Metavepra kadareane, tanimë, është disa mijëra shkrime të llojeve më të ndryshme, në shqip dhe në shumë gjuhë të tjera. Edhe për njeriun dhe shkrimtarin, atë të perceptueshmin, është folur dhe shkruar jo pak. Mirëpo, rrallë është parë, te subjekti krijues, qenia e tij e brendshme, përmasat e talentit, potencialet krijuese, mekanizmi psiko-shpirtëror, funksionimi i tij nëpërmjet përputhjeve, konflikteve, barazpeshave mes vetëdijes dhe pavetëdijes, prej nga është përftuar letërsia, ende pa mbërritur te laboratori i krijimit në të cilin procesi i të shkruarit i nënshtrohet vetëdijes dhe qëllimit.
Njohja e qenies së brendshme të një shkrimtari si Ismail Kadareja, me aftësi të jashtëzakonshme krijuese përballë censurës ndaluese, shpie vetiu në mospranimin e mendimit më të përhapur, se veprat e mëdha i krijon koha, rrethanat. Mendimi ynë është tjetër: Veprat e mëdha i krijojnë shkrimtarët e mëdhenj.
Rrethanat mund të ndihmojnë, ose, të pengojnë një shkrimtar, që të bëhet i madh. Asnjë rrethanë nuk mund ta bëjë të madh, në se ai nuk është në vetvete i tillë. Si është shkrimtari, ashtu, do të jetë dhe vepra e tij.
Gjatë jetës së tij letrare Ismail Kadareja është vërtitur në orbitën e veprave të shkrimtarëve të mëdhenj të letërsisë europiane dhe botërore, sidomos të Eskilit, Dantes, Shekspirit, për të cilët ka shkruar edhe nga një ese. * Në orbitën e tyre nuk do të kishte hyrë, në se nuk do të kishte forcën e vet shtytëse, dhe as mund të vërtitej, pa dalë prej saj, pa pasur edhe forcën e vet centripete. Që në fëmijëri-adoleshencë, busulla e pëlqimeve të tij letrare, ende në trajtën instinktive, e ka drejtuar, së pari, te veprat e Shekspirit, Makbethi dhe Hamleti.
Tërheqja prej tyre ka qenë, thuajse, ngulmuese/obsesive. Në moshën 11-12 vjeç është magjepsur nga Makbethi. “Qysh se u njoha me letërsinë e madhe botërore, ka pohuar Ismail Kadareja, (isha rreth 11 vjeç kur e lexova “Makbethin” dhe u magjepsa kaq shumë pas tij sa e kopjova me dorë. Kështu që mund të thuhet se ky është libri i parë që kam shkruar). // Ismail Kadare Dialog me Alain Bosquet, Onufri, Tiranë, 1996, faqet 12-13.
Pëlqimi, fantazia, ëndërrdëshira e tij, të përftuara prej leximeve, njësohen në tragjedinë Makbeth, të cilën, me mendësinë fëmijërore, e mbante për krijimin e vet. Dhe, kishte arsye. E kishte shkruar, edhe pse duke e kopjuar. Të kopjuarit, që duket, se ishte thjesht një shkrepje fëmijërore, apo, rastësi, njëmendësisht ishte rregullsi instinktive, shpërfaqje “primitive” e dhuntive letrare, të përmasave të mëdha, universale, të ngjizura në pavetëdije. Atë që nuk arrinte ta mendonte, aq më pak ta krijonte, po e huazonte. Dora, të shkruarit, shkrimi, fletorja ishin të tijat, vepra e Shekspirit. Një lloj bashkautorësie. Të kopjuarit, pa e ditur teorinë dhe metodikën e të shkruarit, ishte edhe mënyrë ngulitëse e përshtatjes, apo, e përvetësimit të gjedhes së saj letrare, gjithashtu, mënyrë gjegjëse e përshtatjes me përmasat e saj. Veprimi dhe përftimi, në qenien e tij, ishin instinktive. Përputhja e të dhënave krijuese, e pëlqimit të tij vetiak, me gjedhen e tragjedisë së Shekspirit, në të cilën ato gjetën veten, ka përftuar matricën fillestare të gjedhes universalizuese.
Përveç “përvetësimit” të tragjedisë Makbeth, dhe njësimit me të, Ismaili i vogël njësohet me Shekspirin e madh. E ka fare të lehtë, në vend të emrit Shekspir të shkruaj emrin Ismail Kadare. “Gjer tani, ka shkruar Kadareja tek eseja Hamleti, princi i vështirë, nuk kisha bërë ndonjë dallim të madh midis autorit që e kishte shkruar librin dhe vetes sime që e kisha kopjuar me dorë. Më dukej se pas kësaj, libri ishte imi aq sa i atij.» // Ismail Kadare Hamleti, princi i vështirë, Onufri, 2006, faqe 121.
Në leximet e asaj moshe, ndonëse, kishte libra, që e tërhiqnin shumë, nuk kopjoi asnjërin prej tyre dhe prej asnjë autori tjetër. «Asnjëherë s’më ka tërhequr Homeri ose Dantja, aq sa Ura e psherëtimave, ose Ishulli i Thesarit, që i përpija brenda disa ditësh… » //Ismail Kadare Dialog me Alain Bosquet Onufri, 1996, faqet 169-170.
Pavarësisht këtij kontrasti pëlqimesh prej adoleshenti, i cili u përmbys me formësimin e shkrimtarit, kishte pasur në vetvete, gjenetikisht, si të thuhet, të lindur, një mekanizëm intuitiv përzgjedhës të saktë. “Ndërkaq një mekanizëm disi i çuditshëm i ndante brenda meje leximet e kota, të këndshme e kalimtare, nga ato të rëndat, që shtresoheshin përjetë në ndërgjegjen time.» Edhe pse i përpinte disa libra, si adoleshentët e tjerë, në thellësi të qenies së tij shtresoheshin pjesët nga kryeveprat e shekujve, Iliada dhe Ferri, dhe jo pjesët nga nga leximet kalimtare.
«… katër-pesë vargjet ku përshkruhej rënia e shigjetave të argjenta që çonin murtajën mbi ushtrinë rrethuese greke (Iliada), ka sqaruar Kadareja, ose vrimën danteske (Ferri) që çonte në thellësinë e globit i kisha përherë me vete… » // Ismail Kadare Dialog me Alain Bosquet Onufri, 1996, faqet 169-170.
Shekspiri për të ka qenë i pakrahasueshëm dhe i pazëvendësueshëm me askënd, prandaj, i ka zbehur mjaft, madje, edhe i ka ndaluar tërheqjen nga shkrimtarë të tjerë të mëdhenj. Kënaqësia prej Tolstoit iu zbeh, gati, në mospranim, pikërisht, nga sulmi nënvleftësues, që pati bërë kundër Shekspirit. I njëjti rrezik ishte edhe për Eskilin, por, ndodhi ndryshe, sepse, veprën e tij dhe mitologjinë greke i njohu në moshë pjekurie, kur arsyeja zotëronte mbi instinktin dhe pëlqimin fëmijëror.
“Përpara se të flas për Eskilin dhe hijen e tij mbi krijimtarinë time, ka pohuar Kadareja, dëshiroj t’ju them diçka për njohjen time me grekët e vjetër. Për fatin tim të mirë, njohja ime e vërtetë me letërsinë e vjetër greke ndodhi në moshën e pjekur kur isha 27-29 vjeç, atëherë kur kisha një vizion të qartë për shumë gjëra e natyrisht për letërsinë botërore. Them për fat të mirë, sepse një njohje e parakohshme do të ishte me të vërtetë një fatkeqësi. Në qoftë se tragjikët grekë do të përplaseshin në trurin tim ta zemë me Shekspirin, ashtu siç më ndodhi me Tolstoin kur isha 11-12 vjeç jam i sigurtë se shkumbëzimi shekspirian do t’a rrënonte madhështinë e tyre të qetë.” // Ismail Kadare Dialog me Alain Bosquet Onufri, 1996, faqet 120-121.//
I njësuar, në fëmijëri, instinktivisht si autor i tragjedisë Makbeth, dhe bashkautor me vet Shekspirin, Kadareja mbeti përherë në orbitën e veprës së tij. Më vonë, me shfaqjen dhe evolucionin e talentit, formimin kulturor letrar, me vetëdijësimin e të qenit shkrimtar,
matrica e gjedhes shekspiriane u shndërrua dhe u zhvillua në gjedhe vetiake origjinale.
Disa përbashkësi mes veprës së tij dhe veprës së Shekspirit mund të vërehen edhe kalimthi,
ndërkaq, përbashkësitë mes tyre, kanë qenë edhe objekt studimesh në gjuhën frënge.
Tema e pushtetit, krimet për ta fituar, ose, për ta mbajtur pushtetin, motivet dhe toposet e saj mitike, eskiliane, danteske, shekspiriane, të cilat shpërfaqen gjerësisht edhe nëpërmjet trajtimit, në veprën e tij, të problemeve të mëdha politike të bashkohësisë së gjysmës së dytë të shekullit XX, përbëjnë makrostrukturën e saj konstante, njëherësh, dhe qëndrore. Zanafilla e kësaj makrostrukture konstante me problematikën e pushtetit është te matrica e hershme, e përftuar spontanisht nga pëlqimet letrare ngulitëse të Ismailit në fëmijëri-adoleshencë.
Janar, 2026
* Eskili, ky humbës i madh, Shtëpia Botuese 8 nëntori, 1990; Dantja i pashmangshëm, Onufri, 2005; Hamleti, princi i vështirë, Onufri, 2006.
Me motive shekspiriane ka shkruar edhe dy poezi: Te kështjella e Hamletit në Danimarkë (vëllimi Koha, 1976, poezia është shkruar më 1971, në Kopenhagen) dhe Sapuni “Ledi Makbeth” (libri Ftesë në studio, 1990; poezia është shkruar më 1987, pas vrasjes së kryeministrit Mehmet Shehu).


