Arti dhe muzika i japin kuptim jetës sonë të përditshme; nëpërmjet tyre ne jemi në gjendje t’i përballojmë shqetësimet tona dhe t’i gjejmë ngushëllim dhe paqe në praninë e tyre. Kjo aftësi e së bukurës për të zbutur vuajtjet tona është një nga arsyet përse e bukura mund të shikohet si një zëvendësuese e fesë. Përse t’i japim përparësi fesë? Përse të mos themi që feja është një zëvendësuese e së bukurës? Për të shkuar edhe më tej, përse t’i përshkruajmë të dyja si kundërshtare kur në fakt e bukura dhe e shenjta janë dy dyer drejt një hapësire të vetme dhe në atë hapësirë të vetme ne gjejmë shtëpinë tonë?
ROGER SCRUTO, (Filozof dhe shkrimtar)
Lexoni tregimin këtu: https://exlibris.al/anton-pashku-flocka-tregim/
Nga tregimet më poetikë të prozës sonë
Tregimi “Floçka” i Anton Pashkut është, pa asnjë dyshim, nga më të dendurit si tekst dhe më poetikët si mënyrë shtjelluese dhe shprehje që është shkruar në gjuhën tonë, që njoh unë. Ka dymbëdhjetë faqe e gjysmë libri me gjithsej 3259 fjalë[1]. Në bazë të shumësisë kuptimore dhe të nëntekstit që nxit dhe krijon teksti, është një krijesë e gjatë, shumë e gjatë.
Gjithë teksti i tregimit është i lidhur ngushtë me Bukurinë, me të Bukurën, me Dashurinë, qoftë në rrafshin e të shprehurit poetik, qoftë të qenësisë kuptimore që e cilëson atë. Tregimi është ndërtuar nga shprehje poetike dhe figura që, në vijimësi, shndërrohet në figurë tërësore dhe të papërsëritshme.
Çdo gjë në tekst është e menduar dhe e matur, e ndërtuar me dije e me përkushtim të lartë; është një tekst metaforik, ku zbatohet lapidariteti (koprracia) i skajshëm. Në tekst gjërat e rëndomta thuhen në rrafshin sipërfaqësor, ndërsa ato të qenësishme mbesin në rrafshin thellësor (sipas përfaqësuesve të gramatikës gjenerative: rrafshi sipërfaqësor dhe rrafshi thellësor). Në rrafshin thellësor ato heshtën (me ndonjë përjashtim), po nënkuptohen. Kjo mënyrë e ndërtimit të tekstit bën thelbin dhe vlerën e tekstit të tregimit.
Kush dëshiron të mbesë në rrafshin e parë – atë sipërfaqësor – do të pohojë se ky tregim lidhet me përrallën, me mitin, me përfytyrimin, me imagjinatën ose është tregim fantastik (nëse vështrohet në bazë të titullit të librit ku ai është botuar – Tregime fantastike) po vrojtimi i rrafshit thellësor e thotë të kundërtën dhe ka tjetër vlerë. Edhe vetë qëllimi – arsyeja e kërkimit të Bukurisë, e të së Bukurës, Dashurisë, të dashurës, është tjetër nga kërkimi që i ngjet personazhit të një përralle kur ai vihet, fjala vjen, në kërkim të Bukurës së Dheut ose të Kshetës, ku kalon pengesa të ndryshme e të shumta[2].
Pse në tregim vështrohet dhe mbipeshon Bukuria – e Bukura?
Janë shumë arsye që Anton Pashku e vë në thelb të tekstit të këtij tregimi të vet Bukurinë – të Bukurën. Ajo ka qenë e mbetet qenësi e gjallimit të njeriut dhe e shpirtit të tij si dje si sot e si nesër.
Qysh Aristoteli thoshte se Bukuria është dhuratë e Zotit, ndërsa Platoni argumentonte se e bukura është simbol i një rendi më të lartë. “Me të bukurën në mendje – thoshte ai, – ju do të jeni në gjendje të ushqeni virtytet e vërteta dhe të bëheni kështu miq të Zotit.”
Fishta ynë vinte në dukje se arti i fjalës (brenda tij dhe poezia) është jehu i shpirtit i shprehur nëpërmjet gjuhës – “Asht t’bukurit pulcrum – bukuria[3]”, që këndell e ndriçon shpirtin. Bukuria ndërlidhet me gjendjen e shpirtit të krijuesit[4], me mendjen dhe me shijen e tij, por (bukurinë) lexuesi e recepton dhe e përjeton në mënyrën e vet […] ajo, n’gurrë t’vet s’âsht tjeter veç se nji fshâme qi ep shpirti, kurr kndellet n’shkelxim t’rrezeve t’bukuriës. E tujë kânë se shkelximi i bukuriës i tfaqet nierit mas gjênjes s’shpirtit, a se mas zhdrivillimit t’mêndjes e t’shies estetike t’tii[5]…”
Bukuria – e Bukura është e tillë nga se ajo nuk i përket një individi ose vetëm një kohe, po u përket të gjithëve dhe të gjitha kohëve (ajo nuk është vetëm diçka subjektive, por njëherësh nevojë universale e qenies njerëzore – Roger Scruton).
Duke folur për rëndësinë dhe kohëzgjatjen e Bukurisë, të Bukurës, De Rada ynë shkruante: “E bukura, kjo pjesë e ndritur shpirtërore, na është dhënë që ta mbështesim, ta zhvillojmë dhe ta bëjmë të japë fruta e lule dhe, ashtu si hyjnia Nemesis, që qëndronte mbi një fron të lartë në mes të godinës së madhe të botës, për të ndëshkuar ata që punojnë keq dhe të prapët, ajo na e bën të mundur të mbajmë qëndrim: e t’i vlerësojmë si të mira ose të këqija veprimet e njerëzve nga fakti nëse këto nderojnë apo fyejnë virtytet e njerëzve të ndershëm. Ky qëndrim përbën gurin themeltar të jetës njerëzore. Këndej del se kultivimi i bukurisë paraqitet si kërkesa e domosdoshme, më e lartë se çdo vepër arti, dhe ka një peshë shumë të madhe për të mirën ose për të keqen në jetën e njeriut. Dhe një detyrë e tillë që vjen duke u rritur, është e lodhshme dhe e gjatë sa vetë jeta tokësore[6]”.
Bukuria, e Bukura në tregimin “Floçka” përligjet, pos të tjerash, në dy forma, të thuash të të njëjtës qenësi:
Përmes tekstit poetik, strukturës gjuhësore shprehëse, që është përbërësi kryesor i çdo krijese letrare poetike dhe kushtëzon komunikimin e tekstit me marrësin dhe ndikimin estetik në të,
Përmes mënyrës së vështrimit të Bukurisë, të së Bukurës në tekstin e tregimit. Përmes rrëfimit të qetë, po të menduar e të thellë, shpaloset drama e njeriut tonë në kushte dhe në rrethana të caktuara shoqërore e jetësore.
Në hartimin e tregimit dhe të vështrimit të rëndësisë së Bukurisë dhe të Bukurës, përkatësisht të krijimit të tyre përmes tekstit letrar poetik, Anton Pashku dëshmohet sa mjeshtër i madh, aq dhe i mëvetësishëm, gjë që vërehet në të gjithë përbërësit e rëndësishëm shtjellues dhe shprehës poetikë të krijesës. Kjo provohet nga fjalia e parë deri në atë të fundit, ku çdo gjë është e menduar, e ndërlidhur dhe e funksionalizuar në rrafshin më të lartë.
Ndërtimi i bukurisë përmes gjuhës, përmes të shprehurit poetik
Rëndësinë kryesore në këtë tregim Pashku i kushton ndërtimit të tekstit, që e mbërrin përmes gjuhës, sidomos asaj poetike, përmes mënyrës së shtjellimit të tekstit dhe të mënyrës dhe shumësisë së të shprehurit.
Për disa nga veçantitë e mënyrës së ndërtimit të tekstit dhe të sistemit të të shprehurit poetik të prozës së Anton Pashkut, të stilit të tij, kam bërë fjalë në pjesët e tjera të këtij libri, sidomos në punimet kushtuar tregimit “Kulla” dhe në atë për konstantet stilistike ose nga stilematika e “Oh” – it., ku kam shpalosur dhe ndriçuar disa nga përbërësit kryesorë. Megjithatë, duhet thënë se Pashku nuk është imitues dhe kopjues i vetvetes, po bën ndryshime prej një tregimi në tjetrin, të cilat studiuesi i vëmendshëm i vëren. Kryesorja: përmes gjuhës dhe fjalës dhe me ndihmën e imagjinatës Pashku vijimisht përfton një të shprehur të bukur, të bukurën, që ka qenë e mbetet gjakimi kryesor i njeriut. Edgar Allan Poe thoshte: “[…] ndjenja e së bukurës është në mënyrë të hapur një instinkt i pavdekshëm, i rrënjosur thellë brenda shpirtit të njeriut[7]“.
Disa nga veçantitë e tregimeve të Anton Pashkut i ka ndriçuar edhe studiuesi ynë, Mensur Raifi, i cili shkruan: Do të ishte gabim sikur në këto tregime të kërkosh figurshmërinë në formën e figurës së stilit, atë formë elementare të fjalës a fjalisë që është përdorur dhe përdoret edhe sot e gjithë ditën, madje shumë dendur. Prijatari i tregimit të figurshëm ndër ne në Kosovë ka ambicie shumë më të mëdha. Këtë dimension të mjeteve shprehëse ai e zgjeron dhe e përforcon në të tërë rrëfimin, kështu që i tërë konstrukti i tregimit të tij merr trajtën e një figure, domethënë, i tërë tregimi i A. Pashkut duhet të lexohet fillim e mbarim si një figurë […] Koherenca e mjeteve të zgjedhura e të përdorura me gjeturi të madhe artistike në ndërtimin e tregimit, që sugjerojnë nuanca dhe aspekte të një situate prej së cilës reflektohen fillimi, zhvillimi dhe mbarimi i një mendimi a mënyre të jetesës, paraqet në të vërtetë një tërësi të harmonishme tregimtare[8].
Për ta dëshmuar këtë po sjell në vijim vetëm pak shembuj, ku këto veçanti shpalosen mirëfilli.
[…] iu kishte dukur se ai terr sikur rigonte ngadalë, sikur rigonte imtë prej dikah lart në fushë, ku gjithnjë e më pak ajgonte gjërat e ndryshme.
*
Ecën si nëpër blozë, që kishte veshur secilin send dhe mbushur tërë hapësirën.
*
Në të vërtetë, kishte përshtypjen se posë rrasave, posë gurëve nuk kishte gjë tjetër në atë bokërinë të mjerë – ndoshta, aty-këtu, kishte fije bari, ndofta vetëm ndonjë grusht fijesh bari të shtrënguara midis gurëve dhe asgjë tjetër.
*
E dera krratte. Flamuri i ri me kryq të thyer e të zi valonte në fshat. Qentë lehnin.
*
Qentë afroheshin, korbat krrokatnin. Edhe ai zë i njohur për të – kumbonte. Të gjithë i dëgjonte.
*
Një mori rrezesh të flakta kishin gufuar prej atij liqeni. Një mori rrezesh të flakta ishin shpërndarë në të katër anët.
Ato rreze kishin lëbyrë korbat dhe ua kishin djegur krahët. Shumica kishin cofur pa rënë mirë në pyll. Disa të tjerë kishin mundur të ikin. Ata edhe tash krrokatin.
Ato rreze kishin lëbyrë edhe qentë. Nga nxehtësia, shumica e qenve kishin ngordhur. Disa të tjerë kishin mundur të ikin. Ata edhe tash lehin.
*
Megjithatë, ishte edhe i kënaqur, madje edhe disi i lumtur, që Floçka, së paku, iu kishte dëftuar në ëndërr, që së paku e kishte parë në ëndërr tërë bukurinë e saj. Ishte, njëmend ishte i kënaqur që Floçka iu kishte dëftuar, që kishte parë sytë e saj magjikë, shikimet e tyre, ato shikime të syve të saj që me nxehtësinë e vet mund të të shkrijnë, të të shndërrojnë në flakadan, në shkëmb të bazalt. Ishte i kënaqur, e edhe i lumtur, që kishte njohur Floçkën së paku nëpërmjet të një ëndrre, Floçkën e bukur me flokë të gjatë e të dendur, që shkëlqejnë si mijëra fije të arta, të cilat në kryet e saj duken si kurorë e ndezur, si kurorë pishe e ndezur flakë, që mund të nxejë po nja gjashtë a shtatë copë fshatra e të shkrijë borën e akullin edhe atje lart, edhe atje në kreshtat e maleve.
Anton Pashku e përfton Bukurinë, të Bukurën duke e bërë atë edhe objekt vështrimi poetik në bazë të asaj që thoshte Edgar Allan Poe: “E vetmja kënaqësi që është njëherësh më e kulluara, më e ethshmja, më shpirtlartonjësja, besoj se rrjedh nga kundrimi i së bukurës. Vetëm nëpërmjet kundrimit të së bukurës, arrin të na jepet mundësia e arritjes së atij lartësimi të kënaqësisë apo ngacmimit emocional të shpirtit, që ne njohim si ndjenjë poetike e që është kaq lehtësisht e dallueshme nga e vërteta, që mund të quhet kënaqja e arsyes apo e pasionit, të emëruar si dalldisja e zemrës[9]“.
Shprehur ndryshe, gjatë hartimit të krijesës poetike, shkrimtari synon t’i shprehë ato gjëra që na shpëtojnë nga vrojtimi dhe vëmendja e përditshme ose që u kanë shpëtuar edhe paraardhësve, të përshkojë (siç ndodh me poezinë e Edgar Allan Poe-s) atë truall të magjishëm midis reales dhe botës së ëndrrave, atë brez të hijëzuar kufitar ku përvojat e autorit përzihen në mënyrë të çuditshme me përbërës nga të dyja anët e mbretërive, përkatësisht aftësia për të gërmuar në labirintet e shpellave të mugëta të shpirtit njerëzor […][10]
Edhe vetë ëndrra në tregim, që është nxitëse për ta bërë objekt vështrimi poetik Bukurinë, të Bukurën, është, në qenësi, kundërvënie e realitet përkatës të padurueshëm ose gjakim i asaj që synohet, që dëshirohet, siç dëshmohet në përrallë. Shkrimtari anglez, Dunne, thekson: “Çdo njeriu ëndrra i fal një përjetësi të vogël që i lejon të shohë të kaluarën dhe të ardhmen e tij të afërt[11]“, ndërsa Jorge Luis Borges thoshte: “Ëndrrat janë krijime estetike dhe s’ka dyshim që janë shprehja estetike më e lashtë[12]“. Në rrjedhë të kësaj, mund të thuhet se ëndrra në procesin e shqiptimit poetik të botës bëhet vetvetiu pjesë e zhgjëndrrës dhe shpreh dramatiken e brendshme të njeriut. Pra, dëshmohet ajo që thoshte Ernesto Sabato: “Për një ëndërr mund të thuhet gjithçka, përveç se është një gënjeshtër[13]“. Në këtë kuptim dhe funksion ajo përdorët kaq mjeshtërisht nga Pashku në këtë tregim[14].
Në veprën letrare moderne nuk sqarohen dhe nuk shpjegohen gjërat dhe dukuritë, qofshin ato të jashtme ose të botës së brendshme; të jepen këshilla ose porosi për të mirë ose për të keq; të mohohen ose t’u kundërvihet skajshmërisht dukurive, po para së gjithash, t’i shqiptojë ato, pa hezitim e ngurrim, qofshin të mëdha, qofshin të vogla, që të ngazëllejnë ose të shqetësojnë dhe të tronditin nga se “Në të njëjtën frymë jetojmë dhe vdesim”; t’i degëzojë kuptimet e tyre sa më shumë që është e mundur, ta nxitë marrësin të mendojë sa më mëvetësishëm e më thellë rreth tyre[15].
Pashku nuk e vështron Bukurinë, të Bukurën dhe Dashurinë në natyrë, edhe pse personazhi lëviz në natyrë (kodra e male), po i vështron ato brenda njeriut, shpirtit të tij. Kjo të sjell ndërmend thënien e filozofit të lashtë grek, Sokratit: Të lutem o Zot, më bëj të bukur përbrenda.
Këtë dukuri e zbërthen sidomos filozofi gjerman, Hegeli, i cili shkruan se vërtet, në jetën e përditshme, është bërë shprehi të flasim për ngjyrën e bukur për qiellin e bukur, për lumin e bukur, madje për lulet e bukura, për shtazët e bukura, sidomos për njerëzit e bukur, por, për kundër kësaj, që tani mund të thuhet se e bukura artistike qëndron në një shkallë më të lartë prej natyrës […] Pasi bukuria artistike, e përfaqëson të bukurën, e cila në shpirt ka lindur dhe në të ka rilindur, prandaj në qoftë se shpirti dhe produktet e tij qëndrojnë në një shkallë më të lartë se natyra dhe dukuritë e saj, aq më tepër edhe bukuria artistike do të jetë më e lartë se bukuria natyrore. Aq më tepër, shikuar nga ana formale, mund të thuhet se edhe një shaka e pahijshme që njeriut i bie ndërmend, është më e lartë se cilido prodhim i natyrës, sepse një shaka e tillë kurdoherë përmban më vete shpirtërí dhe lirí[16].
Një varg filozofësh kanë provuar se nëpërmjet kërkimit të së bukurës njeriu i jep formë botës si një të tërë. Kjo ndihmon edhe për të kuptuar natyrën tonë dhe qenien tonë shpirtërore. Kanti ka shpjeguar se ne mund ta përjetojmë të bukurën vetëm atëherë kur i lëmë mënjanë interesat tona; kur i shohim gjërat jo me qëllimin për t’i përdorur apo për të shpjeguar funksionimin e tyre, për të kënaqur nevojat apo uritë tona, por thjesht për t’i përthithur dhe pranuar për atë që janë.
Cila e bukur dhe për ç’arsye ajo vështrohet në tregimin “Floçka”?
Është thënë se e bukura ka qenë thelbësore për qytetërimin tonë për po thuaj 2000 vjet (Roger Scruton), ndërsa Ralph Waldo Emerson pohon se Engar Allan Poe besonte se e Mira, e Vërteta dhe e Bukura janë të gjitha aspekte të të njëjtit uniteti hyjnor, ndaj edhe pse mund të arrihen në udhë të ndryshme, shfaqen njëlloj përballë syve të përjetësisë”[17].
Anton Pashku është i vetëdijshëm se përmes artit të fjalës, letërsisë, Bukuria, e Bukura dhe Dashuria mund të dëshmohen e të arrihen në forma, po ashtu, përkatëse dhe të përligjin qëllime të ndryshme, nga se ato, siç u tha, janë pjesë e natyrës dhe e shpirtit të njeriut. Tomas Man thoshte: “Bukuria, o Fedër, mbaje mend mirë këtë, vetëm ajo është hyjnore dhe në të njëjtën kohë, e dukshme. Dhe meqë ajo është udha që na lidh me ndijimet, ajo, o Fedri im i vogël, e çon artistin tek shpirti. Mirëpo, ti, i dashuri im, ndoshta beson se përmes pushtetit të ndjenjave mbi shpirtin mund të arrihet te urtësia dhe dinjiteti njerëzor? Apo beson më fort (po të lë ta zgjedhësh vetë) se kjo udhë e rrezikshme dhe e këndshme është veç udha e gënjeshtrës dhe e mëkatit, që të çon patjetër te gabimi?[18]“ Me fjalë të tjera, “[…] e bukura është rruga që e çon njeriun e ndjeshëm drejt mendimit, vetëm rruga, vetëm një mënyrë, o Fedri im i vogël”[19].
Pra, Bukuria në tregimin “Floçka” të Anton Pashkut përligjet me ato veçanti dhe cilësi që u përmendën, por ajo dëshmohet (është) edhe formë e qëndresës, e mbijetimit shpirtëror dhe fizik të personazhit (lexo: njeriut). Madje, në rrethana dhe kushte në të cilat jeton ai (pra, ku ngjet jeta e njerëzve të mjedisit përkatës shoqëror) ajo shfaqet dhe si mbështetje dhe shpëtimtare kryesore, për të mos thënë e vetme.
Tregimi fillon me frazën kuptimisht të rëndësishme: Kur kishte zënë të ngjitej nëpër atë përpjetëze – thotë përralla për të, përralla për të dhe tërë atë dashurinë e tij jo të rëndomtë – kishte pasë rënë terri.
Përpjetëza dhe terri janë parashenjat e para të asaj që do të rrëfehet, do të ndodhë në tregim, si qenësi e tij.
Po qe se nisemi nga shprehja – thotë përralla për të, përralla për të dhe tërë atë dashurinë e tij jo të rëndomtë – (që përsëritet disa herë në tekstin e tregimit në formë jo të njëjtë) fitohet përshtypja se kemi këtu të bëjmë me ndonjë përrallë ose me botën e saj. Mirëpo, kjo shprehje është përdorur me qëllim, jo për të dëshmuar përrallën, botën e saj, po për të fshehur e për të shmangur, qoftë dhe mëdyshjen më të vogël, se ajo që rrëfehet në tregim lidhet me jetën konkrete, me realitetin e përditshëm tejet të rëndë, për të mos thënë frymëzënës.
Kjo gjendje, në vijim, merr përmasa dhe më tronditëse, më të rënda: nata bëhet e zezë si pendla e korbit: personazhi dëshmon se ngjitja përpjetëzës nuk ishte veprim i rastit, po nevojë, shenjë e pakënaqësisë, e ballafaqimit me vuajtjet, formë e kërkimit të mbijetimit të përditshëm fizik e shpirtëror, ku frymëmarrja ishte frymëmarrje nate, ishte, siç do të thoshte Azem Shkreli “kishte koha ethe, kishte koka brymë” ose kohë e Ogipogës[20].
Me ngjitjen në përpjetëze, në udhëtim e sipër, personazhi dëshmon se është pjesë e gjithë asaj që ngjet rreth e përqark tij, e mjedisit shoqëror ku jeton, po që është tronditëse për të e për të tjerët:
Kurse në qiell, dikur, ishte dëgjuar krrokatja e një korbi. S’kishte vonuar dhe fill pas krrokatjes së parë ishin dëgjuar edhe krrokatjet e shumë korbave të tjerë të zez, që fluturonin mbi fshat. Me ato krrokatje ishin përzier edhe të lehurat e qenve. Mezi dëgjohej krratja e derës.
Nuk mund të rrinte më aty e të shikonte qentë duke copëtuar prenë e tyre, të dëgjonte të lehurat e qenve afër shtyllës me flamurin e ri që kishte atë kryqin e thyer e të zi, nuk mund të rrinte e të dëgjonte krratjen e derës, të ndjente erën, duhmën e gjërave të djegura, erën dhe duhmën e fshatit të shkrumbuar. Me lot për faqe u largua prej atij fshati të mjerë, mbi qiellin e të cilit fluturonin edhe korbat e zez.
Shtegtari i tregimit nuk e përjeton dhe është vetëm pjesë e këtij realiteti, pra është brenda tij, e pëson nga ai realitet, po njëherësh e ndien tek vetja forcën të mos gjunjëzohet, pa marrë parasysh vështirësitë dhe vuajtjet:
As ajri nuk lëvizte; nuk ndjehej pikë fryme, por, mendonte, ajri nuk do të lëvizë dhe pikë fryme nuk do të ketë vetëm për disa çaste, sepse në largësi dëgjoheshin murmurimat dhe herë-herë, si rreze të shkurtra, shiheshin vetëtimat duke shkrepur. Kurse këtë e çonte rruga shi andej ku dëgjoheshin murmurimat e shiheshin ato vetëtima, thotë përralla, rruga e vështirë, nëpër të cilën kurrë deri më atëherë nuk e kishte bërë asnjë hap dhe nëpër të cilën, duke u përshkruar nëpër atë errësirë të mallkuar, nganjëherë edhe zinte në thua, si tash kur, pas një përpjekje të madhe, mezi mbeti disi në këmbë pa u rrëzuar.
Këto vuajtje dhe pësime dëshmohen në mënyra të ndryshme e të shumta, herë – herë dhe të papritura.
Në fund, mbarimin e asaj farë zhurme e kishte pasë shoqëruar edhe pingrima e njëfarë zogu nate, kushedi çfarë zogu nate, që këtij nuk i kishte pëlqyer, sepse ajo pingrimë iu kishte dukur shumë ndjellakeqe, pingrimë që tërë atë errësirë dhe atë qetësi rreth tij ia kishte bërë edhe më të rëndë, edhe më të padurueshme; ajo nuk kishte mbetur vetëm: pas një trohë herë ishte shtuar në dy, mandej në tri dhe dikur ishte shumuar në kushedi sa pingrima të tjera. Të gjitha së bashku krijonin një oshëtimë të tmerrshme. Dhe, në një çast, ajo oshëtimë iu duk si të ishte qeshje, qeshje e mortjes, qeshje që thërriste, thërriste, thërriste…
Realitet i tillë sa shkon e bëhet, siç u tha, më i rëndë dhe mbytës:
Duhej t’i bëhej ballë vargut të pandërprerë të valëve të frymës, valëve të hovshme të frymës e, pos kësaj, edhe ai shpat mali ishte bërë shumë i rëndësishëm. Kështu, njëherë edhe u rrëzua, ra përmbys, sepse nuk kishte mundur të qëndrojë në këmbë dhe kishte rrëshqitur. Kur ishte rrëzuar, aty për aty, s’kishte ndjerë gati kurrfarë dhembje. Më vonë, në krahun e djathtë, kishte ndjerë do therje, në fillim të lehta e mandej gjithnjë më të forta. Dikur, krahu iu kishte mpirë gati fare. Prej mundit, që e kishte pasë kapluar për disa çaste, ballin ia kishin mbuluar do djersë të ftohta. Megjithatë, nuk e ndalte hapin. Njëmend, tash ecën ngadalë dhe me vështirësi, por ecën, së paku lëvizte përpara.
Autorët e shquar në të shkuarën ishin të vetëdijshëm për vështirësitë dhe vuajtjet e mëdha në jetën e njeriut, por ata kishin një zgjidhje për këtë dhe kjo ishte Bukuria, e Bukura, Dashuria. Pra, ato, edhe në rrethana e kushte të parëndomta, e ndihmojnë njeriun; e ngushëllojnë përballë vuajtjeve dhe pësimeve dhe i hapin shtigje qëndresës dhe jetës.
Bukuria, e Bukura si një burim thelbësor jetësor
Pikërisht këtë mënyrë veprimi e zbatoi dhe Anton Pashku në tregimin “Floçka”: për të dalë, për të ngadhënjyer mbi atë gjendje dhe ato pësime, personazhit nuk i mbetet tjetër të mbështetet në Bukurinë dhe të Bukurën – të mbështetet edhe në zërin e tyre. Pra, në zemër të vuajtjeve dhe të pësimeve të rënda, fizike e shpirtërore, shtegtari i tregimit ndien një zë tjetër, i cili ngadhënjen mbi të gjitha lëndimet dhe të këqijat; është zëri i të Bukurës, i Bukurisë, i Dashurisë:
Mbasi ishte prapsur, kishte vazhduar përsëri të dëgjojë atë qeshje, tërë atë valë pingrimash trishtuese, të gjitha ato qeshje si të mortjes, të cilat, befas, ishin mbytur nga një zë tjetër. Ai nuk vinte prej andej, prej nga kishin ardhur ato qeshje. Dëgjohej nga ana e majtë. Kishte kthyer kryet, si me drojtje: kishte parë, atje diku kah kurrizi i malit kishte parë një flakë, një grusht drite. Ajo rrinte gjithnjë në një vend. Ai zë, pos të cilit, tash, nuk dëgjonte asgjë tjetër, vinte prej andej. Iu kishte dukur se e njihte atë zë. Iu kishte dukur i ngjashëm me zërin që e kishte dëgjuar para do netëve në ëndërr, në atë ëndrrën e ëmbël ku iu kishte dëftuar Floçka. Ah, ai ishte, ai zë ishte krejt si zëri i Floçkës, të cilën aq shumë e kishte kërkuar nëpër puse dhe buzë lumenjve; krejt si zëri i saj që e thërriste në ëndërr të shkojë te ajo.
Ngjet kështu për arsye se ai zë – zëri – shpreh Bukurinë, të Bukurën, e cila, siç thuhet në tekstin e tregimit: Sa e madhërishme iu kishte dëftuar në ëndërr! Pra, jo vetëm Bukuri dhe e Bukur, po të tilla që s’ka parë syri ndonjëherë. Këtë bukuri dhe këtë të bukur personazhi e kishte kërkuar pareshtur, nëpër puse dhe buzë lumenjve, që të kujton Të Bukurën e Dheut të përrallave, më e bukura në rruzullim. Ajo është kulmi; njeriu jo rastësisht i kërkon majat, skajshmëritë; atë që të pasuron më shumë dhe ku kënaqësia është e pafund.
Kurrë vashë më të bukur nuk ka parë syri i tij! Ishte me flokë të gjatë e të dendur, fijet e të cilëve ishin si mijëra fijesh të arta që shkëlqenin edhe në errësirën më të madhe, kurse në rrezet e diellit, kështu i ka parë në ëndërr, në kryet e saj dukeshin si kurorë pishe e ndezur flakë që mund të nxente po nja gjashtë a shtatë copë fshatra rreth e rrotull dhe të shkrinte borën e akullin edhe atje lart, edhe atje mbi kreshtat e maleve! Atë e ka parë në ëndërr. Dhe në ëndërr i tregoi vendin ku banon. I tha se jeton në ujërat e kulluara të një liqeni, që është larg shtëpisë së tij nja shtatë ditë e shtatë net këmbë. I tregoi, gjithashtu, se ai liqen ndodhet i strukur në midis të një pylli, se ai del para syrit të njeriut mbasi të kesh kaluar shtatë bjeshkë.
Zëri i Bukurisë dhe i të Bukurës (e bukura si një burim thelbësor jetësor) është i fuqishëm dhe ngadhënjen mbi të keqen, e çfarëdo natyre qoftë ajo, dhe sjell ngushëllimin e pafund. Për këtë arsye shtegtari, që është nisur përpjetëzës dhe ka përjetuar e ka pësuar shumëçka gjatë rrugës, nuk do të kursejë asgjë që ta takojë atë Bukuri dhe atë të Bukur, Dashurinë e tij, që, së pakut, të prehet në të dhe të frymojë brenda saj.
Bukuria, e Bukura i ka thënë në ëndërr ku rri dhe sa larg është: duhet të kalohen shtatë bjeshkë dhe të udhëtojë shtatë ditë e shtatë net. Me një fjalë, për të mbërritur tek ajo duhet aftësi, mund dhe flijim i pazakonshëm. Po shtegtari është i gatshëm të bëjë gjithçka, të flijohet pa fund vetëm të mbërrijë dhe të përjetojë Bukurinë, të Bukurën, ngjizur nga dashuria.
Ky, në ëndërr, i tha asaj se shtatë ditë e shtatë net udhëtim janë vetëm si shtatë dekika, kurse te liqeni do të arrijë gjallë o vdekur edhe sikur të jetë në skajin më të skajshëm të botës, e jo aty – pas shtatë bjeshkëve… Ajo, kur i kishte dëgjuar këto fjalë, e kishte përkëdhelur butësisht e i kishte dhuruar, madje, edhe një fije floku të artë dhe i kishte thënë diçka po me këtë zë, që tash i dukej se ishte zëri i Floçkës dhe i askujt tjetër. Se ç’i kishte thënë në fund, këtij tash nuk i kujtohej, por i parafytyrohej fare mirë ai shkëlqimi i Floçkës, kur iu kishte dëftuar në ëndërr; nuk mund të vërente asgjë, që do të dallonte atë shkëlqim prej këtij shkëlqimi që ishte shfaqur atje dikur kah kurrizi i malit.
Është shkëlqimi i Bukurisë, i të Bukurës, përkatësisht i Floçkës së dashur; është drita që vjen prej saj dhe e grish pareshtur të mos ndalet po të shkojë tek ajo. Për këtë arsye vendos t’i përballojë edhe erën me fishkëllima të hatashme dhe shiun e rrëmbyeshëm, pikat e të cilit, si gjilpëra, e thernin në fytyrë, në duar, vetëm që t’i afrohet asaj sa më shumë. Vuan dhe pëson, po nuk i shkëput sytë nga drita, të cilën e sheh si nëpër ag nga se shikimi i ishte lëbyrur nga lodhja dhe mundimet. Sa ka përshtypjen se i është afruar Bukurisë, të Bukurës, Floçkës, ajo bën një hark dhe i largohet edhe më shumë në çastet kur shpeshtohen murmurimat dhe bubullimat e hatashme dhe kur kishte lënuar dorën e majtë dhe i ishte shtangur krahu tjetër.
As kjo nuk e gjunjëzon; vazhdon udhëtimin drejt Floçkës për arsye se vetëm aty e sheh shpëtimin, ngadhënjimin mbi të gjitha ato të këqija dhe vuajtje, nga të gjitha ato gërmadha, krratje (kërritje) të derës, që i përngjan një vajtimi të mnershëm sa derdhet edhe në lot. Pra, rrënimet janë të mëdha dhe kudo. Kudo kishte qen dhe ata ishin tubuar (një qen e kafshon në pulpën e këmbës e ky e qëllon me thikë në qafë); shtegtari rrëzohet e çohet, rrëzohet e çohet, po nuk ndalet, ndërsa në shtyllë:
[…] ishte flamuri i ri, ku ajgëtonte një kryq të thyer. Kryqi i thyer ishte i zi, kurse qentë ishin gjithfarë ngjyrash. Ata ishin grumbull, sepse midis tyre kishin prenë, të cilën mundoheshin për ta copëtuar. Hungëronin, angullonin, lehnin, turreshin – një dreq e di çka bënin. Shihte, mandej, se si ndonjëri prej tyre rrëmbente nga një copë dhe shpejt dilte jashtë grumbullit. I turreshin të tjerët, por ai largohej, ikën. E ndiqnin edhe pak dhe dikur hiqnin dorë prej tij; ktheheshin shpejt te preja, për të rrëmbyer edhe vetë ndonjë copë.
Shkrimtari i vërtetë e gjakon dhe e shpreh në veprën e vet letrare të vërtetën e mundshme, të vërtetën artistike[21], të cilën duhet ta përligjë vetëm nëpërmjet bukurisë[22].
Nuk e di nëse ajo që u tha mund të ndihmojë që t’i bëhet tregimit “Floçka” një lexim sa më i thellë ose së pakut, ta bëjë më shumësor komunikimin me të? Interpretimi vetjak (personal) mbetet, siç është e njohur, gjithmonë një variant i mundshëm edhe për personin konkret kur e lexon në rrethana e kushte të ndryshme.
Nëse nisemi nga mendimi i Oskar Valdit (Oscar Wilde) se bukuria është një nga format e gjenisë dhe si e tillë mbasi s’ka nevojë për shpjegim, atëherë tregimi Floçka[23] i Anton Pashkut, ndër tregimet më poetik të prozës sonë në vijën vertikale, i mjafton vetës. Ndoshta varianti i mënyrës së komunikimit, i interpretimit që u shpreh në këtë punim, edhe pse s’kishte këtë qëllim, mund ta kufizojë hapësirën dhe qenësitë kuptimore të tij. Them kështu nga se gjithçka që do të mund të thuhet për këtë tregim, teksti i tij poetik thotë më shumë dhe në mënyrë më të natyrshme e më burimore se çdo formë tjetër e shkrimit. Këtë gjë e shkakton gjuha poetike dhe qenësia e të shprehurit poetik që ngërthen në vete kuptime të shumta, për të mos thënë të pafundme. Llojet e tjera të shkrimit kanë peshë të dorës së dytë (anësore), siç mund të ndodhë edhe me këtë punim.
Prishtinë, dhjetor 2025
[1] Shih Anton Pashku, Tregime fantastike. Rilindja, Prishtinë 1986, f. 69 – 81.
[2] Shih për përrallën dhe poetikën e saj në librin tim Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe. “Faik Konica”, Prishtinë 2017, f. 227 – 274.
[3] P. Gj. Fishta, O. F. M, A janë t’zott Shqyptarët me u majtë shtet n’vedi? Në “Hylli i Dritës”, n. 3, Shkodër 1913, f. 75.
[4] Në Parime të estetikës De Rada thekson se “Kënaqësia që i japin shpirtit shumë sende, të cilat nuk i vlejnë gjë trupit, i është atribuar formës së bukur…”. Shih mendimin e plotë në librin Jeronim De Rada Parime të estetikës. Përgatitur për botim nga Alfred Uçi, Globus R., Tiranë 2003, f. 32 – 33.
[5] P. Gj. Fishta, O. F. M, A janë t’zott Shqyptarët me u majtë shtet n’vedi? Në “Hylli i Dritës”, n. 3, Shkodër 1913, f. 77.
[6] Girolamo De Rada, Principii di estetica. (estratti delle sue considerazioni su la Vita e i fini di essa), Napoli, 1861, f. 46 – 47; Jeronim De Rada, Parime të estetikës. Përgatiti për botim prof. Alfred Uçi, Globus R., Tiranë 2003, f. 97 – 98.
[7] Edgar Allan Poe, Poezi dhe esse,vep. e përm., f. 100.
[8] Shih Në mbretërinë poetike. Kritikë letrare për veprën e Anton Pashkut, Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha. Shpresa, Prishtinë 2002.
[9] Edgar Allan Poe, Poezi dhe ese, vep. e përm., f. 101 – 102.
[10] Edgar Allan Poe, Poezi dhe esse,vep. e përm., f. 20.
[11] Jorge Luis Borges, Ligjërata. Përktheu nga frëngjishtja Feride Papleka, Pika pa sipërfaqe. Tiranë 2013, f. 29.
[12] Jorge Luis Borges, Ligjërata, vep. e përm. f. 42.
[13] Ernesto Sabato, Para fundit. Ese. Përktheu nga origjinali spanjisht Orjela Stafasani. OM, Prishtinë 2018, f. 45.
[14] Shih për këtë punimin e përbashkët me don Robert Kolën: Ëndrra si shumësi dhe fshehtësi kuptimore dhe si vizion. Në “Studime letrare të zgjedhura”, Vëllimi 9, Faik Konica, Prishtinë 2025, f. 528 – 537.
[15] Shih Edgar Allan Poe, Poezi dhe esse,vep. e përm., f. 20.
[16] Hegel, Estetika. I, Kultura Beograd 1959, f. 51—52.
[17] Edgar Allan Poe, Poezi dhe ese. Përktheu nga origjinali Dritan Thomollari. Plejada, Tiranë 2004, f. 21.
[18] Tomas Man, Vdekja në Venecie. E përktheu Beatriçe Balliçi. Beqir Musliu, Gjilan 2017, f. 101.
[19] Tomas Man, po aty, f. 63.
[20] Shih më gjerësisht për poezinë e Azem Shkrelit studimin tim Poetika e fjalëve të gurta. Qasje veprës letrare të Azem Shkrelit. “Argeta – LMG”, Tiranë 2011. Shih dhe botimin e dytë Për veprën letrare të Azem Shkrelit. Poetika e fjalëve të gurta. Con un’appendice in italiano. Botimi i dytë i ndryshuar. Shtëpia botuese Beqir Musliu, Gjilan 2024.
[21] Shih mendimin e Lessingut në fillim të romanit tim Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar. Botimi i dytë me ndryshime. Faik Konica, Prishtinë 2024.
[22] Edgar Allan Poe, Poezi dhe ese, vep. e përm., f. 21
[23] Prozën e parë Në gjiri (të shkurtër) e botoi në revistën letrare “Jeta e re” nr. 5/1955, ndërsa përmbledhjen e parë me tregime me titull Tregime më 1961.



Një inkuadrim ,,IDEJE”për TREGIMIN ,,FLO”CKA”të Anton Pashkut – vlerësuar simbas A.N. Berishës. do thosha me komoditet për një hamendje së një tregimi sikur ..FLOÇKa i A, P. nuk mund të quhet kryec=vepër një letërsie, porse në ,,rendin e çmuar të parës PO , pra tregimi FLOÇKA rri në rendin e PARË të krijimit letrar, kurse si kryevepër letrare në letërsi nuk do mbushej ,,BINDJE” sepse ai së pari është vetëm një TREGIM , pra as nuk éshtë ,,NOVELË as nuk është ROMAN, as nuk është ,,LIBËR prandej ka një paktësi në vetvete qé nuk i përmbush kriterét e një vlere bollshme të jetë konsiderohet si kryevepër letrare në ..LETËRSI ” Ndonse Anton Pashku është ,,ANTON” i cili i dha frymë të re prozës Shqipe idea tij qé të ndërtoj një ,,MAJE “LETRASH nuk u arrit nga KOHA e PAKT, kursesi e shkaqeve tjera. Vlersimi mbetet qendër vemendje, por kujtoj sé duhet të kët ,,TEMEL KOHEZIV në strukturën e vet….. MERGIMTARI