More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAnxhela Pashaj: Simbolika e gruas shurdhmemece në romanin “Amerikani” të Odise Kotes

    Anxhela Pashaj: Simbolika e gruas shurdhmemece në romanin “Amerikani” të Odise Kotes

    Autorët shqiptarë duket se e gjejnë tharmin e tyre letrar në të shkuarën e largët e të afërt të popullit shqiptar. Disa parapëlqejnë të largohen në Arbëri, të tjerë në kohën e errët otomane e shumë të tjerë në atë diktatoriale. Edhe pse në librat e historisë na janë kursyer nuancat e thella të së zezës diktatoriale shumë nga pararendësit tanë na kanë rrëfyer për mizorinë e kohës më të dhimbshme të shqiptarëve. Kohën kur ai nuk kishte frikë vetëm nga i huaji (ushqyer kjo prej politikës), por edhe nga vetja, sidomos prej vetes. E në kohë të tilla, në kohë kur vetja mund të bëhet shkaktare e mijëra dhimbjeve, më mirë është të mos jesh. Ose me qenë, pa qenë, pa u dukur. Rrekja e përditshme e autorëve shqiptarë për të na sjellë në veprat e tyre një pamje të jetës dhe dhunës së asaj kohe herë dështon e disa herë të tjera realizohet mjaft mirë duke iu qasur lexuesit bashkëkohor  e duke lënë brenda tij keqardhjen dhe mirënjohjen e të jetuarit në kohë më të jetueshme.

    Një qasje shënjuese të asaj kohe të padëshirueshme realizohet në romanin “Amerikani” të autorit Odise Kote, ku paraqitet një personazh, një grua që tërheq vëmendjen e lexuesit duke e bërë atë të pyesë veten se çfarë kërkon ajo aty, përse gjendet në faqet e këtij romani.

     Ajo është gruaja e atij që e cilësojnë si “Amerikani”, e cila as flet as dëgjon, një shurdhmemece që gjallon në një realitet ku të gjithë janë të zënë në çark. E vetmja e gjallë. Personazhi i saj është nga më të realizuarit në veprën e Kotes, ndoshta edhe më mirë se personazhi qëndror, i cili përtej tërësisë dhe kulmit narrativ që mban është sikurse gjithë të tjerët një i vdekur që merr frymë. Burgimi, izolimi brenda një qyteti, përgjimi nga të gjithë sytë, ndalimi i muzikës së tij, internimi janë vuajtjet që e sfilitin fizikisht, mendërisht dhe shpirtërisht në të gjithë romanin.

    Amerikanit i propozojnë ose më mirë të themi i japin  për bashkëshorte këtë grua shurdhmemece po ashtu të dënuar prej sistemit dhe natyrës me mendjen se një i përçmuar, i parë me sy të keq nga sistemi si ai aq meritonte; një tjetër të përçmuar, të përçudnuar me të cilën të kalonte një  vetmi të përjetshme. Një ndëshkim mizor që çuditërisht tjetërsohet, pasi përmes vështrimeve (syve) ata të dy ia dalin të lidhin botët e tyre shpirtërore. Botë që vuajnë, njëra se nuk mund ta ndajë me një shpirt tjetër atë që ndjen pranë zemrës së vet, e tjetra se nuk mund t’i tregojë magjinë e tingullit që aq shumë adhuron.

    Kjo grua shurdhmemece që duket si një dritë e bardhë (si për çudi) mbart në paaftësinë e saj, në kufizimin e saj shqisor natyrën e vdekur që duhet të kishte njeriu në kohën e diktaturës komuniste. Kjo grua shurdhmemece apo më mirë shurdhmemecëria e saj bëhet simbol i mbijetesës dhe ekzistencës në një kohë vuve, të shtrembët. Një qënie që i është mohuar prej natyrës të dëgjuarit dhe të folurit, kënaqësia e rrekjes së botës tingullore dhe të lidhurit me njeriun përmes zërit dhe fjalës, një qenie që edhe është edhe nuk është midis të tjerëve, edhe gjallon edhe vdekëron. Ajo është aty brenda sistemit, ama sistemit nuk i vyen për qëllimet e tij djallëzore. Ajo, ashtu siç është ruan pafajsinë e saj, humanitetin në një kohë kur ishte krejt e pamundur për të tjerët. Ishte fati dhe fatkeqësia e saj, i një gruaje të vdekur të gjallonte mes të gjallëve prej kohësh të mbaruar.

    E vetmja qenie që gjallonte në njëfarë mënyre e sigurt, ndoshta mund të themi edhe e lirë… Pandorës i mungonte gjuha, ura lidhëse me njeriun. Sa kohë kjo urë mungonte, ishte e lirë, e gjallë, ata nuk mund të arrin te qenia e saj.

    Pavarsisht kësaj, narratori na rrëfen se sistemi dhe njeriu i asaj kohe nuk njihte asnjë limit. Edhe shurdhmemecja bie në kthetrat e egërsisë dhe çmendurisë së njeriut të sistemit diktatorial.

    “Mbërriti në shesh dhe shqeu sytë. Ushtarë me automatik. Ushtarë të gardës e kishin lidhur me duart pas Pandorkën. E gjora! Përpëlitej dhe iu bënte shenjë. Teshat gati ishin grisur. Dy binjakët e kishin mbërthyer fort prej fustani dhe nuk pushonin së qari.”

    Megjithkëtë, çka narratori na tregon në përfundim të romanit për fatin e gruas shurdhmemece na rikthen të mendojmë simbolikën e shurdhmemecërisë së saj. Narratori na tregon se në një ngjarje festive ku bashkëshorti i saj luan muzikë, ajo zhduket. Nuk gjendet kurrë. Zhdukja e saj duket e vullnetshme, sikur ajo të ketë kuptuar diçka madhore për jetën e saj në sistemin e ri politik që u hap pas diktaturës. Thuaj ajo të ketë kuptuar se në një botë të re, me ngjyra, me tinguj, të qeshura, shpresa e liri ajo nuk do të gjallonte më, por më në fund do të vdekëronte. Kutia e saj u hap përsëri dhe shpresa që pati mbetur në fund doli si gjithë të tjerat, si gëzimet dhe fatkeqësitë që i ranë në hise njeriut.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË