More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDy recensa me mendime dhe vlerësime të kundërta nga Kadare dhe Kapllan...

    Dy recensa me mendime dhe vlerësime të kundërta nga Kadare dhe Kapllan Resuli për vëllimin “Sot”, të poetit Faslli Haliti

    Ismail Kadare: Ditët e sotme në poezinë e një të riu

    Kur disa vjet më parë një djalë i ri nga Lushnja, Faslli Haliti, sillte në redaksi vjershat e para për t’i botuar, ishte e vështirë që të besoje se shpejt do të vinte koha që ai do të botonte librin e tij të parë. Kjo ndodhte sepse vjershat e tij ishin shkruar me mungesa të mëdha teknike, me gjuhë të çrregullt; idetë disa herë nuk ishin të qarta; vjershat disa herë nuk kishin kuptim. Megjithatë, midis strofave të shumta të këtij fillestari shkëlqente tek-tuk ndonjë copë e bukur origjinale poetike e cila, për fat të keq, humbte përsëri në grumbullin e madh të vargjeve të tij. Sikur Faslli Haliti të ishte dashuruar ahere pas vargjeve të tij, sikur ai të ngulte këmbë dhe të mbronte dobësitë e tij, ishte e sigurt se nuk do të kishim librin e tij Sot, që është një nga librat më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit nga shtëpia botuese Naim Frashëri.

    Por ai vinte nga Lushnja, i thjeshtë dhe serioz, si njeri i vërtetë i punës, dëgjonte me vëmendje vërejtjet, mundohej t’i kuptonte ato, nuk “përgjërohej” për ato që kishte shkruar, por i vihej punës të shkruante më mirë, duke flakur dobësitë e shumta. Pas një kohe të shkurtër iu botuan vjershat e para. Koha e botimit të parë është disa herë periudhë e rrezikshme për një fillestar. Pikërisht në këtë kohë mund të krijohet tek ai një vetëbesim i tepruar i cili, për fat të keq, bëhet nganjëherë shkaktari kryesor që disa të rinj e fillojnë mbarë punën, mirëpo pastaj, në vend që të bëjnë përpara, bëjnë prapa. Faslli Haliti, si shumë shokë të tij të talentuar, e kaloi me sukses këtë periudhë. Ai ishte po aq i vëmendshëm ndaj vërejtjeve, po aq serioz në punë si dhe më parë. Ne besojmë se edhe pas botimit të librit të tij të parë, Sot, Faslli Haliti, duke e kuptuar thellë se arti është një pasuri që krijohet për popullin, do të vazhdojë të punojë me këmbëngulje dhe përgjegjësi të madhe, ashtu siç ka bërë gjer tani, për të shkruar edhe më mirë, për të zhdukur gjer në fund ato mungesa dhe dobësi që vihen re edhe ne librin e bukur Sot. Gjëja e parë që të bie në sy në këtë përmbledhje poetike është aftësia e poetit të ri për të komunikuar drejtpërdrejt me lexuesin. F. Haliti nuk mbështillet me “aureolën e krijuesit”, duke i folur lexuesit nga lart. Ai, në mënyrë të thjeshtë dhe të natyrshme, e konsideron lexuesin si shokun e vet dhe pa asnjë pozë letrare i flet për problemet që e shqetësojnë:

    Nata,

    Bulevardi,

    Fshesari dhe unë.

    Eja fshesar,

    Jemi kolegë.

    Ndize një cigar.

    Kjo nuk është një thjeshtësi e shtirur e intelektualit që duket sikur do të thotë: “Shikoni sa poet i thjeshtë jam, bisedoj edhe me një fshesar.” Po të lexosh librin e Faslli Halitit, vë re që krye e fund e përshkon një thjeshtësi e vërtetë burrërore:

    Mik me nusen vajta në fshat,

    Që nusen time të gjithë të shikonin.

    Dolën, plakat, gratë.

    “Kjo qenka, moj, nusja e nipit të Shahinit?!

    Ç’qenka ,moj qyqe, kjo nuse kështu?!

    Kjo të shikoka në kokrrën e syrit,

    Supet përjashta, fustanin në gju!”

    Poeti vazhdon të tregojë historinë e vajtjes mysafir në fshat me nusen; me ngjyra të gjalla, të këndshme, duke bërë humor me veten dhe njëkohësisht, duke dhënë një tablo shumë reale të një fshati myzeqar, ku shprehitë e reja po zëvendësojnë çdo ditë etikën e vjetër. Në një vjershë tjetër ai shkruan:

    Futem në klasë,

    Nxënësit e mi shikojnë çizmet e mia me baltë,

    Flokët e mi të qullur

    Që kullojnë,

    Që varen të poshtë,

    Si flokët e Senekës.

    Shikojnë ditarin e lagur,

    Dhe supet qull të xhaketës.

    Në faqet e librit të tij e shikojmë poetin t’i bjerë kryq e tërthor Myzeqesë, të korrë grurë me kooperativistët, të ndezë një cigar me fshesëtarin, të çojë nusen në fshat, të dalë nga një mbledhje e fortë, të shkojë për të dhënë mësim mespërmes shiut, të diskutojë për probleme të ndryshme, të mbrojë me forcë dhe të mohojë me forcë.

    Në të gjitha këto vjersha ka diçka të brendshme progresiste. Kjo është një meritë kryesore e poetit të ri. Në vjershat e Faslli Halitit përparimtarja nuk qëndron në fjalë, ajo është brenda vargjeve, brenda subjektit të thjeshtë të vjershave. Duke i lexuar, ti kupton përnjëherësh se këto ngjyra, këto preokupime, këto mendime, këto ngjarje të thjeshta, ndodhin në Myzeqenë tonë, midis njerëzve tanë, në ditët tona. Faslli Haliti mundohet t’i përshkruajë ato në mënyrë të freskët, origjinale, pa shabllone poetike, të cilat krijojnë gjithmonë një perde tymi rreth poezisë. Natyrisht, kjo është një gjë shumë e vështirë dhe jo gjithmonë ai arrin ta realizojë, por disa herë e ka realizuar në mënyrë të shkëlqyer, si te vjersha Duhej të këndoja i pari, e di. Po e citoj krejt vjershën:

    E kam hekurudhën te dera e shtëpisë.

    Duhej të këndoja i pari, e di.

    Nuk këndova,

    Isha i mpirë, i hutuar.

    Isha si dhëndri në dasmën e tij.

    Si dhëndri që pret e përcjell,

    Ndërsa të tjerët këndojnë, kërcejnë,

    Ndërsa ai në qoshe i lumtur rri.

    Duhej të këndoja i pari, e di.

    Për hekurudhën Rrogozhinë-Fier janë shkruar qindra e qindra vjersha nga të rinjtë e të gjitha anëve të Shqipërisë, që morën pjesë në ndërtimin e saj. Ndërsa kjo është fjala e ngrohtë, e sinqertë, e thjeshtë e vendasit, e myzeqarit, për të cilin hekurudha qe dasma e tij.

    Faslli Haliti, duke iu shmangur uniformitetit që vihet re në vjershat kushtuar aksioneve, në një mënyrë sa origjinale aq edhe të thjeshtë, shkroi këtë vjershë të bukur.

    Origjinaliteti nuk është vetëm meritë e poezisë, por është kërkesë objektive që poezia të pasqyrojë sa më gjerësisht jetën e popullit. Duke u përpjekur të tërheqim një numër sa më të madh të rinjsh në punën letrare, e bëjmë këtë gjë jo për të nxitur uniformitetin, por pikërisht për ta luftuar. Mbyllja e poezisë në kuadrin e një numri të kufizuar autorësh rrit shabllonet poetike, nxit imitimet, krijon një ndarje midis poezisë e jetës dhe shton uniformitetin. Zgjerimi i radhëve të letrarëve duhet të bëjë të kundërtën. Origjinaliteti nuk është luks. Pasqyrimi në mënyrë sa më origjinale i realitetit tonë në veprat e sa më shumë autorëve, do të krijojë një tablo që mund t’i afrohet pak a shumë tablosë jashtëzakonisht të larmishme të realitetit tonë. Uniformiteti varfëron dhe zbeh tepër pasqyrimin e jetës sonë. Shabllonet, skemat e gatshme, parafabrikatet letrare nuk sjellin asgjë të mirë. Natyrisht, ka një ndryshim të madh midis origjinalitetit dhe manisë për të qenë origjinal, mani e cila kthehet kundër autorëve dhe dëmton rëndë punën e tyre. Në librin Sot bie në sy hapësira, ajri, drita, freskia e motiveve, ngjyrat e çelëta të fushës. Në të gjitha këto ka diçka nga Myzeqeja, nga gëzimi dhe çiltërsia e saj. Për të dhënë imazhet e fushës që e ka lindur dhe që poeti e do me gjithë shpirt, ai përdor një gjuhë të figurshme, me krahasime tepër të kapshme, të guximshme dhe konkrete. Konkretësia është një cilësi tjetër e tij e mirë, që nuk e lë të bjerë rob i spekulimeve të fjalëve. Ja një tablo e së kaluarës:

    Kur në fushë pranvera vinte,

    Varte lëkurën gjarpri në ferrë,

    Në gjoksin anemik

    Pranverat i vinin fushës flutura,

    Myzeqarit në gjoks i vinin hoxhallarët nuska.

    Këtu Myzeqeja dhe myzeqari gati-gati janë perceptuar si diçka unike, ku nuk kuptohet ku mbaron fusha dhe ku fillon njeriu. Gjoksi i fushës me fluturat e thara dhe gjoksi i myzeqarit me nuska shtrihen në një krahasim që ka një trishtim madhështor. Krahasimet e ndërtuara me elemente konkrete të jetës janë shumë interesante kur përdoren me vend. Për njeriun që del nga mbledhja e kolektivit ku e kanë kritikuar poeti shkruan:

    Dole kokulur, i skuqur, sigurisht,

    Ashtu si sëpata që del nga kovaçi,

    Pakëz e skuqur, e nxehur,

    Por e kalitur, e mprehur dyfish.

    Ose për kënetat e Myzeqesë ai thotë: “Kish ujë në shpatull Myzeqeja.” Disa herë krahasimet bëhen edhe më të guximshme: “Si e çarë e shalqirit, vetëtima vetëtin.” Ndoshta konkretësia është tepruar, por, sidoqoftë, tendenca është e mirë. Në vend që të përdorte krahasimin e stërpërdorur gjatë mijëra vjetëve “vetëtima si gjarpër”, e cila jep vërtet deri diku lëvizjen e vetëtimës, por lë jashtë ngjyrën, poeti nga jeta e përditshme fusharake mori një krahasim edhe më konkret, ku jepet më mirë ngjyra, megjithëse lihet jashtë lëvizja.

    Faslli Haliti është një poet që arrin rezultate të mira me përpjekje të mëdha. Kjo është mënyra e të punuarit të tij. Shpeshherë një vjershë e bukur e tij qëndron midis një grumbulli vjershash pa vlerë. Kjo nuk është një gjë shqetësuese, përderisa poeti do të vazhdojë ndaj dobësive të tij, do t’i luftojë këto, të ruajë të mprehur vëmendjen duke u ndarë vazhdimisht prej tyre. Në librin Sot gjithashtu ka mjaft dobësi. Disa herë vjershat janë të cunguara, fragmentare, pa ide të rëndësishme; ato duken si skica të paarrira që nuk bëjnë përgjithësime. Duket sikur autori i ka lënë përgjysmë nga shpejtësia ose hutimi. Nganjëherë vjersha nuk del nga kuadri i një konstatimi ose i një krahasimi të thjeshtë. Ka njëfarë “skeletizmi” në vjersha. Poeti i ri duhet që, duke ruajtur cilësitë e tij më të mira të thjeshtësisë, konkretësisë, lakonizmit, të mos i shndërrojë ato kurrë në qëllim në vetvete. Në vjershat e tij F. Haliti ka shpesh impresione të shkurtra, të cilat mbeten thjesht impresione kur nuk shoqërohen me një ide të rëndësishme. Ai duhet të përpiqet t’i shmanget njëfarë “akuarelizmi”, i cili duket edhe në vëllimin Sot. Duhet të përpiqet, nga ana tjetër, të zgjerojë diapazonin e tematikës së tij. Pa hequr dorë nga freskia e lirikës së fushës, do ta pasuronte poezinë e tij edhe një frymë më e gjerë epike, një nerv më i fortë ndaj ngjarjeve të mëdha me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Të gjitha këto nuk ka pse të kërkohen përnjëherësh. Këto janë elemente që objektivisht e pasurojnë poezinë e një poeti të ri, i cili nuk mbetet në vend, por ecën përpara.

    Shkrimtarët tanë të rinj kanë shumë për të mësuar, në radhë të parë nga jeta dhe pastaj nga librat. Ata kanë shumë nevojë për ndihmë. Duhet të ndihmohen nga shkrimtarët më me përvojë. Nga ana tjetër, është e domosdoshme të ndihmohen të rinjtë për të kapërcyer ndjenjën e vetëkënaqësisë pas sukseseve të para. Kur të punohet mirë me të rinjtë, ata do ta kuptojnë shumë mirë se kjo gjë që po bëjmë ne, krijimtaria letrare, nuk është diçka e mbinatyrshme, por është një përpjekje në kuadrin e përgjithshëm të përpjekjeve për përparimin e vendit. Tek të gjithë letrarët, sidomos te fillestarët, duhet të rrënjoset ideja se letërsia nuk është një stolì që zbukuron dhe bën interesante vetveten, por është një pasuri kombëtare dhe, si të gjitha pasuritë shpirtërore të popullit, ajo krijohet me vështirësi dhe mundime të jashtëzakonshme, nga shumë breza e nga shumë njerëz.

    Gazeta “Drita”, 12 tetor 1969


    Kapllan Resuli: Poezi që s’pasqyron tipiken

    Ca kohë më parë shtëpia botuese “Naim Frashëri” nxori në dritë vëllimin Sot të letrarit lushnjar Faslli Haliti.

    Libri përmbledh 47 vjersha, shumica të botuara në organet e shtypit këto tre-katër vitet e fundit. Bie në sy menjëherë se vjershat e Faslli Halitit janë të shkurtra e kryesisht me varg të lirë; dromca të vogla që lexohen shpejt e po ashtu shpejt edhe harrohen, se kalojnë pa lënë ndonjë mbresë më të thellë. Ka mes tyre edhe krijime më të mira, por shumica janë të sapodala nga djepi diletantesk e pa ndonjë vlerë, ashtu siç e ka konstatuar edhe Ismail Kadareja, që thotë: “Shpeshherë vjershat e tij (të Faslli Halitit) janë të parealizuara. Shpeshherë një vjershë e tij qëndron midis një grumbulli vjershash pa vlerë.” (Ditët e sotme në poezinë e një të riu, gazeta “Drita”, nr. 42, datë 12.X.1969.)

    Një numër i konsiderueshëm i vjershave të këtij vëllimi jo vetëm që janë të parealizuara dhe pa asnjë vlerë, por paraqesin edhe pikëpamje të gabuara ideo-politike dhe si të tilla, janë denigruese dhe në kundërshtim flagrant me realitetin dhe mësimet e Partisë.

    Ndër krijimet më të mira të këtij vëllimi duken Mbas mbledhjes, Panoramë myzeqare, Kish ujë në shpatull Myzeqeja, Kur vinin pranverat, Dhurim gjaku, Bisedë me babanë, Ai lulëzon dhe Duhej të këndoja i pari, e di.

    Kur themi se këto janë krijimet më të mira të Faslli Halitit, kjo s’do të thotë se janë të përsosura e pa të meta. Edhe këto krijime, kush më shumë dhe kush më pak, kush në përmbajtje dhe kush në formë, çalojnë aty-këtu dhe hapin shteg për diskutime, duke i lënë kështu lexuesit shumë për të dëshiruar. Fjala vjen, vjersha Dhurim gjaku është e mirë, por katër vargjet e fundit janë të tepërta dhe s’mund të thonë asgjë të re, kështu që kanë mundur redaktorët e vëllimit lirisht t’i heqin vargjet që paraprijnë:

    Gjaku im Vietnam,

    Është i një grupi me tëndin.

    E kanë thënë njëherë atë që pa ndonjë nevojë na e përsërit Faslli Haliti në vargjet: “Shqiptarët gjakun e tyre, një grupi me tëndin e kanë.”

    Përsëritje të tilla të panevojshme që e dëmtojnë poezinë ka shumë në krijimet e Faslli Halitit. Në vjershën Kullimi ai thotë: “Në ndërgjegjen time ka këneta, pellgje, moçale.” Fjalët “këneta” dhe “moçale” kanë të njëjtin kuptim. E dyta është edhe fjala e huaj, sllave (moçvara), në kuptimin ad literum të fjalës kënetë, kështu që kemi jo vetëm një përsëritje që s’thotë asgjë të re, një përsëritje që e dëmton poezinë, por edhe futjen e panevojshme dhe të padëshiruar të një fjale të huaj.

    Te poezia Duhej të këndoja i pari, e di, përsëritja e fjalës “ndërsa” në fillim të vargut të parë dhe të tetë jo vetëm që s’ia kanë arritur qëllimit, efektit artistik, por edhe e dëmton shumë ritmin e poezisë dhe rrjedhën e mendimit, duke krijuar kështu një frazë në kundërshtim me sintaksën e shqipes. Për këtë poezi, meqë thamë se është e mirë, duhet të shtojmë se ajo është e mirë vetëm në qoftë se e shikojmë si një autokritikë personale.

    Mirëpo, po ta shikojmë në planin e përgjithshëm, ashtu siç duhet shikuar një vepër artistike, ku uni i poetit duhet të shkrihet me unin e përgjithshëm, atëherë na duhet të themi se kjo poezi jo vetëm që s’është e mirë, por edhe shtrembëron realitetin, sepse s’është e vërtetë që rinia e Myzeqesë qëndroi “si dhëndri që pret dhe përcjell”, ndërsa të tjerët po ia shtronin “hekurudhën te dera e shtëpisë”. Rinia e Myzeqesë hodhi kazmat e para dhe të fundit krah për krah me rininë e krahinave të tjera që vërshoi në Myzeqe. Rinia e Myzeqesë i priti dhe i përcolli vëllezërit e motrat e krahinave të tjera jo “e mpirë” dhe “e hutuar”, siç thotë F. Haliti, por me këngë dhe valle, duke kënduar e duke kërcyer. Ndaj edhe themi se për këtë poezi Faslli Haliti është për t’u përgëzuar për rrëfimin dhe autokritikën e sinqertë të ngritur në art, por ama ai duhet të dijë se çështja personale që nuk shkrihen në çështjet e përgjithshme lexuesit pak ose aspak i intereson. Kur këto çështjet lënë shteg edhe për interpretime të padëshiruara, atëherë është më mirë që të mos ngrihen fare, në qoftë se s’kemi aftësitë dhe forcat për të ngritur në art ashtu siç duhet, duke i shikuar përmes kuadrit të përgjithshëm, përmes asaj që është tipike.

    Ndër krijimet që porsa kanë dalë nga djepi diletantesk mund të përmendim Kullimi, Veç kujdes, Kthimi i Skënderbeut, Rruga, Kolegu, Rini, Lulëzimi dhe ne dhe Zhurmë.

    Mendimi ynë si lexues është që vëllimi duhet të kishte dalë vetëm me këto vjersha. Sa u përket 31 vjershave të tjera, ne rezervojmë mendimin tonë. Peizazhet Pranverë, Shi maji, Ardhja e vjeshtës, Unë nuhas pranverën, Marsi në Sarandë dhe Shije të reja neve na duken tepër të përgjithshme, pa jetë, pa ngjyrë kombëtare.

    Marsi,

    Me kokën e kaltër,

    Me trupin e gjelbër,

    Kitarën e ujërave vari në qafë,

    Si tela kitare rrëketë i dredh

    Luleve, blerimit, iu bën serenadë.

                           Marsi në Sarandë

    Mbi koka jeshile pemësh

    Natyra derdhi bojë të verdhë

    Vjeshta krahët e artë

    Mbi fusha i hodhi

    Dhe kodrave lart.

                    Ardhja e vjeshtës

    Nyja, nyjën thërret.
    Me rrezet paralele zgjaten kërcejtë,
    Blerimi hap syrin e gjelbër gjithë qejf,
    Ujërat pranverore buzëqeshin të qeta,
    Pemishteve pjeshka fustanin e purpur

    Nis zbukuron me lulet e veta.

                    Unë nuhas pranverën

    Ja disa strofa të këtyre peizazheve ku mania dhe dora e njeriut tonë nuk duket asgjëkund. Këto peizazhe bien erë kozmopolitizëm, sepse kjo natyrë që na vizaton autori nuk pasqyron transformimin socialist në fshatin tonë fushor apo malor, nuk ka asgjë kombëtare, asgjë shqiptare. Vargje të tilla për natyrën kanë shkruar dikur romantikët dhe sot shkruajnë poetët e rrymave të ndryshme, por kurrsesi shkrimtarët e realizmit socialist, për të cilët kozmopolitizmi, si armë e nacionalizmit borgjez, është i huaj.

    Panorama e Myzeqesë që na jep Faslli Haliti nuk është ajo e ditëve tona. Ai thotë:

    M’ i madhi mik i fushës, plugu, 

    Mbi skenën e blertë këndon 

    Një kor drapërinjsh, kazmash, kombajnash

    E shoqëron.

    Është e vërtetë se dikur ka qenë “M’ i madhi mik i fushës, plugu”, mirëpo sot kjo panoramë ka ndryshuar. Në vend të plugut kemi traktorët që buçasin anembanë Myzeqesë dhe në vend të krahëve të njëri-tjetrit kemi kombajnat dhe makineritë e tjera agroteknike. Bujqësia jonë është modernizuar dhe plugu s’është më “miku më i madh i fushës”.

    Dhe, ajo që është më e rëndësishme, në Myzeqe sot vjeshta nuk sheh më fytyrën e vet “mbi pellgje me ujë” (Ardhja e vjeshtës). Këtë pasqyrim e ka pasur vjeshta në Myzeqenë e bejlerëve dhe agallarëve, por jo në Myzeqenë e Partisë dhe të popullit punues.

    Me plot të drejtë na thotë një agronom në Lushnjë: “Në qoftë se është e vërtetë ajo që thotë Faslli Haliti në vëllimin e tij Sot për Myzeqenë, në qoftë se është e vërtetë se vjeshta sheh fytyrën e vetë mbi pellgjet me ujë këtu në Myzeqe, atëherë Partia dhe Qeveria duhet të më hedhin hekurat në duar, se më kanë vënë në dispozicion miliarda për t’ia ndryshuar pamjen Myzeqesë, për të tharë kënetat dhe pellgjet, që vjeshtat më të mos shohin fytyrën e tyre mbi pellgjet me ujë. E këtë gjë duhet ta dijë fare mirë Faslli Haliti, se edhe në qoftë se s’ka kaluar në fushë për të parë ndryshimet kolosale, sihariqi i këtyre ndryshimeve duhet t’i ketë arritur edhe në dhomën e tij prej fildishi, ku me siguri nuk dëgjohet piskama e mushkonjave.”

    Ja dhe disa vargje nga vjersha Shije të reja:

    Retë lëshojnë shiun mbi tokë,
    Zbardhon si vijë e bardhë horizonti,
    Zverdhin zhabinat e verdha,
    Më kërkuat fusha?
    Ara, fshatra –
    Erdha.

    Vallë, tri vargjet e fundit të kësaj strofe a nuk edukojnë te lexuesi pasivitetin dhe nënshtrimin e njeriut prej natyrës? Si është e mundur që fshatari ynë kooperativist i edukuar nga Partia me botëkuptimin materialist, sot, mbas 25 vjetësh, përsëri të presë lëmoshë nga natyra? Kësaj i thonë të shkruash larg fshatit dhe fshatarit, që nga tavolina. Do të ishte mirë që më parë autori të vizitonte rezervuarët e Thanës, hauzet dhe kanalet vaditëse anekënd Republikës… Por e keqja s’qëndron këtu.

    Le të ndalemi te vjershat Sot, Kuadrove që nuk u iket, Në fushë, Unë mësuesi i fshatit, Mik në fshat, Ike, Ajo, Kaloj, Nata etj.

    Njerëz që venë në kamp në Durrës,

    Që venë të takojnë të fejuarën,

    Që nisen të shohin një ndeshje futbolli,

    Që nisen të marrin provimin e parë,

    Që nisen të marrin provimin e fundit,

    Që nisen kufirit ushtarë.

    Po të heqim vargun e fundit, autori në vjershën Sot na server si problemet më shqetësuese të kohës sonë pushimin, dashurinë dhe diplomën për të garantuar qetësinë personale. Ç’vargje të neveritshme!

    Vallë, s’kishte mundësi autori në vjershën Sot të na paraqiste iniciativa që kanë lindur në gjirin e të rinjve dhe të masave për të zbukuruar malet me tarraca, për të përvetësuar mësimet e Partisë dhe të shokut Enver, për të hequr dorë nga prona personale, për të mësuar gjithë artin ushtarak etj.?

    Sot! Vallë, ku duket heroizmi masiv, ku duket solidariteti popullor, ku spikat uniteti moralo-politik Parti-Popull?! Askund, askund, veç predikimeve të sëmura… veç predikimeve alla-revizioniste… veç rrugëve pa krye:

    Njerëz që ikin kudo,

    Ku të mundin…

                                    Sot

    Besnikëria dhe gatishmëria e kuadrove tona të edukuara nga mësimet e mëdha të Partisë për të vërshuar poshtë, ku e lyp nevoja e atdheut – ja lajtmotivi që duhet të frymëzonte Faslli Halitin. Por këtë fakt autori e ka injoruar në vëllimin e tij, duke shkruar:

    Kuadro kudo nëpër poste ku jeni,

    Që dot nuk ju iket 

    Që dot nuk ju zbritet.

           Kuadrove që nuk u iket

    Vallë, ky është realiteti ynë? Kurrsesi! Faslli Haliti do të bëjë mirë që të njihet me të gjitha kuadrot e reja që kanë zbritur nga kryeqyteti në qytetin e Lushnjës dhe ndër të gjithë qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, për të kuptuar se tipari karakteristik i kuadrove tona nuk është “ngurrimi i imagjinuar nga Faslli Haliti, por besnikëria dhe gatishmëria e tyre”. Nëse autorin e zë meraku për ata pak individë trumykur e burokratë që nuk shohin më tej nga hunda e tyre, e këshillojmë që të mos shqetësohet, sepse revolucionit fitimtar nuk i bëhet vonë për të tillë bashkudhëtarë miopë dhe egoistë.

    Kemi përpara vjershën Në fushë. Lexojmë:

    Nuk prashitet më,

    Nuk korret më,

    Vapë

    Sa s’ka.

    Stepjen nga vështirësitë, ja ç’na edukojnë këto katër vargje! Sjellim ndër mend vargjet e poetit tonë të respektuar, F. S. Noli:

    T’u tha gryka po s’të pihet,

    T’u mpi këmba po s’të rrihet,

    Se mileti po të pret…

    ………………………

    Shpejt or Marathonomak!

    Ç’optimizëm na ngjallin këto vargje të shkruara 39 vjet më parë!

    Sa keq na vjen që Faslli Haliti, në vend që të na japë figurën e Marathonomakut të ri të kalitur në kudhrën e Partisë, na servir një fshatar, individ i cili, pasi u than gjoksin katruveve, ngul kazmën në tokë dhe ia fut gjumit nën hijen e gorricës. E ç’mund të mësojë lexuesi prej një vjershe të këtillë, ku as nuk duket puna kolektive, ku askund nuk vështrohet teknika dhe agroteknika, ku veç misrit dhe grurit nuk mbillet asnjë kulturë tjetër, ku autori predikon përtacinë dhe stepjen nga vështirësitë? Dhe kur? 39 vjet mbas Marathonomakut të F. S. Nolit, kur ne me plot të drejtë presim prej poetëve tanë që, së paku nga ana ideore, të qëndrojnë më lart se F. S. Noli.

    Lidhur me vjershën Mik në fshat, që është një ndër vjershat më të mira të këtij vëllimi dhe që ka vargje dhe pasazhe të mrekullueshme, është shkruar në ndonjë artikull kritik se gjoja këtu na u pasqyruakan ndryshimet social-ekonomike që po ndodhin në fshatin tonë socialist etj. S’ka si të mos qeshim me këtë vlerësim subjektivist, që bie në kontradiktë me vargjet e letrarit të ri i cili, në mes të tjerash, thotë:

    Daja fshatarëve nuk la pa u thënë:

    Nusen me nipin sonte kam miq,

    Po dreqi ta hajë se sot bukë gruri

    Plaka ime s’paska gatuar!

    Po jemi në kohën e lëmit, moj plakë!

    A nuk flasin këto vargje për një fshat më të prapambetur dhe të pakolektivizuar, ku secili fshatar ka magjen dhe lëmin e tij?

    Nëse Shahini do të paraqitej si anëtar i kooperativës, ankesa e tij do të ishte absurde, sepse në kooperativë anëtarët bukë nuk gatuajnë vetë, por e marrin në dyqanin e bukës, ndërsa lëmenjtë janë pronë e paprekshme e kolektivit të bashkuar. Autori gjithashtu ka harruar faktin se shallvaret dhe tumanet nëpër fshatra tona fushore dhe malore janë zëvendësuar me veshjen e lehtë socialiste.

    Kjo qenka, moj, nusja e nipit të Shahinit?!

    Ç’qenka, moj qyqe, kjo nuse kështu?!

    Kjo të shikoka kokërr të syrit,

    Supet përjashta fustanin nën gju!

    Ky fanatizëm, ky ambient fshataresk, bie në kontradiktë me fshatin e ri socialist ku të rejat dhe nuset po shkallmojnë dita-ditës zakonet e vjetra, po luftojnë thashethemet, po përqafojnë normat e moralit të ri, po futen gjithnjë e më shumë në rrugën e përparimit, po marrin pjesë gjallërisht në të gjitha fushat e jetës.

    Asnjë përgëzim nuk meriton edhe vjersha Unë, mësuesi i fshatit, sepse autori, në vend të figurës së mësuesit, komisar drite dhe përçues i politikës së Partisë në fshat, na ka dhënë figurën e një mësuesi qesharak:

    Pantallonat e mia zhytur në çizme,

    Flokët e mi të qullur

    Që kullojnë,

    Që varen teposhtë,

    Si flokët e Senekës.

    Ky mësues është katandisur në këtë gjendje, sepse “imazhi i vajzës bukuroshe” e tërheq vazhdimisht drejt qytetit. Në asnjë varg ky mësues nuk del si aktivist shoqëror në fshat. Mendja e tij është e mbarsur vetëm me formula, konveksione dhe “eksklamacione”. Ky lloj mësuesi s’ka asgjë të përbashkët me Ndrec Ndue Gjokën, Ismet Sali Bruçajn, me mësuesit e Kolonjës e të Mirditës dhe me mijëra e mijëra mësues të tjerë që lumturinë e gjejnë në fshat, në gjirin e fshatarësisë kooperativiste.

    Në një kohë kur Partia lufton për emancipimin e femrës shqiptare, në një kohë kur udhëheqësi ynë i madh, shoku Enver Hoxha, ngre lart gjestin e qytetares Athina Mile që zgjodhi për bashkëshort një të ri kooperativist nga Malësia e Mirditës, Faslli Haliti në poezitë Ajo dhe Ike na e paraqet femrën të varfër shpirtërisht dhe të prapambetur nga ana ideore:

    Jam qytetare,

    Jeni fshatar,

    S’mund të martohemi bashkë!

                                                       Ajo

    Në livadhin e blertë të shpirtit të ri

    Me lule ndjenjash, dashuri të njomë,

    Ishe.

    Por ike,

    Ike skëterrës së shpirtit të tij,

    Ku lulëzonte vetëm një diplomë.

                                                               Ike

    Ashtu si te vjersha Kuadrove që nuk u iket, edhe në këto dy vjersha të vogla autori nuk ka kapur tipiken që ne e shohim të mishëruar në gjestin e Athina Miles dhe të qindra arsimtareve myzeqare dhe korçare, që vullnetarisht kanë shkuar në zonat e thella malore të Veriut për të shërbyer si edukatore të brezit të ri.

    I padrejtë na duket krahasimi i natës me nënën e dëshmorit që i dha Luftës Nacionalçlirimtare djalin apo vajzën e vet: “Nata, si nënë dëshmori me sharpin e zi…” Dhe jo vetëm në këtë vjershë. Krahasimet e Faslli Halitit thuajse nga vjershë në vjershë çalojnë. Paralelizmi i pranverës me hoxhallarët dhe i fluturave me nuska në poezinë Kur vinin pranverat tregojnë papjekuri të theksuar.

    Shenja formalizmi dhe manierizmi vëmë re te vjersha Kaloj, ku e gjithë amfora na duket e kërkuar artificialisht, në kundërshtim edhe me natyrën e gjuhës sonë, e cila pranon të tilla frazeologji: “buzë lumit”, “buzë liqenit”, “buzë detit”, “buzë malit”, por kurrsesi; “buzë vetullave”, “buzë syve”, “buzë flokëve”, “buzë buzëve” etj.

    S’jemi dakord as me konceptin ideo-politik të autorit që, duke kaluar tek traseja, nuk sheh tek aksionet tona dashurinë ndaj Atdheut, por dashurinë seksuale; nuk sheh bukuritë e sakrificës dhe të vetëmohimit, bukuri të entuziazmit rinor, të patriotizmit dhe të ndërgjegjes së lartë socialiste, por bukuritë e syrit të aksionisteve, të buzëve vishnje, të syrit, të vetullave, të trupit të hijshëm dhe flokëve. Autori shpif me paturpësinë më të madhe kundër aksionisteve tona, kundër motrave dhe bijave tona, duke thënë se një njeriu të tillë, ato me qindra ia bëjnë me dorë, e ftojnë për dashuri seksuale. Kjo, siç thamë, është një shpifje e paturpshme dhe e palejueshme se njerëzve të tillë aksionistet tona, rinia jonë, jo vetëm që s’ua ka bërë dhe s’ua bën me dorë, por u ka pështyrë dhe u pështyn në surrat dhe ka marrë e merr masa kudo që i zbulon për edukimin e tyre. Një mendim i tillë i autorit assesi s’pajtohet me realitetin ndër aksionet tona, ku shkohet për t’u kalitur ideologjikisht e fizikisht dhe jo për t’u dashuruar.

    Partisë Faslli Haliti i kushton vetëm vjershën Kudo, e cila s’është gjë tjetër veçse pllakat, ku PPSH-në e gjejmë vetëm të shkruar: “mbi mezhda”, “bri rrugës”, “në ballin e malit”, “mbi faqen e xhamit”, “në hyrjen e një fabrike”, “në prolog të një poeme”, por jo në zemrat e njerëzve të cilët nën emrin e saj munden me furtunën, me zjarrin, me tërmetin, me armiqtë e revolucionit dhe kurdoherë dalin fitimtarë.

    Në vëllimin Sot ndeshemi edhe me krijime shumë të dobëta nga ana artistike si, fjala vjen, Lushnja natën, që s’paraqet asgjë të re, asgjë të veçantë për Lushnjën si qytet i rëndësishëm bujqësor dhe industrial.

    Fakti që autori s’na flet as për punëtorët e turnit të natës, as për bisedat e nxënësve që kthehen nga shkolla e bashkuar pa shkëputje nga puna, as për traktorët që në periferi të qytetit zhurmojnë gjer në orët më të vona të natës, na bën të mendojmë se Faslli Haliti e sodit jetën vetëm nga larg.

    Vjersha Kujtimi im nga një ekskursion inkuadrohet ndër krijimet më të dobëta, të pafrymëzuara, ku vetëm përmenden objekte ku autori dhe kolegët e tij kanë parë dhe kanë marrë me vete. Në përgjithësi, poezia e Faslli Halitit është një poezi e përciptë, pa frymëzim, e ftohtë, e për më tepër denigruese, sepse ai nuk e vështron realitetin tonë ashtu siç është, por siç ka qenë dikur, nuk krijon poezi të realizmit socialist, por poezi të sëmura që dalin duke e vështruar realitetin përmes një prizmi personal e të huaj për ideologjinë tonë.

    Çuditemi me autorin e shkrimit kritik Ditët e sotme në poezinë e një të riu, botuar në gazetën “Drita”, që është shprehur se vëllimi Sot na qenka një nga librat “më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Ose: “Në vjershat e Faslli Halitit socializmi nuk qëndron në fjalë, ai është brenda vargjeve, brenda subjektit të thjeshtë të vjershave.” Për ç’socializëm e ka fjalën autori i artikullit? Partishmëria jonë te vëllimi i Faslli Halitit është e jashtme, qëndron vetëm në fjalë dhe nuk futet në brendi të subjektit. Për sa u përket vjershave të gabuara, ajo është edhe e huaj.

    Ne dhe shumë pjesëmarrës të diskutimit krijues të organizuar nga Shtëpia e Kulturës e qytetit tonë për librin Sot s’pajtohemi as me mendimet subjektive të Ismail Kadaresë dhe as me çmimin e tretë që juria e poezisë i dha këtij vëllimi në konkursin e madh kombëtar të shpallur me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Atdheut tonë. Jemi të mendimit që autorëve të rinj u duhet dhënë ndihmë për të përvetësuar mësimet e Partisë, për të njohur jetën dhe për të zotëruar artin e të shkruarit, por në asnjë mënyrë të mos u bëhen lëshime në ideologji ose t’u fërkohen krahët kur ata nuk e meritojnë. Tek autorët e rinj nuk duhen vlerësuar vetëm manitë e tyre për të krijuar figura bajate:

    Kamerierja puhi

    servir freski.                    

    Apo:

    Kooperativa berbere e rreptë

    flokët e ferrave fare i qethi.

    E themi këtë, sepse figura të tilla, tendenca formaliste dhe manierizmi, e bëjnë lexuesin tonë të revoltohet, të pështyjnë në atë poezi dhe të thotë: “Kjo nuk është poezia që unë kërkoj nga poetët e realizmit socialist.”

    Kapllan Resuli, shkrimtar

    Spiro Dinaku, nëpunës

    Hysen Kurti, punëtor

    Arkivi Qendror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË