More
    KreuLetërsiShënime mbi libraOana Glasu: "Bijat e gjeneralit" i Mimoza Hysës - një meditim...

    Oana Glasu: “Bijat e gjeneralit” i Mimoza Hysës – një meditim joshës për dashurinë dhe lirinë

    Përkthyesja dhe shkrimtarja, Mimoza Hysa, është gjithashtu një novatore për mua, duke i propozuar letërsisë shqiptare një roman të rrallë dhe të vështirë për t’u bërë, nga këndvështrimi i ndërtimit tekstual. Një roman epistolar, në të cilin autorja i jep mundësinë secilit prej lexuesve të shkrihet në përemrin vetor “ti”, i cili përfshin në strukturën e tij, nga njëra anë – praninë e autores si rrëfyese dhe protagoniste (duke u dhënë personazheve mendime, qëndrime, ndjena nga filozofia e vetë), dhe nga ana tjetër – lexuesi. Kështu, ekziston një shumëzim i subjektivitetit, i cili bën që ndërsubjektiviteti të shfaqet në prozë në vetën e dytë, duke shkaktuar një strukturë të re narrative, një formulë që hap perspektiva të reja në të shkruar. Secili lexues ka mundësinë të identifikohet me personazhin TI. Sigurisht, është vetëm një përshtypje identifikimi dhe ajo që Mimoza menaxhon përmes një magjie të mahnitshme tekstuale, është fakti që e shndërron tekstin në një përvojë unike, të ndërthurjes së stilit të tërthortë të lirë me monologun e brendshëm, për të cilin letërsia ka nevojë dhe unë jam e gëzuar që kjo po ndodh në Shqipëri dhe aq më tepër që është krijuar nga një grua. Romani fillon dhe mbaron me këtë adresim, TI, i cili gjithashtu ka rolin e personazhit kryesor dhe është një ndërthurje e instancave të ndryshme, dhe inteligjenca e shkrimtares qëndron pikërisht në përdorimin e kësaj vetes së dytë që lehtëson një përzierje e planeve, absolutisht fenomenale. Kemi të kaluarën, e cila shënon intrigën ekzistenciale dhe erotike të personazheve kryesorë, pastaj të tashmen në të cilën mesazhi përcillet si një kujtesë e fakteve, jetëve dhe të ardhmen në një epilog që ofron një pasqyrë të mundësive, duke lënë kohë meditimit për të gjetur zgjidhje, por edhe mbi misterin, me të cilin përfundon romani dhe për të cilin nuk duheshin fjalë shtesë, megjithëse jam e bindur për keqardhjen e gjithkujt që do të donte të vazhdonte.

    Tema e romanit të Mimozës është një letërkëmbim që mund të dëshirojë të përjetësojë dashurinë e vërtetë, por të ushqyer nga gënjeshtra, një lloj letre drejtuar kohës tjetër, e cila rithekson kujtimet dhe i ekspozon ato duke i analizuar, por edhe duke e ftuar lexuesin, për të vuajtur dhe rijetuar së bashku. Është një teme e dukshme e konfliktit të brendshëm, i antitezave për periudhën në të cilën ndodhin ngjarjet, por gjithashtu një subjekt i konfliktit midis brezave në lidhje me perceptimin, ku një të ri,  nuk do të përbëjë grupin e lexuesit të ftuar të vuajnë së bashku, por Moza i drejtohet pikërisht këtij segmenti lexuesish. Shkrimtarja ka, jo vetëm një imagjinatë të mrekullueshme, e cila ka diçka nga funksionimi i poetikës postmoderniste (romani ka shumë fragmente, në të cilat, për shkak të ritmit, shkrimi merr një aspekt poetik), por edhe një kënaqësi të veçantë për të shpikur universet e rrjedhshme që kalojnë njëra në tjetrën, që prapë do t’i japin një ritëm të jashtëzakonshëm rrëfimit. Për sa i përket ritmit, kemi të bëjmë me një teknikë të rëndësishme të vonesës epike, pasi përshkrimet duhet t’u japin përmbajtje gjërave dhe vërejmë se të gjithë personazhet flasin njësoj, nuk ka individualizim përmes gjuhës.

    Mimoza Hysa është një surprizë e madhe e romanit shqiptar, që spikatet si stil përmes finesës së përbërjes, përsosjes së ndjeshmërisë( një ngjyrë jeshile pa kufij – duke filluar nga kapaku –  është laitmotivi  në mënyrë simbolike i stinës së pranverës, i muajt Mars, nga i cili, autorja krijon emrin e Marsinës, dhe nga e marta, emrin e Martinës), rrjedhshmëria e analizës, tema e çiftit, arti, periudha në të cilën është vendosur veprimi(të themi një atmosferë e modës së vjetër, old-fashion) dhe, natyrisht, nevoja për t’u përqendruar në monologun e brendshëm.

    Dy motra binjake, të cilat i duan të njëjtët burra në faza të ndryshme të jetës së tyre, personazhe antagoniste, temperamente të ndryshme. Jetoni, personazhi mashkull i romanit është i dënuar me një asketizëm total, i cili bashkon në mënyrë oksimoronike fuqinë absolute të dashurisë dhe pafuqinë absolute. Monologu, retorika e të cilit gjithsesi merr përgjigje, nga të njëjtat pozicione të fjalës së brendshme si një transferim i shpejtë midis personazheve femra (personazhi TI) shkruhet në një tension, i cili ndihet në çdo faqe. Kemi, mund të them, një roman bardh e zi në të cilin kujtesa merr shumë konotacione në tekst. Do të thotë dhe ngrirja e kohës, dhe zvogëlimi në thelbësore, dhe epërsia e momentit, dhe funksioni magjik i imazhit si një dyshe e shpirtit, dhe fuqia totale e atij që kujton, dhe heshtja, dhe zbulimi i së fshehtës dhe jetës – por, nga ana tjetër edhe vdekja dhe errësira  – diktatura, si  kohë në të cilën vendoset zhvillimi i veprimit.

    Përtej kohës së zhvillimit të ngjarjes si periudhë – hapësira, korniza shoqërore dhe politike në të cilën lëvizin këto shpirtra, njëri i fiksuar për absolutin nëpërmjet rregullit, tjetri për lirinë e dashurinë – kanë të gjitha të dhënat e një birucë dhe vëmendja e vazhdueshme të autores, e palodhur në përdorimin e bisturisë së vetëanalizimit moral, e bëjnë këtë libër diçka unike në letërsinë shqipe. Me gjithë dëshpërimin, rëniet, iluzionet, mënyrat e ndryshme të pushtimit të Thelbësores që jeta u ofron njëkohësisht dy motrave, rrëfimi mbetet po aq febril. Dhe ky rrëfim ndodh publikisht. Shembullorë është, në këtë kontekst, trajtimi i përvojave erotike, të jetuara në nivelin e mishit ose të shpirtit. Marsina mund të jetojë gjithsesi dhe çdo gjë në një nivel fizik dhe shpirtëror, vetëm për të pasur kuptim; ndërsa Martina përjeton dhimbjen.

    Është një roman i vetëzbulimit dhe konvencioni epik i izolimit absolut në vetvete, i lejon autores të depërtojë në thellësitë e ndjenjave të personazheve. Një roman analitik i një hollësie dhe përsosjeje të rrallë në letërsinë e sotme. Personazhet kryesore të Mimozës marrin përsipër këtë gjendje dhe i bëjnë vetes ato pyetje me një tension dhe sinqeritet të fundit, të cilat, mendoj, janë të një njerëzimi të humbur në tërësi. Ne kemi në një moment një muze në këtë përpjekje. Një përpjekje të dëshpëruar të kujtesës (rol kryesor në roman), dhe kjo karakteristikë vjen, duke folur tipologjikisht, nga një ushtrim i gjatë rrëfimi, me gjithçka që përfshin në rendin moral, psikologjik, ekzistencial.

    Kështu rrjedh lumi i mendimeve të personazhit vëzhgues, por në pamundësi për të qenë bashkëbisedues i drejtpërdrejtë. Personazhi i dyfishtë (TI) zbulon veten në dritën më mizore, të dhënë në një nivel shpirtëror sipas ndjenjave dhe kuptimeve nga Marsina dhe Martina: egotistik, cinik, duke injoruar dashurinë dhe duke kërkuar lavdi apo duke hequr dorë nga triumfi. Veta e dytë në lumin e monologut rindërton portretin e secilës prej motrave. Një portret i përbërë nga hije, intensitete të shkëlqyera, heshtje dhe gjeste domethënëse të paqarta, duke lëvizur mjegulla shpirtërore, duke zbuluar dhe fshehur njëkohësisht. Portret femëror me qëndrueshmëri psikologjike, tërheqës përmes misterit që lë pas.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË