More
    KreuIntervistaMira Meksi: Jemi individë të përgjuar nga shoqëria kudo

    Mira Meksi: Jemi individë të përgjuar nga shoqëria kudo

    Pas përmbledhjes me novela dhe tregime “Flutura mes gjinjve” të botuar një vit më parë, pas botimit të dy novelave përpara dy vjetësh, Mira Meksi po i sjell sërish lexuesit një përmbledhje të re me një novelë të gjatë dhe pesëmbëdhjetë tregime, me titullin grishës “Hakmarrja e Kazanovës”. Lexuesi ju njeh si shkrimtare romanesh, tanimë i jeni kthyer tregimit?

    Në të vërtetë pasioni im i parë ka qenë për tregimin, madje për tregimin e shkurtër. Që në filim të viteve 90 kam botuar dy përmbledhje me tregime, përpara se t’i futesha romanit. Është e vërtetë që janë tre vite radhazi që po i sjell lexuesit këtë gjini të letërsisë. Mendoj që hë për hë “ i kam larë llogaritë” me tregimin dhe lexuesi im për një kohë relativisht të gjatë, mendoj, do të ketë sërish vetëm romane prej meje.

    Pas botimit të romanit historik dhe shumë impenjativ “Mallkimi i priftëresha të Ilirisë” vijnë tregimet, çfarë raporti krijohet mes tyre, si ndiqet ky proces?

    Ndonëse më pëlqen më tepër tregimi i shkurtër si gjini, ndihem shumë më mirë duke shkruar romane, për hir të lëndës së bollshme dhe kohës së gjatë. Sigurisht romani është një gjini shumë komplekse, por edhe komode. Për t’iu futur shkrimit të tij mjafton të njohësh fillimin dhe fundit, gjithçka tjetër lind më pas dhe zhvillohet natyrshëm. Duhet vërtet strukturuar siç duhet, por edhe ndonjë gabim në këtë kuptim, ka mundësi të korrigjohet gjatë rrugës së tij të gjatë. Ndërsa tregimi është shumë i vështirë për t’u shkruar, gjithçka tek ai duhet të jetë e përcaktuarr që në nisje. Aty operohet me një lëndë të brishtë dhe shumë të çmuar që ftohet shpejt dhe që duhet punuar për t’i dhënë formë me shumë shpejtësi dhe saktësi milimetrike.

    Do doja të ndalesha te novela që i ka dhënë edhe titullin kësaj përmbledhjeje, “Hakmarrja e Kazanovës”. Ju nuk po i ndaheni Venecias dhe noveles policeske nga sa po konstatoj. Si shkuat gjer te Kazanova? Cfarë ju tërhoqi apo ju frymëzoi tek ai? A mund ta quaj këtë novelë një novelë dashurie, misteri, dhe njëkohshëm policeske?

    Po Venecia, sidomos ajo e fshehta, e mistershmja, Venecia e errët, e legjendave dhe miteve, por edhe e krimeve të bujshme më tërheq shumë, sepse ngaherë, gjatë vizitave të mia, zbuloj gjëra të cilat mëpastaj ushqejnë shkrimësinë time. E cilin shkrimtar nuk do tërhiqte Kazanova, “Joshësi venecian” më i madh i të gjitha kohërave? Por Kazanova ka qenë edhe një nga shkrimtarët më emblematikë të Rilindjes europiane, vepra që ka lënë, sidomos “Kujtimet” e tij janë konsideruar si një enciklopedi e shoqërisë, politikës, oborreve mbretërore, etikës, zakoneve të epokës së tij. Novela hedh dritë në këtë pjesë pak ose të keqnjohur të jetës së tij. Ka nota të theksuara të novelës policeske, ka shumë mister, ka shumë ezoterizëm, magji, shumë dashuri, por ama shpirti policesk i saj jepet në mënyrë shumë specifike, nga gjurmimet e një ekspedite historianësh, studiuesish.

    Si përherë në shkrimësinë tuaj ka shumë erudicion, shumë të dhëna dhe njohuri për lexuesin. Duket sikur strumbullari i ngjarjeve te “Hakmarrja e Kazanovës” është gjurmimi prej ekspeditës së historianëve i “Manualit të dashurisë” që, me gjasë, ka shkruar Kazanova, por që nuk është zbuluar kurrë. A ka ekzistuar vërtet një Manual i tillë? Cila është zanafilla e tij tek ju si shkrimtare?

    Mendoj se të gjithë ata që njohin sadopak jetën tejet të ngjyrshme aventurore dhe “bëmat” dashurore të Kazanovës, magjinë e tij si ngashnjyes apo princ i joshjes, kanë kërkuar të dinë ca më tepër, sidomos të njohin “ sekretin” që e bën Kazanovën të parezistueshëm ndaj grave. E pra, të gjithë do të kishin interes të gjenin dhe të lexonin një Manual apo një libër me rregulla apo metoda të joshjes, të shkruar nga vetë dora e tij. Dhe kërkimi i këtij manuali plot të fshehta në këtë novelë çon në të tjera mistere dhe të fshehta që janë shumë më interesante se një manual i tillë, gjer në kufijtë e pabesueshëm të legjendës dhe tragjedisë…

    Porse duket se thelbi i kësaj novele që porsa i ka ardhur në dorë lexuesit, jepet që në krye të tij, me anë të një fragmenti të shkëputur nga libri Identiteti i Milan Kunderës.

    Po, thelbi i kësaj novele është dhunimi identitetit të njeriut. Në shoqërinë e sotme, ashtu siç shkruan edhe Kundera, individi përgjohet nga shoqëria në gjithçka, kurdo dhe kudo, që në bark në nënës dhe gjer pas vdekjes, edhe me shekuj pas vdekjes, siç ndodh edhe me Kazanovën në këtë novelë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË