Riley Cooper,
Feature Edition, Whitman Wire,
Mars 2025
E përktheu Jola Tasellari
Kudo dëgjojmë: “Njerëzit nuk lexojnë më si dikur”. Edhe pse format tradicionale të leximit mund të jenë më pak të zëshme, kultura e leximit është jo vetëm e gjallë, por edhe vitale. Ajo thjesht ka marrë forma të ndryshme nga përfytyrimi klasik i hapjes së gazetës çdo mëngjes apo leximit spontan të “Lartësitë e Stuhishme”. Një vëzhgim të ngjashëm ka bërë edhe kolegu im Arham Khan për mënyrën se si të rinjtë i përthithin lajmet, duke theksuar se “Nëse pyesni bazën tonë mediatike, arsyeja pse të rinjtë po largohen nga lajmi tradicional është sepse qenkan dembelë, të painformuar ose tepër të fiksuar pas rrjeteve sociale për t’u shqetësuar për botën reale. Kjo është kryekëput marrëzi!” Për mua, e njëjta logjikë vlen edhe për librin. Narrativa se të rinjtë po i largohen letërsisë tradicionale për shkak të dembelizmit, mungesës së informacionit apo varësisë nga rrjetet sociale është e pavërtetë. Njerëzit nuk po i kthejnë shpinën leximit; përkundrazi, kultura e leximit po shndërrohet në diçka të bukur dhe të shumëllojshme, e cila gabimisht po interpretohet si e vdekur.
Edhe pse format tradicionale të leximit mund të mos jenë më aq dominuese, vetë kultura e leximit ka evoluar ndjeshëm gjatë pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë viteve të fundit. Larg zhdukjes, leximi është përshtatur me mënyrat e reja të jetesës dhe teknologjitë bashkëkohore, duke krijuar forma të reja angazhimi, si rasti i botimit të librit të parë të “Harry Potter” në vitin 1997, i cili shiti 107 milionë kopje, duke u renditur pas “The Book of Mormon” (Libri i Mormonit) me 192 milionë kopje të shitura. Shpërthimi i letërsisë për të rinj (young adult) luajti një rol themelor në formësimin e klimës bashkëkohore të leximit. Pas “Harry Potter” erdhën vepra si “Twilight”, “The Hunger Games”, “Divergent” dhe “The Maze Runner”, tematika e të cilave mbërtheu fort Gjeneratën Z, Milenialët dhe mjaft lexues nga brezat më të vjetër. Mua nuk më lejuan ta lexoja “The Hunger Games” deri në klasën e gjashtë, pasi prindërit e mi e konsideronin të tepërt për mendjen e një 10-vjeçari idenë e disa fëmijëve, brenda një zone, duke konkurruar deri në vrasje me njëri- tjetrin. Kjo për mua ishte shkatërruese, ndaj iu drejtova librave të tjerë si “Divergent”, “The Maze Runner” dhe “Twilight”, për të qenë koherent me bashkëmoshatarët e mi dhe për të marrë pjesë në lojëra e debate të zjarrta në oborrin e shkollës mbi “grupet” ku përkisnim. Ditën e parë të klasës së gjashtë, mora nga biblioteka librin e parë të “The Hunger Games” dhe kam ndenjur tërë natën pa gjumë duke e lexuar të gjithin në një frymë. Entuziazmi për leximin që më ngjalli letërsia për të rinj ishte aq i fuqishëm, sa nuk u shua kurrë plotësisht. Shpërthimi i letërsisë për të rinj në fillim të viteve 2010 rigjallëroi kulturën e leximit masiv. Seritë bestseller si ato të sipërpërmendura tërhoqën audienca të mëdha, duke ndërthurur temat distopike me përjetimet, dëshirat dhe ankthin adoleshent. Këto libra dominuan listat e shitjeve dhe frymëzuan edhe plot adaptime kinematografike të suksesshme, duke kultivuar një brez lexuesish të uritur për më shumë. Ndonëse kulmi i letërsisë për të rinj mund të ketë kaluar, ndikimi i saj ndihet ende. Këto libra i futën shumë lexues në një “rrëfim serial” dhe i çelën rrugën zhanreve të tjera letrare. Shumë prej atyre që u rritën me këtë letërsi kanë kaluar sot te letërsia bashkëkohore, fantazia, romanca apo klasikët letrarë. Suksesi i letërsisë për të rinj tregoi gjithashtu se sa thellë rezonojnë me lexuesin temat e identitetit, rebelimit dhe marrëdhënieve njerëzore. Motivet e fuqizimit dhe qëndrueshmërisë emocionale u bënë ura lidhëse me lexuesit në mbarë botën. Autorë si Angie Thomas, me “The Hate U Give”, apo Elizabeth Acevedo, autorja e “The Poet X”, ndërthurën trajtimin e tematikave sociale me narrativën tërheqëse, duke dëshmuar se letërsia për të rinj mund t’i ofrojë njëkohësisht dhe arratisjen nga realiteti, dhe debatin kuptimplotë. Audiolibrat po ashtu kanë transformuar ndjeshëm mënyrën se si konsumohet letërsia. Dikur të konsideruar si një medium “periferik”, sot ata janë jashtë mase të përhapur, dhe jo kot, por me arsye. Platforma si Audible dhe Spotify kanë përfituar nga ky trend. Udhëtarë, sportistë, kuzhinierë, prindër të ngarkuar, praktikisht kushdo, mund t’i drejtohet audio-librit për të shijuar një tregim pa pasur nevojë për kohë të dedikuar leximi. Kritikët debatojnë mbi faktin se dëgjimi i librave nuk “llogaritet” si lexim. Megjithatë, studimet tregojnë se audio-librat angazhojnë trurin në mënyra të ngjashme me leximin tradicional, madje edhe më efektivisht për grupe të caktuara, si personat me disleksi, ata që lexojnë në një gjuhë që nuk e kanë amtare. Për shumëkënd, audiolibrat kanë ringjallur kënaqësinë e rrëfimit.
Industria e audiolibrit ka nxitur edhe inovacion në performancë. Narratorë të talentuar si Bahni Turpin dhe Jim Dale i kanë dhënë jetë personazheve përmes interpretimit vokal dinamik, duke krijuar përvoja të jashtëzakonshme. Efektet zanore, muzika dhe interpretimet me shumë zëra e kanë pasuruar më tej këtë formë leximi. Pastaj, ca njerëz thjesht preferojnë audio-librat. Së fundmi dëgjova librin Big Swiss, të cilin e shijova shumë më tepër sesa do ta kisha lexuar në tekst, falë theksit zviceran të personazhit kryesor, qenit dhe efekteve zanore që shoqëronin veprimet. Edhe industria e librave komikë vijon të rritet. Sipas Business Insider, shitjet e librave komikë, përfshirë romanet grafike, numrat individualë dhe komiket digjitale, arritën në 2.075 miliardë dollarë në vitin 2021, një rritje prej 62 për qind krahasuar me vitin paraardhës dhe 70 për qind krahasuar me 2019-ën. John Jackson Miller, themelues i Comichron, theksoi se botuesit fituan më shumë nga përmbajtja e komikut sesa në çdo vit tjetër. Komunitetet e fan fiction-it ilustrojnë gjithashtu evolucionin e peizazhit të leximit. Platforma si Archive of Our Own (AO3) dhe FanFiction.net u kanë dhënë fansave mundësinë të zgjerojnë universet letrare të dashura, duke krijuar përmbajtje dinamike që mban lexuesit të angazhuar. Për shumëkënd, fan fiction-i shërben si hyrje në botën e rrëfimit dhe si nxitje për kreativitet e debat.
Në kundërshtim me parashikimet se libraritë do të zhdukeshin në epokën digjitale, libraritë duket sikur kanë rilindur. Ekspozime të kuruara, ambiente intime dhe aktivitete komunitare i kanë shndërruar libraritë në qendra kulturore. Rrjetet sociale si TikTok (veçanërisht prej #BookTok) kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e shitjeve, duke kthyer tituj të panjohur në fenomene virale. Lexuesit sot kanë po aq gjasa ta zbulojnë librin e radhës përmes një rekomandimi në TikTok sa nga një kritik letrar; një demokratizim i kulturës së librit që vlerëson lidhjen emocionale mbi elitizmin intelektual. Libraritë janë përshtatur me këto preferenca, duke ofruar hapësira për klube leximi, takime me autorë dhe workshop-e. Përzgjedhjet e kuruara nga autorë të ndryshëm kanë zgjeruar përfaqësimin në letërsi, duke reflektuar më mirë identitetet dhe përvojat e lexuesve. Libraritë po shndërrohen në “hapësira të treta”. Siç shprehet Courtney Stookey, pronare e Lovebound Library në Salt Lake City: “Doja që të ishte një hapësirë e sigurt ku çdokush, pavarësisht nëse lexon 300 libra në vit apo nuk ka prekur kurrë një roman, të ndihet i mirëpritur.”
Ky transformim pasqyron një prirje më të gjerë: Leximtarët po i përqafojnë librat gjithnjë e më shumë si argëtim, jo vetëm si përfitim intelektual. Letërsia e njohur nuk ka më nevojë të mbrojë veten ndaj pretendimeve se vlen më pak; lexuesit janë të lirë të shijojnë atë letërsi që u flet më fort.
Nga ana tjetër, letërsia eskapiste po popullarizohet vitet e fundit. Në një kohë trazirash sociale dhe politike, lexuesit i janë kthyer romancave, fantazive dhe mistereve, për të gjetur aty prehje. Këto zhanre ofrojnë zgjidhje të kënaqshme dhe tema frymëzuese, si një strehë në kohë të pasigurta. Leximi është bërë “chic”. Estetika e Instagram-it me rafte librash të kuruara, romane të shënjuara dhe kënde leximi të rehatshme, e ka kthyer kulturën e librit në një trend vizual. Lexuesit ndajnë me krenari blerjet e tyre, objektivat e leximit dhe përshtypjet online, duke ndërthurur rrjetet sociale me përfshirjen tradicionale letrare. Aty ku leximi dikur shihej si veprimtari vetjake, sot ai është thellësisht social. Klubet e leximit, sfidat online dhe rrjetet sociale nxisin lexuesit të ndajnë përvojat dhe mendimet. Për dekada, leximi mbarti një ngjyrim elitist: “Lexuesit seriozë” pritej të merreshin me klasikë, filozofi apo letërsi të “fortë”. Ky qëndrim përjashtoi shumë lexues potencialë. Sot, kjo mendësi po zbehet. Pranimi i leximit si formë argëtimi ka krijuar një hapësirë më gjithëpërfshirëse, ku zhanret dhe romanet grafike vlerësohen njësoj.
Lexuesit nuk ndihen më të detyruar të lexojnë tërë veprën e një autori apo të qëndrojnë te titujt e kanonit letrar. Eksplorimi i zhanreve të ndryshme, interesave dhe kënaqësive e ka bërë leximin më të prekshëm dhe më të gëzueshëm. Edhe institucionet e arsimit po i përshtaten këtyre ndryshimeve kulturore. Shkollat po përfshijnë gjithnjë e më shumë zhanre të ndryshme, romane grafike dhe letërsi bashkëkohore në kurrikula, për të angazhuar lexuesit që hezitojnë. Duke legjitimuar letërsinë “në modë” si letërsi të vlefshme, ata po nxisin përvoja pozitive leximi që krijojnë marrëdhënie afatgjata me letërsinë.
Në këtë peizazh dinamik, një gjë mbetet e paprekur: dëshira njerëzore për t’u lidhur përmes rrëfimit. Qoftë i dhënë pas një romani, duke dëgjuar një audio-libër apo duke shfletuar një Webtoon, lexuesi vijon të kërkojë narrativa që e frymëzojnë, ngushëllojnë dhe sfidojnë. Kultura e leximit nuk po zhduket. Ajo po lulëzon në forma të reja dhe të papritura.

