More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArta Marku Qëndro: Një këndvështrim i dyfishtë mbi Kadarenë

    Arta Marku Qëndro: Një këndvështrim i dyfishtë mbi Kadarenë

    Diku nga fundi i shtatorit që sapo shkoi, botuesi Hida më vuri në dijeni për daljen e librit Kadare, një disidencë letrare, (Bot. Fan Noli. Përkth. Irena Rambi & Bashkim Shehu). E para gjë që më shkoi ndërmend ishte se bëhej fjalë për një temë të njohur, një temë të trajtuar tashmë. Prej 30 vitesh e lakojmë fjalën disidencë, më së shumti duke këmbëngulur te mungesa e saj përgjatë viteve të diktaturës.

    Sidoqoftë, ia nisa duke kërkuar informacion mbi autorin e librit. Dhe mësova se Jean-Paul Champseix, ishte njëri prej dy pedagogëve të letërsisë frënge, aq shumë të lakuar në Tiranën e viteve ’80. Nuk isha atëherë studente e filologjikut. Fakulteti ku studioja ishte në anën tjetër të Tiranës. Por, kishte mbërritur megjithatë, deri tek ne, jehona e dy pedagogëve të huaj që mesa duket kishin ndezur drita në jetët e studentëve të tyre, sadoqë jetohej në një hapësirë të përgjithshme të errët. Ne, studentët e degëve të tjera, do të kishim dashur një pedagog si Jean-Paul Champseix apo Elisabeta.

    Por, sadoqë ky ishte një detaj tërheqës, tjetërkund u përqendrua  vëmendja ime: autori i librit më bëri të mendoj për këndvështrimet e ndryshme nga mund ta shohësh një vepër letrare duke besuar se  këndvështrimi është i pari që bën diferencën.

    Padyshim, këndvështrimet janë të shumta, të pafundme dhe të ndryshme nga njëri-tjetri. Por në vija të përgjithshme mund të diferencohen dy:

    Nga jashtë dhe nga brenda.

    Kur them nga brenda kam parasysh një studiues shqiptar që interpreton veprën letrare të një shkrimtari shqiptar: studiuesi ka jetuar në të njëjtën kohë, botë, atmosferë me shkrimtarin. Pa pasur përputhje të plotë, mes njërit dhe tjetrit, ka pika përputhjeje, gjithsesi. Është një këndvështrim i favorshëm, pse jo. Është si ta zbulosh një qytet duke depërtuar brenda tij, duke ecur rrugëve të tij, duke ndalur për të prekur me dorë çdo detaj, çdo vitrinë dyqani, tryezë bari, hyrje pallati, ballkon apartamenti, duke hyrë edhe brenda tyre…

    Kur flas për këndvështrimin nga jashtë kam parasysh një studiues të huaj që interpreton veprën e një shkrimtari shqiptar. Në një mënyrë të thjeshtëzuar, përfytyroj një vëzhgues të qytetit nga larg ose nga lart. Si të jetë ngjitur në majën e një kodrine. Si të jetë duke e parë Tiranën nga lartësia e Dajtit. Ka mundësinë kësisoj, që ta rrokë të tërën me një shikim, të shohë gjarpërimet e rrugëve, konturet e jashtme qytetit, pikat e larta dhe të ulta me gjithë smogun që e mbështjell. Është një pikë shikimi e rëndësishme.

    Por nuk është diçka që ndodh përditë të kesh njëkohësisht mundësinë për të vëzhguar qytetin nga të dyja këndvështrimet. Është situata ideale: në një rast të tillë, pa dyshim, e njeh më mirë qytetin. Ke shëtitur rrugëve dhe rrugicave, ke parë arkitekturën nga afër dhe pastaj zbulon urbanistikën, nga larg e nga lart duke e rrokur me një shikim qytetin, të plotë.

    Ky është, në gjykimin tim, rasti i studiuesit Jean-Paul Champseix: Një  francez, banor i një vendi demokratik që erdhi e jetoi për disa vite të gjata në Shqipërinë e diktaturës. Kjo është çfarë më duket veçanërisht interesante në rastin e librit Kadare, një disidencë letrare.

    ***

    “Në vitin 1982, – shkruan Jean-Paul Champseix – rastësia e mutacioneve të Arsimit Kombëtar dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme, më dërgoi për mësimdhënie të letërsisë franceze në Universitetin e Tiranës. Në atë vend hermetik dhe totalitar mbretëronte një frikë e përgjithshme dhe një mjerim i padëgjuar. Një kapak plumbi rëndonte mbi atë shoqëri policore të gërryer nga kallzimet. Një valë spastrimi po godiste mjediset e udhëheqjes, në vazhdën e “tradhtisë” dhe “vetëvrasjes” së kryeministrit Mehmet Shehu. Shok armësh i Enver Hoxhës gjatë rezistencës, ai u “demaskua” dhe u shpall “shërbëtor i shumë zotërinjve” nga diktatori, ngase një herë e një kohë paskësh qenë agjent i Gestapos dhe i policisë musoliniane, pastaj i CIA-s, i GKB-së dhe i UDB-së jugosllave. Një komunizëm lufte impononte “Unitetin e çeliktë” dhe në kuptimin e rreptë të fjalës, nuk kishte asnjë disidencë.

    Ky ishte momenti i mbërritjes së Jean-Paul Champseix në Tiranën që  ofronte befasitë e saj.

    “Para se të shkoja të filloja nga detyra, – vijon studiuesi – lexova Dimrin e vetmisë së madhe asokohe me titullin Dimri i madh. Kjo vepër më habiti. […] Nga leximi në tërësi i këtij romani të vëllimshëm buronte një trishtim shumë i madh. Kjo vepër ngërthen një kompleksitet të jashtëzakonshëm që nuk hyn kurrsesi në kallëpët e realizmit socialist…”

    ***

    Kur një studiues letërsie mbërrin në Shqipëri s’mund ta shpërfillë Kadarenë. Jo thjesht dhe vetëm se kërkon të njohë letërsinë e një vendi ku po shkon të jetojë e punojë, por mbi të gjitha, studiuesi në fjalë, është i fokusuar te letërsia e krahasuar. Atëherë cila është letërsia shqipe? Akoma më shumë, cili është kryeshkrimtari i një vendi kaq të papritur e vështirë të imagjinuar për mënyrën se si funksiononte? Një autor për më tepër, që e kish kaluar filtrin e shkrimtarit të pranuar në botën franceze të librit. Befasisht, se Shqipëria ishte vendi i befasive, te qoshku i rrugës së Elbasanit që quhej LIBRI I HUAJ, teksa mund të gjeje turra me libra të Marksit, Leninit, Stalinit e padyshim të Enver Hoxhës… veç katalogëve me foto të Shqipërisë mund të gjeje fare pak letërsi shqipe: Brenda këtij qarku tejet të ngushtë vetëm një librushkë me poezi të Kadaresë. Pjesa tjetër, me pikatore edhe ajo, ishte përfshirë brenda kapakëve të dy antologjive, veçmas me poezi e veçmas me prozë.

    Kështu e shpjegon, pak a shumë, Jean – Paul Champseix procesin e tij të zbulimit të botës letrare shqiptare.

    Por te Kadareja duhet ndalur, cilatdo qofshin kushtet e mundësitë për ta njohur më mirë veprën e tij. (Do të vijë një kohë edhe për njohjen e plotë) Duhet ndalur për të zbuluar sidomos të veçantën… mes të tjerash disidencën.

    ***

    Por, çfarë është një disident?

    Dikush që i kundërvihet aktivisht një doktrine. Më shumë se dikush që mendon kundër, është dikush që shprehet, qartë dhe haptas, kundër.

    Po nëse kundërvënia është një refuzim për të shkruar sipas një metode të përcaktuar në mënyrë të detyrueshme? A mund të jetë disidencë? A është një kundërvënie e hapur?

    Po nëse në një vend ku ligjin e bën diktatura një shkrimtar i thyen rregullat e shkrimit? Nëse mes rreshtave hedh mesazhe? Nëse përdor një gjuhë të dykuptimtë që i bën lexuesit të mendojnë? Nëse personazhet pozitivë dhe negativë nuk janë të futur në kallëpe dhe nuk janë në luftë të pashmangshme me njëri- tjetrin? Nëse “pozitivi” nuk mbizotëron gjithnjë ndaj “negativit”? Nëse atmosfera është gri në vend që të mbulohet nga rrezet e praruara të diellit?… A është kjo disidencë? A është një kundërvënie e hapur?

    Me gjasë po dhe mund të përcaktohet si disidencë letrare. Kundërvënia, tek e fundit, është. E zeza mbi të bardhë. Herë herë është e kamufluar, por është megjithatë dhe bën rrugën për te pritësi. Madje ka mbërritur tek ata të cilëve u është drejtuar. Dikush e ka marrë mesazhin, dikush e ka përshëndetur qoftë edhe në heshtje apo në biseda nën zë, dikush tjetër ka ngritur zërin kundër atij mesazhi… Nuk mungojnë, sidoqoftë, ata që nuk e kanë vënë re. Edhe vetë Jean-Paul Champseix e shtron këtë pyetje: A kuptohej autori plotësisht?

    Nëse jo plotësisht, pjesërisht PO, është kuptuar. Dhe nuk është pak.

    ***

    Jean-Paul Champseix nuk e lë në hije as “haraçin” se s’mund ta lerë. “Haraçet” janë paguar. Gjithnjë janë paguar. Dhe jo vetëm në Shqipëri.

    Një tjetër shkrimtar shqiptar, Besnik Mustafaj, i kushton një ese Nazim Hikmetit. Ai përshkruan syrgjynosjen e poetit turk, në Bashkimin Sovjetik komunist për t’i shpëtuar burgut në vendin e vet. Siç rrëfen dhe Mustafaj, Hikmeti u detyrua të shfaqej nëpër tribuna të kuqe, të shkruante ode himnizuese për sukseset e klasës punëtore. Ishin poezi të dobta por duke i shkruar këto, i kishte dhënë mundësinë vetes të botonte poezitë e dashurisë, ato perlat e vërteta, ndër më të çmuarat e poezisë botërore të shekullit XX. “Çfarë do të kishte fituar njerëzimi – shkruan Mustafaj në esenë e tij – nëse do të kish pasur një viktimë më tepër në gulag, qoftë ky edhe me emrin Nazim Hikmet, ndërkohë që në bibliotekat tona do të mungonin poezitë e tij?

    Ia vlen një pyetje si kjo. Përgjigjja, nuk është një justifikim për “haraçin” më shumë se sa përligjje e përmbushjes së njërës nga arsyet se pse ka ardhur në botë një poet i madh…

    Nganjëherë disa “haraçe” paguhen për t’i krijuar mundësi veprës të jetojë. Në rastin e Kadaresë edhe për të hedhur, nëpërmjet pjesës tjetër të veprës, elemente disidence letrare.

    “Është e padiskutueshme se “haraçi” që (Kadareja) i paguan diktaturës – vjersha propagandistike, shkrime për ngjarje konkrete – nuk mund të përbëjë kundërpeshë ndaj një krijimtarie të rëndësishme romanore ku ngarkesa kritike është thelbësore dhe e hershme.” – gjykon Jean-Paul Champseix

    ***

    Studiuesi frëng, që e ka njohur Shqipërinë dhe diktaturën që përjetoi, për një copëherë të mirë, është i ftohtë në gjykimin e tij.

    Ne këtu brenda, shpeshherë reagojmë emocionalisht. Gjykojmë, ndoshta edhe padrejtësisht, duke pasur me vete edhe justifikimin. Shpesh, edhe pavetëdijshëm, ndikohemi nga arsye jashtëletrare. Arsyet janë të shumta. Por një francez nuk do t’ia dijë për emocionet. Se s’mund të emocionohet. Shkrimtari nuk është i tiji, bota brenda së cilës shkrimtari ka shkruar, sadoqë studiuesi e njeh, e ka prekur, nuk i përket. Ndaj, gjykon vetëm profesionalisht. Me ftohtësinë e profesionistit…

    Ideja fillestare se me librin Kadare, një disidencë letrare kishim të bënim me një temë të rrahur, tashmë ka rënë. Për më tepër, vepra letrare që Kadare shkroi nën diktaturë, shihet nën një këndvështrim të dyfishtë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË