. Ajo ka një makinë blu me të bardhë dhe nganjëherë parkon pothuajse në shkollë, dhe pranë saj ulet gjithnjë një burrë të cilit ajo i jep një puthje para se të zbresë nga makina. Unë e kam parë. Mami më tha që të mos ia ngul sytë ashtu sepse nuk është puna ime, por unë e kam shumë xhan zonjushën Katja. Ajo luan lojëra me ne në klasë. Edhe ajo më ka xhan mua. Por… Sepse një herë i thashë asaj:

    – Zonjusha Katja, a e di që unë jam një princ?

    Vura re që zonjusha Katja nuk e dinte këtë.

    – Një princ? Uau, unë kam një princ në klasën time këtë vit!

    Unë i thashë edhe se jam një burrë i vogël, por kryesisht jam një princ.

    – Pa të shohim: nëse ti je një princ, çfarë do të ishte mamaja jote atëherë?

    – Një nënë.

    – Po, por nëse je një princ, si e quajmë nënën tënde atëherë? Si quhet nëna e një princi? Hajde, më thuaj.

    – Nënë. Ose mami.

    – Nëna e një princi quhet mbretëreshë. A nuk e dije këtë? Kështu që, nëse ti je një princ, atëherë mami yt është një mbretëreshë, apo jo?

    – Unë do t’i them asaj. 

    Pastaj zonjusha Katja më shpupurishi flokët dhe vazhdoi të flasë:

    – Pra, nëse ti je një princ, atëherë duhet të jetosh në një pallat, apo jo? Në një pallat shumë të madh!

    Edhe zonjusha Katja e përmendi pallatin. Si Kianu.

    – Ti jeton në një shtëpi shumë të bukur, apo jo zonjushë? Ti jeton poshtë rrugës.

    – Oh shiko! Nga e di ti këtë? Duhet të ketë qenë njëri nga rojet e pallatit tënd i cili ta tha këtë, apo jo? Kështu mendoj unë.

    – Jo. Të pashë disa ditë më parë.

    – Të pëlqen shtëpia ime?

    – Po.

    – Por pallati yt duhet të jetë më i bukur se shtëpia ime e vjetër, apo jo?

    I vjen një erë e qelbur, mbytëse dhe karburanti. Dhe është errësirë. Mami më dha një elektrik dore për të bërë detyrat e shtëpisë, përndryshe nuk do të shihja asgjë. Atë ditë kur ajo më kishte marrë nga shkolla, më tha se dikush më kishte bërë një dhuratë: një shtrat. Kam fjetur në një dyshek në dysheme që kur kemi filluar të jetojmë në këtë garazh. Është errësirë këtu, por të paktën tani kam një shtrat. Mami ende fle në dysheme, por më tha se ndonjë ditë dikush do të na sjellë një shtrat tjetër.

    Asnjë dobi nuk të sjell të kesh një elektrik dore. Dhe nuk do të përfundoj asnjë detyrë shtëpie. Nuk mund t’i bëj.

    E varfra zonjusha Katja. Sot e dija që do të qaja. Ajo më tha:

    – Më jep fletoren e detyrave të shtëpisë së gjuhës malteze.

    Unë nuk doja. Në vend të kësaj, i dhashë fletoren e ushtrimeve të matematikës.

    – Të gjithë janë të saktë. Çfarë djali i mirë. Tani më trego fletoren e gjuhës që të korrigjoj fjalitë e tua. 

    Nuk doja t’ia jepja fletoren e detyrave të shtëpisë. Nuk kishte fjali gjuhe në të, sepse unë kurrë nuk kam shkruar ndonjë.

    – Eja tani, xhan, më jep detyrat e shtëpisë që të shohim se çfarë fjalish të bukura ke shkruar.

    – A do të më japësh një ngjitëse për ushtrimet e matematikës?

    – Ke të drejtë, e meriton një sepse i ke bërë të gjitha të sakta. Tani le të shohim ato fjalitë malteze. Ndoshta do të të jap një ngjitëse tjetër. Eja tani! 

    Kështu i dorëzova fletoren e detyrave të gjuhës malteze.

    – Oh! Ku janë fjalitë që duhet të shkruaje?

    Po tani çfarë të them? Mami më ka thënë që të mos i them askujt asgjë. As zonjushës Katja.

    – Ti nuk i keni bërë detyrat e shtëpisë së gjuhës malteze.

    – Jo.

    Dhe në këtë moment fillova të qaj.

    – A i ke harruar?

    Unë qaja.

    – Eja tani, mos qaj. Ndonjëherë njerëzit thjesht i harrojnë gjërat. E di se çfarë më ndodhi dje? Kisha harruar çelësat e shtëpisë dhe nuk mund të hyja brenda!

    – E ke fjalën për shtëpinë që ke në fund të rrugës.

    – Po, atë. Tani shiko, dua që të ndalosh së qari. Po të kthej fletoren e detyrave dhe kur të kthehesh në shtëpi do i shkruash fjalitë. Dhe sigurohu që të mos i harrosh përsëri sepse pastaj do të duhet t’i tregoj mamit tënd. Në rregull?

    E po, po përpiqem. Po përpiqem vërtet shumë, por thjesht nuk mundem. Nuk ia kam idenë se si t’i shkruaj këto fjali. Dhe nuk i kam thënë as mamit që nuk i kam bërë detyrat. Kam frikë se ajo do të më bërtasë. Përsëri nuk shkrova asnjë fjali. Thjesht nuk mundja.

    – Më trego. Përse nuk i ke shkruar fjalitë e gjuhës këtë herë? Mos po bëhesh si një nga ata djemtë e pabindur? A nuk më the që je një princ? Kështu më the një ditë, apo jo? Princat janë gjithmonë të mirë. Gjithmonë, gjithmonë. Tani çfarë të bëjmë?

    Përsëri u përpoqa, përsëri nuk munda. Përsëri nuk do t’i shkruaj fjalitë. Nuk është se nuk dua t’i shkruaj, por nuk mundem. Nesër zonjusha Katja me siguri do të më bërtasë. Mbase duhet të qaj përsëri. Nëse filloj tani, sytë e mi do të më dhembin dhe atëherë do t’i them zonjushës Katja se më dhembin sytë.

    – Pse po qan?

    Nuk doja që mami të më shihte, por është vonë tani.

    – Do të më bërtasë zonjusha Katja.

    – Pse do të të bërtasë? Çfarë ke bërë?

    Sepse nuk mund të bëj fjalitë që kam për detyrë shtëpie.

    – Mos qaj më tani, nuk mund të të kuptoj. Përse do të të bërtasë zonjusha? Çfarë ke bërë? A je sjellë keq?

    – Jo! Por nuk mund t’i shkruaj fjalitë.

    – Të thashë të ndalosh së qari! Pse nuk mund t’i bësh detyrat e shtëpisë? Unë të dhashë një elektrik dore, kështu që mund të shohësh mjaft mirë. Pse nuk mund t’i shkruash fjalitë?

    I dhashë mamit fletoren e ushtrimeve të gjuhës malteze, ku supozohet që të shkruaj fjalitë dhe kur ajo e pa atë më përqafoi dhe filloi të qajë.

    – Mos u shqetëso. Shko dhe më merr shënuesit me ngjyra nga çanta jote e shkollës dhe shko të flesh.

    – Por unë nuk mund t’i shkruaj fjalitë dhe zonjusha Katja do të më bërtasë.

    – Shkoni, merr shënuesit dhe shko të flesh. Mos u shqetëso, nesër në mbrëmje do të shkruash fjalitë.

    – Por për çfarë të duhen ngjyrat? 

    – Bëj siç të thashë dhe atëherë do ta shohësh. Eja tani, princ. Dhe nuk dua që të qash më. E sheh, as unë nuk po qaj tani. Hajde pra.

    Sot zonjusha Katja nuk erdhi në shkollë. Zakonisht kur kjo ndodh unë trishtohem sepse përfundoj të shkoj tek klasa e zonjushës Alison dhe nuk e kam shumë qejf atë. Por isha me fat që ajo nuk erdhi sot sepse me siguri do të më kishte bërtitur për shkak të fjalive. As Kianu nuk erdhi. Unë mendoj se ai është sëmurë. Do kaloj nga shtëpia e tij sot. Mami nuk do të jetë në shtëpi, kështu që ajo më dha çelësin. Do të numëroj sa shtëpi ka nga shkolla tek shtëpia e Kianusë. Duhet të jenë një mijë.  

    Ose njëqind. Shtëpia e Kianusë është më e bukura. Shiko, ka edhe një shilarës. Dhe shiko sa e madhe është dera e përparme! Sa ballkon i bukur! Do të doja ta trokisja dhe ta shihja si është. Ndoshta ai do të më linte të qëndroja dhe të lëkundesha pak. Por mami më tha të mos shkoja te Kianuja përndryshe ai do të donte të vinte për vizitë tek ne.

    Çfarë shtëpie të bukur ka Keanu. Edhe shilarësi është i bukur.

    Era e karburantit. Errësirë. Kemi një llambë, por në mbrëmje mezi ndizet. Supozohet të kem për të ngrënë peshk dhe patate të skuqura. Nuk i kam fort qejf kur janë të ftohta. Por gjithsesi janë mirë edhe ato. Pastaj shikoj drejt shtratit dhe thuajse tremben. Por më pas ndihem i lumtur. Duhet ta ketë vizatuar mami atë pikturë! Kjo është arsyeja pse i donte ngjyrat!

    Shkruaj pesë fjali për: Çfarë shoh përmes dritares së dhomës sime.

    nga dritara e dhomës sime shoh një kopsht të bukur dhe të mah

    nga dritara e dhomës sime shoh shumë pumë dhe lule

    nga dritara e dhomës sime shoh një pishinë të madhe te shumë peshq në të

    nga dritara e dhomës sime shoh një dill dhe të madh dhe të verdhë

    Sot zonjusha Katja erdhi. Sapo arritëm në klasë, unë i dorëzova fletoren e ushtrimeve të gjuhës malteze.

    – Ah! Djaloshi im i mirë! Nuk i ke harruar fjalitë sot. Pra, le të shohim se çfarë mund të shohësh nga dhoma jote.

    Kianu nuk ka ardhur akoma në shkollë. Nëse ai do të ishte këtu unë do t’i tregoja fjalitë e mia. Ai e sheh fletoren time dhe unë të tijën.

    – O të keqen, sa gjëra të bukura sheh nga dhoma jote! Ti duhet të jetosh në një pallat.

    Ndihem kaq i lumtur kur zonjusha Katja më thotë kështu. Nuk më intereson nëse Kianu nuk më beson për aq kohë sa zonjusha Katja më beson.

    – E di çfarë? Një ditë do të vij në shtëpinë tënde që edhe unë të shikoj nga dritarja jote. Do të vij, si thua? A mund të vij në shtëpinë tënd e një ditë që të shoh këto gjërat e bukura nga dritarja jote?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË