Fragment nga romani
Përktheu nga origjinali në dialektin nynorsk të norvegjishtes: Aristidh Shqevi
Të rrahurat e pulsit m’u përshpejtuan teksa këmbët e ronitura vazhdova t’i tërheq zvarrë përmes pyllit, ku s’pipëtinte asgjë. Herë-herë, dëgjohej çirrma e një zogu, por veç saj, syri të kapte vetëm pemë gjetherënëse të përhirta, kryekëput të zhveshura, fidanë druri, që sapo kishin nxjerrë degë, si dhe një dëllinjë të çuditshme jeshile, e cila nën rrezet e zbehta të diellit të prillit, shndërrohej thuajse në blu. Aty ku monopati i ngushtë vinte rrotull një shkëmbi të madh, u shfaq një rruginë e lënë pas dore, që kufizohej me mështekna të bardha e të drejta. Çdo mështekën kishte një ndërlikje degësh në majë, që ngjasonte me një fole zogjsh në ndërtim e sipër. Në fund të rruginës ndodhej një rrethojë e zbërdhulët dhe një portë me kangjella. Përtej portës: shtëpia. Një vilë e moçme dhe një çati mbuluar me plloça.
Mbylla portën me kangjella pas meje, kalova sheshin e vogël dhe ngjita shkallët e pakta deri te dera e jashtme. Trokita në derë, por askush nuk e hapi; vetvetiu lëshova një psherëtimë. Vendosa çantat mbi shkallë, zbrita poshtë dhe ndoqa pllakat e gurta, që formonin një lloj rrugine rreth shtëpisë. Mbi ballinën e saj, shpalosej një peizazh i mrekullueshëm. Male ngjyrë vjollcë, mbuluar vende-vende nga dëbora, shtriheshin në anën tjetër të fjordit, ndërsa shtëpia ishte e rrethuar nga shkurre dhe gëmusha në të dy anët e saj.
Ai po rrinte në kopsht pranë një rreshti me pemë, trungjet e të cilave ishin tepër të hollë. Shpina e gjatë, i mbulohej nga një pulovër e leshtë ngjyrë blu të errët. Ai u hodh përpjetë, sapo i bëra shenjë me kokë. Ktheu trupin, më përshëndeti me njërën dorë dhe filloi të ecë drejt meje, duke u çapitur me çizmet e tij të rënda përmes tokës, që kishte marrë një nuancë bluje në të verdhë. U mbusha me frymë. Fytyra dhe trupi i një mashkulli rreth të dyzetave, që nuk të jepte as shenjën më të vogël, se kishte nevojë për ndihmë. Habinë time e fsheha pas një buzëqeshjeje, pas së cilës ndërmora disa hapa drejt tij. Ai ishte i thukët në shtat dhe i zeshkët në fytyrë. Teksa shtriu dorën për të më takuar, iu shmang vështrimit tim, duke parë në një drejtim të pacaktuar.
“Sigurd Bagge.”
“Allis Hagtorn,” thashë unë, duke ia shtrënguar dorën lehtas.
Asgjë në fytyrën e tij nuk më dha të kuptoj, se mund të më kishte parë diku. Pas gjithë gjasave, ai ishte thjesht një aktor i mirë.
“Ku i ke çantat e udhëtimit?”
“Mbrapa shtëpisë.”
Kopshti, që dukej pas shpatullave të tij, ishte tragjedia e një dimri të zymtë, me protagonistë shkurret e vyshkura, kashtën e qullur dhe ferrishtat. Me ardhjen e pranverës, kopshti do të kthehej në një xhungël të vërtetë. Ai shqoi shqetësimin në fytyrën time.
“Po. Këtu ka nevojë për shumë punë.”
Unë buzëqesha dhe miratova me kokë.
“Kopshti është projekt i time shoqeje. Ajo ka ikur në një udhëtim të gjatë, gjë që shpjegon edhe nevojën time për ndihmë.”
E ndoqa teksa i ra përqark shtëpisë. Ai mori një çantë në secilën dorë, dhe pak më vonë, u fut në sallonin e shtëpisë.
Me hapa të rëndë, që përplaseshin mbi shkallët e vjet-ruara, më çoi në katin e dytë. Dhoma ime ishte e mobiluar shumë thjesht, një shtrat i vogël, një komo dhe një tavolinë shkrimi. Vinte erë pastërti. Shtrati ishte i rregulluar, por ajo që binte në sy ishin çarçafët me lule.
“Dhomë e bukur.”
Ai u kthye në krahun tjetër pa thënë asnjë fjalë, uli kokën dhe doli nga dhoma. Pas një çasti, bëri me kokë nga banja, zbriti shkallët, gjë që bëra edhe unë, pastaj doli nga shtëpia, kaloi cepin e saj, përshkoi sheshin përpara dhe iu drejtua barakës. Një gërvimë e thatë u dëgjua teksa ai hapi derën dhe tregoi faqen e murit përballë: sfurk, lopatë e gjerë, qysqi.
“Për barin e lartë duhet të përdorësh kosën, gjithmonë, di ta përdorësh?”
Pohova me kokë, duke u gëlltitur.
“Këtu ke për t’i gjetur të gjitha veglat e nevojshme, nëse në një farë mënyre, i njeh. Për shembull, gërshërët e mëdha për punime në kopsht,” vazhdoi ai. “Sistemimi i gardhit do të më kënaqte jashtë mase. Më njofto, nëse mungon ndonjë vegël e posaçme, pasi aty për aty, do t’i marrësh paratë për ta blerë.
Ai më foli, pa e marrë mundimin të më shikonte në sy. Unë isha shërbëtorja e tij, ndaj duhej mbajtur njëfarë distance, që në krye të herës.
“Ishin të shumtë ata që iu përgjigjën njoftimit tuaj në gazetë?” pyeta unë padashur.
Ai më hodhi një shikim të shpejtë nën tufën e flokëve të zinj, që i derdhej mbi ballë.
“Po, një numër goxha i konsiderueshëm.”
Arroganca e tij dukej e shtirë, por unë nga ana ime, nuk i dhashë të kuptojë asgjë. Isha prona e tij, kësisoj ai mund të bënte çfarë të donte. Vazhduam t’i biem përqark shtëpisë, zbritëm në kopsht, dhe pastaj kaluam përballë shkurreve me pemla dhe pemë frutore, në të dy anët e rruginës së vogël, shtruar me pllaka guri. Ajri ishte aq i pastër, sa të shponte hundët. Kudo përqark vinte erë vlagë dhe bari të vruguar e të kalbur. Ai kaloi përmes një porte prej hekuri të derdhur dhe u kthye nga unë. “Ka zënë ndryshk,” tha ai, “ndoshta mund të bësh diçka edhe për këtë.” Shkallë të rrëpirëta e të larta të çonin drejtpërsëdrejti nga qoshja e kopshtit te fjordi, që shtrihej më poshtë. Numërova të gjitha shkallët një për një, deri në fund. U ndala ekzakt te numri njëqind. Tanimë, qëndronim në një mol të vogël ndërtuar me gurë, me një hangar për barka në anën e djathtë, tepër të vjetruar, si dhe një vend të posaçëm për sigurinë e tyre. Muret shkëmborë të fjordit formonin një gjysmërrethi, që ia bllokonin pamjen molit në të dy anët e tij. E gjitha kjo, më solli ndër mend vendin ku kisha mësuar të notoja, thuajse tridhjetë vite më parë, pranë një shtëpie pushimi, të cilën prindërit e mi e kishin marrë me qira nga dikush.
“Sa bukur që qenka këtu!”
“Them që një ditë ta prish hangarin e barkave,” tha ai pa shikuar nga unë. Era, që frynte nga fjordi, i shpupuriti flokët.
“Keni barkë?”
“Jo,” u përgjigj ai prerazi. “Atëherë. Këtu nuk kemi se ç’bëjmë më shumë. Gjithsesi, edhe këtë e pe.”
Ai ktheu trupin dhe nisi t’u ngjitet shkallëve.
Dhoma e tij e gjumit ndodhej në katin përdhes, përballë kuzhinës dhe dhomës së ngrënies, ndërsa dritaret, shikonin nga kopshti. Përbrenda ajo komunikonte drejtpërsëdrejti me studion e tij.
“Pjesën më të madhe të ditës e kaloj aty. Ke për të më parë rrallë, madje do të preferoja që të shqetësohesha sa më pak që të ishte e mundur.”
Miratova me kokë, një herë të vetme, për të treguar se e kisha kuptuar seriozitetin e çështjes në fjalë.
“Për fat të keq, makinë nuk kam, por kam biçikletë me dy shporta për ushqime dhe gjëra të tjera. Dyqani ndodhet dy kilometra në veri të rrugës kombëtare. Mëngjesi shërbehet në orën tetë: dy vezë të ziera mirë, harengë të tymosur, dy feta bukë thekre, dhe një kafe të zezë,” saktësoi ai.
“Në fundjavë, parimisht je e lirë, por meqenëse do të jesh gjithsesi këtu, mëngjesin mund ta përgatitësh një orë më vonë se zakonisht. Dreka është në orën një. Darka në gjashtë, dhe menjëherë pas saj, një kafe dhe një gotë me konjak.”
Kësisoj ai u fut në studion e tij, ndërsa mua m’u dha mundësia për t’u njohur më mirë me kuzhinën. Shumica e pajisjeve ishin të përdorura, por gjithsesi në gjendje shumë të mirë. Hapa sirtarët dhe dyert e rafteve, duke u munduar të bëja sa më pak zhurmë. Në frigorifer kishte fileto merluci, që do t’i ndanim mes nesh për drekë.
Mbulesat e tavolinave i gjeta të palosura në sirtarin e poshtëm të kuzhinës, zgjodha njërën prej tyre, dhe e shtrova në tavolinën e bukës, thuajse në qetësi të plotë. Në orën gjashtë fiks, ai doli nga dhoma e gjumit, tërhoqi karrigen dhe u ul në krye të tavolinës. Priti. Pjatën e madhe me peshk e vendosa në mes, ndërsa tasin me patate, ia vura përballë. Më pas, tërhoqa karrigen tjetër për t’u ulur, por ai më ndaloi me një lëvizje të prerë të dorës.
“Jo. Ti do të hash mbasi të kem mbaruar unë.”
Shikimin e mbajti përpara.
“Faji është i imi. Ndoshta nuk u shpjegova qartë.”
M’u mblodh një nyjë në grykë, rrëmbeva pjatën time dhe u shpërngula tek banaku i kuzhinës, pa nxjerrë asnjë tingull nga goja, me kokën ulur, një gjatoshe e mjerë.
Teksa ai hante, unë mbusha lavamanin me ujë, lava tenxheren dhe bashkë të edhe garuzhdën. Ai rrinte ulur, trupin e mbante drejt, mbllaçiste pa zhurmë, por sytë nuk i ngriti asnjëherë lart. Me përpjekje të plogështa, përgatita kafenë, mora konjakun nga rafti me xhama mbrapa shpinës së tij, dhe pastrova tryezën, pikërisht në çastin që ai kishte mbaruar së ngrëni. Mbusha filxhanin me kafe, gotën e vogël me konjak, i vendosa të dyja në një tabaka, dhe duke m’u dredhur këllqet, ia çova atij. Pak më vonë, me t’u ngritur në këmbë, ai më falënderoi për ushqimin dhe u fut sërish në studion e tij; unë u ula në tavolinë për të ngrënë racionin tim, tashmë të vakët, dhe hodha gjalpin gjysmë të shkrirë mbi patatet e mbetura. Më pas, lava pjatat, pastrova tavolinën bashkë me banakun e kuzhinës dhe mora drejtimin për nga dhoma ime. Pa vonesë, boshatisa çantat e udhëtimit, sistemova rrobat, çorapet dhe të brendshmet në sirtarët e komosë, ndërsa librat i stivova mbi tavolinën e shkrimit. Pastaj, kontrollova celularin, për t’u siguruar se e kisha fikur, dhe e lashë në sirtarin e vogël të tavolinës. Nuk kisha ndër mend ta ndizja, me përjashtim të ndonjë rasti të jashtëzakonshëm. U ula në heshtje të plotë, nga frika se mos bëja zhurmë. Nga kati i poshtëm nuk dëgjohej asnjë psherëtimë. Më në fund, pas një vizite të shpejtë në banjë, rashë në shtrat për të fjetur.
* * *
Tehu i kosës duhej të ishte topitur. Unë nëma barin e lagur dhe të zverdhur, që i bënte bisht kosës, pavarësisht forcës që ushtroja mbi të dhe zhdërvjelltësisë me të cilën e përdorja. Qielli ishte i zënë, ajri i lagësht. Pas mëngjesit, ai ishte futur menjëherë në studion e tij. Teksa po dilja, i hodha vetes një shikim të shpejtë në pasqyrë. Vura re se isha veshur çuditshëm. Me pantallonat që kisha lyer shtëpinë e prindërve të mi, në stinën e verës, rreth pesëmbëdhjetë vite më parë. I kisha gjetur në dollapin e shtëpisë sime, bashkë me këmishën e spërkatur me bojë, dy mbrëmje para se t’i paketoja teshat, për të ardhur këtu. Të nesërmen në mëngjes, kur dola nga shtëpia për të marrë autobusin, prindërit e mi, të lehtësuar, më përshëndetën dhe më uruan rrugë të mbarë.
Fillova ta ndiej lodhjen në shpinë. Këmisha më ishte bërë qull në djersë. Insekte të vogla, që zukatnin rrotull, herë më uleshin mbi flokë, herë mbi ballë, duke më shkaktuar kësisoj, kruajtje të mëdha. Gjatë gjithë kohës isha e detyruar ta ndërprisja punën, t’i hiqja dorezat, dhe ta kruaja fytyrën. Tufëzat e gjata e të zverdhura të barit, më vinin në lojë, sa herë që i sulmoja me fuqinë maksimale, me kosën shtrënguar në duar.
“Në vendin tënd, do të përdorja sfurkun.”
Rrotullova trupin. U shtanga, përballë kisha Bagge-n. Duhet t’i jem dukur si një e çmendur, me fytyrën të përflakur, dhe me rrecka pesëmbëdhjetëvjeçare në trup. Tufën e flokëve, që më ishte ngjitur në ballë, e largova instinktivisht, por vendin e tyre e zunë menjëherë disa cikla balte.
“Kur bari është i lagur, kosa nuk hyn dhe aq shumë në punë.”
“Jo.” Disi e përulur u përpoqa të buzëqesh.
“Mos harro drekën,” tha ai teksa goditi lehtazi kyçin e dorës, si për të ma kujtuar, se për pak orë, dreka duhej shtruar. Ai më ktheu kurrizin dhe u largua. Në atë çast, i hodha nxitimthi një sy shtëpisë, në të vërtetë, më tepër dritares sesa studios. Ai ishte ndalur pranë saj dhe më kishte vëzhguar teksa bëja përpjekje të dëshpëruara, për t’u marrë me kopshtari, derisa më në fund, nuk kishte duruar më dhe kishte zbritur poshtë. E ndjeva veten si në gjemba. Rrëmbeva kosën, e çova në depo dhe e vara në faqen e murit nga ku e kisha marrë. Më pas, me sfurkun në dorë u ktheva në kopsht. Me dhëmbët e tij krova sipërfaqen e tokës thuajse moçalore, ndërsa sasinë e barit të kalbur, që të shkiste nga dora, e hodha në karrocën e dorës.
* * *
Biçikleta ishte mbështetur tek qoshku i druve, pikërisht mbrapa depos së veglave. Ishte një Peugeot e vjetër, e shpejtë, ngjyrë gri, me rrota të vogla dhe timon të kthyer nga brenda. Për të shkuar deri tek dyqani, m’u deshën më pak se dhjetë minuta. Ishte një dyqan bakalli, në një bërryl rruge. Përballë urës, i harruar nga koha. Teksa hapa derën, u dëgjua tingëllima e një zileje. Klientë të tjerë nuk kishte. Një grua e moshuar, që qëndronte prapa banakut, mezi iu përgjigj përshëndetjes sime me kokë. Në dyqan kishte ushqim të paketuar, peceta, qirinj, bukë, bulmetra, një frigorifer dyqani, si dhe fruta dhe perime, të cilat, çdo klient duhej t’i peshonte vetë.
Teksa u enda mes radhëve të rafteve gjysmë të zbrazura, shitësja syshqiponjë, më ndoqi me vështrimin e saj pandërprerë. Ishte një vështrim kritik dhe domethënës. Ajo më kishte njohur. Ndjeva një rëndim në stomak; me lëvizje të plogëta, zgjodha disa ushqime nga raftet dhe i vendosa në shportë, edhe pse doja që asaj të mos ia hidhja më sytë dhe të largohesha njëherë e më parë nga dyqani. Më në fund, iu afrova për të paguar dhe lashë mallrat mbi banak, pa e parë në sy. Pa kurrfarë shprehie në fytyrë, ajo regjistroi çmimin e çdo malli. Duar dhe fytyrë me rrudha, dhe një gojë që varej në të dy anët e saj; kështu ishte ajo, mendova me vete e lehtësuar, teksa ngisja biçikletën drejt shtëpisë. Sjellja e saj nuk kishte asnjë lidhje me mua, ajo thjesht ishte e tillë.
Biçikleta ishte me goma të holla, por gjithsesi, e shpejtë, ndaj rrita shpejtësinë, duke pasur fjordin në krahun e majtë dhe faqen shkëmbore të malit në krahun e djathtë. Shkëmbi, ishte i lagur nga shirat, kishte ngjyrë të zezë, por çuditërisht, shndriste. Mallrat e blera ishin në koshin e biçikletës, mbi rrotën e pasme, ndërkohë makinat më parakalonin në rrugën, që lidhte dy qytetet fqinjë. Më pas, zbrita në rruginën e pjerrët shtruar me zhavorr, kalova mes pyllit, dhe së fundi, futa biçikletën brenda qoshkut të druve. Zhavorri krakëlliti nën peshën e hapave të mi; pas pak, u futa në sallon dhe vazhdova të ec përgjatë dyshemesë. Në këtë shtëpi kishte shumë gjëra, që nuk shkonin. Nuk ishte e mundur, që një çift të jetonte kësisoj, pa u kujdesur për kopshtin, pa makinë, me burrin e shtëpisë të mbyllur gjithë ditën në studion e tij, dhe gruan të ikur. Sendet e blera i vendosa në vendin e tyre, dhe më pas, nisa ta përgatis vaktin kryesor të ditës.
* * *
Isha bllokuar thuajse plotësisht. Trupin e ndieja të mpirë dhe të rëndë si porta e ndryshkur prej hekuri të derdhur. Për një copë herë qëndrova pa lëvizur, duke shikuar gungat e tavanit të drunjtë, pastaj rrotullova trupin në dyshek, derisa përfundova në dysheme. Çfarë idiotësie! Kur ishte hera e fundit që kisha bërë punë fizike? Herë të fundit nuk kishte, pasi me punë të tillë nuk isha marrë kurrë. Të paktën, jo më parë se të filloj ta mbledh barin me krehër dhe ta punoj tokën e ngurtë me shat, për orë të tëra.
Duke u tundur sa majtas-djathtas dhe me fytyrë të ngrysur, kalova nga kuzhina te tavolina e bukës, për t’i shërbyer mëngjesin atij. Më pushtoi njëfarë stepjeje dhe turpi; isha e vetëdijshme se lëvizjet e mia të plogëta e kishin nervozuar. Teksa u bëra gati që t’ia mbushja kupën me kafe, lëshova një ofshamë të thellë; ishte e vështirë ta përcaktoje, se cili prej nesh mendonte se ishte brengosur më shumë.
“Dje sikur e teprova pak me punën që bëra në kopsht,” thashë unë, duke u munduar të shfajësohem.
Ai pastroi fytin dhe hoqi sytë nga unë.
Pas mëngjesit, ai u kthye në dhomën e tij pa thënë asnjë fjalë. Më pas, teksa pija kafenë e hidhur vetëm fare, e ndjeva se rashë nga gjendja shpirtërore. Një ditë më parë, isha ndier krenare për veten teksa pastroja kopshtin nga bari i kalbur, duke shpresuar në të njëjtën kohë, se ai patjetër që duhej të më kishte parë nga dritarja. Shpina më ishte mpirë keq.
Dita e nesërme shkoi akoma më për ibret. Të bëja thjesht një hap përpara, më shkaktonte dhimbje të tmerrshme. Gjithë ditën nuk u ula fare, pasi e dija, se nuk do të isha në gjendje të ngrihesha sërish në këmbë. Entuziazmi im për kopshtarinë kishte zgjatur vetëm një ditë. Kësisoj ndodhte gjithmonë. I përvishesha punës me një frymëzim të lartë, por mbillja misër e korrja tallë. Më mungonte ngulmi për t’i çuar gjërat deri në fund, ndaj gjithnjë korrja e nuk lidhja. Nuk kisha as këmbëngulje, as vijueshmëri. Kisha shpresuar, se pikërisht këto dy tipare, forcën e vullnetit dhe disiplinën e hekurt, do t’i ndryshoja. Problemi ishte se për ta kultivuar forcën e vullnetit, nevojitej forcë vullneti. Njeri më i qëndrueshëm, kjo ishte ajo çka duhej të bëhesha. Ishte gjithashtu e domosdoshme, që të formoja, një karakter më të fortë. O tani, o kurrë. Këtu kisha gjithçka që më nevojitej, vetminë, ditët e gjata dhe do detyrime të parashikueshme; përpos kësaj, ndihesha e çliruar nga vëzhgimet bezdisshme dhe llomotitjet e të tjerëve, dhe për më tepër, kisha një kopsht, që më përkiste i tëri.
* * *
Në mbrëmjen e ditës së shtatë, me të vendosur tabakanë, xhezven, filxhanin e kafes dhe gotën e konjakut në tavolinën e bukës, u bëra gati të largohesha, por befas ai më ndali me një lëvizje të dorës. Ishte e martë. Kisha një javë që i gatuaja për të ngrënë, por idetë, se ç’mund t’i gatuaja më tej, më kishin shteruar. Sot: pulë me estragon. Të hënën: fileto merluci me qepë të verdhë. Të dielën: mish viçi të pjekur në furrë. Të shtunën: mish kau të pjekur. Të premten: fileto trofte të pjekur me sallatë trangulli. Të enjten: salsiçe të skuqura me salcë kosi. Të mërkurën: fileto merluci të zier.
“Allis.”
Ishte e hera e parë që e dëgjoja të më thërriste në emër.
“Po?”
“Më sill një filxhan dhe një gotë tjetër, dhe më pas, eja ulu këtu.”
Veprova ashtu siç më urdhëroi. Me një dorë të sigurt, ai mbushi me kafe gotën prej porcelani të brishtë.
“U bë një javë që ke ardhur,” tha ai, me shikimin nga cepi i tavolinës.
Unë heshta.
“Ndihesh e lumtur këtu?” Ai i ngriti sytë lart.
“Po.”
“Si e ke syrin, a do të mund të qëndrosh pak më gjatë?”
“Po, sigurisht. Faleminderit.”
“Pagën do ta marresh në fund të muajit. Në rregull?”
Miratova me kokë.
“Ke ndonjë pyetje?”
Për një çast ngurrova.
“A mund të më thuash sa kohë do të kem mundësi të punoj këtu?”
“Për aq kohë sa gruaja ime do të vazhdojë udhëtimet e saj, do të kem nevojë për ndihmë në shtëpi dhe kopsht. Si për fillim, gjithë pranverën dhe verën.”
“Për mua, më mirë se kaq nuk bëhet.”
Ai mbushi me konjak gotën time të vogël prej xhami dhe e ngriti lart në drejtimin tim.
“Atëherë, le të ngremë një dolli.”
Pa u menduar gjatë, unë ngrita gotën time dhe me shumë kujdes e kërcëllova me gotën e tij, duke shkaktuar kësisoj një tringëllimë të lehtë. Kaluan disa çaste në heshtje. Pas kësaj, ai nuk shfaqi asnjë dëshirë për të folur, por nën cullufet e zeza, balli iu rrudh. Unë piva kafenë, zbraza gotën e konjakut, dhe para se ai të mbaronte, u largova nga tavolina dhe nisa të laj enët. E dëgjova që tërhoqi karrigen mbrapa, mori skërkat dhe u fut në dhomën e tij. Mendimi m’u turbullua disi nga fakti, që tashmë gjithçka ishte përcaktuar, unë do të qëndroja aty. Gjithsesi, për të njëjtën arsye, ndjeva ngrohtësi në zemër. Tani kisha një bazë, ku mund të qëndroja, dhe nuk isha e detyruar të kthehesha mbrapsht. Në këtë shtëpi, mund të jetoja në paqe.
* * *
Pas disa ditëve me diell, lagështira e kopshtit filloi të avullojë. Më në fund, kosës ia kisha marrë dorën, dhe kësisoj, mbrapa shpinës lashë një vazhdë bari të kositur. Edhe pse ajri ishte i ftohtë, filluan të më dalin bula djerse. Ndriçimi i zbehtë i diellit të pasdites, po strukej mbrapa maleve. Trupin nuk e ndieja nga lodhja. Gjithsesi, hodha një vështrim rreth e rrotull. Aty këtu, syri të kapte lule pranvere. Një ditë kishte pasur një stuhi me borë të imët, ndërsa të nesërmen, fare papritur, një flutur ishte ulur diku aty pranë. Moti ende nuk ishte stabilizuar. Krehrin e barit e tërhoqa me forcë mbi truall, mblodha kashtën dhe barërat e këqija, dhe pastaj i çova në fund të kopshtit me ndihmën e karrocës së dorës. Lehe të vjetra lulesh, prej dheu të ngjeshur e të errët, kishin nisur të shfaqeshin nën barërat e këqija. Ende nuk i kisha prekur, por sipas gjasës aty mund të kishte bulbe qepësh ose hudhrash, fara, madje dhe vetë jetë, që ishin në pritje për të shpërthyer në sipërfaqen e tokës. Nganjëherë, qëllonte që, në punë e sipër, ta ktheja trupin dhe ta hidhja shikimin nga shtëpia, dhe syri ta kapte Bagge-n kalimthi prapa xhamit të dritares. Ai largohej menjëherë, gjë që e bënte të pamundur ta përcaktoja, nëse kishte kohë që më vështronte apo thjesht ishte duke lëvizur nëpër dhomë.
Veglat e punës i ktheva në depo, çizmet i përplasa tek muri poshtë verandës, për t’ua hequr dheun që kishte mbetur në to, dhe më pas, u ngjita lart në banjën time. Mbusha vaskën me ujë, rrëshqita butë brenda saj, pastrova të gjitha çiklat e dheut, që më kishin rënë në trup, dhe ndjeva një ngazëllim të thellë për mundësitë, që më ofronte ekzistenca e re. Puna nën një qiell të hapur, ndjesia që ma përshkonte trupin, mbushja e mushkërive me ajër të pastër. Nuk e kisha besuar kurrë, se tek unë mund të ndodhte një ndryshim si ky. Një gjë të tillë nuk e kisha çuar kurrë ndër mend. Jo, asnjëherë. Herë pas here, ai kishte qenë thjesht një mendim lehtësues, por edhe brengosës në të njëjtën kohë, ndaj dhe nuk kisha besim. Po tani, ç’mund të thoja? Po angazhohesha: për të bërë punë në kopsht. Ta pastroja dhe t’i krijoja kushtet, që aty të kultivoja diçka. Shpëtimin mund ta gjeja pikërisht në atë kopsht dhe po aty mund të krijoja një identitet koherent, i cili nuk do të përmbante asgjë nga e kaluara ime. Aty mund të laja çdo mëkat, ta pastroja ndërgjegjen nga çdo lloj faji dhe të nisja një jetë të re me zemër të çiltër. Largova tapën plastike nga vaska dhe vura re nivelin e ujit që filloi të bjerë. Shpëlava trupin dhe flokët nën kokën e dushit dhe dola nga vaska. Dëgjova hapat e Bagge-s mbi dyshemenë e katit të mëposhtëm. Po ai, ishte i pastër? U fshiva me peshqir, u vesha dhe u futa në dhomën time. Nga dritarja e dhomës pashë Bagge-n teksa kalonte nga avllia në kopsht, ndoshta për të bërë aty ndonjë inspektim. Kërçepët e tharë të kashtës kërcitën nën këpucët e tij të mëdha dhe pas një çasti, vura re shpinën e tij që lëvizi përmes drurëve frutorë, poshtë shkallëve dhe më tej drejt molit të vogël. Ndjeva një dridhje në stomak. Sa të bukur që janë burrat, thashë me vete. Disa prej tyre. Zëri, shpatullat. Dola rrëmbimthi nga dhoma dhe provova të hap derën e dhomës përballë dhomës sime në sallon. Ishte e mbyllur. U ndala në krye të shkallëve. Për një çast, gati sa nuk zbrita poshtë, por u mjaftova me një vështrim rreth e rrotull. Teksa rrahjet e zemrës m’u shtuan nën kraharor, hoqa dorë nga ideja.